E marte, 10.12.2024, 04:50 AM (GMT)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Partizania Vidna

E diele, 19.03.2017, 11:23 AM


Partizania Vidna

(Masakra malazeze në Katundin e Ri me 1945)

Tregim nga Gani MEHMETAJ

Sa herë me dilte para ia shqyeja sytë. Me gozhdonte figura e saj. Gjithnjë e lidhja me një djalosh të moshës sime, emrin e të cilit kurrë nuk e mësova, por ma turbullonte mendjen imazhi  i gishti tregues, kur tërhiqte këmbëzën; gryka e mitralozit që villte zjarr, përderisa jehona e krismave shpërndahej në Luginë, duke i trembur sorrat maje verrash. Fushëpamjen time e mbulonte pastaj figura e çunit që shihte i lemerisur nga rreshti i burrave në këmishë e të linjta, përballë togës së pushkatimit. Pastaj i goditur nga breshëria e plumbave, koka i binte para këmbëve të një duzine burrash rreshtuar në një vi me te.

Gruaja që mi ngatërronte imazhet quhej Vidna, apo shoqja Vidna, sikurse e thërrisnin ata që rrinin me te. Vështirë ta dalloje nga burrat. Ecte me hap ushtarak e me kurrizin paksa të kërrusur, vishte pantallona burrash e sako të gjerë civile të kohës së shkuar, që nuk i ndërronte verë e dimër. Ishte kockëgjerë, me trup të ngjeshur, lëkurë të errët të fytyrës, sy të vegjël zhbirues, të futur në zgavrat e kafkës së madhe. Nuk vinte buzëkuq, nuk mbante zbukurime, nuk e pashë të rrinte a te kuvendonte me gra. Zëri i vinte i thellë si nga shpella, paksa i çjerr si zë burri. Buzët e holla e gjoksi dërrasë, mezi i dilnin në pah në shtatin e lartë. Vetëm tulet e ngjeshura në të prapmet e bëshme e shquanin nga burrat. Nuk e di pse ziente nga zemërimi, t'i ngulte sytë e errët nga zgavrat e thelluara që ta fusnin lepurin në barkë.

Kisha dëgjuar për te netëve të dimrit. Korrenti i bezdisë me përshkonte edhe disa kohë pasi largohesha nga orbita e shikimit të saj. Megjithatë, edhe të nesërmen ndalesha shumë hapa para se të më afrohej, prisja te më kalonte, duke e shikuar pa ia shqitur sytë. Në imagjinatën time kishte marr përmasa të çoroditura, s' më besohej që ishte ajo për të cilën flitej. Përpiqesha t'ia shquaja gishtin tregues, por nuk ia pashë asnjëherë. Kur nuk bisedonte me burra, apo kur nuk zihej me jevge, partizania Vidna me shihte me përbuzje, sepse s'dija ta fshihja kureshtjen, nuk e përmbaja habinë, sikur ta shihja fantazmën ditë me diell. Një herë mu hakërrua me zemërim në gjuhën serbe: "Pse më shikon si budalla?"

Partizanen Vidna, e takoja gati çdo ditë,  kur shkoja në shkollë. Nuk i shmangesha edhe po të doja depos së Kryqit të Kuq, ku punonte. Rrinte duarkryq pranë rrugës, ose kthehej nga diku, herën tjetër merrte e jepte me jevgat e varfra që i përgjëroheshin,duke ia kërkuar edhe një grusht miell më shumë. Ajo nuk lëshonte pe, ishte e paepur ne vendimet e veta, ndërsa jevgat qanin, kur i dëbonte me zërin e saj të çjerr, i shante me fjalë të pista, apo i kërcënonte me refrenin: "Të gjithëve duhej t'u pushkatonim!"

Thuhej se vrasjet i kishte në gjak. Nga bëmat për vrasjet e kisha krijuar figurën e saj, atëherë kur nuk e njihja. Për te kisha dëgjuar që kur dija për vete. Sytë e frikësuar të djaloshit të moshës sime që priste para togës së pushkatimit me ndiqnin prapa.

"Me ketë gisht kam shkrepur mbi njëzet e gjashtë burra", tregonin kur lavdërohej, ndërsa e rrëkëllente ndonjë gotë raki të fortë kumbulle me një frymë. "Por shoqja Vidna, thonë se pati edhe një kalama", merrte guximin t'ia kthente dikush. "Pa qenë kalama nuk bëhet burrë", e kalonte ajo vërejtjen e bashkëbiseduesit me qeshje djallëzore.

Kisha dëgjuar për katundarët fatkeq buzë Drinit të Bardhë, që pësuan nga dora e shoqes Vidna, partizanes malazeze, një mëngjes të ftohtë dimri, kur edhe lumi qe ngrirë. Në mesin e burrave në të cilët shkrepi, pa iu trembur syri, ishte një djalosh trembëdhjetë vjeç. Ai nuk e dinte  pse i nxorën nga shtëpitë, as pse po rreshtoheshin partizanët me Vidnen prapa mitralozit.

Unë nuk duhej t'i dëgjoja rrëfimet e familjarëve, sepse me linin pa gjumë net të tëra, por me mbyste kureshtja, prandaj nuk më shpëtonte asnjë fjalë. Shpesh më dëbonin nga dhoma, kur nisnin rrëfimet, Kurse unë rrija prapa derës, i strukur dhe dëgjoja.

Nga rrëfimet e shkëputa mora vesh se si partizania Vidna atë ditë të kobshme iu ngjesh mitralozit të rëndë,  mbylli njërin sy si nëpër filma me partizanë e gjermanë, por nuk shënjonte në ushtarë armiq, ashtu si bënin në filma, ajo i korrte me breshërinë e mitralozit gjerman katundarët e përgjumur, që i mblodhi toga e saj më të zbardhur dita, i rreshtuan para një gardhi, në këmishë e të linjta. Katundarët para se t'i korrte mitralozi shihnin të hutuar me copa gjumi në sy. Ndërkaq, partizanët malazezë të brigadës së Bokelit, i shtynin me kondak pushke e me bajoneta. I mbajtën këmbëzbathur në acar, ndonjëri u përpoq t'ia mbathte, por binte nga breshëria e plumbave në lumin e akullt. Të tjerët të lidhur duarsh dy nga dy me nga një copë teli a spango, prisnin e dridheshin.  Dy -tre fëmijë nisën të qanin. Nëna e djaloshit të rreshtuar për pushkatim, u përpoq ta nxirrte nga rreshti të birin e llahtarisur, por një partizan e goditi në kokë me kondak pushke. Ajo ra pa ndjenja, pastaj e tërhoqën zvarrë.

Gratë  qanin pa zë, të mpira nga tmerri.

Partizania Vidna, prapa mitralozit, u drejtohej grave fatkeqe, që ia kishin zënë pamjen: "Hiquni prej rruge kudra!".  Thonë se dy nga të rreshtuarit, shpëtuan për një fije floku, duke kërcyer gardhiqet pupthi. Djaloshi i lemerisur para se të binte nga plumbat, i tha babait pranë: "babë, po tutna". Babai nuk bëzajti, ia shtrëngoi dorën. I pushkatuan para grave e nënave.  Kufomat ua lanë ndanë gardhit. Nuk u dëgjua asnjë britmë. Në borën e bardhë gjaku shquhej thekshëm, trupat e ngrohtë ende avullonin, ndërsa brigada partizane me Vidnen në krye vazhdoi tutje.

Katundi i Ri ishte vetëm një pikë ndëshkimi. Katundet tjera me të dëgjuar breshërinë e mitralozit e të pushkëve, ia mbathën maleve të Dydeshit. Por disa katunde nuk ishin më fat, katundarët i kapnin në gjumë.

Emri i shoqes Vidna ua ngrinte zemrat katundarëve të Luginës së Drinit e të Lumbardhit. Ajo mbolli vdekje ngado që shkoi. Në qytet pushkatimet nuk i bënin ditë me diell, por i ekzekutonin natën të burgosurit që i nxirrnin nga Kulla e Sheremetit, të shndërruan në burg. Kodrat sipëri Pejës, u mbushën me varre masive. Prapë emri i partizanes Vidna përmendej me mitralozin gjerman, që s'pushonte tërë natën.

Askush nuk kishte dëgjuar më parë për te. Dinin se erdhi më brigadën partizane të Bokelit nga Mali i Zi: vajzë e heshtur, e zymtë me pantallona të zhgunit ngjyrë kafe e opinga të lidhura me spango. Tregonin skena makabre kur partizanët malazezë pushkatonin civilë, ndërsa ajo u printe në këngë e valle rreth kufomave.

Asnjë partizan nga kjo brigadë nuk u kthye mbrapshtë, të gjithë u vendosën kolonë në tokat e shtëpitë e të vrarëve. Vidna u vendos në Pejë, ia rrëmbeu shtëpinë një qytetari, duke e nxjerr në rrugë me familje. Nëpër tubime nga Peja, në Istog, Klinë, e katunde, ajo ngrinte kërcënueshëm gishtin tregues, duke u hakërruar: "me ketë gisht kam ekzekutuar qindra armiq". Revolen e mbante në brez. Kur zemërohej e nxirrte nga këllëfi dhe e tundte në ajër. Pas disa vjetësh e tërhoqën nga paraqitjet publike, u bë e bezdisshme për pushtetin. Për ta qetësuar ia dhënë depon e Kryqit të Kuq  që të merrej me jevga. Jetonte e vetëm në një shtëpi të madhe të qytetari fatkeq që ia mbathi jashtë vendit.

#

Shumë vjet më vonë u interesova për shoqen Vidna. Disa thanë u kthye nga erdhi pesëdhjetë vjet më parë, të tjerët tregonin se kufomën e saj që qelbte e gjetën pas disa ditësh në shtëpinë ku jetonte. Treguan se asnjë ish-partizan nga brigada e Bokelit nuk mbeti në Rrafsh të Dukagjinit, ata që nuk vdiqën, ikën në Mal të Zi para se të futeshin trupat e NATO-s. Por mua me ka mbetur shprehi kur kaloj nga rruga e gjimnazit, e kthej kokën nga ish depoja e Kryqit të Kuq, gjithnjë në pritje se mos me del fantazma e partizanes Vidna me lëkurë të errët të fytyrës e sy zhbirues.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora