Kerko: a
Gani Mehmetaj: Mos po e imagjinojmë supermen kryeministrin e ri?
E enjte, 31.10.2019, 09:45 PM
Mos po e imagjinojmë supermen kryeministrin e ri?
Nga
Gani Mehmetaj
1.Kryeministri
i ri ende nuk e mori postin, ndërsa votuesit dhe jo votuesit presin shumë nga
ai. Pritja mund të bëhet barrë e madhe dhe presion psikologjik. Qeveria e re ka
shumë punë për të bërë. Lufta kundër krimit të organizuar, luftimi i
korrupsionit, ndërprerja e nepotizmi dhe përpjekja për shpëtimin e
institucioneve nga degradimi i frikshëm, janë disa nga përparësitë. Njëzetë
vjet kreu i shtetit dhe i institucioneve me ndonjë vjet më të ndritshëm, ka
punuar mbrapshtë. Njëzetë vjet e zhvatën dhe e rrjepën shtetin si të qe vend
armik, duke ia lënë vetëm brinjët.
Ikja
e të rinjve nga vendi ka arritur kulmin. Dardania do të mbetet në pleq e në
plaka, ashtu sikurse kanë mbetur dhjetëra katunde në Rrafshin e Dukagjinit.
Ndërkaq, kapja e peshqve të mëdhenj, shkaktarë të kësaj fatkeqësie që u
pasuruan me zhvatje e krim të organizuar, është kafshatë që s’kapërdihet për
cilëndo qeveri sado ta kenë policinë, shërbimin inteligjent dhe gjyqësinë
prapa, sado që t’i kenë duart e pastra. Gjykata Speciale mund t’ua lehtësoj
punët, duke e shprishur piramidën e krimit, por nuk ua zgjidh problemet.
Gjykata Speciale po zgjatet tërkuze si seritë e dobëta turke, ashtu sikurse po
vonohet formimi i qeverisë për arsyet që askush nuk i di.
Krimi
i organizuar ka kapur majat e shtetit, ka depërtuar në të gjitha institucionet
publike, ka infektuar shoqërinë civile. Fatkeqësisht keq qeverisja është bërë
model frymëzimi për brezin e ri të hutuar. Ballafaqimi me El komandantët e
Dardanisë, një tip i përçudnuar i majtistëve dhe mafisë latinoamerikane e ka
çmimin e vet, por edhe rrezikun. A do ta ketë guximin kryeministri t’i nxjerr
para drejtësisë, apo do të kalojë edhe kjo stuhi, mbetet të presim. Zhgënjimi
do të jetë më i madh se kurdo herë më parë.
2.
Ç’ kapja e shtetit nga feja, përkatësisht ndarja e xhamisë nga shteti, është
hap tjetër i madh që duhet ta bëjë qeveria, sepse jemi i vetmi shtet në Evropë
që nuk e kemi ndarë fenë nga shteti, nuk i kemi vijat e qarta çka mund të bëjnë
bashkësitë fetare e çka s’mund të bëjnë. Grupet islamike me fondet e tyre të
pista bëjnë ç’të duan, veprojnë si t’u teket, kanë korruptuar instancat
shtetërore e partitë politike, televizionet e portalet, grupet e individët me
ndikim. Ndërkaq, Bashkësia Islame e Kosovës është bërë shtet mbi shtet, ose më
saktë si vasal i Turqisë, vepron sipas urdhrave të kryeministrit të atij
shteti.
Evropa
Perëndimore e ka ndarë kishën nga shteti para 200-300 vjetësh, te ne
islami-xhamia është futur në çdo pore të shtetit në emër të lirisë fetare. Islami
politik krahas krimit të organizuar, në fakt mafia islamike është pjesë e
krimit të organizuar, paraqet njërin ndër përparësitë e qeveritarëve tonë në
pritje, nëse duan të bëjnë e të mbajnë shtet. Por varët sa i kanë shtetarët e
rinj duart e lira? Sa kanë marr fonde nga islamikët e nga Turqia gjatë fushatës
zgjedhore dhe sa janë të pavarur?
3.
A do të ketë fuqi e gatishmëri kryeministri i ri të ndjek penalisht ata që
urdhëruan vrasjen e mbi njëqind veprimtarëve të LDK-së? A do të hap dosjet
kriminale të El Komandantëve?
Kur
e shoh listën e premtimeve dhe listën e pritjeve, druaj se mos po e imagjinojmë
kryeministrin e ri supermen.
Ndërkaq,
Supermeni është strip për fëmijë.