Kerko: a
Lulzim Basha: At Zef Pllumi, frymëzimi për të triumfuar ndaj të keqes
E merkure, 28.08.2019, 04:10 PM
At Zef Pllumi, frymëzimi për të triumfuar ndaj të keqes
Nga
Lulzim Basha, Kryetar i Partisë
Demokratike
28
gushti i sivjetëm është përvjetori i 95-të i lindjes së françeskanit të madh,
shkrimtarit të pazakontë dhe prijësit shpirtëror që aq shumë iu desh
shqiptarëve At Zef Pllumit. Në 45 vitet e diktaturës si rojtari i kujtesës, dhe
pas vitit 1990, si kleriku këmbëngulës ai bashkë me kolegët e tjerë mbijetues
kreu rimëkëmbjen madhështore të Kishës, dhe si mësuesi i mirë ndihmoi qindra të
rinj të gjenin rrugën e tyre drejt dijes në ato vite të trazuara, kur rruga dhe
keqbërja ishin një joshje fatale e tranzicionit.
At
Zef Pllumi mori nga plejada e shquar e patriotëve klerikë që në vitin 1945 u
ndeshën me diktaturën e egër orientale, antikatolike e antikombëtare, amanetin
për të qëndruar, për të jetuar e për të dëshmuar epopenë e qëndresës dhe të
ringjalljes. Nxënësi i Gjergj Fishtës, Anton Harapit, Gjon Shllakut e Martin
Gjokës e mori këtë detyrë, shumë herët, së bashku me shugurimin e tij meshtar,
në atë kohë të zezë, kur shumëkush largohej nga Kisha për të mos u shndërruar
shënjestër e diktaturës.
Duke
marrë në sy çmimin e gjakut e të martirizimit, ai u mbijetoi 25 viteve të
burgut komunist dhe doli më 1990-n, për t’i udhëhequr shqiptarët në rrugën e
kujtesës, dijes, moralit e ringjalljes. Qëndresa e At Zef Pllumit në diktaturë
ishte madhështore. Për të kanë rrëfyer bashkëkohës e dëshmitarë të vuajtjeve në
gulagët e diktaturës. Por puna dhe aktiviteti i At Zef Pllumit në liri, pas
’90, ishte frymëzues dhe i pashoq.
Kontributi
për ringritjen e Kishës, rinxjerrja e Hyllit të Dritës, si një rojtare e
kulturës kombëtare, e denjë për historinë që trashëgonte para 1944-s, por edhe
prijëse në hullitë e vështira të tranzicionit, ndihma ndaj qindra të rinjve për
të marrë rrugën e dijes, duke i dërguar veçanërisht në universitetet më të mira
të Italisë e Austrisë, si dhe kontributi personal për publikimin e gjithë
korpusit të veprave të françeskanëve të mëdhenj, janë shembulli si një klerik i
sapodalë nga burgjet komuniste tregon rrugën si duhet të jetë një patriot i
mirë, një qytetar i angazhuar dhe një mësues e devotshëm.
Kurora
e kontributit frymëzues të At Zef Pllumit në tranzicionin shqiptar janë
kujtimet e tij, të përmbledhura në veprën “Rrno vetëm për me tregue”. Si të
gjitha punët e padër Zefit, edhe këtu ai eci në një rrugë të pashkelur, pa
shembuj e pa sprova të regjistruara, duke na lënë një kryevepër të dëshmisë, të
shkrimit, të gjuhës, të historisë e të moralit.
Nuk
shtoj diçka të re, kur përsëris se në çdo shkollë të mesme duhet lexuar vepra e
padër Zefit. Ajo rizgjoi nevojën ulëritëse të shoqërisë tonë për të reflektuar,
për t’u penduar e për të bërë drejtësi.
Ato
dëshmi të guximshme na dhanë shembullin se e keqja duhet nxjerrë nga
institucionet e shtetit, nga politika, drejtësia e shkollat, pasi bashkëjetesa
me të vetëm na pengon në rrugën tonë, e shndërron demokracinë tonë në një
monstër që s’ka as drejtësi e as moral.
Këtë
leksion s’e kemi nxënë mirë, politika sidomos s’e ka nxënë, sepse ajo për 30
vjet, u end mes marrëveshjeve që kanë sjellë një qeverisje korruptive, rritje
të varfërisë dhe rikthim në linjën e parë të politikës, ekonomisë e të njerëzve
të suksesshëm të hajdutit, dallkaukut, të paaftit dhe këto vitet e fundit edhe
në një emulacion të kriminelit, si një njeri i zoti e që vetëm ai bën hajër në
këtë vend.
Në
95-vjetorin e Padër Zefit e ndjej me vend të përsëris se nuk do të heshtim dhe
nuk do të pranojmë kurrfarë kompromisi me të keqen. E keqja po e shkatërron
shoqërinë dhe ne nuk do të reshtim duke e kundërshtuar atë.
Duke
analizuar dallimet mes komunizmit dhe katolicizmit, Padër Zefi shkruan: “Janë
dy doktrina krejtësisht të kundërta komunizmi dhe katolicizmi. Ne nuk pranojmë
dhunë, baza asht dashunija. Gjithçka me e ba me dashuni, me vullnet, me të
mbushun mendjet, me ndërgjegje, ndërsa baza e komunizmit asht dhuna, lufta e
klasave dhe tanë marrinat”.
Është
pikërisht kjo mendësi e marrëzive, e luftës së klasave ndaj punëtorit, ndaj të
ndershmit dhe ndaj të drejtit, që po ringjallet sot më shumë se kurrë dhe po
rrënon të gjitha arritjet e 30 viteve tranzicion.
Ky
regjim që dekoron torturuesin e Padër Zefit, nuk e quan për gjë të nxjerrë nga
zyrat shtetërore edhe të fundit përfaqësues të shtresës së të përndjekurve
politikë, të inkurajojë mësymjen drejt pushtetit të bijve të etërve xhelatë si
dhe të vjedhë vullnetin e shqiptarëve, në mënyrë që të vrasë rotacionin dhe
demokracinë.
Këtë
mësymje antidemokratike nuk kemi për ta pranuar kurrë. Beteja në mbrojtje të
aspiratave shqiptare për demokraci dhe integrim në Europë prej dekadash ka
dëshmorët e saj, por ka tek Padër Zef Pllumi apostullin e vet.
Është
një betejë që ka vetëm një përfundim, fitoren. Është një betejë që duhet
fituar, që fëmijët tanë, të rinjtë tanë të mos e braktisin vendin, por të rrinë
këtu, për të treguar triumfin mbi një të keqe që i pat zënë pritë Shqipërisë në
stacionin final të tranzicionit.
Çdo
28 gusht duhet të jetë një ditë që shqiptarët të ndalin e të mendojnë a kanë
bërë sa duhet për të nderuar dëshminë dhe kontributin e Padër Zef Pllumit. Nëse
gjenden keq, le të lexojnë “Rrno vetëm për me tregue”. Më pas, do të jetë më i
thjeshtë orientimi, e keqja do të duket sheshit dhe ushtria e së mirës do të
ketë në anën e vet edhe kontributin e një tjetër shqiptari të mirë.