Kulturë
Valbona Halili: Suksesi më i madh albumi “Hall me burrë, hall pa burrë
E diele, 12.10.2008, 10:53 PM
Albert Zholi
INTERVISTA/ Valbona Halili: Ishte një punë shumë dinjitoze, ku kam bashkëpunuar me kompozitorin Edi Balili
Suksesi më i madh albumi “Hall me burrë, hall pa burrë”
Hyrje
Një këngëtare potente që daljen në skenë e përcolli me sukses të menjëhershëm. Dhe pse ka studiuar për kanto, ajo është lidhur me këngën popullore pazgjidhshmërit pasi kënga popullore i dha suksesin dhe i hapi rrugën e vërtetë të skenës. Repertori i saj përmban kryesisht këngë të Shqipërisë së Mesme, këngë të cilat ajo i këndon plot pasion duke hyrë në radhët e këngëtareve më të sukseshme të kësaj kënge. E qetë dhe e çiltër ajo gjithmonë është në kërkim të së resë, të së bukurës, pasi tashmë dihet që kënga popullore ka fituar terren dhe numri i këngëtareve popullore po rritet nga dita në ditë. Dhe pse repertori i këngëve të saj po rritet nga dita në ditë, ajo nuk e mohon se suksesin më të madh e ka arritur me albumin Suksesi me albumin “Hall me burrë, hall pa burrë”
Koncertet e saj i kanë kaluar kufijtë e Shqipërisë, por ajo gjithmonë edhe pse kërkesat i ka në rritje, do të këndojë skenat shqiptare, aty ku mori duartrokitjet e para dhe dëshifroi perspektivën si këngëtare. Por është një fakt që ajo nuk le rast pa e përcjellë, momenti më i bukur ngelet pjesëmarrja në spektaklin “12 në Hollivud”,
Diku ka një fillim. Ky fillim mund të jetë i suksesshëm, por edhe një dështim. Kur dhe si ka qenë fillimi i skenës për Valbonën. Me cilën këngë ke dalë për herë të parë në skenë?
Kënga me të cilën unë jam prezantuar për herë të parë ka qenë kënga “Një natë me Hënë” në spektaklin “12 në Hollivud”, kompozuar nga mjeshtëri nga Fatmir Lela dhe orkestruar nga Shpëtim Saraçi. Kjo është fillesa e rrugës së suksesit tim për të mos ju ndarë më kësaj rruge të vështirë dhe të bukur.
Deri në këtë paraqitje, keni kaluar disa shkallë. Kush e ka zbuluar talentin e Valbonës në hapat e para të këngës?
Ndoshta rastësi. Në tetëvjeçare kam qenë nxënëse në shkollën “Dëshmorët e Lirisë”. Aty kam filluar të mësoj për violinë. Më pas duke u marrë me muzikë fillova të imitoj këngëtaret. Mësuesja ime e pianos Afërdita Morina më dëgjon dhe më thotë se duhet të vazhdosh për kanto. Ajo më dha shtysën e parë. Ishte pak e vështirë në fillim. Më dukej si një ëndërr e largët. E paarritshme. Mendoja se këngëtaret janë të një planeti tjetër. Pasi kur dëgjoja këgëtaret shqiptare të muzikës popullore mbërthehesha nën magjinë e zërit të tyre. Fillova të punoj, gjurmoj. Mundësitë mu dhanë, unë fillova të hap dyert e këngës.
Çdo profesion ka sekretet e veta. Dhe për të arritur perfeksionin, shkolla është rrugëkalimi më i sigurt. Ju keni mbaruar shkollën për kanto?
Në vitin 1988 kam mbaruar për kanto. Ishin vitet e liberalizimit të jetës në vend. Atëherë muzika e lehtë filloi të marrë përparësi. Ishin vitet e fillimit të proceseve demokratike, ku njerëzit shpreheshin më hapur dhe frika sikur ishte larguar. Kënga popullore ishte lënë paksa në hije.
Para këtyre proceseve kur ke dalë për herë të parë në skenë për të kënduar?
Kur kam mbaruar liceun artistik atëherë fillojnë aktivitet e mia të mirëfillta. Fillimet e mia të para kanë qenë në dekadat e majit që bënte shkolla dhe përfaqësonim shkollën tonë. Kur mbarova liceun artistik unë u aktivizova me Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë. M’u desh të bëja shumë punë, sepse zërin nuk e kisha ende të formuar.
Çfarë të veçante të solli “12 në Hollivud”?
Kur kam hyrë, hyra me mendimin jo se do të fitoja sepse ishte dalja për herë të parë në skenë të tillë, por doja të shihja se deri ku arrinin mundësitë. Vija mbas një fatkeqësie, humbjen e nënës. Dashuria për të, dëshira e saj për të kënduar, ajo ndjesi që kisha brenda vetes se duhet të arrija diçka, bënë që të gjeja forcat dhe të prezantohesha sa më dinjitoze në këtë spektakël. Jam pritur shumë mirë deri në gjysmë finale. Ndoshta nuk shkova në finale sepse unë isha në një festival që u zhvillua në Turqi me një grup folklorik. Rëndësi ka që jam pritur mirë. “More djalë me sytë e zinj” “Eja të lutem”, janë këngët me të cilat kam debutuar.
A ke pasur ndonjë moment që jeni ndjerë keq në spektaklin “12 në Hollivud”?
Kisha shumë emocione, por edhe ai emocion ishte i bukur. Gjithmonë ku ka emocion puna del edhe më mirë. Në ndonjë moment mendoja se nuk do më dalë zëri.
Albumi juaj i parë kur u realizua, sa këngë kishte dhe me kë ke bashkëpunuar?
Albumin tim të parë e kam realizuar me mjeshtërin e këngëve popullore, kompozitorin Fatmir Lela. Kemi qenë bashkë me Fatmirin në Zvicër. Shtysa e parë ishte Fatmiri që të realizoja këtë album. Ai më futi në këngët e Shqipërisë së Mesme ku Valbona përfaqësohet edhe sot, pa i ndarë edhe trevat e tjera. Por Valbona e gjen mirë veten tek kënga popullore e Shqipërisë së Mesme. Mund të them se kam qenë një nga këngëtaret e para që kam realizuar një album. Atëherë nuk kishin dalë akoma shtëpitë diskografke. Unë të gjitha tekstet i kam të shkruara dhe kompozuara nga Fatmiri dhe të regjistruara tek studioja e Shpëtim Saraçit. Albumi titullohej “Një natë me hënë”.
A pati sukses ky album?
Ka pasur, si brenda dhe jashtë vendit.
Sa albume keni realizuar gjithsej?
Për momentin kam realizuar 3 dhe jam në projekt të albumit tim të katërt. Albumi i dytë është “Sa më mungon, o nënë”, këtë ia dedikoj nënës time. Ky album u realizua në vitin 1996. Albumi i tretë u realizua në vitin 2007 dhe titullohej “Hall me burrë, hall pa burrë”. Ka një titull intrigues.
Kush album ka pasur suksesin më të madh?
Suksesin më të madh e kam pasur tek albumi i tretë. Unë njihem shumë me fabulën e këngës “Hall me burrë dhe hall pa burrë”. Ishte një punë shumë dinjitoze, ku kam bashkëpunuar me kompozitorin Edi Balili dhe të gjithë suksesin unë ia dedikoj Edit. Suksesi i këngëtares mbështetet tek disa elementë. Teksti, muzika, orkestra, shtëpia diskografike. Në këtë album shtëpi muzikore ishte ajo e Edit, tekstet të autorit Jorgo Papingji. Pra ishte një staf i kompletuar në këtë album. Ishte një punë në grup. Kur punon për një album në grup dhe me përgjegjësi, albumi del shumë cilësor. Me këtë album kam marrë shumë urime dhe përgëzime.
Në sa vende të botës keni shkuar dhe keni kënduar?
Thuajse gjithë Europën. Më shumë në Zvicër, Gjermani, Itali, Greqi.
Këngët që ju këndoni janë tuajat, apo janë këngë të kënduara më parë nga këngëtarët e Shqipërisë së Mesme?
Meqenëse përfaqësoj dhe këndoj këngët e Shqipërisë së Mesme tek albumi i fundit kam pasur materiale të vjetra gjithmonë të riorkestruara (të përpunuara), në një variant të ri, gjithmonë nga kompozitori Edi Balili. Tani tek albumi i katërt me të cilin punoj do të ketë dhe këngë të reja, por edhe të ripunuara. Besoj se ky album do të jetë një hap cilësor. Po punojmë me shumë përgjegjësi.
Si titullohet ky album?
Ende se kemi vendosur, për të mos thënë se është sekret (qesh).
Ju keni studiuar për kanto, keni hequr dorë përfundimisht nga kjo lloj muzike dhe i jeni përshtatur vetëm këngës popullore?
Isha shumë e dashuruar me këngën operistike, por koha, jeta bën të vetën. Tashmë, më mirë jam me këtë zë që kam tek kënga popullore, them se jam mirë këtu ku jam. (qesh)
Ç’është dashuria për Valbonën?
Është një gjë shumë e madhe. Nuk mund të përshkruhet. Eshtë magjike.
A merret me politikë Valbona?
Më pëlqen politika, duke e lexuar dhe parë atë. Kur gjej kohën e duhur e ndjek, por jo të jem pjesëmarrëse në të.
Në qoftëse do të ktheheshe mbrapa, do të bëheshe përsëri këngëtare?
Pa këngë unë nuk kam jetë. Jam shumë e dhënë pas saj.
Kush janë këngëtarët tuaj të preferuar brenda dhe jashtë vendit?
Idhull kam Fitnete Rexhën, Havza Zyberin, Myslym Lelën, Ramadan Krasniqin. Por, por…më pëlqejnë shumë këngët turke.
Kush është pengu që ke?
Të kisha bërë një shkollë në Turqi, ngaqë më pëlqen shumë kënga turke.
Vetë keni qenë në Turqi?
Po kam qenë. Kam qenë në një festival ballkanik.
A e ndjek modën Valbona, sepse thuhet që këngëtaret në përgjithësi harxhojnë 60% të fitimeve për veshje?
Kam mënyrën time të të veshurit. Unë harxhoj dhe nuk kursej për veshjen. Modën jo se e ndjek, por mundohem të jem afër saj.
-Rrobat i bleni të gatshme apo keni stilisten tuaj?
Më shumë i blej. Por kam stiluar me Zina Kondin, Rezarta Skifterin
Ke ndonjë grimier stabël?
Po, kam grimierin tim Turin, është grimier i shumë këngëtarëve dhe ndjehem mirë tek ai.
Sot me gjithë këto aktivitete që ke a jeni e lidhur me librin?
Është mirë të lexosh, por koha nuk më del. Gazetën e lexoj, por jo gjithmonë.
Dita më e vështirë për ju në jetë kush ka qenë?
Më e vështira, nuk dua ta kujtoj.
Po dita më e bukur?
Dita më mirë ka qenë kur nxora albumin e fundit dhe suksesi i tij ka qenë ditët më të bukur për mua.
Ç’do të thotë të jesh këngëtare?
Të jesh e kujdesshme dhe e sjellshme, pasi je gjithmonë mes njerëzve që të njohin dhe që presin vetëm argëtim. Imazhi duhet të jetë i pëlqyeshëm.
Kush është problemi më i madhi shoqërisë së sotme shqiptare?
Në aspektin miqësor mund të them se nuk ka shoqëri shumë të pastër, pasi ka hyrë smira, xhelozitë, mëritë, inati, por them se duhet të duhen më shumë.
Ju vetë jeni tip e shoqërueshme apo jeni e rezervuar?
Jam e shoqëruar shumë me kolegët e mi më të afërt, por duke ruajtur distancat që kërkon koha dhe normat shoqërore. Shoqëria është përgjegjësi.
Çfarë do të vlerësoje tek një femër, bukurinë apo inteligjencën?
Më mirë të dyja.
Tek një njeri çfarë vlerësoni më shumë?
Sinqeritetin gjithmonë ndaj meje.
Në qoftë se do të kishe në dorë çfarë do të ndryshoje apo do të jepje në shoqërinë e sotme shqiptare?
Të jepja sa më shumë dashuri. Për momentin kjo po mungon shumë tek njerëzit. Eshte problemi i kohës.
Kush është hobi juaj?
Kur kam kryer liceun më pëlqente shumë baleti në atë kohë. Sot të merem me palestër.
Jeni supersticioze?
Po jam.
A mbani dietë?
Ka raste edhe mbaj, por kjo nuk ndodh shpesh. Recetat janë të bezdisshme.
Kë keni makinë të preferuar?
Nuk kam ndonjë. Mjafton të ndjehesh mirë në udhëtim.
Në ç’orë ngriheni në mëngjes ?
Në orën 10-të. Kur dielli bie mbi sy.
Kur jeni e angazhuar më shumë në dasma, koncerte apo aktivitete të ndryshme?
Në muajin gusht në dasma, muajt e tjerë në koncerte.
Kush është zona më e preferuar që ju thërrasin?
Meqë këndoj këngët e Shqipërisë së Mesme preferohem në Tranë, Durrës, Shijak, Kavajë, pa lënë mënjanë veriun dhe jugun.
Boxe
Ku i kalon Valbona pushimet
Sa herë vjen sezoni i pushimeve neve jemi të ngarkuar me punë, kjo nuk ndodh vetëm me mua. Por them se është periudha e vjeshtës, apo më mirë e dimrit. Jemi të kundërtit e njerëzve. E ka profesioni. Kur të tjerët bëjnë plazh, ne argëtojmë të tjerët. Më pëlqen më shumë t’i bëj jashtë pushimet.
Huazimet dhe kënga autoktone shqiptare
Në materialet e mia nuk ka pasur huazime, janë gjithmonë materiale dhe kompozime të reja, pa lënë mënjanë materialet e vjetra (të ripunuara), të mbështetura në tabanin popullor. Këtë e kam kërkuar dhe vetë, por ka qenë dhe zgjedhja e vetë kompozitorëve me të cilët kam bashkëpunuar. Kënga po huazohet shumë, por është publiku ai që i dëshiron dhe i mirëpret autoktonet. Publiku është lodhur me këngët e huazuara.