E shtune, 27.04.2024, 01:42 PM (GMT+1)

Mendime

Dukagjin Hata: Mesanta e shurdhër e krimit pa alibi

E diele, 30.10.2016, 03:56 PM


15 vjet më parë u ekzekutua me C4 gazetarja Shote Haklaj

Mesanta e shurdhër e krimit pa alibi

Nga Dukagjin Hata

Ishte një mesantë e errët dhe e shurdhër e 31 tetorit 2001, kur Tropoja e mbështjellë me hije dhe mister, do të përjetonte një prag apokalipsi. Një  shpërthim i fuqishëm eksplozivi gati rrafshoi në tokë një pallat pesëkatësh në lagjen “Partizani” të Bajram Currit. Objektivi i shpërthimit me eksploziv të fuqishëm, i llojit C4, ishte apartamenti ku banonte deputeti i PD-së, Azgan Haklaj. Për fat të mirë, ai nuk ndodhej në banesë, pasi ishte ftuar në një darkë ku ishin dhe drejtues të lartë të PD-së të ardhur nga Tirana. Në apartamentin e Haklajt gjendeshin vjehrra dhe kushërira e tij, Shote Haklaj. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa shembi njëri pas tjetrit të gjitha ndarjet e brendshme të pesë kateve, duke e lënë ndërtesën vetëm me muret e jashtme si kafaz. Një foshnje i lidhur në djep, fluturoi nga kati i pestë në të parin por Zoti deshi që ai të mbijetonte. Personat që e kishin vendosur eksplozivin ishin ekspertë, pasi e kishin drejtuar efektin e veprimit në mënyrë vertikale për të shkaktuar një dëm sa më të madh të ishte e mundur.

Ngjarja e kobshme solli pasoja tragjike dhe shumë pyetje që ende sot e kësaj dite enden të mbështjella me dyshim e mister. Si rezultat i shpërthimit, gjeti vdekjen 27 vjeçarja, Shotë Haklaj, që kishte disa kohë që kishte nisur punë si korrespondente e TV Kukësit dhe u plagosën disa persona të tjerë. Për fat të mire, nuk pati viktima të tjera edhe pse në momentin e shpërthimit në pallat ndodheshin mbi 100 persona. Autorët e këtij akti të mirëfilltë terrorist, që synoi të zhdukte familjen e deputetit demokrat Azgan Haklaj dhe të paktën 20 familje të tjera nuk është zbuluar kurrë nga strukturat e specializuara të shtetit.

Ky krim monstruoz, akt i mirëfilltë terrorist, ekzekutoi në mënyrë barbare një vajzë të re, në kulmin e moshës dhe të ëndrrave, një gazetare që kishte hyrë në rrugën e mediave, në emër të fjalës së lirë, për të cilën dha jetën. Është e para gazetare që ekzekutohet në Gadishullin e vjetër dhe më gjërë me eksploziv C4, një nga mënyrat më mafioze të eleminimit me prapavijë hakmarrjen. Vrasja e Shotës nuk ishte një “aksident”, por krim monstruoz, i përllogaritur nga ekzekutorët gjakftohtë, për të eleminuar një gazetare opozitare, një kundërshtare politike, një bashkëluftëtare të politikanit Azgan Haklaj.

Ky akt terrorist që në rastin më të keq mund të kishte pasojat e një masakre, ishte në vazhdën e sulmeve ndaj fisit Haklaj, një nga fiset më qëndrestare të Tropojës dhe të krejt veriut shqiptar në luftën për liri dhe dinjitet shoqëror, njëkohësisht dhe një nga fiset më të sulmuara nga segmente të shtetit, krimi i organizuar dhe mafia në të gjitha kohërat.

Etja për hakmarrje të shpejtë nuk kurseu as jetën e një femre, një vajze të re në moshën e pranverës, një gazetarje të përkushtuar, që kishte aq shumë për të shkruar dhe për të bërë në jetën e saj, që fatalisht u këput në mes.

Kulla epike e burrave të fortë e të besës, që kishte dhënë modele atdhetarie në luftën për liri dhe dinjitet shoqëror, do t’i nënshtrohej një genocidi të fshehtë e të pakuptimtë, që me kohë do ta shndërronte në një rrënojë. Është një realitet tejet i trishtë e tragjik, shoqëruar me vrasje të njëpasnjëshme, me hije ankthi e dyshimi, që strukturat e antikrimit, me heshtjen dhe mungesën e dëshirës për të zbardhur të vërtetën, me ikjet e familjarëve drejt perëndimit, e kanë bërë ende më të zymtë tablonë ekzistenciale të fisit Haklaj.

Pas rënies së Murit të Berlinit, gjenocidi ndaj derës së Haklajve është genocidi më i egër dhe më mizor i ndërmarrë ndonjëherë nga segmente të politikës së inkriminuar dhe mafies ndaj një familje me kontribute historike.

Numërohen mbi 150 vrasje, ndërkohë që me qindra grabitje apo atentate që kanë shkaktuar plagosje dhe gjymtime në rrethin e Tropojës, janë pa asnjë autor dhe mbajnë peng një histori të keqkuptuar. Mbi 30 sulme, të cilat kanë shkaktuar 14 të vrarë dhe të plagosur janë mbi shpinën e një familjeje, saga e të cilës përmban një “Kuti Pandore” të pazbuluar.

Bombardimi me C4 i pallatit në fjalë, ku mbeti e vrarë gazetarja Shote Haklaj, qe paraprirë nga një serial i përgjakur atentatesh e vrasjesh, ku në shenjëstër ishin kulla dhe burrat e derës qëndrestare të Haklajve. Një nga më të ekspozuarit ndaj këtyre skenarëve ogurzinj ishte politikani i ri Azgan Haklaj, njeri i artit dhe kulturës, valltar i klasit të lartë, një personazh embelmatik në Tropojë, që i jepte tonin jetës politike dhe qytetare të kësaj treve, e cila asnjëherë nuk qe pajtuar me tiraninë komuniste dhe format e saj të maskuara në demokracinë e brishtë shqiptare.

Saga e fisit Haklaj në Tropojë është ende mister, pasi asnjë vrasje nuk është zbuluar, asnjë autor i arrestuar apo i hetuar. Familja e Haklajve njihet në të gjithë veriun e vendit si një nga familjet më të mëdha, e cila brez pas brezi ka ndezur pishtarë qëndrese për komb e flamur dhe ka vënë gurë kilometrikë në kujtesën kombëtare. Dera e Haklajve ka dhënë katër dëshmorë për atdheun: Shpend Zeqir Haklaj, dekoruar me Medaljen e Trimërisë, Ismail Plak Haklaj, dekoruar me Medaljen e Trimërisë, Man Arif Haklaj, dëshmor i Atdheut dhe Rustem Sadri Haklaj, dëshmor i Atdheut. Të parët e Haklajve kanë luftuar me armë në dorë kundër turqve e serbëve, ndërsa gjatë luftës në Kosovë, dera e tyre ka qenë një bazë e fuqishme e luftës dhe strehuese e qindra kosovarëve, të ikur nga flakët e spastrimit më të egër etnik të kryer ndonjëherë në Gadishullin e vjetër. Por në vend të kurorës së merituar, shteti dhe shoqëria jonë e traumatizuar gjatë këtij tranzicioni të vrazhdë, iu ka ofruar dhunë, djegie, kërcënime, vrasje, të cilat, siç e thamë, ende nuk kanë qoftë dhe një autor të vetëm.

Azgan Haklaj, njëri nga pinjollët më të njohur të derës së Haklajve, ka qëndruar me stoicizëm dhe shpirt qëndrestari në Shqipëri, duke luftuar me art, me libra dhe kulturë për ta bërë më të ndjeshme e më të drejtë këtë shoqërinë tonë në kthetrat e këtij tranzicioni primitive.

Azgani garoi në zgjedhjet problematike të vitit 2001, duke qenë i burgosur politik nga qeveria ekstremiste majtiste. Një nga politikanët më aktiv të PD-së, ai do të sillte në Kuvendin e Shqipërisë zërin e shpresës dhe protestës qytetare për një Shqipëri tjetër, të cliruar nga kthetrat e krimit politik dhe të gjitha llojet e hapura apo të kamufluara të krimit dhe devijimit social, ekonomik e politik të shoqërisë shqiptare, nën kthetrat e mafies politike të vazhdimësisë.

Mbi Azganin dhe familjen e tij janë bërë gjashtë atentate politike, që nga vendosja e eksplozivëve në banesë deri tek snajperi, C4, granatimi me armë të rënda, aksidenti me makinë e deri tek tentativa për ta helmuar.

Veprimtaria dhe kauza e tij është në përballje me segmente të mafies shtetërore është bërë objekt i kanecelarive të BE-së, Moskës e Uashingtonit, ndërkohë  që për të kanë shkruar figura të njohura letrare, artistike e politike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në gjithë hapësirën etnike shqiptare.

Kauza e tij nacionaliste, përkushtimi dhe qëndresa e tij, nuk ka gjetur jehonë tek spektri politik shqiptar, që sot e gjithë ditën ka qenë i zënë duke bërë pazare e duke ndarë tortën e turpit, ndërkohë që individë si Azgani iu nënshtrohen presioneve, shantazheve dhe kërcënimeve me jetë, në një vend ku të jeshë idealist dhe progresist është një sprovë e vështirë.

Atentati mizor i 31 tetorit, ndodhi për të terrorizuar dhe paralizuar lëvizjen opozitare në Tropojë, ku Azgan Haklaj, si një nga funksionarët kryesorë politikë dhe pushtetarë të kësaj treve, deputet që do të tundte Kuvendin e Shqipërisë, gjendej në ballë të saj, me karizmën e një qëndrestari të patrembur. Disa muaj më parë, në zgjedhjet e përgjitshme, Azgani do të garonte dhe do të fitonte mandatin e deputetit, që nga qelitë e burgut, ku i qe nënshtruar torturave çnjerëzore. Pjesë të inkriminuara të shtetit shqiptar kërkonin të hakmerreshin ndaj një humbje të thellë e të paralajmëruar në Tropojë, duke dhënë një mesazh të përgjakur.

Shote Haklaj, vajza e bukur e Malësisë së Gjakovës, gazetarja e talentuar, që nuk i mbijetoi dot sulmit me C4, nesër mbushen 15 vjet që nuk është më, duke paditur gjithë klasën politike për pajtim me krimin dhe drejtësinë shqiptare, që asnjëherë nuk e ka thënë fjalën e saj në kohëën dhe vendin e duhur.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora