Shtesë » Lajme
Reshat Nurboja: Reagim!
E hene, 23.07.2018, 06:00 PM
REAGIM…!
Komuna e Pejës, gjegjësisht, qeverisja aktuale me veprimin e saj arbitrar për të mos lejuar ekspozimin e prodhimeve para dyqaneve të tyre në Çarshinë e Gjatë dhe shitjen ambulant në pjesën e fundit të Çarshisë së Gjatë m’u në vlugun e pushimeve verore të diasporës në Pejë, bën një padrejtësi morale dhe biznisore ndaj pronarëve apo qiramarrëseve të atyre dyqaneve dhe shitësve ambulant që të vetmin burim të ekzistencës ekonomike e kanë këtë veprimtari….
- Padrejtësi morale sepse në vitin 2017, në muajin e zgjedhjeve lokale dhe të atyre qendrore, për vota, në heshtje e toleronin ekspozimin e mallit para dyqaneve dhe shitjen ambulant përrreth apo përballë Çarshi Xhamisë…!
- Padrejtësi ekonomike, meqenëse, pengojnë zhvillimin e biznesit dhe fitimet reale të sezonës, pasi që mentaliteti dhe kultura e tregtisë në Pejë, imponon ekspozimin e mallit para dyqanit, sepse blerësi pa e pa mallin “para këmbëve” nuk hyn në dyqan me ble, sikurse është “paradoksi pejan se dyqani më shkallë është më pak i frekuentuar se dyqanët pa shkallë…?”
Edhe Alternativa. Dega në Pejë, përkrah ndalimin e ekspozimeve të mallit para dyqaneve jashtë sezonës, por mendon se është në kundërshtim me logjiken dhe interesin e zhvillimit ekonomik të Pejës që kjo të mos tolerohet gjatë muajëve korrik-gusht kur në Pejë kthehen për pushime diaspora jonë e cila për fat të keq është i vetmi infuzion i mbijetesës ekonomike të pjesës dermuese të popullatës në përgjithësi e të bizneseve të vogla në veçanti …!
Andaj, kërkojmë nga Ekzekutivi i Komunës së Pejës që të ketë mirëkuptim në këtë drejtim dhe ta rishqyrtoj edhe njëherë vendimin e tyre lidhur me këtë çështje, njëkohësisht kërkojmë që kryesia e Shoqatës së Zejtarëve të jetë më e zeshme dhe më këmbngulë se në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të anëtarëve të saj…
Alternativa, përmes përfaqësuesit të saj në Kuvendin e Komunës së Pejës do ta ngritë si çështje për shqyrtim dhe zgjidhje këtë problematikë në interes të të gjitha palëve…!
Reshat Nurboja
Anëtar i Kuvendit të Komunës së Pejës
nga radhët e Alternativës-dega në Pejë