E premte, 02.05.2025, 06:52 PM (GMT+1)

Mendime

Thanas Gjika: Filmat e kohës së diktaturës

E marte, 28.03.2017, 08:02 PM


EDHE NJË HERË PËR FILMAT E KOHËS SË DIKTARURËS

Nga Thanas L. Gjika

Falenderoj z. Agron Tufa për hapjen e diskutimit mbi vlerat e antivlerat e filmave shqiptarë të krijuar gjatë diktaturës komuniste. Ai ka të drejtë kur shkruan se disa prej tyre duhen ndaluar të shfaqen, kurse disa të tjerë mund të shfaqen me komente nga specialistët për të sqaruar të metat e tyre ideore. Transmetimi i tyre këto 26 vjet pa asnjë koment ka ndikuar në mbajtjen gjallë të një farë nostalgjie për jetën nën regjimin diktatorial, regjim i cili kapitulloi me turp 26 vjet më parë.

Si reagim u shkruan disa artikuj prej studiuesit Julian Bejko, sociologut Fatos Tarifa, regjisorëve Piro Milkani, Saimir Kumbaro, Menvlan Shanaj dhe aktorit Reshat Arbana. Këta dolën kundër mendimit të z. Tufa. Pasi e ndoqa polemikën dhe diskutimet që shkruan poshtë shkrimeve shumë lexues nëpër gazeta, po shfaq dhe unë mendimin tim lidhur me dobësinë themelore të atyre filmave dhe të krijuesve të tyre.

Të gjithë ata krijues shqiptarë që morrën pjesë në krijimin e këtij arti të ri, gjatë kohës së diktaturës komuniste, nuk ka pse të mos e pranojnë faktin se ata kanë qenë bashkëpunetorë të partisë shtet, sepse nuk kishin mundesi tjetër për të krijuar filma. Partia mbulonte shpenzimet e krijimit të filmave dhe diktonte e kontrollonte me rreptësi zbatimin e ideologjisë së saj në ato vepra. Pra atëhere u krijuan filma të indoktrinuar ashtu si i donte partia. Aty lavdërohej jeta e popullit tonë nën udhëheqjen e partisë, i thurreshin lavde partisë dhe komunistëve, të cilët gjithnjë jepeshin vetëm si heronj pozitivë e shembull morali e atdhetarie. Aty shtrembërohej e verteta e jetës, sepse populli ynë realisht vuante si në fshat e në qytet nga sundimi diktatorial dhe fukarallëku, ndërsa në filmat e kohës tregohej sikur populli ishte i lumtur. Puna e mirë e disa regjisorëve dhe loja e bukur e shumë aktorëve nuk i ka shpëtuar ata filma nga të tilla shtrembërime ideore. Pra çdo vepër e krijuar sipas parimeve të realizmit socialist, jo vetëm film, por edhe tregim, roman, poemë, dramë, kompozim muzikor, pikturë, skulpturë, etj, duke ngritur lart figurën e komunistit, ose të një Leifeni shqiptar, si hero pozitiv, kanë qenë vepra skematike me përmbajtje të gabuar ideore. Përmbajtja e tyre ideore ishte e vlefshme vetëm për partinë shtet, e cila e kërkonte me imponim këtë hero si modelin e njeriut të ri të socializmit. Dështimi i kësaj ideologjie në plan europian e shqiptar, i nxori jashtë kohe edhe të gjitha veprat artistike që e propaganduan atë ideologji. Ato vepra duke e shtrembëruar të vërtetën historike nuk e edukonin, dhe aq më shumë nuk e edukojnë dot popullin tonë në përputhje me moralin e shëndoshë njerëzor.

Si e tregoi z. Kastriot Dervishi të gjithë filmat, në nivele të ndryshme, kanë deformime lidhur me të vërtetën historike të jetës kur kanë ndodhur ngjarjet e trajtuara në filmat e realizmit socialist. Të gjithë krijuesit e filmave të asaj kohe (skenaristë, regjisorë, aktorë, kompozitorë, etj) i krijuan ato vepra nga nevoja për të jetuar, për të punuar në një fushë që u pëlqente, por ama edhe nga mungesa e guximit dhe e formimit për të kuptuar se nuk duhej pranuar shërbimi ndaj atij regjimi e asaj ideologjie.

Fatkeqesia më e madhe e këtyre krijuesve lidhet me të sotmen kur po vijojnë të mburren me ato vepra të indoktrinuara që i krijuan në atë kohë të censurës së egër. Pra ata po përpiqen për ta mbajtur ende popullin të indoktrinuar (të qorruar). Ky hap është një mëkat (krim) i dytë. Krimi i parë e ka një farë justifikimi tek nevoja për të jetuar dhe tek frika e mosformimi, kurse krimi i dytë është më i rëndë sepse nuk ka justifikim. Të vijosh sot, pas 26 vjetësh përpjekje për demokratizim, të lavdërosh filmat që kanë shtrembëruar realitetin gjë që e rihelmon popullin, do të thotë se këtyre krijuesve u mungon ndërgjegja kritike, u mungon ndershmëria dhe morali i një intelektuali të lirë. Ata vuajnë nga deliri i madhështisë që ua krijoi partia shtet përmes lavdërimeve, çmimeve, dërgimeve jashtë shtetit, me lejët krijuese, me shtëpitë më të mira që u jepte, etj, etj.

Mirëpo brezi i ri, pra edhe nipërit e mbesat e tyre, që po formohen në Perëndim, do të ndjejnë turp për këtë qëndrim të tyre, prandaj ju lutem për të mirën e tyre dhe të popullit tonë, të largohen nga ky qëndrim i turpshëm ndaj gabimeve e krimeve të dikurshme, që ata i kryen nën dhunën e partisë shtet...

(Ky variant u përpunua më 3/26/17)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx