E marte, 30.04.2024, 12:02 AM (GMT+1)

Mendime

Vehbi Bajrami: Urime Bajrami (në gjuhën shqipe)

E shtune, 04.10.2008, 03:22 PM


Urime Bajrami (në gjuhën shqipe)

Nga Vehbi Bajrami*

Përcolla me interesim, përmes Radio Televizionit të Kosovës (RTK) ritualet fetare me rastin e festës së Bajramit në Kosovë. Më tërhoqi vëmendjen ceremonia kryesore që u zhvillua në xhaminë e madhe të Prishtinës. Qindra, apo mijëra besimtarë u mblodhën aty në orët e hershme të mëngjesit të martën, për të marrë pjesë në lutjen tradicionale në fund të Muajit të Ramazanit.

Me interesim të veçantë po përcillja hap pas hapi ceremoninë. Klerikët me radhë predikonin lutjet dhe masa e heshtur përcillte me vëmendje ritualin fetar. Nuk e di se si e ndjeva veten, por disa herë, m’u duk se asgjë nuk po kuptoja. Para meje po përsëritej sërish një akt rituali që mua më vrau sytë e veshët: hoxhallarët shpeshherë po flisnin në gjuhën arabe. E ç’kuptonte masa e besimtarëve nga ky predikim? Asgjë, aq sa po kuptoja unë këtu në New York, para ekranit televiziv. Ndoshta edhe një pjesë e klerikëve nuk e kuptonin vetë se ç’thonin, por thjeshtë përcillnin tekste të mësuara përmendësh në gjuhën arabe.

Predikimin e hoxhallarëve, jo në gjuhën tonë amtare, e kam pasur shqetësim të hershëm.Kam takuar shumë hoxhallarë dhe vazhdimisht ua kam drejtuar pyetjen: Pse shqiptarët myslimanë nuk falen në gjuhën e tyre? Pse hoxhallarët përcjellin lutje në gjuhën, që besimtarët etyre nuk janë në gjendje ta kuptojnë? Si mund të predikosh në një gjuhë të huaj për besimtarë që të ndjekin formalisht, por që nuk të kuptojnë se ç’flet? Njëri prej hoxhallarëve më ka dhënë këtë përgjigje: “Falja e namazit nuk mund të bëhet në gjuhën tonë. Në çdo vend të botës namazi falet në gjuhën arabe…”.

Unë sërish pyes: A ka një dokument të shkruar që besimtarëve u mohohet të falen në gjuhën e tyre? Nuk besoj. Unë nuk e di nëse në ndonjë libër fetar është e shkruar që namazi të falet vetëm në gjuhën arabe. Nëse është kështu, pra që namazi të përcillet vetëm në gjuhën arabe, atëherë ky është një “diskriminim” ndaj popujve jo arabë që kanë përvetësuar fenë myslimane. E Kurani, me sa e kam kuptuar, predikon barazi mes popujve e njerëzve të botës.

Dikur ishte tjetër kohë. Kurani nuk ishte i përkthyer dhe ky mund të ishte “arsyetim” i hoxhallarëve që ceremonitë fetare të kryheshin në gjuhë të huaj, shumë prej të cilëve, kishin mësuar përmendësh pjesë të Kuranit që i recitonin symbyllazi e nuk i kuptonin as vetë. Në kohën kur Kuranin e kemi të përkthyer edhe në shqip, nuk ka kurrfarë arsyetimi që t’i drejtohesh Zotit në një gjuhë që ti nuk e kupton. Po të ekzistonte mundësia që të pyetej Zoti, jam i sigurt se edhe ai do të ishte në këtë mendje e do të jepte mesazhin: Lutjuni në gjuhën tuaj! Lutjet ua pranoj vetëm kur e kuptoni vetë se ç’thoni.

Meqë shkak i këtij shkrimi ishte falja e Bajramit në Prishtinë, nuk mund të anashkaloj edhe një fakt tjetër. Më lanë një shije të hidhur fjalët (kësaj here në gjuhën shqipe) të kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiut Naim Tërnava. Diku nga fundi i ceremonisë ai tha:

“Për ne në Kosovë kjo festë këtë vit ka një domethënie të dyfishtë, ngase për të parën herë e presim dhe e festojmë në Kosovën e pavarur e të pranuar ndërkombëtarisht, për çka i jemi mirënjohës Zotit fuqiplotë që na mundësoi të arrijmë këtë ditë e më pastaj u jemi mirënjohës të gjithë miqve tanë që na ndihmuan ta realizojmë projektin tonë të kamotshëm për liri e sovranitet”.

Pse myftiu Tërnava nuk i përmendi me emër miqtë që na ndihmuan të fitojmë pavarësinë? A nuk ia zinte goja të përmendte Amerikën dhe Evropën Perëndimore? Pse nguroi të përmendte me emër këta miq të shtrenjtë? Mos pati frikë se do t’i hidhëroheshin “miqtë” myslimanë të Lindjes, kundërshtuesit më të hapur të pavarësisë së Kosovës?Kur ai tha se “Kosova e pavarur është e njohur ndërkombëtarisht” do të ishte me vend që të thoshte edhe këto fjalë: Kosova është e njohur ndërkombëtarisht me përjashtim të botës myslimane. Kjo është e vërteta e hidhur, që nuk mund ta fshehë askush, as vetë bota arabe.

Myftiu Tërnava me siguri e di fort mirë se po të mos ishin “miqtë” që ai nuk i përmend me emër, Amerika dhe Evropa Perëndimore, jo vetëm që nuk do të kishte pavarësi të Kosovës, por edhe ai vetë, nuk do të ishte i lirë nga forcat serbe që të predikonte lirisht të martën, në ditën e Bajramit. Miqtë, të cilëve ai nuk u jep emër, (ndoshta pse nuk i përkasin fesë së tij) ishin ata të cilët kanë meritën kryesore që shqiptarët arritën t’i bëjnë realitet synimet shekullore: të jetojnë të lirë në vendin e vet.

Për fund të këtij shkrimi: Me pak vonesë, Urime Bajrami me dëshirë që bajramët e tjerë t’i kremtojmë duke iu lutur Zotit në gjuhën shqipe e duke falënderuar “Zotin e tokës” e “Zotin e qiellit” që më në fund Kosova është e lirë.

*Autori, ish-drejtor i seksionit shqip të “Zërit të Amerikës”, është botues i gazetës shqiptaro – amerikane “Illyria” në New York.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora