Kerko: a
Fran Gjoka: Duke ndihmuar fëmijët, ndihmojmë të ardhmen
E enjte, 29.08.2019, 12:36 PM
Kujdesi ndaj fëmijëve, kryefjalë e familjes, shkollës, shtetit dhe tërë shoqërisë
Duke
ndihmuar fëmijët, ndihmojmë të ardhmen
Nga
Fran Gjoka, Lezhë
Kujdesi
ndaj fëmijëve është dhe duhet të jetë kryefjalë e shoqërisë. Kanë qenë të
suksesshme ato periudha apo ata breza që kanë pasur këtë përkujdesje ndaj
fëmijëve, duke filluar nga familja si qeliza bazë e shoqërisë, nga shkolla, e
cila ka qenë dhe është vendi ku fëmijët mësojnë dhe edukohen, tek shteti dhe
të gjithë institucionet e shoqëria, të
cilët asnjë çast nuk duhet ta largoj
vëmendjen nga fëmijët, duke parë atje vazhdimin dhe të ardhmen. Asnjëherë nuk
është kohë e humbur të merresh dhe të angazhohesh me fëmijët, aq më tepër që
ata janë si ai lastar i brishtë, i cili që të rritet i shëndetshëm e të
zhvillohet, të ruaj gjelbërimin dhe kur të vijë koha të prodhojë, doemos kërkon
në mënyrë të vazhdueshme kujdesin e
bujkut të mirë dhe të zotë, por dhe të merakosur çdo ditë për ecurinë
dhe zhvillimin.
Natyrisht
që familja dhe shkolla kanë rolin parësor në këtë edukim dhe mësim, pasi aty
fillojnë gjërat, aty hidhen themelet e shëndosha të edukimit dhe të formimit
qytetar të fëmijëve, që ata të rriten të shëndetshëm, të edukuar mirë me
edukatë e sjellje, me dije e kulturë, me njohuri të thella dhe të gjithanshme
për jetën, të sotmen dhe të ardhmen. Gjithnjë është vlerësuar ky fakt, por pak
është bërë realisht, dhe, pak bëhet. Ndonëse flitet shumë, ndonëse zotimet për
fëmijët janë të pafundme, ajo që bëhet është pak dhe shumë pak, madje në mjaft
raste ata dhe kujdesi ndaj tyre i lihen rutinës dhe spontanitetit. Prindi nuk
e gjen kohën të merret me ta, sepse ka
shumë punë dhe halle të tjera, kur puna më kryesore është edukimi dhe formimi
qytetar i fëmijës së tij. Ai kujtohet për fëmijën me raste ditëlindjesh, me
raste festash si 1 Qershori, me rastin e vitit të Ri që t`i çojë ndonjë
dhuratë, kur fëmija kërkon kujdesin e tij të vazhdueshëm, ashtu sikurse dhe
ushqimin që merr për ditë. Apo edhe shkolla që e ka detyrë shtetërore këtë
edukimi, mjaftohet në programin mësimor e lëndor dhe fare pak i kushton
vëmendje formimit të nxënësve me edukatë dhe sjellje të larta, që do t`i
shërbenin për jetën dhe të ardhmen. Një godinë e fortë, doemos kërkon themele dhe konstruksione
të forta, sepse themelet dhe konstruksionet janë ato që e mbajnë godinën, që sigurojnë jetëgjatësinë
e saj.
Natyrisht
që shkolla ka roli delikat sepse është institucion i specializuar për edukimin
he formimin qytetar të fëmijëve, të cilët në shkollë marrin njohuritë bazë të
zhvillimit. Aty janë dijet sociale dhe
shkencore, aty është edukata dhe marrëdhënia mes njerëzve, aty janë ligjet që
mbajnë dhe zhvillojnë drejt një shoqëri të caktuar.
Jeta
në shkollat shqipëtare rrjedhë dhe gjallëron përditë. Krahas përkushtimit të
drejtuesve, mësuesve dhe nxënësve për zbatimin e programeve dhe përvetësimin e
dijeve, herë-herë ndodh diçka që
qortohet nga mësuesit. Disa nga nxënësit vijnë të papërgatitur në mësim, të tjerë
kanë ardhur pa bërë detyrat ose kanë
harruar fletoret në shtëpi, dikush nuk është i vëmendshëm dhe gjatë orës së mësimit hedh vështrimin
ëndërrimtar nga dritarja, dikush godet me një shuk letre shokun në krah të tij,
dikush tjetër shkarravit mbi tavolinë emrin e sportistit apo këngëtarit të
famshëm që ka për zemër etj. Pas mësimit këta nxënës adoleshentë, gjithnjë të
zhurmshëm dhe të hareshëm, duan edhe të luajnë pakëz, të argëtohen, të bëjnë
edhe ndonjë shaka, të tregojnë një anekdotë. Por, diku ndodh edhe ndonjë
grindje apo sherr i mprehtë, një zënkë që nis si me shaka dhe shndërrohet
padashur në një konflikt të rëndë dhe të rrezikshëm. Madje ndonjëri nga jashtë
oborrit të shkollës, kërkon të bëj të fortin dhe , ai dëshiron të dallohet nga të tjerët, të
jetë ndryshe dhe origjinal në mendimet, fjalët dhe veprimet e tij. Ai kërkon të zbulojë rrugët që i duken të drejta për të qenë sa më
interesant në jetë, të tërheqë vëmendjen e të tjerëve drejt tij. Pa këto zhurma
të hareshme nuk mund të kuptohet dot jeta e adoleshentëve.Nëse do t`i kthehemi
realiteteve të shkollës, pas emrit të çdo nxënësi, pas numrit rendor në
regjistër, pas çdo note, është një fëmijë me botën e tij shpirtërore në formim,
i brishtë, që ka nevojë të orientohet, të nxitet e të mësojë, paçka se ai për
veten e tij thotë se “ i di të gjitha
dhe s`ka asgjë për të mësuar”. Por ai ndihet keq kur ndjen indiferentizëm ndaj
tij, kur nuk e përfillin dhe nuk tregojnë interes për të. Ai ndihet keq kur nuk
di se ç`të bëj, kur nuk ka motive në jetë. Në kësi rastesh për fëmijët, një ditë
nuk ndryshon nga një ditë tjetër, një muaj nuk ndryshon nga një muaj
tjetër: “
Ah,
gjithnjë të njëjtat gjëra! Sa ditë të
mërzitshme!” Nxënësit adoleshentë fillojnë e bëhen melankolikë, mbyllen
në vetvete, bien në pesimizëm e, gjer në dëshpërim të thellë. Dhe ky është
çasti më i rrezikshëm, sepse ata përpiqen të gjejnë ngushëllim dhe zgjidhje,
duke hedhur vështrimin nga rruga, që i tërheq si “gjarpër i keq”. Lexo po deshe hartimet e
çiltra të disa prej këtyre adoleshentëve. Aty ata rrëfehen, aty shprehin diçka
nga zjarri i shqetësimeve që i djeg përbrenda shpirtit, aty sheh se si ata
përpiqen e përpëliten pa mundur të gjejnë gjithnjë rrugët më të drejta të
jetës. Nuk them se këta adoleshentë duhet të mbahen për dore. Jo. Këtë
ata nuk e pranojnë, ndihen të fyer, por gjithsesi, ata duhen orientuar, duhen
ndihmuar të kapërcejnë gjendjen stresante dhe të rënduar psikologjike. Ata
duhen shkundur, duhen vënë në lëvizje, duhen hedhur në veprim. Në shkollë është
vendi ku duhet të edukohen ndjenja dhe të nxiten ëndrra të bukura, është vend
ku hedh shtat personaliteti i adoleshentit, ku ai orientohet drejt së bukurës
dhe së mirës, së drejtës dhe progresives.
Shkolla ka rolin e saj të padiskutueshëm dhe parësor në ndryshimin e
gjendjeve dhe përsosjen e realitetit ku jetojmë.
Është
forca e arsimit dhe e kulturës që
shpërndan mjegullën dhe errësirën, prapambetjen dhe injorancën, që i
kundërvihet së keqes dhe ligësisë, që mbron të drejtat e adoleshentëve nga
dhuna dhe arbitrariteti…Duke u ndodhur përballë vështirësive, duke ngritur
nivelin e punës së saj, shkolla të
përdorë edhe ajo “armët” e reja të kohës moderne për të qenë e aftë të fitojë mbi sfidat, dukuritë negative, të
ndikojë së bashku me shoqërinë dhe shtetin dhe të “ndërhyjnë’ bashkërisht që t`i shpëtojnë
adoleshentët nga e keqja, të vihet në krye të veprimeve të fuqishme humanitare
… E përbashkët është se, të gjithë kemi qenë dikur nxënës dhe si të tillë nëpër
vite bëjmë vlerësime dhe shfaqim opinione për mësuesit tanë. Ata qëndrojnë në
mendimet dhe përfytyrimet tona si njerëz të afërt, kujtimet për ta na bëjnë që
të ndjehemi mirë, na bëjnë që të na vërshojnë emocione dhe mbresa të shumta,
teksa malli dhe buzagazi na rrëshqet ëmbël në fytyrat dhe në sytë tanë. Nuk e
di pse ndodh kjo me mësuesit? Mbase , sepse të gjithë kemi marrë diçka prej
tyre në formimin tonë, në shprehitë dhe zakonet tona, diçka që fillon që nga
mënyra se si përshëndetemi, sesi respektojmë dhe duam njëri-tjetrin dhe jetën,
nga mënyra se si nisim dhe zhvillojmë një bisedë si zgjidhim një problem,
si futemi në botën e mrekullueshme dhe
të mistershme të dijes…
Janë
mësuesit të parët që kapin prirjet e
nxënësve dhe kujdesen vazhdimisht që ato të nxiten dhe të zhvillohen më tej. Se
talenti nuk zhvillohen vetvetiu, por
kërkon një mjedis përkrahës ashtu si fara, e cila që të shndërrohet në bimë, kërkon kushte të
caktuara klimaterik-tokësore, kërkon shërbim , ngrohtësi e përkujdesje. Dhe, jo
vetëm muaji i letërsisë, por edhe çdo orë tjetër e mësimit duhet të bëhen
nxitje për ata nxënës, të cilët shfaqin prirje dhe ide krijuese. Të vihen në
lëvizje energjitë krijuese të fëmijëve. Ato ekzistojnë, janë të fshehura dhe të
strukura brenda tyre, ato duhet të zgjohen, të vihen në lëvizje, të trokitet në
to: “-Hej, djalosh, zgjohu! Mos fli
gjumë! Jeta është e bukur, shiko, hap sytë, hidhu edhe ti në vrullet dhe
dallgët e jetës, lëviz, përpiqu, mundohu, përleshu me të keqen, kapërce majën
dhe ec përpara, vazhdo ngjitjen , ke maja të tjera përpara për të kaluar. Tek
përballimi i këtyre vështirësive, te kapërcimi i tyre qëndron bukuria e jetës. Kështu, aftësitë, talentet e nxënësve nuk kalojnë si hije, pa u ndjerë dhe
pa u vënë re, pa mundur të tregojnë
aftësitë dhe talentin e tyre…Këtu , mësuesi është kultivuesi, është regjisori
më i mirë dhe më i talentuar. Janë të shumta fushat ku mund të veprohet, ku
mund t`u hapen horizonte adoleshentëve dhe jeta e tyre të motivohet, të marrë
vlerë dhe kuptim.Natyrisht jo paternalizëm, jo diktim i ideve, por nxitje ,
krijim i një atmosfere dhe kushteve të përshtatshme që fëmijët të zgjedhin vetë
më të mirën, më interesanten dhe më të bukurën për ta dhe të veprojnë. Atyre
nuk mund t`u mohohet zhvillimi i natyrshëm i jetës. Nuk u duhet “vrarë”
fëmijëria dhe rinia, ata duhet ta jetojnë jetën natyrshëm, pa sforco e mundim,
nuk duhet t`u diktohet se çfarë duhet të
bëjnë dhe çfarë s`duhet të bëjnë, por t`u tregohet e mira dhe e keqja, e bukura
dhe e shëmtuara nëpërmjet veprimeve, ndodhive, debateve, ballafaqimeve… Ata
duhen nxitur , duhen hedhur në veprim me forcën e fjalës, të ideve, të
mendimit të mençur. Në kujtesën e
nxënësve mbahet mend mësuesi që i nxiti, që u ngjalli besim, që u hapi
horizonte të reja për një drejtim të
caktuar, zbuloi dhe nxiti pasionin që
ata mbanin të fshehur në shpirt e zemër, ata kanë mall dhe respekt, sepse i
dedikojnë mësuesit të tyre deri edhe të
ardhmen…
Ja
sesi si shprehet një nxënëse për mësuesin e saj të letërsisë.:”Të zhvillosh
orën e mësimit të letërsisë , do të thotë të udhëtosh në botën e rikrijuar nga
ne me petkun e fantazisë .Të fluturosh në lartësitë më të mëdha marramëndëse,
të jeshë i lumtur, të ndjesh fresiknë e
ujrave të lumenjëve, të luleve të bukura,, e të kapesh realen. Nuk është vetëm
një ëndërr,është thjeshtë një orë e
nxitur nga mësuesi që shfrytëzon thellësitë
e moshës tonë për të na strukur në
gjirin e letërsisë e në tërë
skutat e fshehta e të mrekullueshme të
saj. Dhe, të gjitha këto, do të doja t’i mblidhja, t’i lidhja në fjongo dhe t’ia dhuroja mësuesit tim. Dhe
në qëndër ka qënë dhe mbetet figura e
nderuar e mësuesit , e këtij udhërrëfyesi të shkelqyer të dijes dhe përparimit.Prandaj dhe mësuesi
mbetet gjatë gjithë jetës i fiksuar në mëndjen dhe kujtesën e nxënësve.
Me
aftësi , takt e durim , mësuesit dijnë ti marrin fëmijët e nxënësit e tyre
ashtu si janë dhe punojnë pa rreshtur e pa u lodhur për skalitjen e mëndjes së tyre, për pajisjen
me dije të thella mbi botën dhe shoqërinë njerëzore.Mësuesit ndihen të nderuar
dhe të obliguar kur drejtoria e
shkollës, mësuesit apo dhe vetë nxënësit
i ftojnë për takime dhe bashkëbisedime dhe kërkojnë ndihmën e tyre për
problemet që prokupojnë. Ndaj shkollës jemi të ndjeshëm dhe i detyrohemi të
gjithë, prandaj t’i afrohemi shkollës, jo vetëm kur na therret drejtori apo
mësuesi kujdestar për fëmijën që është mbetës, rrezikohet të përjashtohet për
shkak të mungesave të shumta, por të jemi atje sa herë që shkolla ka probleme
dhe gjera për të zgjidhur. Sikurse, drejtoria e shkollës, mësuesit i kanë të gjitha hapsirat e nevojshme që tu
drejtohen hapur dhe pa droje prindërve
të nxënësve, specialistëve, njerëzve të artit e të kulturës, biznesmenëve. Ata
ndihen të nderuar dhe të obliguar kur
drejtoria e shkollës, mësuesit apo dhe vetë nxënësit i ftojnë për takime dhe
bashkëbisedime dhe kërkojnë ndihmën e
tyre.
Duke
ndihmuar shkollën, ndihmojmë fëmijët të sotmen dhe të ardhmen e tyre. Shumë
mësues kanë qënë të suksesshëm që me taktin,kulturën pedagogjike dhe horizontin
e gjërë , kanë arritur të zgjojnë ide, energji, pasione dhe dëshira tek nxënësit: Ata mësues human e
zemërgjërë, që u qëndrojnë pranë nxënësve , ashtu si fëmijëve te tyre , që
zbulojnë prirjet dhe ndihmojnë të motivojnë jetën e nxënësve, që
“mjekojnë”gjendjen e tyre stresante dhe zgjojnë shpresa dhe besime të reja.
Vetëm kështu afrohemi më shpejt qytetërimit europian e më gjerë. Duke ndihmuar
shkollën dhe mësuesit ndihmohen fëmijët
dhe të rinjtë që janë e sotmja dhe e ardhmja e vendit.