E diele, 28.04.2024, 04:14 AM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Kameleoni

E hene, 06.02.2017, 08:43 PM


Kameleoni

Tregim nga Gani MEHMETAJ

Koka e tij trekëndëshe me dilte eklips para një vajze të bukur, shoqe të fakultetit. Herën tjetër se nga mbinte në grupin tonë, duke u inkuadruar me zjarrmi në biseda që i zhvillonim në pushimet në mes të dy ligjëratave. I hollë e i gjatë si shtyllë telefoni, futej ne mesin tonë pa të keq, ndërhynte më ndonjë batutë, lëshonte një breshëri këshillash dashamirëse dhe ia mbathte. Largohej po aq shpejt, sa afrohej. E ndjente kur ishte i tepërt, por nuk e ndjente se ishte i bezdisshëm.

Një kokë më i lartë se të tjerët, një hap para nesh në nuhatjen e rrjedhave politike, i saktë në dialog, ai u bë emblema e çdo ndeje e bisede. Të udhëzonte të mos rrëshqitje në biseda me zarar, të këshillonte të mos hidhje fjalë që të nxirrnin andralla, mirësjellja e prania e tij u bënë proverbiale.

Nuk ishte spiun, sikurse prireshin ta quanin disa, jam i sigurt që nuk i raportonte askujt, megjithëse atë kohë na kishte mbërthyer paranoja e ndjekjes. Mbronte me vendosmëri politikën e ditës, vetëqeverisjen, ashtu quhej socializmi i kohës. Ishte në hap më kohën, më të fortin, sikurse e thoshte ndonjëherë duke na e shkelur syri. Kur e tepronim me humor, na e tërhiqte vërejtjen:

- Aaa, nuk është për tallje sistemi ynë. - Pastaj vazhdonte kursin e këshillave pa e pritur dhe pa lejuar t' i ktheje përgjigje.

Në vërejtjet e tij nuk kishte hatër mbetje, as kërcënim, e mbante zemërimin brenda, kur nuk ia përfillje mendimin. Prirej të zhgënjehej pse ti nuk e kapje momentin e duhur të politikës, pse nuk tregoheshe i shkathët, sipas rrethanave. Habitej pse duhej të kundërshtoje diçka që s'mund ta ndryshoje. Te ne ai kërkonte auditorë  më shumë se sa që përpiqej të na e shpëlante trurin.

Por t'ia tallje kryetarin e shtetit, atëherë skuqej si speci djegës. Një herë të shihte me zemërim,  sillej në rreh, ndërsa ia mbathte që të mos dëgjonin anash. Koka trekëndëshe që dilte mbi kokat e të tjerëve, i shihej edhe një kohë në turmën e rrugëve të kryeqytetit.

Të nesërmen prapë kthehej sikur të mos kishte ndodh asgjë. Nuk mbante mëri. Po nuk e ndërpreve me humor, ai fliste me orë, ashtu sikurse fliste në takimet e partisë, ku ishte aktiv. Me ndërhyrjet tona me një shprehje banale "mos ma qaj tr...:,  ai thartohej.

-Pse nuk futesh në Lidhjen e Komunistëve, - më pyeti befas një ditë, ndërsa bisedonim diçka kot. -Sepse jam bonapartist, ia ktheva flakë për flakë. - S'më kujtohet se si  me erdhi. Ai u hutua, ndërsa unë vazhdova: - Nuk ke dëgjuar për këtë lëvizje të re hipi- i thash duke e shikuar në sy. Doja ta sfidoja, sepse nuk e donte lëvizjen hipi, e vlerësonte të degjeneruar. Me pa një herë sikur vija nga një planet tjetër, pa edhe të tjerët, që nisën të qeshnin me batutën time. Nisi të zbythej.

- Kam faj unë që të pyes, - ma ktheu i zemëruar. Iku duke folur me veten.

Më befasoi mosdija  e tij për gjeneralin francez. Ai s'kishte ide kush ishte Napoleon Bonaparta. Në ligjëratat e pas ditës erdhi si të mos kishte ndodhur asgjë. Na informonte për të gjitha intrigat e komitetit të qytetit, ku ishte anëtar, na paralajmëronte për shkarkimet, ndonjë lëvizje kuadrosh të partisë, edhe kur nuk e pyesnim.

Miku ynë ishte në hap më kohën, i paluhatshëm në politik, aktiv në debate, i vëmendshëm në fjalët që nxirrte nga goja. Pas një vizite të bujshme të kryetarit të shtetit islamik, Gadafit, në kryeqytetin jugosllav, iu mblodhëm rrotull. Pritem që ai të na thoshte diç më shumë, por ai nuk i komentonte gjërat e tilla.

-A e ke vërejtur që beduini i Libisë, duket si i përhenet, -i tha në shaka shoku ynë, pasi pëshpëritej me tallje, se si libiani i çartur e solli gamilen me vete, që t'ia pinte qumështin. Të gjithë qeshnin nën zë më këtë ekscentrizëm të arabit, mik i painkuadrimit, ashtu quhej një lëvizje, ku bënin pjesë shtetet e botës së tretë.

-Ku e di ti pse e solli, gamilen? i thash si pa të keq. -Mbase e ka dashnore!

Duket e shkelem kufirin, sepse ai reagoi me nervozizëm: -Nuk lejoj ta fyeni mikun e shtetit tonë në praninë time. Ju jeni ta papjekur si ata hipit tuaj me flokë të gjata.

Dhe iku i zemëruar si asnjëherë tjetër. Pata përshtypjen se edhe rrobat në trupin e dobët që i vareshin, i dridheshin nga zemërimi. Disa ditë nuk me eklipsoi. Mund ta shihja qetë-qetë vajzën e kursit tonë derisa fliste me shoqe, ose shihte tej dritareve të korridorit në rrugë. Thashë na e la lamtumirën, s'do të vinte më. Por ai s'mundej pa ne, kurse neve na duhej ky tip. Pse, nuk e shpjegonim dot.

Ndonjëherë sikur e barte ndjenjën e fajësisë pse ishte në forumet partiake. Edhe pse nuk ia thoshim, përpiqej të arsyetohej:

-Dikush duhet të jeta aty nga tanët, - niste të  shfajësohej. Heshtja jonë e hutonte.

Pastaj secili mori rrugën e vet. Ai u bë  nëpunës profesionist në një dikastër të komitetit, ende pa i dhënë provimet e vitit të tretë, ndërkohë ne mbaruar fakultetin dhe u futëm në punë. Kur e takonim në të rrallë, i shpaloste ambiciet për karrierë në politikë. Ndjenja e fajësisë nuk i përvidhej në fytyrë as për demagogji.  Rrezatonte entuziazëm e energji.

Një ditë shpërthyen protestat studentore, gjërat u çrregulluan, pushtetarët u çarten, disa sepse ua prishën jetën komode, të tjerët sepse u rrezikohej posti. Binin koka e ngjiteshin koka.

Miku ynë që më eklipsonte, nisi të angazhohej gjithnjë e me shumë në aktivitete, merrte pjesë në diferencime, i takonte grupit të atyre që hiqnin koka, por gjithnjë duke i pritur të tjerët që t'ia nisnin gjuetisë së shtrigave. Ngjiti disa shkallë të hierarkisë, por jo aq lartë sa lakmonte, mbase ne prisnin me angazhimin e tij.

Gjërat sikur u ngatërruan, kasta e tyre nisa t'ia hante kokën edhe njëri-tjetrit, sepse nga lartë nuk ishin të kënaqur me angazhimin e tyre, kërkonin koka të reja në tabaka. Miku ynë i studimeve herë ngrihej, herë zbriste në karrierë, por gjithnjë mbahej në një trung lisi derisa rrjedha e lumit i barte të tjerët. Debatet e tij politike botoheshin nëpër gazeta, e nxirrnin në televizion. Pastaj për një kohë e shmangen nga mediet.

Gati e harrova, kur me ra në sy një titull gazete: "Feja është opium për popullin", ndërsa e shfletoja pa asnjë kureshtje, sa për ta kaluar kohën në pritje të radhës të dentisti. Emri i autorit më bëri përshtypje, prandaj nisa ta lexoja. Miku i vjetër i studimeve me shtatin një kokë mbi ne, kishte ngritur tonin dhe bënte me gisht, shkruante në vetën e parë, ndërsa dikur fshihej prapa qëndrimit të dy komiteteve, sikurse u thoshte ai komitetit Krahinor e Komitetit Qendror të Jugosllavisë, ku e fuste domosdo edhe atë të Serbisë, në dyshen e treshes. Lexoja dhe bëja grimasa nga habia.

Nuk mbaja asnjë qëndrim ndaj fesë, nuk vuaja as nga militantizmi kundër. Megjithatë, kisha lexuar librin e shenjtë, kisha parë dhjetëra filma me tema biblike, nuk isha tabula rasa as në fenë tjetër. Në fëmijëri me kishin bombarduar për luftërat e pafundme kundër të pafeve. Nuk fliste  kundër fesë as miku ynë i studimeve, prandaj me habiti militantizmi i tij, sepse mediet tona nuk shquheshin për ateizëm: me vendet myslimane, shteti i kishte punët mirë, me dy fetë tjera ishin të matur. I rashë në fund të tekstit të gazetës, e lashë në karrige ku e gjeta dhe u futa të dentisti, gjithnjë duke u përpjekur ta kuptoja arsyen e këtij sulmi të bëftë.

Koha u bë edhe më e rrëmujshme. Krisi lufta, u kthyem nga ikja e pa kokë.

E takova rastësisht të njohurin tim, i tronditur si të gjithë ne, paksa i dëshpëruar, por energjik e i paepur. Por, megjithatë ishte më i frikësuar. Kthehej prapa, kur e nxirrja ndonjë blasfemi. Më bëri përshtypje militantizmi i sforcuar, në frymën e kohës. E kishte gojën plotë më "vlerat e luftës", një zhargon që u bë modë, në përpjekje për të veçuar frymën e re të bërrylave e ndërskamcave politike.

-Shoku, - i thashë me tallje, - lufta nuk ka vlera, ka vrasje e krime, por ka edhe guxim e sakrificë. Për cilat vlera flet ti?

Më pa i habitur, u rrotullua djathtas e majtas se  mos na përgjonin. Dikur e ngriti zërin:

- Për vlerat e luftës flas, për ato vlera që partia juaj gjithnjë pati prirje t'i zhvlerësonte. - Mbase s'do t'ia përmendja partinë e tij, por ai nuk me priti, sërish iku me hatër mbetje. U kthye pas disa hapash, duke ma drejtuar gishtin tregues: - Kujdes, miku im, këta nuk të duan, prandaj as nuk të falin. Të shkon koka për marrëzira të papjekura. - Prapë rrobat e hekurosura i dridheshin në trup. E kishte humbur durimin e dikurshëm, nisi të nxirrte brirë.

Rastësisht u takuam pas një viti. Ishte kohë agjërimi në kalendarin e festave islame. - E mbanë ti ramazanin, - më tha pa një pa dy, katundarçe. Më skandalizoi mënyra e pyetjes, por më skandalizoi edhe interesimi i tij isha a jo fetar. Prapë me tallje i thashë: - ka mundimçarë që vuajnë urie edhe për mua, s'kam pse mërzitëm. Me vuajtjet e tyre do të shkoj edhe unë në parajsë

-Aaa, e ke gabim, secili e ka për vete.  Njeriu duhet të lidhet diku, -me tha i habitur.

-Pse të duhet të lidhesh diku, e mbërtheva paksa i zemëruar me këtë transformim të bëftë. - Lopa lidhet për kërpeshi, njeriu për komb a ideale, - se si me doli nga goja diçka që nuk e kisha menduar më herët. Iku i brengosur, pa më dhënë mundësi t'ia përmendja antifetarizmin e tij të dikurshëm.

Disa vjet më vonë, mbase kaluan dhjetë, u takuam në një ceremoni publike, ndërsa nisëm bisedën për politikën. Nuk e di cili nga miqtë tanë me tha me dashamirësi "ta lexova shkrimin", ndërsa miku ynë me shikoi me dyshim duke rrudhur supet: -Ta shash liderin e vendit që ne e kemi mik, nuk është në rregull, nuk e di si të durojnë.

Kësaj radhe unë e frenova zemërimin. Ia ktheva me një batutë të piste sllave, që e përdornim dikur. Ia thashë edhe një fjalë për kryetarin e vendit mik, si dikur për Gadafin. Iku, duke mbyllur veshtë me duar.

-Kam faje unë që dëgjoj fjalë të rënda për mikun e shtetit tonë,-  ma tha në vend të lamtumirës.

Bënte mirë që më shmangej në rrugë, më kursente nga dëshira që ta fyeja.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora