Kerko: a
Nikollë Loka: Poetja artiste, me fjalën në kërkim të kohës së saj
E premte, 17.01.2020, 09:37 PM
Poetja artiste, me fjalën në kërkim të kohës së saj
Nga
Nikollë Loka
Të
jesh këngëtare, t’i besosh fuqisë magjikë të tingujve dhe pastaj të kapërcesh
në botën e fjalëve, do të thotë ta dyfishosh veten dhe ta perceptosh dyfish
misterin e krijimit. Në fakt këngëtarër jetojnë si poetë meemcë dhe vetëm pak
prej tyre mundet ta bëjnë vargun të flasë. Bota poetike e çdo artisti është
interesante, notat e poezive të një femre të bukur dhe artiste janë të
magjishme.
Muzika
në të gjitha shekujt ka prodhuar idhuj, sa në Lashtësi besohej se është njëra
ndër pjesët përbërëse të shpirtit të njeriut. Te grekët, nocioni “muzikë”
kishte kuptim më të gjerë, deri aty sa dijetari erudite, Platoni do të çudiste
shekujt me shprehjen: “Sa më e mirë të jetë muzika në shtet, aq më i mirë do të jetë shteti”. E kjo shprehje
gjen konkretësinë e vet, diku këtu afër. Kujtojmë Austrinë qiellore që jeton
përmes magjisë së tingujve.
Marrëdhëniet
e para të muzikës me letërsinë kanë qenë të ndërsjellta, sa u shndëruan në
forma alternative komunikimi, por Aristoteli i jepte vendin e parë muzikës,
duke e quajtur si “më fisnikja e shkencave të qytetëruara”. Për të ecur nëpër
kohë me mendimin e gjenive, një i madh tjetër, Flobér do të thoshte se “në
letërsi ka muzikë”, ndërsa Markez kishte pohuar njëherë se “një studiues i
veprës së tij, ndoshta krejt rastësisht, kishte arritur të shquante në
strukturën e romanit “Njëqind vjet vetmi” të njëjtën strukturë me poemën
simfonike “Kossuth” të Bartòkut, të
cilën, siç thotë ai “i dëgjonte pa pushim gjatë kohës kur po shkruante romanin”.
Në
shqip, muzikën dhe poezinë i kemi lënë afër, nganjëherë bashkuar në një te
rapsodët apo kantautorët, ne kemi rapsodi, balada, elegji dhe nuk e dijmë saktë
ku përfundon poeti dhe nis këngëtari. Teksa mendoj për lidhjet poezi-muzikë, më
bie ndërmend se muzikantët kanë preferuar t’i quajnë veprat e tyre me emërtime
të huajtura prej letërsisë dhe arteve të tjera të fjalës: rapsodi, balada,
elegji. Ekziston një nënlloj i poezisë
dhe një nënlloj i muzikës, pagëzuar me terma që gjuhësisht vijnë nga e njëjta
rrënjë, nga i njëjti burim etimologjik: sonatë dhe sonnet.
Nën
pushtetin e magjishëm të një muzike prej tingujsh që flasin, gjendemi teksa
lexojmë librin “Ajo” të këngëtares-poete Mirsadë Krasniqi, që siç shkruan vetë,
është nisur para pesëmbëdhjetë vitesh, pasi, ashtu siç shprehej Alda Merini,
“poezia është ajo që ndien, ajo të futet nën lëkurën tënde dhe të trazon indet
më të fjetura, ato që ti i ke lënë aty për vite të tëra, pa i prekur”…
Mirsada
vjen me një vëllim poetik të bukur që t'i sjell të gjitha gjendjet shpirtërore,
të gjitha ngjyrat, për të shprehur pjesën tjetër të vetvetes...” Ajo”...,nuk
është thjeshtë titull libri, por edhe një dimension i ri ku në fjalë ka tinguj
dhe anasjelltas.
Poezia
është krijim shpirtëror, ndaj edhe jeta e shpalosur në poezi- për mua- është
forma më e bukur e rrëfimeve intime për thellësitë e jetës- për ato ndjesi që
burojnë nëpër vena, por që rrallë artikulohen në ligjërimin publik. Në këtë
libër trajtohet tema e madhe e ekzistencës njerëzore, uni në dimensionin real
dhe surreal të autores. Autorja kalon
shumë kohë duke pritur, në shumë mënyra pritjesh, e vëmendshme ndaj asaj që
pret, e pasigurtë brenda pritjes së saj.
Poezia,
ka tagër të jetë jeta e rrëfyer përditë, me të gjitha karakteristikat e saj,
por me një ligjërim superior dhe me gjuhë të kultivuar. Mjeshtëria e vargut,
ritmi, muzikaliteti, ligjërimi poetik, apo nënteksti përbëjnë, të ndërthurura
në një realitet kompleks, magjinë e krijimit.
Mënyrat
e leximit të një poezie janë të pafundme. Poezia është, më së shumti, gjuhë, të
paktën, ana e dukshme e saj, ana e prekshme, ajo që stampohet në letër dhe
lexohet është vetëm gjuhë. Poezia, si shprehje artistike e të bukurës, nuk mund
të lindë pa atë proces të pavetëdijshëm
të shpirtit, i cili njihet në fjalorin tonë si “intuitë”, apo " frymëzim
". Artistët e krijojnë të bukurën si shfaqje dhe si thelb, në një
marrëdhënie harmonike. E bukura te artistët është një kompleks pamjesh dhe një
mister. Me poezinë, bukuria shprehet me fjalë, metafora, simbole dhe me teknika
të mrekullueshme poetike, të cilat nuk gjenden në të folurën e përditshme. Arti
më së shumti është shprehje e mendimeve që qëndrojnë thellë në mendje, apo lart
mbi krye; shprehje e emocioneve, perceptimeve dhe dëshirave të shprehura bukur.
Është bukuria e formës dhe e thelbit,si forma më e lartë e shprehjes.
Arti
përmes fjalës shemb barriera, shtron ura, hap porta të mbyllura, krijon
horizonte, përmbys kohë. Realiteti artistik na mahnit me mekanizmat e tij të
shprehjeve artistike që depërtojnë natyrshëm në çdo mjedis ku s’shkilet, veç shkohet
me frymëzim prej artisti, duke mbetur bashkudhëtar me artin e krijimit,
shoqëruar me një ndjenjë dlirësie, frike, ankthi, shprese, çudie dhe adhurimi. Të gjitha përjetimet e poetes
artiste burojnë nga arti dhe format e bukurisë shfaqen si struktura arti, si
pjesëza përjetimesh. Bukuria nuk shihet as nuk preket, vetëm se përjetohet
përtej perceptimeve të së zakonshmes, në një kohë ndryshe, frymëzuese, parashikuese e të dobishme dhe,
nganjëherë që të jep dhimbje e bëhet rrugë loti e bredh pa hije, që i mungon natyrshëria dhe hija e vet.
Prandaj poetja nuk dëshiron të jetë trofe fitorje në sirtarin me dry, as
mëngjes i freskët i një vere të thatë. E që të mos bëhet gëzof dashurie që
dikush të ngrohë shpirtin e akullt, i flet unit poetik “Mos e robëro ëndrrën”!
Vetëm një shpirt prej artistje mendon edhe për ëndrra të lira dhe e çon
dimensionin e lirisë në horizonte aq të paarritshëm. Pasi liria ia zbulon
shpirtin e fshehtë të lumturisë edhe kur është e dehur në mungesë..., kur
kërkon fytyrën e dikujt, por si shprehet ajo: “nuk shoh asgjë/ atë asgjë të
trishtë/ që ma fali koha”, ku sytë kurreshtarë eten për asgjënë, në një
horizont të pafund ngjyrash.
Nuk
kishte si të mos silleshin në këtë vëllim përjetime që lidhen me muzikën, teksa
këngëtarja-poete këndon në fundin e pafund në një labirint ëndrre, në poezine “Ëndërrkeqja; dhe nën tingujt e
melodisë së vjetër ende vallëzon, në poezine “Kohës”, teksa dialogon me hijen:
Ti moj hije mos më ndiq pas/ u lodhe kot
që kohën të keqes ia fal/ dua të këndoj me zërin kristal/ që ta vret veshin, në
poezinë “Hije tinzare”. Në poezinë “Zani” këngëtarja i kthehet vetes dhe në
gjashtë vargje shpreh të gjithë pengun e saj të moskuptimit: Një melodi
hyjnore/ më erdhi nga ajo maje Olimpi/ sikur më pëshpëriti diçka në vesh/ më dha dashurinë për muzikën/ pasionin që
s’munda t’i ndahem më/ më dha atë zë kanarine/ që s’munda ta nderoj//.
Artistja
poete, me fjalën e vendos veten në stacione pritje, në kërkim të kohës së saj
prej tingujsh dhe fjalësh, në një horizont të pafund ngjyrash, në një kohë ku e
sotmja është më e bukur se dje, më e bukur se vetë dielli...