Faleminderit
Fran Gjoka: Punonjës i palodhur i arsimit shqip
E diele, 23.10.2016, 05:26 PM
PUNONJËS I PALODHUR I ARSIMIT SHQIP
- RRETH MONOGRAFISË “MËSUES E KRIJUES NË DIASPORË, HAZIR MEHMETI”, ME AUTOR PROF. MUSA KRAJA - ERMIONA KRAJA,TIRANË 2016 -
NGA FRAN GJOKA
Nuk është e lehtë të shkruash për mësuesit, këta misonarë të dijes, që punojnë pa u lodhur për edukimin e brezave, aq më tepër kur ai është pjesë e armatës së madhe të mësimdhënësve kosovarë dhe gjithë jetën ka dhënë kontributin e tij për edukimin, lirinë dhe përparimin e këtij populli martir. Këtë inisiativë e ka marrë së fundmi prof. Musa Kraja bashkë me studiuesen e re Ermiona Kraja, të cilët kanë dale kohët e fundit para lexuesit me monografinë “Mësues e krijues në diasporë, Hazir Mehmeti”, botuar nga shtëpia botuese “Mirgeeralb”, Tiranë 2016.
Është fjala për mësuesin e njohur, figurën publike, intelektualin krijues Hazir Mehmeti. I lindur në vitin 1952 në fshatin e lindjes, por klasat e para të shkollës fillore i pati mësuar në gjuhën arabishte nga hoxha i fshatit, pasi autoritetet serbe kishin ndaluar zhvillimin e mësimit në gjuhën shqipe, prandaj mësimin shqip, mësuesi i ardhshëm e merrte në mënyrë autodidakte në shtëpi. Vetëm pas luftës kjo shkollë, ndër shkollat e para në krahinën e Drenicës, do të fuste si lëndë mësimore gjuhën shqipe dhe mësimet do të jepeshin shqip.
Nuk qe e thënë të vazhdohej normalisht mësimi pasi sapo djaloshi i ri mbaron klasën e e dytë, autoritetet serbe e mbyllin shkollën, por dashuria për arsim dhe kulturë e detyrojnë nxënësin e shkëlqyer të sakrifikojë, të vazhdojë shkollën në fshatin Dubovc, rreth 6 km larg fshatit të lindjes. Gjithnjë nën vëzhgimin e mësuesit të njohur Ibrahim Kabashi, ai përfundoi mësimet me rezultate shumë të mira dhe u regjistrua në Shkollën Normale të Mitrovicës, të cilën e përfundoi me rezultate premtuese, pastaj regjistrohet në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega Biologji, të cilin e përfundoi në kohë optimale me rezultate mjaft të mira.
Dëshira e madhe për të punuar me pasion në lëmin e mësimit dhe edukimit bën që të fillojë punë si mësues duke punuar shpesh edhe pa pagesë, në shtëpitë e shkolla të ndërtuara nga fshatarët në Vushtri, Skënderaj dhe Drenas, për rredh shtatë vite me radhë. E urrente sistemin diktatorial serb dhe masakrat që po bëheshin asokohe në Kosovë, po nga ana tjetër, donte me gjithë shpirt vendlindjen e tij, Kosovën e tij të dashur, prandaj që në ditët e para të punës i kishte vënë vetes për detyrë të edukonte tek nxënësit e tij të dashur dashurinë për atdheun, krahas urrejtjes ndaj shovinizmit të egër serb. U përfshi në veprimtari patriotike dhe atdhetare, mori pjesë në greva dhe demonstrata, e kjo bëri që ai të vihej në qendër të përndjekjes nga autoritetet serbe të kohës. Shpeshherë ia mbyllën shkollën, e survejuan, e dhunuan nëpër stacione policore serbe, por mësuesi patriot ishte përbetuar të mos përkulej para shantazheve dhe presioneve të pushtuesve serbë. Ky veprim patriotik dhe kombëtar po i jepte mësuesit atdhetar përmasat e një heroi, kështu do të vazhdonte ai nën presion, nën dhunë dhe nën terror edhe disa vite të tjera, vetëm për Kosovën, vetëm për vëllezërit e tij kosovarë, që kërkonin liri.
Aktiviteti i tij patriotik dhe atdhetar nuk njihte kufij, pasi militon në Sindikatat e Pavarura të Kosovës, që drejtoheshin nga i mirënjohuri Hajrullah Gorani, zgjihet sekretar i kësaj sindikate për Qendrën shkollore të Vushtrisë, me rreth 146 mësues dhe 3100 nxënës, një forcë jo e vogël për kohën. Duhet vlerësuar qëndrimi i mësuesit Hazir Mehmeti në kohën kur në Kosovë u helmuan nga dora e fshehtë serbe 7000 nxënës, ku rreth 270 prej tyre u helmuan edhe nga shkolla e Vushtrisë, ku jepte mësim edhe mësuesi në fjalë. Autoritetet serbe pushuan aso kohe mjaft drejtues dhe mësues, duke i zëvendësuar me kuadro serbë. Por edhe reagimi i Sindikatës që drejtoi Haziri qe i menjëhershëm, ai e dënoi këtë akt barbar përmes një shkrimi të botuar në gazetën kosovare “Shkëndia”, Nr. 8/1995. Por përsëri terrori, dhuna dhe përndjekja për mësuesin e njohur nuk pushoi, shpesh mediat vendore njoftonin për kontrolle, dhunë, bastisje dhe survejime të mësuesit të njohur Hazir Mehmeti.
Më tej autori na bën me dije se i gjendur përballë kësaj situate të pazakontë, i robëruar në vendin e vet, i terrorizuar, me zemër të thyer dhe mall të pashuar për vendlindjen, në vitin 1996 largohet nga Vushtria dhe vendoset në Vjenë të Austrisë, ku fiton statusin e emigrantit politik. Vërtetë në Kosovë kaloi një jetë plot vështirësi dhe dhimbje, por as atje larg vendlindjes, në kryeqytetin austriak, nuk e ndjente veten të qetë, sepse e kishte lënë Kosovën në duar mizore, por mësuesit të njohur i duhej të jetonte që të luftonte për Kosovën e lirë.
Emigranti i ri, mësuesi i talentuar, Hazir Mehmeti, nuk e pati të vështirë të integrohej në jetën sociale në Vjenë. Dëshira e tij ishte të vazhdonte të punonte me nxënësit shqiptarë që kishin mërguar në Austri dhe kjo dëshirë iu plotësua. Autoritet austriake e pranuan si mësues të gjuhës shqipe në Shkollën Europiane të Vjenës, e cila në vitin 2010, falë edhe kontributit të pakursyer të mësuesit kosovar, shpallet shkolla më e mirë në shtetin austriak. Mësuesi është vizituar edhe nga kolegë të tij nga vende të ndryshme të botës, ata janë mahnitur me punën plot përkushtim dhe artin e mësimdhënies së tij. Në përshtypjet e tyre, shkruhet: “…Na pëlqeu ajo çka pamë në orën e gjuhës shqipe. Ishte hera e parë që dëgjuam shqip, vizatimet, figurat dhe rënditja e cështjeve ishte interesante. Na bëri përshtypje se shumë djem shqiptarë kanë emrin Luan, sipas luanit të fuqishëm…”/ Në këto kushte, drejtoria e shkollës e stimulon mësuesin e shqipes me motivacion: “…për punën kreative të suksesshme dhe të vecantë dhe për idetë e dhëna”.
Por mësuesi Hazir Mehmeti nuk qëndroi vetëm brenda kornizave të mësimdhënies, menjëherë nisi të hedhë në letër bagazhin e tij kulturor, duke krijuar dhe studiuar tekste në gjuhën shqipe, për të cilat kishte aq nevojë shkolla shqipe në diasporë, sidomos në Austri. Punoi pa u lodhur në drejtim të gjuhës së folur, duke synuar përmirësimin e standardeve të drejtshqiptimit, pa lënë mënjanë problemet e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, për të cilat pati punuar një jetë të tërë. Bashkëpunoi suksesshëm me revistat “Ura” dhe “Doruntina”, duke publikuar dhjetra shkrime me tematikë të veçantë për jetën dhe veprimtaritë artistike të nxënësve dhe mësuesve në diasporë. Duke ruajtur me kujdes traditën patriotike, bashkë me nxënësit e klasës së tij, pati vënë në skenë dramën e shkrimtarit të shquar Arif Demolli “Në kafaze tërë gaz”, me motive nga jeta në Kosovë, madje çdo 7 Mars, me rastin e festës së Mësuesit, nuk nguron t’i dërgojë nxënësit e tij në Muzeun e Vjenës, ku ndodhen trofetë e luftës, për të parë dhe shijuar mrekullinë dhe madhështinë e shpatës dhe përkrenares së Skëndërbeut, duke shtuar kështu jo vetëm dashurinë për atdheun, por edhe krenarinë kombëtare të tyre.
Prof.Musa Kraja vë re se pas shumë artikujve studimorë në revista dhe gazeta të ndryshme në Kosovë dhe jashtë saj, mësuesi i talentuar Hazir Mehmeti del para lexuesit me monografinë “Mësimi shqip në Austri”. Vepra zë fill në vitin 1987, pikërisht kur në Austri u hap e para shkollë shqipe me program plotësues, me mësues të parë të mirënjohurin Shefqet Gashi. Pas librit të parë do të vijonte me librin e dytë “Udhëtimi S”, ku do të dëshmonte talentin e një gazetari dhe publicisti të vërtetë. Përmes përshtypjeve, mbresave dhe emocioneve, autori përmbush një detyrim, një obligim patriotik dhe atdhetar ndaj Kosovës martire. Më tej, puna dhe detyra e mësuesit kërkojnë tekste shtesë për të nxitur tek nxënësit të mësuarit aktiv, krijues, për këtë arsye mësuesi i apasionuar i gjuhës shqipe, Hazir Mehmeti, harton dhe boton tekstin me ushtrime “Tekst ushtrimi”, i cili, me anën e ilustrimeve, nxit fantazinë e nxënësit dhe mundëson komunikimin më të lehtë me mësuesin.
Veç këtyre veprave, Hazir Mehmeti ka kontribuar edhe në hartimin dhe botimin e Abetares shqip në Austri, një tekst i domosdoshëm për fëmijët emigrantë shqiptarë të kasave të para. Me hartimin e kësaj abetareje plotësohet një boshllëk i krijuar prej kohësh në mësimet plotësuese të shkollave shqiptare në Vjenë. Duhet theksuar se Hazir Mehmeti ka forcuar, rritur dhe edukuar një familje intelektualësh, që po japin kontributin e tyre për zhvillimin e kulturës shqiptare dhe integrimin e saj në sferën europiane.
Padyshim, monografia e Prof. Musa Kraja dhe e z. Ermiona Kraja është një kontribut i shquar në lëmin e mendimit pedagogjik, le të jetë ky një sinjal dritëdhënës për të vazhduar edhe me figura të tjera të arsimit tonë, që kanë kontribuar ndër vite për zhvillimin e shkencës pedagogjike dhe metodave të mësimdhënies. Shpresojmë…