Kerko: a
Fran Gjoka: Të gjithë flasim për tolerancën
E diele, 01.09.2019, 10:16 AM
Të gjithë flasim për tolerancën…
“Sukses
është të mbushësh shpirtin çdo ditë me paqe!”-(Paulo
Coelho).
NGA
FRAN GJOKA
Tolerancë,
më shumë tolerantë, pak dhe aspak tolerant etj. dëgjojmë gjithnjë e më shpesh.
Një term, që sa vjen e bëhet pjesë e bisedave tona në marrëdhëniet e
përditshme, në jetën publike e administrative. Sot shoqëria shqiptare, familja
a individi, krahas përparimeve, shpesh po zgjidhen në rrugë tradicionale, pa
mirëkuptim. Madje forma të dhunës, në kuptimin klasik, fizik apo psikologjike
zënë vend e disa herë janë ende
sunduese. Mungesa e etikës, një fjalor fyes dhe tepër rëndues e një komunikim i
vrazhdë është i dallueshëm në brendësi të lagjeve, qendrat e banuara, në mjediset argëtuese, tek udhëton
e kalon rrugës, në oborret e jashtme të shkollave, ku mirësjellja, rregulli
duhet të përbëjnë bazamentin mbi të cilin po hidhen konturet e një shoqërie në
progres.
Me
keqardhje shikojmë individë, por edhe njerëz të arsimuar, ku ruhen zemërata, të
cilat shkarkohen, ka emocione e veprime që si reminishenca të sjellin në mëndje
pamje të diferencuara kodesh mesjetare e kohë të perënduara të hakmarrjes
primitive. Tolerancë në gojën e popullit është përdorur në kuptimin “Me lëshue
pè”, me hapë rrugë, të cilat i kanë shërbyer atij për të afruar punë, për të
zbutur qëndrimet, për ta bërë më miqësore, më të qëndrueshme jetën. Se si thonë
“fjala vret më larg se topi”, për të cilat ruhen thesare të kësaj mençurie që e
mësonin njeriun që në vogëli të ishte burrëror, po ama i matur, i sjellshëm,
fisnik në vese e ta nderojë fort mikun e komshiun. Termi tolerancë, në përmbajtjen
e vet, është bërë më i përdorshëm pas viteve 1990.
Të
tolerosh do me thënë të zmbrapsesh, të tërhiqesh, të hedhësh inate, pjesë që të
ndajnë e të pranosh zgjidhjen e arsyeshme. Në një kuptim, toleranca mund të
përkthehet si bashkëpunim, të ruash e të kontrollosh emocionet, të bësh zap
veten. Të gjithë jemi gati të themi raste kur, bie fjala, na vjen keq kur
dikush nuk ka qenë i duruar e me të padrejtë na ka zemëruar a fyer. Apo një
rast kur vetë ne, në zemërim e sipër, jemi shpejtuar dhe e kemi rënduar me
fjalë tjetrin. Tërë këto tensionime dihet tashmë se në mjedise shqiptare
varfëria vazhdon të jetë e pranishme çka përbën një shkak më shumë për raste e
ndodhi të padëshirueshme. Të dhënat të çojnë në një numër arsyesh pse bie
fjala, një kategori adoleshentësh nuk janë tolerantë deri të dhunshëm. Duhet
pranuar se disa të rinj shpenzojnë shumë kohë të lirë në mjetet e informimit,
çka i vë ata në pozita pasive apo më keq, imituese, që i ka larguar nga libri,
bisedat intime familjare.
Efekti
negativ rritet, kur edhe moshat e vogla ndjekin me orë të tëra filma, emisione
me dhunë e pornografi e skena të pakëshillueshme për moshën. Gjithandej në
media, në shkollë, në jetën e përditshme sociokulturore e politike, në
komunitet dhe në institucione administrative ndeshemi e ballafaqohemi me fjalën
tolerancë, më shumë tolerancë, më tepër
tolerantë, je tolerantë ose nuk je i tillë, vepron, sillesh e komunikon me
tolerancë etj. Jo vetëm në të shprehur, por më tepër në përmbajtjen e fjalës
dhe në kuptimin e saj ka paqartësi, keqkuptime dhe interpretime jo të sakta.
Ndodh, jo rrallë, që koncepti tolerancë ngatërrohet me koncepte që janë të
përafërta, por që nuk janë të njëjta. Jo vetëm në kuptimin social, por edhe në
atë psikokulturor. Shembuj nga jeta e përditshme, e mbushur me pështjellime,
konfuzione, konflikte, rebelizma, gjendje emocionale afektive, impulsivitete e
vetëgjyqësi, që të krijojnë përshtypjen e qëndrimeve dhe zgjidhjeve tolerante,
por që në të vërtetë nuk janë të tilla. Toleranca e vërtetë duhet dalluar e
veçuar nga konceptet dhe qëndrimet e tjera që i qëndrojnë përreth asaj.
Ajo
arrihet dhe qëndrimi është tolerant atëherë kur, së bashku me të tjerët,
gjendet një zgjidhje e caktuar dhe e pranueshme e një problemi, mosmarrëveshje
apo konflikti, që për formën përfundimtare të tij janë të interesuar të gjitha
palët e përfshira në të. Në të tilla raste, zgjidhja jep rezultat vetëm kur
njihen realisht konflikti, aktorët, shkaqet dhe rrethanat. Varianti
përfundimtar i zgjidhjes nuk duhet të jetë barazmitar, as konformist, por real
dhe i paanshëm dhe që në një farë mënyre i kënaq të gjitha palët. Zgjidhje të
tilla kanë edhe një vlerë tjetër, pasi palët njohin më mirë veten dhe interesat
e tyre. Në një tubim për hakmarrjen dhe gjakmarrjen me përfaqësues të moshave,
kulturave dhe subkulturave të ndryshme, në një zonë rurale, pyetjes së shtruar:
-A duhet të jemi tolerantë?, numri i atyre që u përgjigj në mënyrë pozitive dhe
pa hezitim, ishte mbizotërues.
Pjesëmarrësit
në tërësi kishin një mendim të unifikuar: njeriu duhet të respektojë tjetrin,
ta dojë, t’i lërë hapësirë për veprimtarinë e tij, të arrijë të vihen në jetë,
të vlerësojë traditat, zakonet, bindjet dhe ritet fetare që mbartin e
praktikojnë individët dhe grupet e tjera sociale. Shkurt, njerëzit janë për tolerancën.
Ata deklarohen shumë tolerantë, por që në shumë raste nuk janë të tillë, në
kuptimin që tjetri ose të tjerët kanë për tolerancën. Këtë e tregon dhe
realiteti i sotëm i Shqipërisë postkomuniste, që na jep një pamje tërësisht
tjetër. Intoleranca në shumë raste dikton dhe imponon. Ndodh jo rrallëherë që
është edhe sunduese. Kështu për shembull, në vend të dialogut, ka imponime dhe
të diktuar të të folurit, më të pushtetshmit, por jo më të zgjuarit dhe as më
të diturit e më të shkolluarit. Konfliktet zgjidhen më shumë me forcë e
vetëgjyqësi se sa me mirëkuptim e rrugë ligjore. Dhuna fizike, psikologjike,
institucionale dhe seksuale etj., është ende e përhapur dhe në zona të veçanta
dominuese.
Vrazhdësia
në komunikim dhe mungesa e etikës në fjalor vërehet kudo: në rrugë, në mjedise
publike, në shkallë dhe në komunitet të vogël, në institucione dhe aq më tepër
në shkollë, ku është dhe duhet të jetë
bash vendi i tolerancës dhe i tolerantëve, i paqes dhe i mirëkuptimit,
kompromisit dhe i komunikimit njerëzor. Tek individë dhe grupe të veçanta
sociale fatkeqësisht edhe tek “intelektualë” e të shkolluar ka ende inate, që
presin t’i shkarkojnë me t’ju dhënë mundësia vendimmarrëse e institucionale,
duke zbatuar atavizmin mesjetar të hakmarrjes primitive. Ka ende mllefe,
nacionalizma dhe akte terrorizmi. Dhe atje ku ka inate, që vijnë për mungesë të
formimit demokratik dhe edukimit të dobët social, nuk mund të bëhet fjalë për
tolerancë dhe tolerantë. E njëjta gjë ndodh edhe në ato raste kur shkelet ligji dhe ka diferencime në
zbatimin e tij.
Ja
disa pamje të trishtueshme të intolerancës në qytetin tonë të vogël. Para nesh
kalojnë makina luksoze, ndonjëherë edhe pa targa dhe me shpejtësi jashtë
normave të lejuara. Shkelin kështu rregullat e qarkullimit dhe shpërfillin “në
emër të njohjes”, të frikës së pushtetit ose të hakmarrjes, policinë e
qarkullimit, njerëz të vrazhdë e disi të egër në sjellje dhe në komunikim, që
nuk i njohin ose nuk i përdorin fjalët: më fal, të lutem dhe faleminderit. Ka
ende individë dhe përfaqësues subkulturash me sjellje e qëndrime devijante e
pse jo, edhe ksenocentriste për kulturën dhe vlerat kulturore që posedojnë të
tjerët, duke paragjykuar edhe normat, traditën, kulturën dhe vlerat
kulturore të një subkulture tjetër. Në
një rast tjetër, një djalë ndalon me fjalë fyese e disi me forcë një vajzë që
kalon rrugës në punën e saj.
Në
një rrugë dallojmë një ndërtesë “të ligjshme”, që hedh shtat dhe që i zë frymën
e pamjen një institucioni të edukimit, një qytetar që nxjerr nga mullari i barit
të thatë kallashin dhe vret komshiun për një vijë ujë, diku tjetër një baba
qëllon të bijën, sepse ajo ka shkelur kodin e familjes tradicionale patriarkale
dhe ka dalë në shëtitje me të dashurin, një shitës kasetash, që në orët e vona
të natës, mu në mes të pallateve, me zërin e lartë të magnetofonit të tij s’do
t’ia dijë për të tjerët dhe për përgjegjësitë që ai ka në komunitet, një
kalimtar që i hedh mbeturinat vend e pavend, një zyrtar që i mbyll me inat
derën një hallexhiu, meshkuj që konkurrojnë në politikë dhe shpërfillin me
intolerancë përpjekjet e gjinisë femërore për të bërë edhe ajo karrierë.
Dhe
ajo që të shqetëson sot është tronditëse: djemtë po vrasin prindërit e tyre për
një “llaf goje”, ku mbetet e dhimbshme dhe tronditëse për shoqërinë e sotme
shqiptare. Duke ju referuar shembujve të mësipërm, nuk mohojmë as rastet e
zgjidhjes së konflikteve në rrugë tolerante. Ajo që na shqetëson është fakti se
shteti, shkolla, familja, shoqëria civile, institucionet e kultit etj., duhet
të ngrenë më shumë zërin, të kultivojnë me të gjithë mekanizmat që disponojnë
vlerat në vend të antivlerave, paqen në vend të dhunës, tolerancën në vend të
intolerancës, çka nuk është e lehtë të arrihet për shkaqe nga më të ndryshme,
ndër të cilët po veçojmë: Njihen kufizimet, deri në mohim të të drejtave dhe
lirive të individit dhe grupit, në shoqërinë komuniste.
Psikologjikisht,
ndryshimi i sistemit, si rregull, shoqërohet me një rritje të konsiderueshme të
agresivitetit, me një përpjekje të shpejtë për të fituar kohën e humbur dhe të
drejtat dhe liritë. Shpeshherë të shoqëruara këto edhe me gjendje emocionale të
ngritur e që dalin jashtë kontrollit. Mirëpo, atje ku ka pasione, drejtojnë
instiktet dhe jo logjika, mbizotërojnë ndjenjat e fuqishme dhe intensive dhe jo
arsyeja, rrjedhimisht marrëzitë dhe sjelljet devijante nuk kanë të sosur.
Është
psikologji, që ndonëse nuk është e fillimviteve ’90 dhe 97-të, ajo vazhdon të
jetë sunduese në një grup njerëzish, që e kanë të ngulitur në mendje se çdo gjë
zgjidhet vetëm përmes forcës, brutalitetit dhe që fatkeqësisht transmetohet
edhe tek fëmijët. Tranzicioni i gjatë mbart me vete probleme të shumta sociale,
ekonomike, kulturore e psikologjike, që nxisin intolerancën. Goditja që ka
marrë e po e merr familja patriarkale po i çon pjesëtarët e saj në një
çoroditje e shoqëruar me elemente të krizës, që nuk dinë se ç’pozicion duhet
mbajtur e si duhet sjellë, ta zëmë, me moshën e fëmijërisë, të pubertetit dhe
të adoleshencës së vonë. Qëndrimet indiferente, të tejskajshme, liberale ose konservatore,
janë gjithnjë të dëmshme.
Është
një vakuum në edukim, që as shkolla, me problemet që ka, nuk e bën si duhet.
OJF-të, me përpjekjet e tyre mund të bëjnë edhe më shumë për arsimimin e atyre
qindra fëmijëve që nuk shkojnë në shkollë për arsye të ndryshme, që janë
kontigjenti më i ekspozuar dhe më i pambrojtur ndaj krimit, intolerancës dhe
shfaqjeve të tjera negative. Problemi ka të bëjë me çështjen se në një shoqëri
të hapur mund të bashkëjetojnë shumë opinione e mentalitete, mund të
bashkëpunojnë e ndërthuren shumë kultura e subkultura të diferencuara nga
njëra-tjetra, por s’mundet kurrsesi që brenda një shteti të vetëm, siç ndodh
rëndom tek ne, të ekzistojnë dy e më shumë infrastruktura ligjore që të
rregullojnë marrëdhëniet e pronësisë, raportet shoqërore, sjelljet juridike të
qytetarëve etj.
Në
një vend demokratik, qytetarët janë të detyruar të sillen sipas një sistemi të
unifikuar normash e standardesh të përcaktuara me ligj. Shumë opinione, por
vetëm një sistem normash juridiko-ligjore. Të drejtat dhe liritë duhen parë e
trajtuar në unitet me detyrat dhe përgjegjësitë, ndryshe motivohet intoleranca,
anarshia dhe antivlera dhe i jepet krahë veprimeve devijante. Kushdo duhet ta
ketë të qartë se e drejta ime si qytetar përfundon aty ku shkelet e drejta jote
dhe se të drejtat duhen kërkuar vetëm brenda kuadrit ligjor. Të tolerosh me
ligjin, duke bërë dallime për shkak të detyrës, etnisë, gjinisë, origjinës,
arsimit, kulturës që përfaqëson, pasurisë dhe pushtetit që ke etj., do të thotë
të kultivosh ndjenjën e mosbesimit tek institucionet dhe pafuqishmërisë për t’i
zgjidhur problemet në rrugë paqësore e ligjore dhe t’u hapësh rrugë veprimeve
antiligjore e intolerante.
Për
këto e të tjera arsye, tek ne gjallojnë e manifestohen në mendime dhe për
pasojë edhe në sjellje, qëndrime e veprime raste jo të pakta të intolerancës
dhe të zgjidhjes së problemeve të akumuluara ndër vite përmes rrugës së
violencës. Vetëm kur shoqëria të emancipohet dhe të qytetërohet, rastet e
intolerancës do të jenë të rralla. Kjo do arrihet me punën e kualifikuar të
familjes e shkollës, institucioneve dhe shoqërisë civile dhe me vendosjen e
vërtet të shtetit të së drejtës dhe të atij ligjor. Këtu më vjen ndërmend një
thënie për njeriun: ”Gabimi më i madh është nevoja për të parë veten në
pasqyrimin e syve të të tjerëve”. Shkurt, një shoqëri e mirëkuptuar dhe e
mbështetur në ligjet e këtij vendi, na bën që të mësohemi me artin e dialogut e
të dëgjuarit, qoftë edhe kur ky art është i mundimshëm. Në fund të fundit, ky
është refleksi i lirisë, kjo është fshehtësia e progresit të vërtetë moral e
qytetar drejt të cilit jemi nisur e për të cilin jemi munduar aq shumë.