Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Kur arti, skena dhe poezia gërshetohen
E diele, 11.03.2018, 06:40 PM
Kumtesë me rastin e shënimit të 65-vjetorit të lindjes së piktorit dhe krijuesit, Idriz BERISHA
KUR ARTI, SKENA DHE POEZIA GËRSHETOHEN, KRIJOJNË MADHËSHTINË SHPIRTËRORE DHE PËRJETËSOJNË VLERAT KULTURORE KOMBËTARE
Nga Sejdi BERISHA
Vlerat shpirtërore, kulturore dhe artistike mbase edhe letrare, lirisht mund të thuhet, jo vetëm se nevojiten si një çështje thelbësore historike dhe dëshmi e dokument, por ato duhet të shërbejnë, por edhe shërbejnë si ambasadorë të një kombi e të një vendi. Megjithatë, kjo çështje sikur ende nuk është bërë pjesë e pandarë e kulturës dhe e krijimtarisë përgjithësisht, që donë të thotë se, si individi, krijuesi, komunitetit, por edhe faktorët shoqëror dhe institucionet gjegjëse duhet të bëjnë më shumë por edhe të mbështesin dhe investojnë materialisht dhe moralisht tek secili krijues.
Në këtë aspekt, ka shumë krijues, të cilët bëjnë punë të madhe për të dalë arti dhe kultura nga kufijtë lokal, rajonal mbase edhe kombëtar. Njëri prej krijuesve të kësaj peshe është edhe Idriz Berisha-Xhixhi, i cili, me krijimtarinë e tij pareshtur ka arritur të afirmojë e artin pamor, krijimtarinë letrare, por edhe kulturën përgjithësisht, duke përfshirë këtu edhe artin skenik dhe begatitë e folklorit përmes festivaleve të shumta, e në të cilat, vlerat e folklorit autokton bëhen themel i kulturës kombëtare.
_______________
Vlerat krijuese dhe themelimi i Galerisë “Art Gallery” Idriz Berisha-Xhixhi
Idriz Berisha-Xhixhi, i cili është njëri prej figurave më emblematike të zhvillimit të kulturës në komunën e Klinës dhe më gjerë, duke e parë se krijimtaria dhe vlerat e mirëfillta nuk bëhen dhe as nuk realizohen vetëm në qytete, por ato mund të kultivohen dhe të bëhen vlerë edhe në viset rurale, ky piktor akademik dhe krijues i vargut dhe i skenografisë të shfaqjeve të panumërta teatrore, i cili jeton në fshatin Dobërdol, jo shumë larg qytetit të Klinës, vendosi që në fshatin e tij, në Kompleksin e shtëpisë së vetë, të themelojë galerinë e artit figurativ “Art Gallery”, në të cilën jo vetëm se do tani organizohen ekspozita të shumta të piktorëve jo vetëm nga Kosova, por aty mund të organizohen edhe shumë manifestime dhe ngjarje kulturore, si seminare, promovime veprash letrare dhe forma të tjera të kulturës. Në këtë mënyrë, ai mendon se aktivitetet e tilla do të kontribuojnë edhe në afirmimin e jetës rurale, por edhe në zhvendosjen e vlerave shpirtërore, atje ku jeta frymon pastër dhe me begatitë e mëdha të fshatit, e jo gjithnjë, ngjarjet të bëhen e të ndodhin vetëm aty ku asfalti nxjerrë temperaturë që shoqërohet me pluhurin e stinëve.
Kjo galeri, e cila u hap para pak kohësh, dëshmoi se vlerat shpirtërore mund të zhvillohen dhe kultivohen gjithkund dhe gjithandej vendbanimeve tona. Këtë e vërtetoi edhe pjesëmarrja e shumë krijuesve, dashamirëve të artit figurativ por edhe të të gjitha fushave të tjera. Fjala e shkruar, ekspozita e organizuar në “Art Gallery” të Idriz Berishës-Xhixhi, tani janë sinjal se krijimtaria bëhet edhe në këtë mënyrë, që mund ta lakmojnë edhe shumë qytete dhe vende edhe në Evropë.
Pikturat që i ngjajnë shpirtit specifik që provokon mendjen për rrugëtimin historik
Puna dhe vepra e piktorit dhe e krijuesit Idriz Berisha, ka një histori të begatë dhe të kamotshme, dhe se piktura e tij sikur i ngjanë shpirtit specifik, dhe se ngjyrat e “radhitura” provokojnë për ta shtruar mendjen dhe komentin në penelin ku pikturat, thua se secila ka një histori në vete, secila ka një zë në vete, që në strofullin e tyre bartin lartësitë e mendjes dhe të shpirtit, bartin rrugëtimin e njeriut të kësaj toke, duke u shfaqur në pëlhurë dhe me fuqinë e ngjyrave si periudha historike të begatuara me krenarinë, qëndresën, dhembjen dhe sakrificën, por edhe etjen që të arrihet dhe tregohet edhe më shumë për tokën dhe kombin, për njeriun tonë, i cili nëpër botë vepra e tyre bënë dritë dhe kurrë nuk shuhet, siç është rasti me Shën Terezën.
Ndërsa, figurat historike, të cilat Idriz Berisha-Xhixhi i shpreh në mënyrën më të veçantë e të begatuar me rrjedhat e kohës, nuk janë gjë tjetër veçse, almanak, histori e vënë para syve dhe mendjes së njeriut, i cili, kur i analizon pikturat e këtij artisti, kurrë nuk mund dhe as nuk rri indiferent as ndaj historisë, as ndaj vlerave shpirtërore, por as ndaj katrahurave, përplasjeve dhe vuajtjeve nëpër të cilat ka kaluar njeriu i ynë, por që, gjithnjë ka qëndruar vertikalisht.
Po ashtu, pikturat e Berishës, e gërshetojnë edhe dashurinë dhe veçantinë e saj. Kjo, do të thotë se veprat dhe opusi krijues në fushën e artit figurativ, ndërlidhin veçorinë e shpirtit dhe të dashurisë, të cilat bëhen histori dhe ndonjëherë edhe tregim përrallash të ëmbla, që dot nuk e ngopin as syrin dhe as mendjen e shpirtin e njeriut.
Ndoshta, tërë këtë begati dhe atë arritur këtij punëtori të palodhshëm të kulturës ia ka bërë edhe më të qëndrueshme edhe punën e tij në Teatrin “Osman R. Gashi” të Klinës, ku skenografitë e shumë dramave dhe të komedive, jo vetëm se kanë folur e komunikuar me tekstin, por ngushtë kanë korresponduar edhe me lojën në skenë, edhe më muzikën, dhe çfarë është edhe më me rëndësi, edhe shikuesin e kanë shndërruar plotësisht në pjesë të skenës dhe të lojës në skenë. Këtë që e theksova, edhe sot e kësaj dite, tek dashamirët e artit skenik janë të pashlyera dhe të paharruara skenografitë që i ka realizuar Idriz Berisha-Xhixhi.
Ndërkaq, skenat që me punën dhe profesionalizmin e tij i ka madhështuar me rastin e festivaleve tradicionale folklorike dhe jo vetëm folklorike, thjeshtë u ka dhënë formë piedestali, gjë e cila ka madhështuar edhe pamjet e rrugëve dhe të atmosferës festive të qytetit të Klinës.
Poezia dhe piktura që kompletojnë njëra-tjetrën dhe lartësojnë vlerat krijuese
Dhe, Idriz Berisha-Xhixhi, sikur është ndier i mangët dhe i etur po që se talentin dhe ndijimin e tij nuk do ta shkrinte edhe në varg poetik, edhe në poezi. Dhe shih, ai shkroi dhe botoi disa vepra me poezi, të cilat në vete ngërthejnë peshën e shpirtit dhe të mendjes, por që janë të përjetësuara në libra si vargje me peshë dhe me mesazhin e veçantë për të gjitha ato që krijuesin e “përcëllojnë” dhe nuk e lënë të qetë dhe as të heshtë.
Tash, ai me organizimin dhe prezantimin e krijimtarisë së tij në shumë qytete anekënd Kosovës, Shqipërisë por edhe në Zvicër e gjetiu nëpër Evropë, ka dëshmuar, se arti dhe të arriturat në këtë fushë, edhe në Kosovë nuk ia lëshojnë rrugën as ekspozitave por edhe as piktorëve më të njohur në Evropë.
Karakteristika tjetër e këtij njeriu të kulturës, është, se së bashku me krijuesit tjerë, si Ismet Krasniqi-Lala, Prend Buzhala, Gjon Gjergjaj-Lyra, Mikel Gojani, Hajdin Morina e të tjerë, kudo janë prezent në manifestimet letrare gjithandej Kosovës dhe Shqipërisë. Ndërsa, Takimet Tradicionale Letrare “Ora e Tahir Deskut”, që për çdo muaj shtator mbahen në Klinë, kanë arritur ta afirmojnë në atë shkallë krijimtarinë letrare, sa që tanimë shumë të rinj janë mbështetur dhe afirmuar duke botuar edhe veprat e para të tyre. E, po ashtu, për poezitë më të mira ndahen shpërblime dhe shpërblehet edhe libri më i mirë i botuar ndërmjet dy takimeve.
Të gjitha këto të arritura që janë realizuar edhe me mbështetjen e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe të kryetarit të komunës së Klinës, janë themel që dëshmojnë për sukseset në të gjitha fushat e kulturës, por edhe për të vazhduar me të arritura edhe më vëllimore dhe më cilësore, e gjithnjë duke u mbështetur në të arriturat e deritashme.
Kështu, kaq madhështore duket krijimtaria e piktorit dhe krijuesit Idriz Berisha-Xhixhi.