Kerko: a
Ilir Sefaj: “Dritë mbi plagë”, një libër që e mposhtë harresën!
E hene, 13.01.2020, 08:13 PM
“Dritë mbi plagë”, një libër që e mposhtë harresën!
Nga
Ilir SEFAJ
Botimi
i librit me poezi “Dritë mbi plagë”, libër ky që lidhet me tematikën e
gjenocidit që pushteti serb historikisht ka kryer mbi popullin shqiptar të
Kosovës, e në veçanti në përmbyllje të decenies së fundit të shekullit që e
lamë pas, është një ogur i mirë se pjesa më vitale e kombit, e që natyrisht
janë intelektualët, nuk lejojnë që pluhuri i harresës t’i mbulojë krimet që shteti
i Serbisë i kreu mbi popullin tonë.
Ky
formulim më erdhi në mendje posa në duar më ra libri me poezi “Dritë mbi plagë”
që këto ditë e nxori nga shtypi Qendra “Gjenocidi në Kosovë - Plagë e Hapur”, me
seli në Gjenevë të Zvicrës.
Ky
projekt (e quaj projekt, ngase çdo cilësim tjetër më duket i padrejtë) është
ideuar e realizuar nga Lulëzim Etemaj, ish- i burgosur politik, poet e
publicist, si dhe Isuf Sherifi, po ashtu ish- i burgosur polititik, poet e
publicist i mirënjohur.
Brenda
kopertinave të librit “Dritë mbi plagë”, në 147 faqet e tij, lexuesi do të
gjejë poezitë më të mira të shkruara ndonjëherë që për tematikë kanë tmerret që
shkakton lufta, vargje këto që njëmend hedhin dritë mbi plagët tona të
përjetshme e që janë vrasjet, dëbimet, dhunimet në shkallë gjenocidi që armiku
shekullor kreu mbi shqiptarët e Kosovës.
Janë
51 emra të njohur të vargut shqip që kanë zënë vendin meritor në këtë libër
poezish, ndërkaq renditja e poezive në libër është mbështetur në praktikën
bashkëkohore, pra sipas rendit alfabetik A-Zh, duke filluar nga mbiemrat dhe jo
nga emrat e autorëve.
‘Kur
gjëmojnë topat, heshtin muzat’ thotë një proverb i njohur latin, mirëpo
faktikisht muza e krijuesve tanë nuk heshti asnjëherë. Kjo muzë nuk lejoi që
sfilitja jonë e shkaktuar nga një armik barbarë të mos pasqyrohet artistikisht
në krijimet e poetëve tanë.
Përderisa
politikanë “të moderuar” serbë, edhe tash pas dy dekadash, mohojnë krimin
gjenocidar të kryer në Reçak, lexuesi i supozuar, në këtë libër me poezi do ta marrë
përgjigjen nga poeti Agim Vinca: Atë që pamë në cikmën e janarit/ Do t’ia rrëfejmë
natës së varrit.
Janë
pra këtu, në këtë përmbledhje, vargjet e poezisë ‘Monolog i të rënëve në Reçak’
të Agim Vincës, që pasqyrojnë gjëmën e të rënëve në njërën nga masakrat më
barbare që është vulosur në historikun e shekullit që lamë pas dhe jo vetëm:
Më fort se plumbi, thika
e krimi/ Na rëndon fyerja e poshtërimi! /Pasi na korrët si deshët vetë /Përse
na endni poshtë e përpjetë.
Që
në krye të herës thamë se intelektualët, në rastin konkret poetët e mirëfilltë nuk
mund të rrinë duarkryq karshi furtunave me të cilat përballet kombi, andaj me
vargjet e tyre kontribut të jashtëzakonshëm kanë dhënë edhe shumë krijues të
tjerë të përfshirë në këtë libër, i pari i natyrës së tillë në Kosovë.
Ky
libër poetik, i cili bën fjalë për situatat dramatike që ka përjetuar njeriu
ynë gjatë luftës së fundit në Kosovë, i dedikohet më së shumti gjeneratave të
reja që për fatin e mirë të tyre nuk e kanë përjetuar direkt tmerrin e luftës
me përmasa gjenocidale që ka ushtruar shteti serb mbi vendin tonë. Pra, këto
gjenerata do ta takojnë të kaluarën e prindërve të tyre në shumë poezi që janë
pjesë e këtij libri.
Në
këtë përqasje, edhe pse citova vetëm disa nga vargjet mbresëlënëse të poetit
Agim Vinca, dihet mirëfilli se krijues si: Xhevahir Spahiu, Ali Podrimja, Sali Bashota
e shumë të tjerë, veçse ia kanë shtuar vlerat kësaj sprove për antologji.
Sigurisht
se, intencë e hartuesve të këtij libri me poezi, Lulëzim Etemajt dhe Isuf Sherifit,
botuesit si dhe redaksisë, ka qenë që nëpërmjet vargjeve të spikatura të disa
prej poetëve tanë më të mirë, të krijojnë një antologji të poezisë shqipe që
për tematikë ka vuajtjet e njeriut tonë si pasojë e represionit të vazhdueshëm
që u aplikua sistematikisht në Kosovë, veçanërisht në vitet e fundit të shekullit
XX, dhe produkti i kësaj ndërmarrjeje pa mëdyshje se është një arritje e madhe
në këtë drejtim.
Sidoqoftë,
sikundër shprehet edhe vetë Etemaj në parathënien e këtij botimi, jashtë kopertinave
të këtij libri mbase kanë mbetur edhe shumë poezi të tjera, vlera e të cilave
nuk është se kontestohet apo në rastin më të keq edhe të përjashtohet,
megjithatë, s’do mend se në këtë sprovë antologjike, kriteri i cilësisë, tematika,
vlerat letrare që përfaqësojnë poezitë e përfshira në të, determinojnë edhe
metodën e përzgjedhjes.
Së
këndejmi, mendoj se libri “Dritë mbi plagë” edhe pse brenda tij ka; vuajtje
dhembje, varre, uri, dënesje, lot e gjak, është dhurata më e mirë me të cilën
lexuesi ynë do ta fillojë këtë decenie të re, e cila pa mëdyshje se do të jetë
më premtuese se ato që kaluan, e për të cilat lutemi që të mos kthehen kurrë
më!