E premte, 01.11.2024, 12:37 AM (GMT)

Mendime

Vangjush Saro: Hapi tjetër - Negociatat mes vedi

E merkure, 18.04.2018, 06:06 PM


Hapi tjetër: Negociatat mes vedi…

Nga Vangjush Saro

Me zhurmë, kundërshti e debate, po përcillet edhe marrja e rekomandimit për hapjen e negociatave me BE-në, fundja një ëndërr e kahershme e shqiptarëve, ëndërr a projekt për çka janë shprehur me padurim (pavarësisht sa dhe si kanë punuar) të gjitha qeveritë shqiptare dhe, po ashtu, të gjitha forcat politike. Kryeministri Edi Rama, duke folur për hapin e radhës, anëtarësimin, është përpjekur t’i “vizatojë” ngjarjes një sfond sa më të plotë, duke vënë në dukje pikërisht përpjekjet dhe meritat e të gjithëve. (“Një falenderim për ata që kush më shumë e kush më pak, dhanë një dorë për të ndërtuar një pjesë të rrugës së vetme për shqiptarët, atë drejt BE-së”.) Presidenti Ilir Meta gjithashtu e “mirëpriti rekomandimin e Komisionit Evropian për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, duke e cilësuar një akt inkurajues, të shumëpritur dhe strategjik për të ardhmen evropiane të vendit.”

Por përtej këtyre deklarimeve, në përgjithësi, ashtu siç edhe pritej, lajmi do të merrte trajta të ndryshme në medie e mjedise të ndryshme. Kështu, edhe njëherë, ngre kokë pasiguria shqiptare, e trashëguar dhe e mbarsur ca më keq në këto kohë tranzicioni. Dhe sërish, duken sikur janë më larg se vetë lajmi, çelja e negociatave, këto ëndrra ndryshe: mirëkuptimi, bashkëpunimi, ndjekja e rregullave, respektimi i arritjeve, menaxhimi i problemeve të hapura (histori, politikë, art, gjuhësi, etj.) E kam trajtuar edhe në disa shkrime të tjera, por ndoshta ende ka vend për ta risjellë temën, shqetësimin, në vëmendje e në të tashmen e jetës shqiptare.

Është rasti të vërejmë se intelektualët që mbajnë njëlloj drejtpeshimi, që nuk përqafojnë sakaq njërën palë apo tjetrën, që përpiqen të tregojnë zgjidhje më të buta dhe më afatgjata, janë shumë të rrallë e, ndoshta pa pushtet (në të gjitha kuptimet e fjalës). Disa institucione që do të duhej të ndërtonin a rindërtonin segmente të jetës dhe historisë, gjuhës e kulturës, përkundrazi kanë mbjellë pikërisht pasiguri dhe mospajtim. Ndërkaq, të habisin disa gazetarë apo analistë (term i përqeshur tashmë jo një herë) që për shkak të kujtimeve apo konflikteve me dikë, le të themi edhe me kryeminstrin aktual, në vend që të shkruajnë me drejtësi dhe me paanësi, rrëmbejnë në duar ura zjarri dhe janë gati ta shohin vendin e tyre edhe njëherë si në ditët dhe muajt më të vështirë të jetës e të historisë.

Në këto rrethana, shumë nga temat, ndoshta të gjitha temat, edhe kjo e sotmja, preken nga epidemia shkatërruese, herë megallomane, herë e përgjunjur, e diletantëve llafazanë të të gjitha kahjeve, të cilët mendojnë se po e ndihmojnë vendin, kurse janë duke shtuar mjegull dhe mot të keq. Kështu, tek ne, ka kohë që merr e shkruan historinë e gjuhësinë kush të mundet, merret me politikë kush gjendet më parë, duke tërhequr pas njerëz të hutuar, ndonjëherë të paditur, shumë herë ekstremistë; dhe kjo quhet e mirëqenë. Është për të ardhur keq, që edhe në këtë ngjarje, ka kaq shumë mllefe e diletantizëm. E kemi bërë shfrimin një “traditë”: mëria politike, e tashme apo e trashëguar, e ngarkon situatën me objeksione të paqena.

Një nga burimet e mospajtimit është, duket se është, sidomos, e shkuara, që furnizon paprerë me mllefe a nostalgjira të tashmen, e cila mund të përfytyrohet si një qenie pa faj, ndoshta Shqipëria vetë, që ngre supet dhe nuk kupton pse kaq urrejtje dhe të bërtitura përqark. Është e habitshme, por me sa duket, ende nuk kemi asnjë shans të kuptojmë që në dekadat e shkuara, komunistët dhe nacionalistët e mendonin ndryshe jetën dhe të ardhmen e vendit, por ja që zaret u hodhën kështu, punët shkuan mirë në disa drejtime (zhvillimi i arsimit dhe i sporteve, ndërtimi i rrugëve, hekurudhave e kanaleve kulluese, elektrifikimi i vendit, heqja e zakoneve prapanike dhe e veprimit të Kanunit, etj.) sikundër keq në drejtime të tjera, sepse janë vërtet të pakonceptueshme përndjekja njerëzore, problematikat ekonomike deri te buka e gojës dhe, sidomos, mbyllja hermetike e vendit.

Por… a nuk mund të thuhen këto kështu dhe të shkruhen kështu, pra pa i rënë njëri gozhdës e tjetri patkoit? U diskutua gjatë për kampin e Tepelenës, duke risjellë në media e në shoqëri urrejtje dhe mllefe të papërfytyrueshme, shkëmbime replikash nga më të ndyrat. Ndonjëherë, debatuesit kapen për fjalësh, thelbi është po ai: Ishte një rend tjetër, që doemos, e thamë edhe më lart, krahas realizimeve, ushtroi shtypje e dhunë në mënyrë të paprerë, sidomos në situata të caktuara. Sherri edhe më tej, as ne vetë s’e dimë ku na çon. Kemi 3 dekada që e raskapitëm veten, që i lemerrisëm dhe i çoroditëm fëmijët dhe rininë. (“Më mirë të flasim me njëri-tjetrin, sesa për njëri-tjetrin…” Angela Merkel)

U bënë tre dekada që vazhdon kjo shpëlarje trush nga të dyja palët. Të duket sikur plani është që të përsëriten 45 vitet e monizmit, të diktaturës, por tani në një trajtë disi më “demokratike”, në një tranzicion ku përzihen të gjitha nga pak, por kurrsesi demokracia funksionale, rendi që mbizotëron tani në Perëndim. Ne, me kokëfortësi, shohim vetëm këtej ose andej; o bardh’ o zi, nuk kemi tjetër pamje. Sidoqoftë, ka një përpjekje për ta ndërgjegjësuar shtresën e “kokëgdhenjve”, ku bëjnë pjesë siç thamë, zotërinj analistë, pushtetarë, opozitarë, protestues apo shuajtës protestash, që nuk luajnë nga llogorja klasore, ideologjike, mëria dhe mospajtimi i të cilëve shkon deri atje, saqë nuk mund të shohin dot qoftë edhe për një çast, me pozitivitet, zhvillime që duhen përshëndetur, si transformimi i disa zyrave dhe shumë shërbimeve, rritja ekonomike, por edhe përpjekjet për më shumë pastërti dhe kujdes mbi territorin, bie fjala, në Bashkinë e Tiranës e gjetkë… (“Le të jemi në radhë të parë dhe mbi të gjitha zemërmirë, pastaj të ndershëm, të mos harrojmë kurrë njëri-tjetrin.” Fjodor Dostojevski)

Më në fund, mund të shihet gjithashtu me pozitivitet edhe hapja e negociatave për anëtarësimin në BE. Nuk jam për patetizëm, bërtitje e romantika të kota, vendi ka me të vërtetë shumë probleme; por le të themi edhe dy fjalë të mira për këdo që punoi të hapeshin negociatat. Kjo është prirja, le ta përshëndesim atë; edhe protagonistët, pse jo. Kështu, devizën e z. Rama, “Hapi tjetër: anëtarësimi.”, unë do ta pasuroja disi: “Hapi tjetër: Negociatat mes vedi…”



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora