E shtune, 27.04.2024, 11:27 AM (GMT+1)

Përjetësi » Mani

Kadri Mani: Fatmir Limaj – Tafil Duraku (8:0)!

E merkure, 10.09.2008, 06:47 PM


Kadri Mani
Fatmir Limaj – Tafil Duraku (8:0)!

 

E PAVËRTETA PËRPARA TË VËRTETËS TRETET SI BRYMA PARA DIELLIT!

/Përgënjeshtrohet artikulli i Tafil Durakut botuar te agjencia e lajmeve- Dervina/

 

Nga Kadri Mani

 

Stokholm: Konferenca Ndërkombëtare mbi gjenocidin "Parandalimi i Gjenocidit në Botë”


Në Shqipëri nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, janë ekzekutuar 5 577 burra dhe 450 gra. Janë dënuar 26 768 burra dhe 7 367 gra. Kanë vdekur në burg 1 065 persona. Kanë humbur aftësinë mendore 408 vetë. Kanë vdekur në internim 7 022 veta.

 (Pergatitën: Halil RAMA & Beqir SINA)

 

Ka kohë që Tafil Duraku (është dhëndër i mëhallës tonë) paraqitet me artikuj cinikë e skandalozë, por s’kam dashtë t’i përgjigjem, ama kësaj radhe më shkeli në kallo!

Zotni Fatmir Limaj e ka thënë një të vërtetë të madhe, madje tepër të zbutur!

Enver Hoxha dhe socializmi i tij ortodoks, nuk duhet krahasuar me Titon dhe socializmin e tij liberal; porse Enveri duhet krahasuar me Millosheqin: Pse Enveri ishte më i keq se Millosheviqi?

Enveri ishte më i poshtër se Millosheviqi për shkakun se Millosheviqi bënte krime mbi popujt e huaj për interes të Serbisë së madhe, kurse Enveri bënte krime mbi popullin shqiptar për interes të Shqipërisë së cunguar dhe për interes të Serbisë e të Rusisë!!

Tafili e quan Fatmirin “cinik”, “luftëtar të dyshimtë” dhe hiç shqiptar, merreni me mend, edhe pas vlerësimit të Tribunalit të Hagës dhe shpalljes së tij të pafajshëm!?!

Këtë tërbim Tafili e ka shfaqur kaherë: në tavolinë kam librin e tij KOHË NJERKË, “Rilindja”, Prishtinë, 1992, të cilin ma ka dhuruar: Z. Kadri Osmanit, përzemërsisht dhe me nderime. Prishtinë, më 3.10.2000, Autori (nënshkrimi), në banesën e tij ku kisha shkuar tok me çunin tim për punë të revistës, ngase Tafili është kompjuterist.

Nuk dimë se si i shkoi dora dhe e shfletoi revistën “Shqipëria etnike” nr. 2/1999, f. 20, me titull:

 

Ibrahim Rugova- tribun kombëtar

dhe ndërkombëtar i pakonkurencë

 

Dhe Tafili u çart:

-Kush e ka shkruar këtë!?

-Po ti a di të lexosh!?

-Ti e paske shkruar!?

-Po, unë e kam shkruar!?

Meqë ishim aty për herë të parë dhe kushërira na shërbente me kafe e me rrush... nuk e zgjata më tepër; ama me t’u kthyer ne në shtëpi, Tafili karafili e ka lajmëruar bandën e vet dhe ia kanë filluar thirrjet telefonike dhe sharjet e rrugaçërisë pa ndërpre gjithë natën e lume, derisa e kemi shkyç telefonin, s’kemi pasë mundësi të flemë!!

Dhe atëherë (3.10.2000) tentonim ta kuptonim disi kundërshtarin e pacipë politik, por si të kuptohet tash kur del edhe kundër Fatmirit me një vrazhdësi të tillë, që ia tejkalon edhe prokurores Karla del Pones!?

Vijimisht në fund të shkarravinave të veta, Tafili shënon. “Autori është poet dhe publicist i pavarur shqiptar”- as poet as shqiptar!?! Poeti ka ndjenja, shqiptari nuk gënjen!?

Aktualisht janë nëpër faqe të gazetave e të ekraneve titujt rrëqethës nga diktatura e urryer enveriste-staliniste:

-Luan Myftiu: Nën terrorin komunist (II);

-Eugen Merlika: Një jetë nën diktaturë (kujtime të një “armiku të klasës);

-Zef Pllumi: “Rrno vetëm me tregue”...

Si ka mundësi që “publicisti”, “poeti” dhe “shqiptari” të jetë i shlyer skrupujsh njerëzie përpara portreteve të vdekura apo kufoma të gjalla të torturuara në mënyrën më çnjerëzore: Pjetër Arbnori, Osman Kazazi, Drita Kosturi, Nazmi Berisha... a ka mundësi që ato familje t’ia mallkojnë edhe foshnjën në djep përkrahësit të xhelatëve të tyre!?! E fëmijët e tij janë mbesa e nipash tanë, e nuk mund të jemi indiferentë!?! He dhëntë zoti e mallkimi i popullit të shumëvuajtur e zëntë vetëm atë zemërgur personalisht, pa të keqe të familjes!

Ai që e quan veten pjesëtar të UÇK-së e “çlirimtar”, me pafytyrësi e me mendjelehtësi fut në thonjëza ministrat tanë e qeveritë tona andej e këtej kufirit!?!

 

O Sallah, o Sallah, as me ne as me ata!

 

Organet e ndjekjes duhet ta hetojnë se me kë rri ky beter çeshit insani, sipas thënies: tregomë me kë rri, të tregoj se kush je!?

Por, këtu, duam t’i kujtojë z. Fatmir Limaj, se, dikush, si puna e “shqiptaro”-titistëve, nuk u bën nder as kur u lëvdon!... E, ju, çuditërisht, nuk e shihni ose shtireni që nuk e shihni o nuk doni ta shihni një ”lavdërim” të tillë, që ua bëjnë, pikërisht, “shqiptaro”-titistët kuislingë e renegatë...,”- çka mund t’i kujtojë e përkujtojë Fatmirit me dy sytë në ballë, një çakërr gjysmëçorr!?!

Si ka mundësi që “publicisti”, “poeti” dhe “shqiptari”  të shprehet: “pas shpine u shajnë pa pushim, si me bisht kali,”- me çfarë “bishti” po e sajdis Fatmirin apo edhe prindërit e tij!?! Ku ke ti ndjenja dhe aftësi shteformuese, kur nuk respekton ministra as qeveritë Kombëtare as Ndërkombëtare që na e hoqën thikën nga qafa!?! Thjesht, me kë je ti, o qyq!?

Tafil Duraku, duke qenë kompjuterist, në vend që t’iu ndihmonte qytetarëve ta instalonin Drejtshkrimin në kompjuterët e tyre, nuk e paska pa të arsyeshme që ta instalojë Drejtshkrimin a në kompjuterin e vet, duke e masakruar gjuhën shqipe aq keq dhe si dushman! Lëre pastaj se paska shpikur edhe fjalë të reja: raftë, ahengoheshin, biznesmenor, barasfajësosh, namshin, veglarive, pisnismentët...- duke fyer investitorët tanë sipas shembullit të xhaxhove e të xhaxheshave të tij!

“duke iu cytur të dilni edhe me deklarata të tilla”- Fatmiri nuk është një kalama që ta ysht dikush me “aftësi” magjistarësh, qofshin edhe renegatë të Titos!? Cilin popull e quan ti “renegat” dhe mos ishte ti në ushtrinë e popullit renegat!?- kur dihet se populli shqiptar është vetëm paqedashës e liridashës?

Shkrim shkarravinën e vet Tafili e përfundon “Na mbajë Tokë!...”- jo, po lëshoi o tokë Arbënore ato krijesa mjeranësh që të mos na turpërojnë edhe më tutje faqe botës dhe faqe miqve dha armiqve tanë!

 

 

Lexoni e (mos) besoni!

 

 

Tafil Duraku dhe Diktatori
DEKLARATË CINIKE E MINISTRIT FATMIR LIMAJ, NË TIRANË Publikuar më datë 2008-09-08 03:19:27 nga moderatori admin4 | Lexime totale: 717

 


Shkruan: Tafil DURAKU

Atë që dëgjuam në ALSAT, më datën 9 e 10.9.2008, në lajmet e mbrëmjes dhe të mëngjesit të së nesërmes, mos na raftë ta dëgjojmë më, sidomos, prej secilit shqiptar që e quan veten luftëtar i lirisë dhe i Shqipërisë-SHQIPËRI.

Nga takimi i dy ministrave të Telekomunikacionit dhe suitës së tyre të të dy “shteteve tona”, gjërat kishin shkuar fort ters dhe dukeshin se nuk janë fare në frymën e bashkëpunimit të mirëfilltë kombëtar shqiptar. Po, pse kishte ndodhur një gjë e tillë, se?! Pse ajo ftohje e frymës shqiptare të bashkëpunimit? Pse, pikërisht, në Tiranë, ministri i Telekomunikacionit të Kosovës “shtet” del dhe na deklaron gjëra, që, pikë së pari, nuk i bëjnë nder atij personalisht dhe familjarisht, si komandant dhe luftëtar i dalluar i UÇK-së shqiptare?!... Pse paska luftuar z. Fatmir Limaj me shokët e tij të idealit shqiptar?... Për t’i dëgjuar “këshillat” e “shokëve” të tyre të idealit “shqiptar”?... Pse, pra?!...

Vetë deklarata e z. Fatmir Limaj, në atë takim, citojmë: “Tashmë ka kaluar koha e mentalitetit Tito-Hoxha!,”që barazonte dhe barasfajësonte biznesmenët shqiptarë të Xhaxhit Enver Hoxha me “biznesmenët kosovarë” (lexo: pisnismentët e...) të Titë Shkaut, zbardhë shumë cinizma “shtetërorë” e “kombëtarë” të prijësve “tanë”, të cilët, për interesa fare të ngushta personale, sikur i kanë harruar hallet e Atdheut e të Komibt shqiptar, hallet e qytetarëve dhe punonjësve shqiptarë të të gjitha anëve të kufijve që padrejtësisht ndajnë shqiptarët dhe Shqipërinë-SHQIPËRI, madje-madje, ata komandantë (shumica) kanë harruar edhe hallet e bashkëluftëtarëve të tyre, që rrokën armët për ta bërë lirinë – LIRI e Shqipërinë – SHQIPËRI të shqiptarëve, gjë të cilën, fatkeqësisht, e vërteton deklarata më tepër se cinike e z. Fatmir Limaj, në Tiranë, sepse, ta mohosh, ta barasfajësosh dhe ta vëshë në rrugë e binarë të njëjtë e të përafërt kontributin e Shtetit Amë e të Xhaxhit Enver Hoxha, për shqiptarët dhe për Shqipërinë, me “atë” të kuislingëve “shqiptaro”-titistë të Titos e të Milosheviçit në viset e pushtuara shqiptare, nuk është asgjë tjetër, vetëm të tregosh botërisht se nëpër ç‘ujëra noton dhe ç‘detyra “kombëtare” e “shqiptare” i ke vënë vetes, mbi bazën e atyre “udhëzimeve” e “udhëzuesve” titistë “shqiptarë”!... Ore, u plaçin sytë e ballit!..., do namshin me gjëmë gjyshërit dhe prindërit tanë me pervojë.

Nuk di prej nga i jep vetes të drejtë z. Fatmir Limaj të bëjë krahasime të tilla “kombëtare” e “shqiptare”, kur prindërit dhe gjyshërit tanë mendjendritur thoshin: “Biro, mos me kanë ajo copë e grusht Sh’ipnie, matanë, shiket e t’bijtë e shkieve “shqiptarë” na kishin hangër pa pjekë, në pikë dite, nëpër shtëpitë tona!”...(!) Sepse, këtu duhet t’i kujtojmë z. Limaj, se “shqiptarët” që rehabiliton e merr në mbrojtje jo vetëm ai, fatkeqësisht, dhe bijtë e atyre “shqiptarëve” të Titos, baballarëve tanë ua kanë fshirë magjen me krahë pule dhe nuk u kanë lënë pikë mielli për bukë, në magje!... Kjo është ironia e mohimit, e barasvlerësimit dhe e baraspeshimit që u bën ti, z. Fatmir Limaj, kuislingëve të Titos e të Milosheviçit, që u kanë blerë me pak para e edhe me më pakëz pozita që u kanë dhënë për të shitur poza e për të bërë qejfe(Sic!), e, po luajnë me juve, disa, si macet me minjtë!... Po ua kujtojmë edhe këtë, z. Fatimir Limaj, se bashkëluftëtarët e tu të UÇK-së, gjatë luftës, kanë humbur edhe të pamurit, në mungesë ushqimi, në zonën e Lirë të Luftës, në Drenishtë, pa pasë as bukë me ngrënë, kur bijtë e Titos, që ti i barasvlerëson dhe i vë në baraskandar me bijtë e Enverit, ahengoheshin hoteleve më luksoze në Tiranë e gjetkë... Dhe, ky është kulmi i ironisë së cinizmit në atë takim “ministrash”!... T’ua kujtojmë, këtu, z. Fatmir Limaj, se, pikërisht, qenë dhe ishin “shqiptaro”-titistët ata që u kanë prirë ofensivave serbo-jugosllave kundër tribunëve të popullit shqiptar, Shaban Palluzha e Mehmet Gradica, si dhe, qenë dhe ishin “shqiptaro”-titistët ata që u kanë prirë ofesnivave serbo-jugosllave në djegien e të gjitha shtëpive shqiptare në Drenishtë dhe më gjerë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, e, edhe gjatë Luftës së Lavdishme të UÇK-së...(!) Dhe, ju, si ministër i një “shteti” dhe “kombi”, të sajuar dhe të paqenë, në tokën e ripushtuar dhe të ricopëtuar shqiptare, të bëni barasvlerësime dhe të tërhiqni paralelizma të tilla!... Na lësho tokë, orë e më parë!...


Ta barasvlerësosh, pra, kontributin e të Madhit e të Madhërishmit Enver Hoxha, që ka dhënë për shqiptarët dhe për Shqipërinë, me “kontributin” që kanë dhënë “shqiptaro”-titistët kuislingë e renegatë (qentë e zgjebosur si sinanhasanët dhe këlyshët e tyre passinanhasanë), për shqiptarët dhe për Shqipërinë, qoftë në rrafshin politik, qoftë në rrafshin diplomatik, qoftë në rrafshin ushtarak, qoftë në rrafshin ekonomik, qoftë në rrafshin kulturor, qoftë në rrafshin shtetëror e kombëtar, qoftë në rrafshin biznesmenor, është njësoj sikurse t’i thuash ditës – natë, e, natës – ditë!... Po, pikërisht, këtë paralele duan dhe kanë për qëllim ta tërheqin dhe ta mbajnë vazhdimisht në horizont “shqiptaro”-titistët “patriotë” e “atdhetarë”, përmes veglave dhe veglarive të tyre që kanë pozicionuar dhe pozicionojnë përditë në “pushtetin kombëtar shqiptar” dhe në “pushtetin popullor kosovar”(Bah!)...

Por, këtu, duam t’i kujtojë z. Fatmir Limaj, se, dikush, si puna e “shqiptaro”-titistëve, nuk u bën nder as kur u lëvdon!... E, ju, çuditërisht, nuk e shihni ose shtireni që nuk e shihni o nuk doni ta shihni një ”lavdërim” të tillë, që ua bëjnë, pikërisht, “shqiptaro”-titistët kuislingë e renegatë..., duke iu cytur të dilni edhe me deklarata të tilla, më tepër se cinike, dhe, më tepër se “shqiptare”, e, pas shpine u shajnë pa pushim, si me bisht kali, sikurse u shanë gjatë dhe pas Luftës së Lavdishme të UÇK-së, dhe, u flasin keq, në vesh, për secilin shqiptar që nuk është i taborrit të tyre “shqiptar” e “shqiptaro”-titist...

Të zhvlerësohet, nënvlerësohet, të barasvlerësohet a të mohohet asisoji kontributi i burrështetatsit më të madh shqiptar të të gjitha kohëve, i Kryetarit dhe Xhaxhit ENVER HOXHA, me “kontributin” e “shqiptaro”-titistëve kuislingë e renegatë “shqiptarë”, madje, në çdo rrafsh shoqëror, është tepër e pafalshme dhe tepër cinike, shqiptarisht e shqipërisht e pakuptueshme dhe e paarsyetueshme.

Mirë që po bien ca raste, takime e situata, tok me disa deklarata, e, po shihemi e po njihemi saktësisht se sa jemi shqiptarë dhe çfarë “shqiptarësh” të mëdhenj që jemi...(!)...

Prandaj, z. Fatmir Limaj, konsiderojmë se nuk u bën aspak nder një deklaratë dhe barasvlerësim, baraspeshim dhe paralele e tillë “Tito-Hoxha”(Sic!)...

Na mbajë Tokë!...

BUROJË, 11 SHTATOR 2008

(Autori është poet dhe publicist i pavarur shqiptar)



(Vota: 6 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora