Kerko: a
Shefqet Dibrani: Vetting për Kosovën
E enjte, 29.08.2019, 12:09 PM
Letër ambasadorëve (6)
VETTING
PËR KOSOVËN
Problemet
e brendshme në Kosovës janë të zgjidhshme, vetëm se duhet vullneti i Amerikës
dhe aleatëve të saj nga vendet e BE-së, për të krijuar një ekip ad-hoc i cili
do të bënte një Verifikim (Vetting), të të gjithë atyre që do të futen nëpër
listat zgjedhore!...
Shkruan: Shefqet DIBRANI
Një Vetting ose në shqip një Verifikim, për
listat zgjedhore të të gjithë kandidatëve është domosdoshmëri, nëse dëshirojmë
që këto zgjedhje të prodhojnë një solucion më të mirë. Në të kundërtën, vetëm
do të bëhet riciklimi i figurave politike tashmë të demoduara, të shpenzuara
dhe të atyre që janë përgjegjës të drejtpërdrejt për gjendjen e tanishme, ku ka
rënë Kosova në të gjitha planet e saj.
Ky Vetting është nevojë, është domosdoshmëri. Vettingu
nuk mund të krijohet nga grupet e interesit, as nga shoqëria civile shqiptare e
cila është pjesë e polarizimeve për të sjellë Kosovën në këtë gjendje, prandaj
kërkohet ndihma e SHBA-së dhe e vendeve të BE-së. Pa asnjë dyshim, ky hap duhet
të merret fillimisht nga SHBA-ja e cila do të mbështetet edhe nga aleatët e saj
në Bashkimin Evropian. Nëse kjo gjë do të ndodhë, do të jepej një sinjale se ma
në fund diçka e mirë që do të sjell sukses po nis në Kosovë. Përveç këtij
Vettingu ad-hoc, duhet të krijohen edhe komisione të tjera të kësaj natyre të
cilat duhet të udhëhiqen nga një ekip ndërkombëtar i cili edhe për një kohë
duhet ta monitoroj sistemin e drejtësisë dhe të sigurisë nëse dëshirohet që në
një kohë rekorde të kemi suksese substanciale. Ky Vetting, duhet të krijohet
menjëherë dhe t’i verifikojë të gjithë kandidatët nëpër listat zgjedhore,
veçmas, ky verifikim duhet të bëhet për të gjithë bartësit e listave zgjedhore,
po sidomos për pretenduesit e postit të kryeministrit të ardhshëm të Republikës
së Kosovës.
Qeveria e ardhshme duhet të jetë më e mirë, jo vetëm se
kjo që shkoi, por më mirë se sa të gjitha qeveritë e gjertanishme së bashku.
Janë këto arsye pse thërrasim për një Vetting i cili do të garantonte për sukses,
pasi jemi skeptik se shoqëria jonë ka arritur një vetëdijesim i tillë, dhe mund
të reformohet nga vet shqiptarët pa ndërhyrjen e Bashkësisë Ndërkombëtare, pa
trysnin që duhet ta ushtrojnë aleatët dhe vendet mike të Kosovës, të cilat kanë
investuar shumë në Kosovë dhe vazhdimisht kanë bërë thirrje për reforma
substanciale të cilat nuk u bënë në këto 20 vjet, madje as sivjet në zgjedhjet
e brendshme partiake.
Zgjedhjet e brendshme partiake, as sivjetme, nuk kanë
dëshmuar pjekuri politike, dhe nuk kanë dhënë shenja të mjaftueshme se e duan
Kosovën aq sa deklarohen. Prandaj me atë avaz klanor nuk posedojnë kapacitete
për ta nxjerr vendin nga kriza. Liderët e tyre u treguan teknokrat, nuk lejuan
kundër kandidat dhe kryesisht janë zgjedhur me votim të hapur. Ata mbetën në
konceptet e tyre tashmë të vjetruara, mbetën të pandryshuar dhe të pa
përmirësuar andaj nuk e meritojnë fare për tu futur në listat zgjedhore.
Nëse duam ta nxjerrim Kosovën nga kriza, një Vetting
është domosdoshmëri për këtë moment historik, prandaj apeloj tek SHBA-të dhe
vendet e BE-së, që të mos hezitojnë, por menjëherë të formojnë Komisionin e
Vettingut, i cili në bashkëpunim edhe me organet kompetente të Republikës së
Kosovës, qoftë Komisioni Qendror Zgjedhor, Prokuroria e Shtetit, a ndonjë
sektor tjetër që merret me monitorimin e zgjedhjet në Kosovë. Ky komision duhet
të ndërhyjë në të gjitha listat, duke mos pranuar certifikimin e atyre
kandidatëve të cilët janë pjesë e skenarëve për dështim. Pastaj të gjithë
kandidatët që mund të jenë në lista zgjedhore, por më vonë kanë për tu
përballur me Gjykatën Speciale në Hagë nuk duhet të jenë pjesë e këtij
spektakli dhe as spektakleve të tjera mediatike. Në listat zgjedhore nuk duhet
të futen asnjëri nga kandidatët që me veprimet e tyre politike, kriminale dhe
korruptive ka rënë në kundërshtim me ligjin. Nëpër listat zgjedhore në asnjë
mënyrë nuk duhet të futen asnjë kandidat i cili është përballur më herët me
drejtësinë nacionale dhe atë ndërkombëtare, pavarësisht verdiktit përfundimtar
që kanë sjellë ato gjykime. Madje nuk duhet të futen asnjëri nga kandidatët që
për një arsye ose një tjetër kanë mbajtur burg, qoftë ai burg për raste në
komunikacion apo për mos pagesën e rrymës elektrike, ujit ose tatimit, e le më
nëse kemi raste morale dhe ata që janë akuzuar për raste kriminale.
Asnjëri nga pasanikët e rrejshëm dhe shfrytëzuesit e
parasë publike nuk duhet të jenë në lista. Të gjithë ata që kanë shtuar e
trefishuar pasurinë e tyre e cila nuk ka mundësi të bëhej me të ardhurat e
tyre, nga puna në politikë a institucione të tjera, nuk duhet të jenë pjesë e
listave zgjedhore. Madje as ata që për shumë vite kanë qenë mekanizmi mbrojtës
i shefave të tyre me dosje e akuza të paraqitura në gjyqësorin vendor e
ndërkombëtar, por vazhdimisht kanë heshtur. Në lista zgjedhore nuk duhet të
figurojnë asnjë emër i cili në mënyrë klandestine dhe antistatutare janë
sistemuar e avancuar si strukturë në partitë politike dhe asnjëri nga
kandidatët e mundshëm të cilët janë bërë bajat duke kaluar nga partia në parti dhe
as ata që kanë siguruar diploma e grada akademike të pamerituara. Natyrisht
edhe ata të cilët kanë deklaruar për vija të kuqe por që i kanë shkelur vet,
edhe ata janë mashtrues dhe të gjithë ata të cilët bartin merita e pozita në
saje të luftës dhe të paqes, por që i kanë fituar në mënyrë jashtë ligjore,
jashtë shkencore dhe jashtë demokratike nuk duhet të lejohen që të jenë pjesë e
sistemit zgjedhor.
Këtë Vetting, nëse e krijon SHBA-ja dhe aleatët e saj nga
vendet e BE, do të ishte një sinjal se e mbara të fillon me këto zgjedhje. E
dyta do të shtohej numri i zgjedhësve dhe gjendja morale e popullsisë do të
ndryshojë për të mirë. Pastaj ky komision do të duhej t’i paralajmëronte të
gjithë kandidatët, për të cilët më vonë do të kuptohej se paskan shkelur e
manipuluar këto parime, do të shporren nga strukturat politike e udhëheqëse
sepse nuk ia vlen Vettingu të ketë mëshirë.
Edhe Partitë Politike, qysh tashti do të duhej të
paralajmëroheshin për t’i mbajtur zgjedhjet partiake gjatë vitit 2020. Në këto
zgjedhje duhet partitë me i bërë reformat substanciale dhe të pranueshme sipas
parimeve demokratike. Ato zgjedhje me rigorozitet duhet të vëzhgohen nga një
Trup Ndërkombëtare në bashkëpunim të ngushtë edhe me organizata vendore, pse jo
edhe bashkë me Komisionin Zgjedhor, për të pasur sukses në eliminimin e të
gjithë atyre që janë të involvuar në krim dhe kriminalitet, te gjithë atyre që
janë fajtor për gjendjen e tanishme: Vetëm në këtë mënyrë munden me u krijuar
kushtet për ndryshme të mëdha, të cilat nëse SHBA-të dhe vendet e Bashkimit
Evropian nuk do të lëshonin pe, për t’i lënë në mëshirën e përgjegjësve të
gjendjes së tanishme, kurrë stabilizim dhe përparim, Kosova nuk do të ketë.
Prandaj u bëjmë thirrje publike ambasadorëve dhe
përfaqësuesve diplomatik të SHBA-ve dhe vendeve të BE-së, që në bashkëpunim me
qeveritë e tyre dhe me zyrat përkatëse që i përcjellin zhvillimet dhe
ndryshimet e gjithmbarshme në Kosovë të bëjnë të pamundurën për të marrë këtë
hap të domosdoshëm, dhe në anën tjetër për të treguar pragmatizmin demokratik
dhe fuqinë e ndryshimit që e bëjnë vetëm këto ndërhyrje pozitive, të cilat
vijnë nga vendet aleate dhe partneret gjeostrategjik të Kosovës!
Vijon...
St. Gallen, 27 gusht 2019.
*Sh. Dibrani,
është autor i 25 librave të cilët kryesisht i trajtojnë zhvillimet politike në
Kosovë. Ai prej më shumë se tre dekadash jeton dhe vepron në Zvicër.
Publikuar në
Facebook:
https://www.facebook.com/notes/shefqet-dibrani/let%C3%ABr-ambasador%C3%ABve-6-vetting-p%C3%ABr-kosov%C3%ABn/10157715083312386/