Kerko: a
Nexhmedin Saqipi: Taksa dhe reciprociteti
E diele, 16.02.2020, 05:25 PM
Taksa dhe reciprociteti
Nga
Nexhmedin Saqipi
Qeveria
e re e Kosovës, e cila ndryshe po quhet edhe Qeveria Kurti, për të sjellë risi
në skenën politike, për dallim nga mandati i kaluar i koalicionit qeverisës, kë
kushtëzuar heqjen e taksës në favor të reciprocitetit dhe ripërtëritjes së
dialogut në mes Prishtinës dhe Beogradit.
Kjo
lojë e kushtëzimesh i ka vënë në siklet jo vetëm Kosovën dhe Serbinë, por edhe
një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare. Dy fuqitë e mëdha aleatë të Kosovës dhe
mbështetës serioz të pavarësisë së saj e kanë këshilluar lidershipin shqiptar,
që ta heqin taksën dhe mos të manipulojnë me reciprocitetin, si pengesa
kryesore në vazhdimin e dialogut.
Qeveria
e Kosovës, para disa kohe, pat marrë vendim të rris 100 për qind taksën
doganore për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja, ndonëse një vendim i
tillë u prit me shqetësim nga Bashkimi Evropian, i cili kërkoi menjëhershëm
heqjen e saj.
Pavarësisht
arsyetimit të Qeverisë së mëparshme kosovare për aplikimin e taksës ndaj
produkteve serbe e boshnjake, nga mllefi ndaj politikës së Beogradit, e cila
lobonte kundër anëtarësimit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtare dhe
tërheqjen e njohjeve ndaj Kosovës, krahas BE-së rreshtohen edhe Amerika e
Gjermani për heqjen e taksës.
Lëre
që nuk u tërhoq taksa, por në vend të kësaj kërkohet reciprocitet me shtetin
serb, çka edhe më shumë i acaron raportet në mes këtyre dy shteteve, duke vënë
në pozita të palakmueshme edhe faktorët ndërkombëtarë.
Këtë
reciprocitet, të cilin kryeministri Kurti e kërkon me zëvendësim me taksën,
është përdorur më herët në mes serbëve të veriut dhe shqiptarët e jugut të
Serbisë, përkatësisht të Luginës së Preshevës. Në këtë drejtim edhe spektri
politik e institucional kosovar dhe ai i Luginës së Preshevës, bënë shumë
politikë në realizimin e kësti reciprociteti, i cili asnjëherë nuk u zbatua në
praktikë.
Shtohet
pyetja: Si mund të realizohet reciprociteti në mes Kosovës dhe Serbisë, në
nivel dy republikash, kur ai nuk gjeti mbështetje të realizohet mes Mitrovicës
dhe Bujanocit, si dy nga komunat më problematike në rajon?!
Për
shkak të lojës së stërgjatur në mes Prishtinës dhe Beogradit, si ajo e litarit
tërhiq e mos këput, ka sjellë në një gjendje të paduruar të bashkësisë
ndërkombëtare dhe fuqive të mëdha, të cilat si duket kanë filluar të lodhen dhe
të mërziten, duke kërkuar që sa më shpejt të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme
në realizimin e marrëveshjeve të firmosura në mes të këtyre dy shteteve të
cilat bëjnë gara se cila më parë të anëtarësohet në BE e forume të tjera
ndërkombëtare siç është Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Në
ditët vijuese do të shihen gjërat se si do të duken në favor të gjetjes së një
zgjidhjeje në mes Kosovës dhe Serbisë me një njohje të ndërsjellë, nga e cila
do të përfitojnë qytetarët e këtyre vendeve, duke llogaritur edhe paqen dhe
stabilitetin ndër-rajonal, si garancë e ardhmërisë ballkanike dhe evropiane.
(Autori është publicist
dhe kryetar i Shoqatës së Gazetarëve "Etika" nga Lugina e Preshevës)