Kulturë
Zymer Mehani: Hajrush Redenica - Gurrat e vendit tim
E premte, 24.05.2019, 08:48 PM
HAJRUSH
REDENICA “GURRAT E VENDIT TIM”
Shkruan
Zymer Mehani
Në
vëllimin poetik për fëmijët “Gurrat e vendit tim” poeti i talentuar nga Kika
legjendare, z. Hajrush Redenica na ka dhuruar vargje tejet të bukura për jetën
shkollore, për natyrën (bukuritë e vendlindjes, malin, fushën, lumin), për
shpendët shtegtarë (dallëndyshen, zogjtë etj), për shtazët (ketrin, drenushën,
peshkun, lepurin etj), për dukuritë atmosferike (borën, shiun, rrezet e
diellit, ylberin etj). Pra, vëllimi në fjalë është dedikim për fëmijët dhe për
nxënësit e shkollave fillore. Këtë konstatim e mbështesim fuqishëm duke u
bazuar në gjuhën e thjeshtë, por të pastër dhe në fjalorin, të cilin me shumë
kujdes e përdor poeti në ndërtimin e vargjeve. Mund të themi se fjalë kyçe të
kësaj përmbledhjeje janë fjalët: shkolla, mësuesi, abetarja, pastaj pranvera,
vera, vjeshta, dimri, dallëndyshja, zogu, lepuri, ketri etj etj., që janë të
pranueshme dhe të dashura për botën fëmijërore.
Autori
Hajrush Redenica në përmbledhjen “Gurrat e vendit tim” ka trajtuar motive nga
jeta shkollore, ku edhe mbretëron mbretëron atmosfera e shkollës.
Po
ashtu, autori ka shkruar poezi të bukura edhe për stinët, pra shumë vargje
përshkohen nga motivi i stinëve të vitit. Ndërrimi i stinëve te ne dhe te
fëmijët shkakton edhe ndërrim të botës sonë ndjenjore.
Kur
fillon të vijë pranvera, gëzohemi shumë, më tepër fëmijët. Ata galdohen nga
lulëzimi i luleve, fluturimi i fluturave, i dallëndysheve, i lejlekut etj.etj.
Po ashtu edhe ardhjes së stinës së verës më shumë i gëzohen fëmijët. Ta
kujtojmë vapën e korrikut dhe të gushtit, lumejtë me ujë të dëlirë, pishinat,
gurrat e vendlindjes, liqejt e detin, ku fëmijët ëndërrojnë për t’i kaluar
pushimet e verës.
Edhe
vjeshta pritet me dashuri të madhe, sepse ajo sjell shumë të mira për ne dhe
për fëmijët. Fëmijët i gëzohen vjeljes së pemëve si rrushit, dardhës, mollës
etj, por edhe shtatorit, ku sërish takohen në bankat shkollore me
bashkëmoshatarët për të fituar dije.
Po
ashtu, edhe stina e dimrit i ka bukuritë e veta, që fëmijët i gëzon shumë. Ta
kujtojmë akullin, dëborën, fërfëllëzën, rrëshqitjen me saja e me ski me shokët
e shoqet, pastaj gjuajtjen me topa dëbore, ndërtimin e dordolecit eti etj.
Disa
poezi të autori Hajrush Redenica si personazhe kanë lepurin, pëllumbin, ketrin,
dallëndyshen, fluturën etj., që janë shumë të dashura për çdo fëmijë. Këtu
poeti Redenica përmes vargjeve jep edhe informacion të shkurtër për këto shtazë
dhe shpezë, që janë të rëndësishme për t’i ditur fëmijët e moshës shkollore.
Dëshira
e poetit Hajrush Redenica është që të shkruajë për fëmijët, me qëllimin e vetëm
sa fisnik, po aq edhe njerëzor, që këta fëmijë të rriten duke e formësuar
karakterin e tyre të shëndoshë me virtyte të çmueshme dhe të bëhen të dobishëm
për veten e tyre, për familjen dhe atdheun. Dhe vërtet, me syrin e kritikut, me
kompetencë konstatojmë se z. Redenica nuk e shohim ndryshe, veçse si poet që
shkruan edhe për fëmijë, i cili, lirisht mund të themi se është zë premtues i
poezisë shqipe për fëmijë.
Gjuha
e poezisë së poetit Hajrush Redenica është e thjeshtë, por e pastër. Nuk janë
hetuar shkarje nga gjuha standarde. Vargjet janë kryesisht të rimuara, përplot
melodicitet, që janë të adhuruara nga mosha e fëmijëve, por edhe të pasura me
figuracion poetik, të përshtatshme për moshën e re. Metri i vargut është i
ndryshëm. Fjalori është i kuptueshëm për fëmijët.
Vëllimi
“Gurrat e vendit tim”, pra është libri nëntë i poetit, Hajrush Redenica.
Podujevë, më 14 maj 2019