Faleminderit
Gjekë Gjonaj: Historian i së vërtetës
E shtune, 24.12.2016, 09:28 AM
Historian i së vërtetës
Nga Gjekë Gjonaj
Mr. Riza Rexha që nga 12 nëntori i këtij viti nuk jeton më. Ai u shue në shtrat si një dritë qiriri që shndëriti deri në momentet e fundit të jetës. Por drita e tij do të ndriçojë në veprën që la pas dhe do të jetojë i gjallë në kujtesën e brezave. E kam njohur nga afër. E kisha shok të mirë. Ishim miq të kahershëm e ti sinqertë me Bacën Riza, siç e quanin me pietet në Ulqin. Takoheshim shpesh. Bisedonim për shumëçka. Më së shumti për të kaluarën e vështirë të popullatës shqiptare në përgjthësi. Për vuajtjet dhe vështirësitë e kësaj populate nëpër shekuj për të mbetur gjallë e me nder në trojet e tyre etnike. Për shkollimin e mundimshëm plotë sakrificë të gjeneratës së parë të shqiptarëve në Mal të Zin në Kosovë. Për kontributin e madh të mësuesve shqiptarë në zhdukjen e analfabetizmit. Për dashurinë që duhet të kemi ndaj kombit. Ndaj gjuhës. Ndaj traditës e zakoneve tona. Për migrimin e emigrimin. Për asimilimin e heshtur. Për papunësinë e rinisë sonë të shkolluar. Për shumë ngjarje historike e personalitete të shquara të lëna në harresë pa meritë. Për vlerat e sotme të munguara të shoqërisë sonë. Për shqetësimet, brengat e hallet e jetës sonë të përditshme. Për frymëzimin e krijuesit. Për detyrmin që kanë intelektualët, mbi të gjithë, për kombin, për atdheun.
Ndaj e quaj për detyrë e nderim ta kujtoj e ta vlerësoj atë si njeri, si edukator, si mësimdhënës e si punëtor shkencor.
Ishte i urtë.I ditur. Mendtar. I thjeshtë në komunikim.I afërt. I dashur. Gazmor. I kishin hije llafet e përzgjedhura e me shije. Serioz në punë. I matur në gjykime. Gjithmonë shfaqej pedant. Në shtëpi. Në rrugë. Në punë. Kudo e kurdo. Një punonjës model i arsimit. Një edukator shembull për t’u ndjekur. Një punëtor i zellshëm. Studiues i palodhur.Martir i punës. Një historian i së vërtetës. Ai me shembullin e vet më futi në shpirt punën. Më bëri të jem më hulumtues, më gjurmues, më punëtor.
Tek professor Riza Rexha asnjëherë nuk ndieja lodhje. As ngushëllime. Madje as në të ashtuquajturën “ moshën e tretë”, kur dëshirat dalëngadalë pakësohen dhe shkojnë drejt shterrimit. Nusja nusëron vetëm njëherë – më thoshte.
Mundohej të mos i kujtojë kujtimet e këqia. U shmangej gjërave të hidhura. Kapej pas të mirave dhe të ëmblave edhe atëherë kur sfidonte kohën dhe hallet e shëndetit të rënduar Rrezatonte vlerat dhe virtytet më të larta njerëzore e kombëtare: burrërinë, guximin, besnikërinë, mençurinë, intelektin dhe përkushtimin.
Si studiues në fushën e historisë la gjurmë të pashlyeshme. Krijimtaria e tij është për të gjitha brezat. Për të gjtha kohërat. Dy veprat e tij “Ulqini në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878-1881” dhe “Ulqini dhe politika e Malit të Zi 1881-1912“ janë stdudime me vlerë kapitale. Kontributi i profesor Rexhës në histori dhe në kulturën shqiptare është i madh. Studiuesit e konsiderojnë si një nga përfaqësuesit e dalluar të historiografisë shqiptare.
Profesori ynë i njohur shquhej për korerktësi e siguri në paraqitjen e fakteve historike. Ishte vërtetë njeri i përkushtuar ndaj studimt të vërtetave dhe ngjarjeve historike të trevës ku lindi dhe jetoi – Ulqinit. Ai me dashuri, përkushtim dhe atdhedashuri e ka trajtuar historinë e popullit të shqiptar, jo duke e zmadhuar atë në mënyrë artificiale, por duke e shkruar dhe interpretuar me realizëm. Ka ditur të punojnë duke qenë sistematik gjatë gjithë jetës, duke mbledhur e klasifikuar materiale historike, duke vlerësuar çdo të dhënë, fakt e dokument.
Profesor Rexha do të mbetet në mendjen e shqiptarëve si intelektual i angazhuar, me ndërgjegje të lartë kombëtare e shoqërore.