E hene, 11.11.2024, 01:31 AM (GMT)

Faleminderit

Ndue Dedaj: Çiftelia që solli Gjerdanin e Artë

E shtune, 08.10.2016, 06:48 AM


ÇIFTELIA QË I SOLLI “GJERDANIN E ARTË” SHQIPËRISË

NGA NDUE DEDAJ

Ndue Shyti është moshuar, por jo çiftelia e tij proverbiale. Mund ta nisësh sërish ditën me meloditë e tij me çifteli, fyell e bilbil, si dikur, pasi arti i tij nuk ka tjetërsim, ashtu siç kurrë nuk ndërron gurgullima e hareshme e Fanit e Drinit. Tish Taija pati shkruar: “Dy tela, një çifteli e thjeshtë! Por një dëshmi e madhe se ç’mund të bëjë një njeri që pi pa pushim në gurrën e madhe të dlirtë të krijimtarisë shekullore e gjithmonë të re të popullit të lashtë sa malet, sa toka, sa dielli e kënga e tij diellore. Ndaj spikeri në festivalin e Dizhonit në Francë, 1970, pati thënë për të në një podium të madh: “Dhe tani shikoni një shqiponjë, Ndue Shytin, me orkestrën e tij simfonike prej dy telash!”

Ndue Shyti është ndër të rrallët artistë popullorë që nuk ka nevojë t’i gjendet një titull i mëvetësishëm si instrumentist klasi. Ai është “patriarku” ballkanik i çiftelisë. Vetëm perëndia mund t’ia luajë gishtat më mirë se ai kësaj vegle, që ka një emër mashkullor (dyzen) dhe një femëror (çifteli), ani se femrat nuk i bien dhe aq. Ai përndyshe është gjeniu i çiftelisë. Mund të duket e pabesueshme të ketë gjeni një vegël tejet e thjeshtë, një copë dru mani me dy tela, po ja që pikërisht ky instrument kordofon kaq i brishtë, në duart e një talenti vullkanik, vjen e bëhet simfoni muzikore më vete. Një i mirditas i racës, bari e sharrëtar në pyjet e Pukës, bën mrekullinë, kapërcen gjyshstërgjyshin, merr drunin ngjyrokër të manit dhe krijon me të mitin modern të çiftelisë. E merr gjethen e lisit që i kishin rënë parakët e tij prej pesë a gjashtë mijë vjetësh, qysh se qe krijuar njerëzimi në këtë planet, dhe fërshfëritjen e saj e ngre në nivelin e një melodie flatruese, ashtu siç nga druri i gështenjës qiti bilbilin, si zogun nga veza. Ishte e habitshme se si rronin ende bardë të tillë mitikë të pashprishur në gjenin e tyre të gjenezës së artit, në një kohë që bota kishte patur Moxart, Bethoven, List, Shopen, Vagner, Bah, Çajkovsk etj.

Ky mjeshtër i ri do të kishte fatin të binte në duart e një tjetër bardi të çiftelisë, Gjin Shkozës, mirditas nga Vau i Dejës, duke qenë dishepull i tij, po aq dhe ndjekës i muzikantëve të mëdhenj: Prenkë Jakova, Tish Daija, Ramadan Sokoli etj., ku ky i fundit do t’i vinte Ndue Shytit në kokë kurorën e “përfaqësuesit më dinjitoz të muzikës popullore instrumentale”. Çiftelia, këtë artist malësor, do ta merrte përdore nga lugina e tij mirditore e Fandit të Madh e do ta ngjiste fillimisht në Pukë, mes flladit të pishave, do ta shpinte pastaj në Tiranë e Gjirokastër dhe në mbarë botën, nga Muri i Madh Kinez te Harku i Triumfit, si të kishte kryer konservatorin e Vjenës e t’i binte flautit magjik, ani se sipas fjalëve të një muzikanti të kohës, ai kishte kryer veçse “konservatorin” baritor të Livadhit të Hamzit, duke ruajtur delet në ato bjeshkë të mahnitshme, praruar me diell vere dhe aromë qërshigle.

Ndue Shyti vinte nga një reliev etno-folklorik i pasur verior. Maksimilan Lamberts me 1916 do të shkruante se “poezia popullore shqiptare i ka shoqet e rralla në botë, përsa i përket gjuhës melodike, gjallërisë dhe thellësisë së ndjenjave”, “fiset malësore kanë shumë këngëtarë popullorë” dhe se “ngjarjet e reja pasqyrohen poetikisht në lahutë”. Pse jo dhe në sharki e çifteli. Do të mjaftonin dy tela dhe Ndue Shyti do të “këndonte me gishta”, siç shprehet një rapsod, duke luajtur melodi në dyzen të epër. Në ato melodi lirike ishin zhaurimat e ujëvarave të kulluara, fërshfërimat drithëruese të pyllit, onamatopetë e shiut, erës e rrufeve, cicërimat e ëmbla të shpezëve, zogjve gushakuq e laureshave lozanjare, çukitjet ritmike të çukapikëve krenarë, këngët e thëllanzave, që për nga bukuria ia kalonin çdo misi, të pathënat dashurore të vashave të malësive etj. Çiftelia ishte eshtra e tij e zgjatuar, identiteti krijues, kambana e moteve për gazmende, prej melodive të saj kompozitorët do të bënin opera moderne. Alfabeti i çiftelisë ishte prej kohësh, si dhe fjalët e saj, nëse mund t’i quajmë kështu në mënyrë të figurshme meloditë, por ai me talentin e pashoq krijoi gjuhën e kësaj vegle, i dha dyzenit pasaportën ndërkombëtare perëndimore. Ai e përfshiu çiftelinë e trojeve mirditore - pukjane në një familje të tërë veglash muzikore, përfshi dhe ato moderne, duke krijuar njëlloj polifonie orkestrale të Veriut.

Virtuozi madhor i shekullit XX, që e ktheu çiftelinë në simfoni

Ndue Shyti, që gëzon titujt më të lartë, “Artist i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”, i bërë njësh me çiftelinë e tij, e shndërronte skenën në një lendinë alpine, ku gurgullonin krojet e ngriheshin shqipet në qiell. Kësisoj bardi epokal nuk ishte më një referencë lokale e provincës, por një metropolitan i folkut kombëtar. Muzikologu i njohur Pirro Miso, ndër të tjerë, ka konfiguruar profilin gjenial të Ndue Shytit, ku shtatë sistemet e akordimit të çiftelisë nga ai sollën risi të ndjeshme në muzikën instrumentale në përgjithësi dhe në veçanti në teknikat e përdorimit të këtij instrumenti. Ky instrumentist cilësohet prej tij si reformator i guximshëm që krijoi risi në strukturën organologjike të instrumenteve tradicionalë si çiftelia, apo bilbili me sqep dhe fyelli me prerje anësore, teksa bëheshin përpjekte profesionale për lëvrimin e muzikës tradicionale të kultivuar. Një sintezë të profilit të këtij artisti e ka bërë dhe muzikologia publiciste Sabrie Nushi, që është rritur me ritmet e çiftelive, fyejve dhe bilbilave të Ndue Shytit, duke bashkëpunuar gjatë në skenën pukjane me të, si dhe duke ia përcjellë periodikisht, profesionalisht, shtypit të Tiranës veprën e tij instrumentale, individuale dhe orkestrale.

Është individualiteti unik i këtij bardi që e ka mveshur atë me epitete nga më lartësueset, pasi të gjithë besojmë se ai është një fenomen shqiptar i papërsëritshëm sui generis. Nuk është e rastit prurja autentike melodike e këtij mjeshtri, porse ai lëvizte në një terren mirditor e pukjan, përgjithësisht verior, ku ishin ruajtur të pastra, thellësisht amëtare, jo vetëm instrumentet muzikore, melosi popullor, por dhe veshjet, doket, toponimia etj. Ky bard i maleve tona e ka bërë epokën e vet si rrallë artist në këtë vend, falë talentit të tij olimpik. Artist i një arti pa kombësi, përderisa për tingujt e tij ngriheshin në këmbë dhe francezët e kinezët, suedezët e zviceranët. Duke kujtuar atin e tij shpirtëror, Gjini Shkozën, diku thotë “më dukej se nuk po i binte çiftelisë Gjini, por zanat e malit”. Nga bjeshkët e tij ai shkonte furishëm si dallgë drejt detit të pamatë të folkut botëror. Me anë të akordimit të veçantë, perdeve dhe risive të tjera, kishtë arritur t’i bashkëzanonte instrumentet: çiftelinë, sharkinë, fyellin, bilbilin, zumaren, pipëzën, gjethen, duke i harmonizuar ato në meloditë e veta.

Çiftelia padyshim mund të jetë ndër gjerat më ekzotike tingujlëshuese, siç është i tillë dhe vetë druri i manit apo i arrës, me të cilët ajo punohet. Përmendet Gjin Shkoza si një ndër mjeshtrit e punimit të çiftelisë. Pastaj vijnë Përshqefajt e Bisakut të Mirditës, duke e patur punimin e çiftelive një zeje familjare, siç të tjerë në atë krahinë kishin zanat, kush prodhimin e armëve, kush të drynave e kush të këmborëve. Por dhe të arkave të nuseve, djepave, sofrave etj. Çifletia nuk mund të ndreqej si çdo send tjetër, si furka, tinari, arka e teshave, as dhe si qyta e pushkës që gjithashtu “këndonte” në duart e malësorit ndër luftërat shqiptare mbrojtëse e mjerisht jo vetëm për ato. Ajo mund të prodhohej vetëm nëse kishe atë mbrujtjen artistike mjeshtërore të saj. Kryemjeshtri, Marka Zef Përshqefa i Fanit, kishte punishtën e tij të çiftelive. Në atë bujtinën e tij të çuditshme ngjante si një qenie mitologjike, njëlloj Orfeu. Ndue Shyti pati qenë dërguar nga Ministria e Kulturës për gjashtë muaj në Fan për të akorduar e vënë në nota muzikore çiftelitë që prodhonte Marku në anë tjetër të Munellës, në Fanin e Vogël. Kush i njeh ato vende, e di se ka aq shumë ngjashmëri mes Gojanit të Ndoit çiftelirënës dhe Bisakut të Markut çiftelibërës. Edhe urat janë të ngjashme në të dy anët. Edhe vajzat e njërës luginë që bëheshin nuse në tjetrën. Lahutëndreqës e çiftelipunues të përmendur ka patur nga fillimet e shekullit XX në Shqipëri, Kosovë dhe viset e tjera shqiptare, të cilët vazhdonin t’i prodhonin ato në rrugë artizanale, ashtu si gjithë veglat e tjera popullore, fyellin, sharkinë, gajden, culën dyjare, dajren, buzukun, etj., deri te rapsodi Fran Pali në Pukë një mjeshtër i punimit dhe të violinave.

Nga anonimati shqiptar te Dizhoni francez

Ndue Shyti ishte i mrekulluar kur shihte që gjithë ajo skenë në Dizhon ishte nën pushtetin e tingujve të tij. E kishte fituar betejën artistike në Francë, metropolin botëror të kulturës. Sa herë kishte thënë me modesti e nderim se ai nuk do ta kishte arritur atë sukses po të mos kishte qenë në duart e tij çiftelia e punuar nga Gjin Shkoza. “Nuk do ta arrija pa çiftelinë e Gjinit. Nuk kishte çifteli ma të mirë se ajo. U ngrit kryetari i jurisë së Festivalit nga vendi ku ishte dhe i tha: “Ju zini vend të parë në botë.” E megjithatë ai kujton se francezët e këqyrën çiftelinë me shumë interes, po dhe me vërejtje, a thua kishte përbrenda ndonjë zemrek, që i kurdiste ato meloditë e tij fantastike. Por nuk gjetën asnjë mekanizëm në trupin e saj, ajo ishte e lehtë pupël, pa asgjë të huajin përbrenda saj. U grumbulluan rreth tij instrumentistë të njohur laureatë nga më të mirët e botës, të buzukut grek, bilbilit egjyptian, veglave popullore spanjolle etj. Ishte një ngjarje e madhe, virtuozi shqiptar, në përbërje të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve, kishte marrë “Gjerdanin e Artë” të festivalit të Dizhonit, gjerdan që peshonte 3 kg e 860 gram ar. Ia sillte vendit të tij si një trofe artistike të rrallë. Studentët shqiptarë atje, fill pas ngjarjes së bujshme të Dizhonit, kishin marrë gazetat franceze ku shkruhej për bardin tonë: “Ja, një shqiponjë.”

Bardët folklorikë në Ballkan dhe mbarë Europën kishin krijuar eposet e popujve të tyre, por kishin mbetur anonimë. Ashtu do të ndodhte dhe me ata të kohëve moderne, nëse nuk do të ishte krijuar skena. Ndue Shyti do të ishte vetëm njëri nga anonimët e mëdhenj, por erdhi një kohë që Palokë Kurti i Shkodrës, Isuf Myzyri i Elbasanit, Laver Bariu i Përmetit, Ndue Shyti i Pukë-Mirditës, Ymer Neli i Matit, Zef Gruda i Kukësit, Fatmir Makolli i Kosovës e të tjerë nuk do të ishin më të paemër. Ishte shekulli XX që nuk i fshihte më pas “popullit” individualitetet krijuese, kalaja e Gjirokastrës, që u bë tempulli i folkut kombëtar, arena e Dizhonit dhe festivale të tjera botërore, të cilat bënë që anonimati të vishej me petkun e bardëve të shpallur dhe të kishte pasaportat e tyre.

Ndodh pra një zhvillim i ri në Veriun shqiptar ku kishte mbretëruar prej shekujsh lahuta e krahas saj dhe sharkia e çiftelia, po ku kjo e fundit befas bëhet zotëruese e harmonisë melodike me fyellin, zumaren, bilbilin, pipëzën, gjethen, dajren, lodrën etj., në një orkestrinë të përplotësuar. Ky rrezatim i kësaj vegle tradicionale ndodh në kohën kur asgjë e re nuk ndodhte më me lahutën dhe sharkinë, simotra, të cilat venin drejt shuarjes, muzeut. Të jenë vetëm Gjin Shkoza e Ndue Shyti, që e ngrenë çiftelinë në kohën kur të vjetrat e folkut kishin ngrirë në kohë? Kësaj mund t’i përgjigjen muzikologët profesionistë, si të zotët e zbërthimit të çelsave të padukshën instrumentalë të veglës me dy tela. Ata mund të na thonë se ku ishte ajo magji që Lahutën e moçme, përfshi dhe atë të Fishtës (si epikë e shkruar me shqipen e vjetër) e shtynte drejt ikjes, kurse çiftelisë ndueshytjane i jepte një kuptim të ri, jo vetëm në Pukë, por në krejt rajonin verior, Mirditë, Has, Gjakovë, Lezhë, Tropojë, Malësi e Madhe etj. Nëse me Lahutën nuk krijohej më, por vetëm shoqëroheshin këngët e vjetra kreshnike, me çiftelinë po ngjizeshin melodi të reja. Përndryshe, nëse të tjerat vinin si “fosile” të rekuizitës së instrumenteve popullore, çiftelia përjetonte një rini të fundit të saj, që nuk ka pushuar as sot së qeni vepruese. Si ndodhi pra që ajo u shkëput nga “toka” dhe u ngjit në zenit?

Në Mirditën e këtij bardi e sivëllezërve të tij rapsodë ka një shprehje “shtëpi e çifteli” dhe jo vetëm në këtë trevë. Çiftelia e fyelli për ta ishin pasion i pashuar, erotikë e dashuri, frymëmarrje dhe liri, kërkim dhe identitet. Më këtë shpjegohet dhe Dizhoni 1970, mrekullimi shqiptar i tij i atij viti, një kurorë e artë për artin tonë popullor, e Ndue Shytin si princi i asaj kurore. Ish - ministri i Kulturës Thoma Deliana me atë rast kishte thënë: “Ai nuk ka nevojë për përkthyes, se meloditë e tija merren vesh në të gjitha gjuhët e botës.” Por nuk do të vononin dhe të tjera lajme shqiptare nga Franca. Po bëhej gati të trokiste me letërsinë e tij të madhe, të kalibrit europian, shkrimtari Ismail Kadare vetëm dy vite më vonë. Francezët me siguri do të mahniteshin se si kishte kapërcyer aq shpejt ky popull, nga folku tradicional, te romanet moderne të një autori që ishte si një zbulim për ta, i nominuar disa herë për Çmimin Nobel. Siç po ndodhte progresi i madh i këngës, nga lahutarët e lashtë veriorë tek Tefta Tashko në vitet ’30, Nexhmie Pagarusha e Vaçe Zela në vitet ’50-’70, Inva Mula, Angjelin Prelocaj e Tedi Papavrami në vitet ’90. Për të patur dhe të tjerë emra të shquar sot si Agim Hushi, Ermonela Jaho, Saimir Pirgu etj.

Për Ndue Shytin, “instrumentistin virtuoz karakteristik shqiptar”, siç do ta quante Besim Zekthi, janë shkruar artikuj të shumtë, është botuar monografi nga Mark Mesuli, bërë dokumentar nga Engjëll Ndocaj, dhënë çmime me emrin e tij etj. Gjenitë jo më kot janë të tillë, të papërsëritshëm, dhe çiftelirënësi ynë është një shqiptar malesh nga ata të rrënjës, si temperament njerëzor dhe krijues. Ai e kundron Shqipërinë nga shtëpia e tij në Durrës, ku rron prej vitesh, tashmë 82-vjeçar, duke ndjerë keqardhje për folkun e bastarduar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora