Mendime
Blerim Rrecaj: Shumëvarësia e Kosovës
E merkure, 21.02.2018, 08:34 PM
Shumëvarësia e Kosovës
Nga Blerim Rrecaj
Po na vjen sërish përvjetori. Në prag datëlindja e dhjetë e republikës. Me çfarë, me kë, e me tek do ta presim, të shohim. Për këtë as që është e nevojshme të thuhet ndonjë fjalë, pasi që s'di a mbet gjë pa u thënë, përsëritur, stërpërsëritur e stërthënë por këmbëngulja e politikanë-pushtetarëve e të të veshurve, e të (pa)maskuarve të këtij sistemi ngulfatës s'po na lë rehat ndonjë herë. E kur po flasim e po numërojmë pak të bardha e fatkeqësisht shumë të zeza a e shihni se eksizton liria e fjalës po thonë, liria e të shprehurit, po çka do të thonë po t’u përmendet liria e kaosit, liria e rrënimeve e mjerimeve, liria e urisë, liria e papunësisë, liria e korrupcionit, liria e mosndëshkueshmërisë…
17 shkurti 2008 ështe një datë e rëndësishme por jo si datë historike e përmbylljes së procesit e aq më pak e parrullës propagandistike: "Bac u kry", sepse gjërat nuk janë vënë në binarë të vet e s'janë aspak në terezi. Për këtë tashmë po pajtohemi të gjithë, të gjitha shtresat e nënshtresat, palët e nënpalët, grupet e nëngrupet, klanet, mbienënklanet…
Tash në 10 vjetorin e pavarësisë Kosova mbetet e shumë-pa-k-varura në aspektin e mbrendshëm e të jashtëm! Po cka me ba t’ia krisim festës ndonëse edhe këtu pajtohemi se festa do të jetë e zbehtë se para bajrami a ditës se falënderimeve nuk majmen as deshët e as quranat.
Edhe po jepen para nga buxheti i Kosovës ndërkoh për dekadën krenare ndërkohë korrozioni bashkë me korrupcionin po i shembin Kullat e Bacit. Dhe vazhdojnë varientet e pafundme te “Bac u…”Plus shto edhe 1001 halle e derte tjera.
Çfarë pavarësie mund të kemi kur mungojnë të drejtat elementare për një jetë me dinjitet.
Gjithkah po trumbetohen aktivitete të 10 vjetorshit. Në një koncert ‘pararendës’ për nder t’dekadës shtetërore "Elita 5" e interpretoi edhe këngën "Welcome to Albania". Dhe këngën por edhe vargjet e saj "Problem kryesor është papunësia, depresion çdo të ri (njeri) që e sheh" çjerr maskat politike t’trumbetimeve boshe të boshteve korruptive shqiptare që keqperdorin emra heronjsh e cdo gjë që u bjen në mend e u shkon përshtati. S'lënë gjë pa lëvizur e s'lënë dy gurë bashkë në rrugën e tyre të faraonizmit. Jemi zhytur llum, e mund ta zgjasim edhe më shumë por…
Shumë gëjra janë thënë e po thuhen por shumë më pëlqeu poezia e Albin Mehmetit që e pashë në faqe interneti. Poezia kishte përmbledhur aq “llaftarueshëm” rrugëtimet e ankthet tona.që vazhdojnë, vazhdojnë…
Albin Mehmeti
Dita e errësueme
Errësina e t’djeshmes e errësina e sotit
Bashkë janë bâ
Qi nesër kur t’vjen dita e re
E errësueme me lé