Kulturë
Blerim Rrecaj: Livadhi i fëmijërisë
E hene, 14.01.2019, 09:47 PM
Livadhi
i fëmijërisë
Nga Blerim Rrecaj
Nga jeta e tashme hidhemi në strehën e kujtimeve të fëmijërisë, për t'iu shmangur paksa të reshurave të përditshmërisë. Dhe merr udhë në drejtim për në atëbotën ku jetonim së bashku në një familje të madhe, shumë antarëshe, në të ashtuquajturin bashkallak siç njihet me një fjalë. Në një lagje, në një shtëpi skaj dy rrugëve. Pas ndërtimit të një garazhe para një pjese të oborrit të shtëpisë sonë, ishte kjo sipërfaqja me rrethojë metalike ku ne luanim futboll. Sa e sa topi na pat rënë në rrugën që ishte ca e pjerrët e shkonte teposhtë. Ca topa i kemi ndjekur e i kemi zënë, ca të tjerë na kanë humbur, ndonjë na është kthyer nga kalimtarët, ndonjë na është shqyer nga rrotat e automjeteve në lëvizje, e ndonjë edhe na është marrë, për të mos thënë rrëmbyer. Ka për çka të kujtohemi edhe më, por matanë një rruge për të ndërruar ambient e për të zgjeruar kufinjtë e lëvizjeve tona, ne kemi dalë mjaft shpesh edhe në hapësirën e livadhit të pjerrët për të vazhduar lojërat nga hapësira e betontë në fushën gjelbëroshe me bar. Për të vendosur për ndonjëren prej copërave më të rrafshta të tij ku kryesisht edhe këtu vraponim mbas topit të rrumbullaktë, në lojën me këmbë, të quajtur futboll. Dhe na binte për ta ndjekur topin që rrokullisej ndonjëherë deri në kufirin e poshtëm të lëndinës që përfundonte në binarët e hekurudhës, përballë objektit të stacionit të trenit. Ditë pranvere e vere gëzoheshim ne e livadhi, pasi që jepnim e merrnim nga njëri tjetri kokteje çastesh të larmishme, e në të rrallë nëpër të duhet të kemi shkelur ditëve të vjeshtës, kurse jorgani i bardhë i borës na mblidhte për të vazhduar me akrobacionet tona rrëshqitëse me saja e sliçuka të blera a të përgatitura vetë nga plastika që merrnim nga kutitë e pijeve të ndryshme që mbanin shishet e xhamit. Plus kësaj hijeshi kishte dhe ndonjë kërcimore e ndërtuar prej bore, mbi të cilën më të zdërvjelltit garonin në mungesë të ndonjë komisioni vlerësues. Stinët ia lëshonin vendin njëra tjetrës e ne turrevrap në livadhin tonë. Kujtesa na dërgon te një adresë e filan dite e date, te një çast i saj, kur kushedi se cili nga ne e patëm gjetur një veturë-formulë lodër të cilën më pas e patëm marrë për të luajtur kushedi sa kohë nëpër shtëpi. Ajo veturë as e madhe as shumë e vogël e bardhë me një plastikë të fortë e me shoferin që rrinte i palëvizur me kapelë në kokë derisa ne e shtyenim dhe herë herë ia hiqnim gomat prej gome të butë që kishin një ngjyrë, mendja tash vërtitet mes të kaltrës e të kuqes. Eh veturë, veturë, eh formulë, formulë...Kaq mund të them për të, pjesa tjetër mund t'i takojë vetëm imagjinatës ose bashkëpjesëmarrësve që mund të thonë më shumë, më bukur e të jenë më të saktë. E mund shumëçka të thuhet. Edhe për të afërmit a të njohurit që na vinin për vizitë ca syresh ngjiteshin e më pas zbrisnin livadhit, aty ishin dhe ca shkallë hyrëse të shtëpisë së vetme para se të fillonte territori i tij dhe kjo shtëpi dukej si pikë vrojtuese.E këtë gjë bënim edhe ne kur lidheshim me pjesët tjera të kryeqytetit. Njëri nga shokët e vëllaut të madh pat humbur këmbën pas kacavarjes së rrezikshme që bënin duke u kapur për vagonë lokomotive së bashku me shokët. E ç'mund të kujtojmë tjetër nga kjo fushë e gjerë, mbase ndonjë lule a ndonjë flutur dhe pamjen e kryeqytetit si në shuplakë të dorës. Ndërkohë na vijnë tjera dromca kujtese që qilim vështrues kishin livadhin si dëshmitar, për gjëra për të qeshur a qarë, a ndonjë përqafim të ndrojtur të dashuruarish. E në njërën nga ditët derisa rrugëtonim drejt drurit të vetëm në kufirin jo në pjerrtësi por atë po e quajmë horizontal të livadhit, që kush mund që ta dijë, do të bënte mirë të tregonte, se ishte mollë a dardhë e egër apo ndonjë gjë tjetër si kajsi që i hanim të gjelbërta e të papjekura e dikush i emërtonte xherenika, sidoqoftë gjatë ecjes livadhi na u pat dukur i pambarim dhe patëm ndjerë pafundësinë e papërshkrueshme...Thellë është ngulitur ajo ndjenjë fëmijërore që edhe sot e kësaj dite përjetohet. Fëmijërinë na e kthyen kujtimet por livadhin tonë që si me një "abrakadabraka" u mbush me ndërtesa e ndërtesa e ndërtesa e ndërtesa kush mund të na e kthej. Të paktën në të tash në këtë kohë të ndërtohej ndonjë fushë sportive, ndonjë pishinë, ndonjë park, pa ia humbur fytyrën. Gjatë keni me rrnu o ëndrrimtarë, seç na doli edhe kjo fjalë . Ah, livadh, livadh ti që si pa prit e pa kujtu na solle nostalgji e mall fëmijërije a bën të ngushëllohemi te ky kënd i ngushtë lodrash të njërës prej ndërtesave të shumta derisa shohim këta fëmijë duke luajtur dhe kalimin e binarëve të dikujt pas kalimit të trenit, hapat shkelin në urën e vockël të drunjtë që kushedi që sa kohë aty ka mbetur. Nga këtu duke bredhur matanë në Dardani shohim dhe figurën e njërit prej ish-presidentëve dhe mendja na shkon te paqja, lufta, ndërtimet...