Kerko: a
Shefik Shkodra: Gjuha shqipe e terrorizuar
E hene, 17.10.2016, 08:29 PM
GJUHA
SHQIPE E TERRORIZUAR
NGA SHEFIK SHKODRA
Si shumë punë të tjera edhe Gjuha shqipe po prishet, fajtorë jemi vetë. Sa shumë personalitete kanë sakrifikuar për gjuhën, këtë nuk e dinë një pjesë e të rinjve. Këtë nuk po dëshiron dikush që t’ua mësojë të rinjve tanë. Rilindja Kombëtare më tepër se një shekull ka punuar dhe ka dhënë mundin më të madh, që të ruhet e të restaurohet, simboli i identitetit etnik, që më vonë është konsoliduar në komb, në Shpalljen e Pavarësisë të shtetit amë, me 1912. Po Kosova, shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi, ata të pjesës lindore e veri-lindore...Për këtë kanë shkuar kohë e gjatë, duke rënë theror mësues, nxënës, studentë, akademikë, tregtarë e qytetarë të rëndomtë.
Identifikimi i natyrshëm, një kohë i pamundshëm
Gjuha shqipe si shenja e parë më çmueshme, është ruajtur në kushte mjaft të vështira nëpër kohë. Nuk kërkohet tatim-pagim sot për mësimin e saj. Për ne shqiptarët e Kosovës dhe viseve të tjera të ish Jugosllavisë ishte shumë problem, meqë shkollimi në gjuhë amtare ishte tabu. Pas Perandorisë Osmane, edhe Monarkia SKS e kishte të planifikuar (Serbia) kaherë pushtimin e tokave dhe sllavizimin e shqiptarëve në Kosovë e gjetiu. Administrata e kësaj monarkie nuk ua lejoi shqiptarëve arsimimin në gjuhë të vet. Ajo ndërmori edhe masa tjera, jo veç pushtimin e tokave, gjuhën serbe e bëri zyrtare kudo e të obliguar. Bëri ndërrimin e mbiemrave shqiptarë, duke ua shtuar sufiksin – iq, karakteristikë e mbiemrave sllav: si nga Ademi apo Ademaj, në Ademoviq, Gjokoviq, Gjukanoviq, Beqiroviq, Gjonoviq, Bajraktaroviq, Hajdaroviq, Ibrahimoviq, Jakupoviq, Kurtoviq e kështu me radhë. Krejt në alfabetin cirilik. Këtë e futi edhe te mbiemrat me fise e emra tjerë shqiptarë; në Mal të Zi ishte kaherë një asimilim i dhunshëm dhe tash përdoreshin mbiemra të sllavizuar, si: nga Shala në Shaliq, Kastrati në Kastratoviq, Berisha në Berishiq, Maraj në Maroviq, Mekuli në Mekuliq, etj. Gjatë në histori u ruajt qenia kombëtare me adetet e zakonet, me gjuhën e folur e me një këngë popullore, përcjellë me një lahutë, kavall, fyell, çifteli; me tregimet e përrallat, anekdota në ndeja, dasma e vdekje, në festa fetare e kombëtare, në lojëra pagane e gjysmë pagane. Në ndeja pasdarke, në pazare, etj. Megjithatë, shpëtuam me shumë plagosje edhe në gjuhë, deri pas LDB, kur u lejua edhe në këto troje të arsimohet ky popull në gjuhën e vet. Sigurisht, pas shumë sakrificave nga lufta zakonisht me shumë censurime. Armiku është munduar gjithmonë që shqiptarët të mos emancipohen në shkencë dhe kulturë. Është menduar që ne asnjëherë të mos identifikohemi si komb, por si një grup etnik i mbetur “dyer e strehëve” veç për punë krahu. Dhe këtë po provohet parasysh edhe tash.
Gjuha gjymtyra e parë kombëtare
Ruajtja e gjuhës, veshja e të tjera nuk paraqesin amoralitet. Nuk janë irrituese. Kemi thënë ndonjëherë se, kombi s’është faturë malli, s’është protokoll ditor për çështje juridike ekonomike, kulturore apo çfarëdo afere të rastit. Kombi definohet me elementet përbërëse që e mbajnë trupin të gjallë dhe funksional të një etnie. Ato elemente janë të pranueshme për botën e civilizuar kudo, ku kombi është i konsoliduar në terrenin gjeografik. Njëra prej fakteve për kombin e konsoliduar është gjuha e standardizuar, ndryshe ajo etni është trup i shkapërderdhur, pa kompaktësi. Janë një etni bredharake, nomade; kjo tufë qytetarësh nuk mund të krenohet se janë një unitet etnik i pranueshëm. Komb është në vete me një gjuhë të përbashkët letrare, me një histori, kulturë dhe terren gjeografik të definuar. Këto thyerje dikujt i konvenojnë. Më së shumti, atyre që janë kundër shqiptarëve si zakonisht. Këtu lidhen të gjitha e edhe politika e jonë analfabetike. Që i hamë fjalët tona. Që paguajmë e gatuajmë vetëm për të tjerët. Që interesi personal na ka zhdukur çdo gjë përreth, edhe të tjerëve që do të vijnë...
Mjetet e informimit të papërgjegjshme
Televizionet, radiot, shtypi janë mjete që dirigjojnë dhe shëmbëllejnë me përdorimin e gjuhës standarde. Është e qartë se gjuha evoluon si të gjitha shkencat tjera. Dhe është më se e vërtetë se, shqipja ka mangësi. Por ato i plotësojnë njerëzit që kanë kompetencë e aftësi. Moti kohë, disa prej termave kanë hyrë në shqipe dhe janë pjesë përbërëse të saj, si: debati, konkludimi, kontinuiteti, komunikimi e të ngjashme, që për fat të mirë disa prej tyre i kemi edhe në shqip. Dhe ato terma tekniko-teknologjike janë nga është edhe licenca. Tash, dëshira e jonë se, “jemi në liri”, që të shpikim nga mendja jonë, jo aq me përgjegjësi, diçka “më të re”, kjo na vjen në të katër anët e trojeve shqiptare. Sikur shqiptarëve u është mërzitur shqipja, ata duan diçka tjetër. Më parë nga Shqipëria (shteti i hershëm – amë), Kosova dhe vendet tjera ku duhet të përdoret shqipja. Nga Tirana dëgjojmë spikerët e medieve audio-vizuale me një tingëllimë nga gjuhët romane, kryesisht italisht. Po të donin në Shqipëri, do të ishte dhe është gjuha më origjinale shqipe. Në Kosovë, nuk ka kurrfarë spikerësh të medieve audio-vizuale, e të rrallë janë edhe gazetarët që dëgjohen mirë me ngjyrën e zërit shqip. Po kjo ndodh hiç më pak edhe me mediet e shkruara: Kater vet shkojn dhe e pritin..; ata lujn sot top ne Gjilanë...; i bëjn vegla per veti, i josh më pakë....; Kte e kan pamun te gjith...etj. Po disa të tillë janë gazetarë dhe kështu shkruajnë dhe flasin, pa ndonjë korrekturë prej askujt. Dhe këta bëjnë emisione apo shkruajnë për rrugët e rrugaçët, po jo për qytetarinë. Çfarë mund të jetë një jurist (avokat, gjyqtar, prokuror, etj), ekonomist, arsimtar, të cilët nuk dinë ta shkruajnë një fjali të qartë për palët. Po këta që merren me politikë? Njëri thotë, si personalitet i lartë politik, po s’ka rëndësi gjuha për te fare: “...ia dhanë...”; tjetri e kënaq: “...ja ka japë”, etj. llomotitje që s’merr vesh as ai i familjes së tij që jeton me te.
Administrata dhe tregu i mbuluar me gjuhën e huaj
Krenari është e madhe dhe fisnikëri që të mësosh gjuhë të huaja. Të komunikosh drejtpërdrejt, pa ndërmjetës. Të sjellësh të rejat nga bota pa ndërmjetës e lidhje komunikatave deri te opinioni i shqiptarëve. Kjo është kulturë para se gjithash, por edhe dobi e me shumë vlerë. Shumë prej këtyre njerëzve tanë sot, thonë, e kemi mësuar anglishten, gjermanishten etj. po nuk e dinë shqipen. Po, çfarë anomalie! Çfarë shkretëtire! Sot asnjë firmë e shënim mbi derën tonë nuk e sheh në shqip, as në sektorin privat e as në atë publik. Që të gjitha janë mbishkrime në gjuhë të huaj, imitime apo të reja në anglisht dhe në gjuhë tjera, por në shqip assesi. Të nderuar lexues, përpiquni ta gjeni ndonjë dhe tregoni publikisht, sa janë ato në shqip. Për çudi, që të gjitha këto firma shkruhen nga shqiptarët e për shqiptarët. Dhe ka raste kur duhet të shkruhen disa në gjuhë të huaj, sepse tregu është i tillë, por sigurisht jo të gjitha. Në një dyqan shkruan: KËTU APLIKOHET ONLINE...Shihet vetëm gjymtyra e parë e fjalisë në shqip. Realisht, ai që nuk e di këtë gjuhë, duhet ta thërrasë një njeri që merr vesh të tregojë. Por, fatkeqësisht nuk mund të ndihmojë, vetëm të drejton me gisht te ky lokal, nëse ti ia tregon dertin, ndryshe si ta përkthejë kur nuk di shqip. Është problematike sot për sot edhe për atë brez që nuk di e as mund t’i përvetësojë më gjuhët e huaja. Ata mbeten sipas palës ‘mbizotëruese’ analfabet. Shpesh televizionet tona përziejnë një substrakt të çoroditur, copë-copë, e pjesërisht në gjuhë të huaja. Nuk e kupton madje, a është në gjuhët anglo-saksone, në ato romane, apo sllave. Pa i llogaritur kalket, ka mjaft shprehje të drejtpërdrejta në mediet tona të përditshme. Në administratë e në televizionet tona, edhe në disa faqe elektronike, shihet e dëgjohet, ON LIFE, TALK; LIVE NEWS; pastaj, shqiptarët “modernë” që nuk i kanë njohuritë e duhura në gjuhën amtare, në administratën e përditshme përdorin edhe këto terma hiç më mirë se ato që përmendëm: kurrikulë, trust, bord, aplikim, preferencë, prokurim, procedim, procesim. Sfida. Çfarë është ky termi – sfidë, që secili që nis të flasë apo të shkruaj, të parën e ka këtë fjalë. A është arushë, a është ndonjë figurë mitologjike që duhet patjetër të përmendet si urata kur bien njerëzit në gjumë. Konstatimi është i gabueshëm: një mori e madhe nuk është duke ditur se çka është as OK(ej) si ajo ingjja. Tash e shohim se si dita ditës nuk do të merremi vesh në mes veti. Secili individ “intelektual laik” po do të krijojë një gjuhë për familje e për mëhallë. Do të na bëhen shumë gjuhë shqiptare. Gjysmë shqiptare; çerek shqiptare; hiç shqiptare, apo – shqiptare sajuese – kosovare. Kjo e fundit si mbarë “kombëtare”?! Nuk ka institucione te ne. Ato janë vetëm për një grup njerëzish që e shquajnë veten të pushtetshëm. Kjo kohë është klishe para njëqind vjetësh. Këta janë vetë analfabetë dhe ashtu e shohin gjithë shoqërinë dhe ashtu dëshirojnë ta lënë si të tillë. Dhe ashtu dëshirojnë me ambiciet e tyre të bëhet prej “gjysmagjel”, apo njerëz robotë, por të dijes e të mirëqenies njerëzore jo. Dhe ashtu dëshirojnë që me gjakftohtësi ta shuajnë çdo gjë shqiptare...Këtyre duhet t’u duartrokitet dhe t’u jepet mirënjohje për shkatërrim të tërësishëm. Herë-herë, të pështjellohen mendtë. Nuk di çka të thuash. Kujt i shkruan, kujt i drejtohesh. Për çfarë arsye dhe s’duan arsyetime.
Vetëshkrirje kombëtare – Mrizi i pleqve rri në heshtje
Gjeneratat e deritashme nuk janë munduar vetëm për një kore buke. Këtë e kanë fituar, për të mos thënë më mirë, si kështu diçka, por të pakënaqur për shumëçka. Njerëzit e arsimuar heshtin. Heshtin sepse ata janë shërbëtorët ditor të qeverive me injorancë. Derisa një kohë Serbia dëshironte në çdo mënyrë e edhe me dhunë të na asimilojë, sot nuk është shumë problem kjo çështje, se këtë e pranojmë vetë gradualisht e shumë shpejt, duke u zhveshur nga krejt ajo që është e jona. Ky qytetërimi i jonë nuk e di njeriu kah po do të ecë. Cili është drejtimi dhe qëllimi i tij. Ndoshta, kombi shqiptar është “plakur”, por nuk po e thotë askush publikisht! Ata që paguhen për ndihmesë dhe udhëheqje kulturore, shkencore kombëtare, si IA, Akademia e shkencës dhe e arteve të Prishtinës – Tiranës, Universiteti, institucionet tjera përkatëse e inteligjenca – heshtin. Këta disa marrin paga për këto çështje, por, “robotët” nuk duan të zgjohen nga gjumi i përjetshëm. Dhe vetë si akademikë janë injorantë. Janë të interesit për pagat dhe rehatinë e pleqërisë. Dhe ata brenda atij Mrizit të Pleqve, “nuk merren me politikë ditore!” Njësoj si Prishtina si Tirana. Akademia e shkencës dhe e arteve është MRIZI I PLEQVE të matufosur – të lënë qetë si në një strehimore. Por këta ushqehen mirë nga patroni. Prandaj heshtja është kënaqësi e tyre. Është begati. Sepse, fëmijët e vet i kanë rehatuar, pagat janë të mira, duhet falënderime se, sigurisht që dikush prej tyre as që e meritojnë të hynin për atë derë.
Këto shfaqje lidhur me Gjuhën shqipe si shumë gjëra të tjera, saktë kështu ishin para një shek. e gjysmë: “- A do ta mësosh shqipen?” e pyet njëri prej rilindësve një bashkëkohës të vetin pasanik. “- Jo!” i përgjigjet miku i tij shqiptar. “S’marr vesh në ato politika, s’dua të përzihem.” Shkurt nuk i mbushet mendja begut të atëhershëm që ta mësojë shqipen, sepse, sipas përgjigjes së tij, prej saj nuk ka fitim. Edhe në kohët më të vonshme, ka pasur që nuk dëshironin të dëgjonin për shqipen. Disa që punonin në Beograd me “sustë në shpinë”, na thoshin: “Çfarë shqipe, shqipja nuk vlen gjë...deri në Bujanoc!” Ndonjë ahmak tjetër sot thotë se, “kjo është gjuha e Enver Hoxhës, prandaj s’dua ta mësojë”, “kjo s’më qet në dritë”. Rroftë gjuha Amerikane, Gjermane, Italiane...! Le të rrojnë që të gjitha edhe unë po them. Po t’i, nëse je shqiptar, vepron në tokat shqiptare dhe ushqehesh aty, sigurisht që duhet ta respektosh e ta mësosh edhe shqipen!