Kerko: a
Astrit Lulushi: Mendje
E hene, 23.09.2019, 07:21 PM
..mendje
Nga
Astrit Lulushi
Puna
më e vështirë në botë është të mendosh, prandaj edhe shumica i shmangen. A i
keni parë njerëzit sesi vrapojnë pas posteve për karierë, gjoja të udhëheqin?
Shtete të reja, si Shqipëria, kryesisht vuajnë nga kjo sindromë.
Ikja
e trurit nga vendi vazhdon. Ata që qendrojnë mbahen jashtë kastës së
privilegjuar; ndërsa të tjerët nuk mendojnë, sepse u duket punë e rëndë. Por
edhe pse ta bëjnë, kur për të ecur “përpara” nevojitet vetëm nje copë letër e
blerë, ku në krye të saj shkruhet “Diplomë”.
Vendose
veten në këtë pozitë për të parë në sy një të vërtetë kaq të fortë dhe
njëkohësisht kaq abstrakte, por edhe penguese, dhe të mos skuqesh e tërhiqesh
nga gjithë kjo “punë”. Atëherë e kupton se çfarë donte të thoshte ai me fjalët:
“Askush nuk mund ta shohë Zotin ballë për ballë dhe të jetojë”.
Një
njeri përpiqet të bëjë karierë (kështu e quan karieristi punën për t’u ngjitur
në pushtet). Lëre të punojë pa u shqetësuar, papushim, në këtë drejtim. Kohën
për të menduar ai e quan të humbur, koha për ‘të nuk ekziston. Megjithatë,
mendimet fluturojnë para tij.
Gjithë
të tjerët e kuptojmë këtë të vërtetë, disa në mënyrë të zbehtë, që herët a vonë
merr formë dhe shfaqet e pastër. Nuk ka gjë më të mirë sesa mendimi i
kthjellët. Del përjashtë, por nuk e gjen, futesh brenda dhe je aq larg sa në
fillim.
Duket
sikur të duhet vetëm qetësia dhe leximi për të kapur mendimin. Pastaj, në një
moment, dhe pa paralajmërim, vjen e vërteta. Një dritë e caktuar endacake
shfaqet, dhe ky është dallimi që donim. Por, siç thonë, “orakulli vjen sepse
njerëzit kishin mbushur faltoren”. Duket sikur ligji i intelektit i ngjan
ligjit të natyrës. Frymëzimi papritur shfaqet, dhe po aq shpejt skadon. Mendja
është si një tokë e hapur që duhet punuar dhe jo të mbahet e djerë, gati për ta
shitur.