E shtune, 27.04.2024, 06:25 AM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Vaclav Havel - 80 vjetori i lindjes

E shtune, 08.10.2016, 01:47 PM


VACLAV HAVEL ME RASTIN E 80-VJETORIT TË LINDJES

Nga Frank Shkreli

Në Republikën Çeke, në disa vende europiane dhe këtu në Shtetet e Bashkuara u shënua këtë javë -- më 5 tetor -- 80-vjetori i lindjes së ish-disidentit dhe ish-presidentit të fundit të Çekosllovakisë dhe presidentit të parë të Republikës Çeke post-komuniste, Vaclav Havel.  Pas largimit nga detyra e presdientit, Havel ia kushtoi jetën promovimit të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës.

Në Shtetet e Bashkuara u organizuan me këtë rast ceremoni përkujtimore në New York, në Washington, në Florida dhe në shtete të tjera me rastin e 80-vjetorit të lindjes së disidentit të famëshëm anti-komunist, i cili ka ndërruar jetë në dhjetor të vitit 2011, në moshën 75-vjeçare.

Me këtë rast, Kryetari i Bashkisë së qytetit të New York-ut, Bill de Blasio shpalli 28 shtatorin si Ditën e Vaclav Havelit në New York.  28 shtatori është datë simbolike për popullin çek, pasi është Dita e Shën Vaclavit dhe do të ishte njëkohsisht edhe dita e emrit të Vaclav Havelit, i cili po të jetonte sot do të ishte 80-vjeç.  Në të vërtetë e gjithë java, nga 28 shtatori deri më 5 tetor, ishte një javë kushtuar me ceremoni të ndryshme kujtimit të këtij disidenti të njohur anti-komunist dhe njërit prej mbështetësve më të mëdhej të të drejtave të njeriut kudo në botë.  Njëra prej ceremonive kushtuar Vaclav Havelit në New York ishte edhe ajo që u mbajtë Universitetin e njohur Columbia, ku u zbulua busti i dramaturgut çek.  Në atë ceremoni mori pjesë edhe Kryetari Dhomës së Deputetëve të Republikës Çeke, Jan Hamacek, i cili tha se “Vaclav Havel-i është simbol i lirisë dhe i të drejtave të njeriut dhe jo vetëm për ne, qytetarët e Republikës Çeke.” Ai shtoi se, “Ekziston nevoja për të kujtuar trashëgiminë e tij sepse sot bota nuk është hiç e sigurt dhe se liritë dhe të drejtat e njeriut nuk janë ende aspak të garantuara për të gjithë”.   Në këtë ceremoni morën pjesë dy udhëheqsit më të lartë të Kongresit amerikan, Kryetari i shumicës republikane Paul Ryan dhe Udhëheqsja e pakicës demokrate Nancy Pelosi, si dhe një numër kongresistësh nga të dy partitë kryesore amerikane.

Është e pamundur që në këtë përvjetor të mos shënoj disa kujtime personale mbi vizitën parë të Vaclav Havelit në Washington, që në të vërtetë në një formë ose një tjetër mund t’i kem ndarë me lexuesit edhe më përpara por që ia vlen të përmenden edhe me këtë rast.

Më kujtohet ajo ditë sikurë të ishte dje.  Ishte viti 1990 dhe Muri i Berlinit ishte shembur.  Vaclav Havel, udhëheqsi moral dhe disidenti i shquar anti-komunist i Çekosllovakisë, i cili kryesonte qeverinë e parë të lirë ç’prej vitit 1948 po vizitonte Uashingtonin, si udhëheqës i ri i atij vendi. Kishte takime të nivelit të lartë, ndër të tjera, në Shtëpinë e Bardhë dhe në Kongres.  Por, nja një javë para se të fillonte vizitën e tij zyrtare në Uashington, Shërbimi Sekret i Amerikës, përgjegjës për sigurimin e udhëheqsve të huaj gjatë qendrimit të tyre në Washington, kishte lajmëruar Zërin e Amerikës se udhëheqsi i ri i Çekosllovakisë, Vaclav Havel dëshironte të vizitonte Shërbimin Çekosllovak të Zërit të Amerikës.   Ky lajm natyrisht se shkaktoi një entuziazëm të paparë deri atëherë në radhët e gazetarëve çekosllovakë por edhe për ne të tjerëve, pasi më në fund ishte realitet, në mesin tonë ishte Vaclav Havel – disidenti i famshëm anti-komunist, përkrahësi i të drejtave të njeriut dhe dramaturgu për të cilin kishim folur aq shumë, për të pakën një çerek shekulli, në programet e Zerit të Amerikës.  Komunizmi kishte renë me të vërtetë — Vaclav Havel ishte në Washington. Për më tepër, po vizitonte Zërin e Amerikës.  Dukej si një ëndërr e pa imagjinueshme. Diçka themelore dhe e papritur kishte ndryshuar në botë.

Pas takimit që kishte zhvilluar Presidentin Xhorxh Bush në Shtëpinë e Bardhë, ku i kishte folur atij mbi rolin e rëndësishëm të transmetimeve të Zërit të Amerikës në luftën për t’u çliruar nga këthetrat e komunizmit anë e mbanë Evropës Lindore, Zoti Havel ishte nisur për në një vizitë personale që kishte kërkuar të bënte tek kryeqendra e Zërit të Amerikës.   Me të ardhur në ndërtesën e VOA-s, Zoti Havel u përshëndet me drejtorin e përgjithshëm të asja kohe, Riçard Karlson dhe me zyrtarë të tjerë, por mezi priste të takohej me staffin çekosllovak, ku pata fatin të isha edhe unë i pranishëm si këshilltar i programeve drejtuar Evropës Lindore.  Haveli na habiti të gjithëve kur filloi të thërriste emërat e folësve dhe të gazetarëve çekosllovakë, përfshirë edhe ata që përdornin pseudonime, të cilët i kishte dëgjuar rregullisht nepërmjet valëve të Zërit të Amerikës.  Megjithëse nuk njiheshin me njëri tjetërin, takimi i Zotit Havel me stafin Çekosllovak të Zërit të Amerikës u këthye me të vërtetë në një takim tepër emocional për të gjithë.   Natyrisht, si disident kundër regjimit komunist, regjim të cilin ai e kishte cilësuar si, “absurdistan”, Havel-i jo vetëm besonte por ishte ndër mbështetsit më të rreptë të lirisë së fjalës dhe të shtypit si edhe promovues i vendosur i rolit të rëndësishëm që media duhet të luaj në një shoqëri demokratike.

Pasi kishte qenë dëgjues i rregulltë i Zërit të Amerikës gjatë luftës së ftohtë, ai ishte njëri prej përkrahsëve më të zellshëm të transmetimeve ndërkombëtare, sidomos atyre amerikane.  Duke iu drejtuar stafit të Zërit të Amerikës gjatë asaj vizite më 1990, Zoti Havel tha, “Ju të Zërit të Amerikës na keni informuar të vërtetën, jo vetëm mbi ngjarjet anë e mbanë botës, por edhe mbi ato që po ndodhnin në vendin tonë dhe në këtë mënyrë ju keni ndihmuar në realizimin e revolucionit anti-komunist paqësor, për të cilin kemi pritur aq shumë kohë.’’

Vdekja e Vaclav Havel-it në vitin 2011 ishte një humbje e madhe për mbarë botën, pasi bota humbi zërin e ndërgjegjes dhe mbështetsin e fortë të të drejtave të njeriut, dhe jo vetëm në vendin e tij. Ai fliste kundër shkeljes së të drejtave të njeriut në Rusi e në Kinë, në Kubë dhe kudo që ato të drejta abuzoheshin nga diktatorët brutalë dhe udhëheqsit autokratë.

Vaclav Havel ishte gjithashtu dijeni të plotë edhe për vuajtjet e shqiptarëve nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe gjatë viteve 90, aktivisht kritikoi politikën serbe të gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë dhe ka qenë mbështetës i vendosur i sulmeve ajrore të NATO-s kundër Serbisë për çlirimin e Kosovës.  “Edhe më parë kam mbrojtë qëndrimin se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërhyjë sa më parë për të mbrojtur jetën e njerëzve nga arbitrariteti i shtetit”, ka thënë Vaclav Havel, në lidhje me sulmet ajrore të NATO-s kundër regjimit kriminel të Sllobodan Millosheviçit të Serbisë.

Në këtë 80-vjetor të lindjes së Vaclav Havel-it është me vend të kujtojmë se kauza e lirisë për të cilën ai luftoi gjithë jetën, më në fund triumfoi.   Por siç tha edhe gjatë ceremonive në New York me rastin e 80-vjetorit të lindjes së Vaclav Havelit, Kryetari Dhomës së Deputetëve të Republikës Çeke, Jan Hamacek gjithnjë, “Ekziston nevoja për të kujtuar trashëgiminë e tij sepse sot bota nuk është hiç e sigurt dhe se liritë dhe të drejtat e njeriut nuk janë ende aspak të garantuara për të gjithë.”  Megjithkëtë, në këtë 8-vjetor të lidnjes së tij, mund të konstatohte se bota në përgjithsi është sot më mirë, falë sakrificës dhe kontributit të Vaclav Havelit në mbështetje të dinjitetit njerëzor dhe të lirive bazë për çdo individ dhe në çdo vend.  Pa dyshim se trashëgimia e tij --për të cilën foli kryetari i Dhomës së Deputetëve të Republikës Çeke -- do të përjetësohet nga shembulli dhe vendosmëria e tij i cili gjithë jetën punoi dhe veproi për të mirën e përbashkët të njerëzimit dhe i cili, nepërmjet revolucionit moral, i tregoi njerëzimit fuqinë e popullit për të ndryshuar botën.  Ai, sipas ish-Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright

gjithashtu me origjinë çeke dhe mbështetse e fortë e të drejtave të shqiptarëve — gjë që ajo e provoi gjatë luftës për çlirimin e Kosovës — ka thënë mbi trashëgimisë morale dhe politike të Vaclav Havelit se me veprimtarinë e tij, “Ai ka treguar se një vend i vogël mund të ndryshojë shumë gjëra kur ka udhëheqsin e duhur me parime morale”.

Eh, po ta kishte pasur Shqipëria -- si një vend i vogël që është -- një udhëheqës me parimet morale të Vaclav Havel-it?



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora