Kulturë
Albert Habazaj: Nënave u falet Vlora
E enjte, 08.03.2018, 08:11 PM
NËNAVE
U FALET VLORA
Nga Albert HABAZAJ
Si bekim nga Perëndia,
si drit' e bukur hyjnore,
energji nga mirësia
shpërthejnë sot lule Vlore.
Janë lulet e urimit
për nënat tona të mira,
janë gonxhet e gëzimit
për motrat tona të dëlira.
Dëlirësi e bardhë si bora
në majën e lart' të Çikës,
u falet nënave Vlora,
se nëna ësht' motër e dritës.
E dritës që na mbush jetën
dhe dritëron dashuri;
nën' e dhembshur, si ti tjetër
nuk gjej dot në Gjithësi.
Ësht' e vogël galaktika,
s'e mban dot zemrën e nënës,
bëhet më fisnike dita
me nënën - thelbin e këngës.
Në vallëzim ëndrrash dehem,
ku përkundet dashuria,
kur në gji të nënës kthehem
në gji më merr shenjtëria.
Mjalt - e bardha nënë - flori,
bekimi yt është tempull,
je një pemë me dashuri,
fjal’ jote ngroh një shekull.
Në vend të një tufe me lule për Nënat, po ju thur këtë buqetë me vargje zemre për të shenjtat tona,
me dashuri biri, Albert R. HABAZAJ,
Vlorë, e enjte, 08.03. 2018