E hene, 29.04.2024, 09:36 PM (GMT+1)

Mendime

Ardian Ndreca: Shkollat laike dhe simbolet fetare

E shtune, 04.10.2008, 10:28 AM


Ardian Ndreca

Shkollat laike dhe simbolet fetare

Nga Ardian Ndreca

Kur shteti asht i dobtë dhe mendimet nuk janë të qarta, atëherë dalin në pah idetë dhe nismat antikushtetuese që minojnë themelin demokratik të ndamjes mes besimit fetar dhe shtetit laik. Shkolla shtetnore e të gjitha niveleve në Shqipni asht laike, pra nuk mund të përdoret për prozelitizëm, për përhapjen e ideve fetare, cilatdo qofshin, si edhe për shpalosjen e simboleve fetare të çfarëdolloji. Simbolet fetare janë të natyrave të ndryshme, por ka disa prej tyne që i referohen nji ideologjije politiko-fetare të caktueme, që ka si synim përfundimtar përmbysjen e laicizmit të shtetit. Për shembull mbreti i Marokut, pinjollin e dinastisë alawite Muhametin VI, ka ndalue mjekrrat ala talebane dhe shamitë në institucionet publike pse këto dy simbole simbas tij nuk janë thjesht shenja të besimit fetar por shprehin ide politike të qarta që përbajnë nji rrezik për shtetin. Cilave ide politike i referohen ato simbole? Nuk asht e vështirë me e gjetë. Sot tek ne po flitet për mësimin e fesë në universitete. Me folë për besimin fetar dhe me mësue besimin fetar në universitete janë dy gjana krejtsisht të ndryshme. Rreth fesë mund të flitet në kandvështrimin filozofik, politik, estetik, historik etj. – e ky diskurs asht ma se i ligjshëm në ambjentet akademike. Por nuk mund të bahet propagandë fetare mbrenda institucioneve shtetnore, pse shteti nuk mundet me u vu në shërbim të asnji komuniteti fetar. Sigurisht që besimi meriton respektin e duhun, por pa lejue që askush të cënojë të mirën e përbashkët, që asht shteti laik. Na ka ra rasti me ndjekë në shtyp dhe në tv sesi shpeshherë politikanë të ndryshëm, që gjatë gjithë vitit nuk i sheh kurrë as dera e xhamisë dhe as ajo e kishës, të shtyhen me dalë në rresht të parë tue ba urimet e tue shtërngue duert në raste festash fetare. Asht nji ekzibicionizëm i dalun bojet, nji mënyrë me thanë: mos harroni se un i përkas kësaj bashkësie. Asht nji mënyrë me shprehë qenjën e nji përshpirtnije që flen gjatë gjithë vitit. Por në të vërtetë ata politikanë harrojnë se shqiptarët nuk kanë aspak nevojë për urimet e tyne, pse për me arritë në at’ ditë feste iu asht dashtë me ba sakrifica të mëdhaja ekonomike. Shkolla shqiptare në këto vite asht mundue me dalë pak nga pak prej tunelit ideologjik, ka nisë me u dekomunistizue, e shi tashti që po kthehet në nji shkollë moderne simbas modelit perëndimor ka asish që duen me e ideologjizue rishtas me anën e fesë! Edhe nji herë politika mundohet me e përdorë besimin për interesat e veta. Politikanëve shqiptarë nuk u intereson e mira e komuniteteve fetare, ata i shohin bashkësitë përkatëse vetëm si hambare votash. E kështu ata, në mënyrë pasive, lejojnë që shteti të parcelizohet, pse e dijnë se nji pjesë e zgjedhësve do të shprehë nesër preferencat e veta me anë të votës. Çështja e simboleve fetare nuk asht thjesht nji çeshtje etike dhe nuk mund të zgjidhet prej vullnetit të nji këshilli etik të nji universiteti. Duhet nji ligj i aprovuem prej parlamentit që të mbrojë parimet kushtetuese, pse, e këtë duhet ta dijnë mirë dekanët dhe rektorët, kushtetuta nuk mbrohet prej vullnetit subjektiv të nji shumice relative që shprehet me anë të kodit të etikës, por me ligje të detyrueshme për të gjithë qytetarët e Republikës. Përjashtimi i të gjitha simboleve fetare prej universiteteve dhe shkollave tjera nuk asht shenj përçmimi ndaj fesë, por shenj vlerësimi ndaj laicitetit të shtetit, ndaj të gjithë qytetarëve shqiptarë, të cilët nuk i bashkon feja apo mungesa e saj, por i bashkojnë parimet demokratike të shprehuna nëpërmjet ligjit tonë themelor. Shpresojmë se nuk do të bahet asnji hap i matejshëm në minimin e laicitetit të shkollës shqiptare, pse kjo shkollë asht shprehje e vullnetit të lirë të popullit sovran dhe i përket nji Republike që nuk asht as ateiste, as islamike dhe as e krishtenë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora