Kerko: a
Alma Lama: “I përkas kombit të Nënë Terezës”
E hene, 26.08.2019, 02:05 PM
“I përkas kombit të Nënë Terezës”
Nga
Alma Lama
Për
Nënë Terezën kam dëgjuar për herë të parë kur isha në klasën e tetë. Ishte
periudha kur ajo kishte bërë vizitën e parë në Shqipëri. Atë kohë filloi të
përdorej edhe një shprehje që më pati bërë shumë përshtypje, kur flitej për një
sjellje humane apo bujare: “nuk jam Nënë Tereza, ose është si Nënë Tereza”.
Cinizmin e kësaj shprehje arrita ta kuptoj vite më vonë, kur më ra rasti të
shoh një dokumentar për jetën e Nënë Terezës; për veprimtarinë e saj humane me
njerëzit e varfër, të sëmurët, nevojtarët. Ajo i prekte, ju ofronte ndihmë
atyre qenieve njerëzore që ndoshta shumica i shih me indiferencë dhe përbuzje.
Nënë
Tereza, me mëkimin e dashurisë së saj të pakushtëzuar, kishte prekur hyjnoren,
atë që njerëzit kishin dëgjuar nëpër shekuj, por e kishin parë shumë rrallë në
praktikë. Shembulli i saj ishte një mësim universal mbi humanizmin, përtej
kishës, përtej besimit, përtej çdo lloj ideologjie që i ndan njerëzit. Për këtë
arsye, murgesha e thjeshtë, që kishte frymëzuar me miliona, u nderua me Çmimin
Nobel per Paqe.
Si
për shumëkënd, figura e saj edhe për mua u kthye në symbol. Shembulli i saj
është i vështirë të ndiqet në praktikë, por siç na mëson ajo “nëse ju nuk mund
të ushqeni 100 njerëz, atëherë ushqe të paktën një”.
Gjatë
punës sime si Ambasadore në Itali, nuk ka aktivitet ku nuk jam prezantuar me
krenari “Unë i përkas kombit të Nënë Terezës”. Sepse ajo është pasaporta më e
vlefshme për çdo shqiptar, sepse ajo është si drita që mund të trembë errësirën
me të cilën shpesh janë munduar që të na prezantojnë si komb, të na veshin, të
na denigrojnë.
Unë
besoj se nuk është rastësi humanizmi, dashuria dhe përkushtimi i saj. Këto
vyrtyte i kanë rrënjët e thella tek fisnikëria e një populli që u persekutua
nëpër shekuj, por që kurrë nuk e humbi humanizmin dhe bujarinë.
Por
edhe Nënë Tereza kishte armiqtë e saj. Paradoksale, cinike, por e vertetë.
Akuzohej për keqpërdorim fondesh. Kishte cinikë që guxonin të përlyenin figurën
e saj nëpër media, me shpifje dhe aludime. Sepse përbaltësit gjenden kudo dhe
në çdo kohë, të gatshëm të nxijnë gjithkënd. Të tillë për fat të keq pati edhe
brenda kombit tonë, që jo rrallë e fyen Nënën e gjithë botës.
Natyrisht,
koha i përgenjeshtroi, siç i përgënjeshtron të gjithë smirëzinjtë dhe
mendjeerrëtit. Nënë Tereza u shpall shenjtore, ndërsa ata mbetën banorë të
përhershëm të skutave të cinizmit.
Sot
Nënë Tereza ka ditëlindjen.
Kujtimi
i saj i nderon të gjithë, sepse ajo i përket gjithë botës, por asnjë komb nuk
duhet të ndihet më krenar me këtë grua të shquar, sesa kombi shqiptar.