E shtune, 27.04.2024, 10:18 AM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Suzana Shkreli për Anëtare e Kongresit

E hene, 10.10.2016, 09:20 PM


SUZANNA SHKRELI PËR ANËTARE TË KONGRESIT AMERIKAN

Nga Frank Shkreli

Ja, kanë mbetur edhe katër javë deri në zgjedhjet e përgjithshme këtu në Shtetet e Bashkuara, ku pritet që më 8 nëntor votuesit amerikanë të hedhin votën, në nivel kombëtar, për president, për të gjithë anëtarët e Dhomës së Deputetëve dhe për një numër antarësh të ri të Senatit amerikan.   Një kandidate që synon anëtarësimin e saj në Dhomën e Përfaqsuesve të Kongresit të ri amerikan, është edhe Prokurorja shqiptaro-amerikane, Suzanna Shkreli.

Ajo e filloi fushatën në fillim të korrikut, http://www.zemrashqiptare.net/news/id_43572/Frank-Shkreli:-Suzanna-Shkreli-drejt-Kongresit-Amerikan.html, dhe tani gjëndet në kulmin e një fushate që duket gjithnjë e më shumë si një fushatë serioze dhe bindëse, se mundësitë për një fitore të Suzanna Shkreli ditën e zgjedhjeve, janë reale.  Fushata e saj dhe mbështetja që ajo ka gjetur tek votuesit e distriktit ose të zonës elektorale të saj, në të vërtetë, ka habitur analistët politikë të zgjedjeve dhe njëkohsisht suksesi i deritanishëm i fushatës së saj ka shqetësuar aq shumë kundërshtarin e saj republikan, sa që ditët e fundit, ai është detyruar të sillte në atë distrikt Kryetarin e Dhomës së Përfaqsuesve, Z. Paul Ryan, personin numër një të republikanëve, për të bërë fushatë në favor të kandidatit republikan,  kongresistin e tanishëm Mike Bishop.  Vizita e republikanit numër një të këtij vendi në zonën elektorale të Suzanna Shkrelit, në përpjekje për të shpëtuar kandidatin e Partisë Republikane nga një humbje e mundëshme, nënvijon seriozitetin me të cilin republikanët e konsiderojnë kërcënimin që vjen nga kandidatura e Suzanna Shkrelit, ndaj  kandidatit të tyre.

Kur Suzanna filloi fushatën e saj për në Kongresin e Shteteve të Bashkuara në fillim të korrikut që kaloi – megjithse filloi vonë sepse kandidatja e mëparshme e demokratëve u tërhoq për arsye shëndetsore -- Shkreli deklaroi se ishte gati për një ndërmarrje të tillë megjithë punën e rëndë që nevojitej dhe me gjithë ashpërsitë me të cilat karakterizohen normalisht fushatat politike këtu në Shtetet e Bashkuara dhe sidomos fushata për zgjedhjet e këtij viti.   Ajo është duke zhvilluar një fushatë të fortë dhe gjithëpërfshirëse, me një program të qartë në mbështetje të interesave të qytetarëve të zonës elektorale ku jeton, e të cilët ajo shpreson që tani e deri më 8 nëntor, t’i bindë që të votojnë për të.   Fatbardhësisht, Shkreli ka siguruar mbështetjen e fortë të Partisë Demokrate dhe ka marrë tanimë mbështetjen e organizatës më të madhe në Amerikë, e cila veprimtarinë e saj ia kushton zgjedhjes së më shumë femërave në nivelet më të larta të qeverisë dhe të shtetit amerikan. Njëkohsisht, Suzana Shkreli është duke llogaritur edhe në ndihmën dhe mbështetjen e pa kursyer të komunitetit shqiptaro-amerikan anë e mbanë Shteteve të Bashkuara.

Andaj, ky shkrim është edhe një apel, drejtuar komunitetit shqiptaro-amerikan në veçanti, por edhe shqiptarëve kudo që të ndihmojnë fushatën e saj.   Sot është dita dhe ky është momenti për komunitetin shqiptaro-amerikan që ta tregojë veten si gjithmonë më parë i gatëshëm për të marrë pjesë masive, jo vetëm në përpjekjet  e tyre për të ndihmuar kur e lypte nevoja, shqiptarët dhe të drejtat e tyre në trojet anë e mbanë Ballkanit Perëndimor, por të tregojnë gjithashtu se janë të gatëshëm të mbështesin komunitetin e vet në këtë vend, duke mbështetur kandidatët, si Suzanna Shkreli, për poste të ndryshme shtetërore dhe federale.

Në këtë frymë mbështetjeje për të cilën është dalluar deri tani komuniteti, kandidatja shqiptaro-amerikane për në Kongresin e Shteteve të Bashkuara është takuar para dy javësh me një grup aktivistësh të komunitetit në New York dhe të djelën më 9 tetor – siç mund të shihet në njoftimin më poshtë -- ajo ka në plan të marrë pjesë në një takim fond-mbledhës për fushatën e saj, në Kishën Katolike Shqiptare të Shën Palit në Detroit, të sponsorizuar nga Shoqata Malësi e Madhe, Shoqata Kosova, Shoqata Dukagjini, Shoqata Vatra dhe nga Komuniteti Shqiptaro-Amerikan i shtetit Miçigan.

Ndërkaq, gjithashtu, Dr. Gjon Buçaj sapo njoftoi se në Kryeqëndrën e Vatrës në Bronx të New Yorkut, organizata më e vjetër shqiptare në Amerikë organizon të djelën me 9 tetor nga ora 3-6 një takim me qëllim për të mbledhë fonde për fushatën e Suzanna Shkrelit.

Sot, komuniteti shqiptaro-amerikan është një komunitet shumë vital dhe tepër aktiv në një numër fushash të aktivitetit shoqëror, ekonomik, kulturor e madje edhe shkencor, si dhe në fushën e informacionit teknologjik, ndër të tjera.  Nuk besoj të ketë ndonjë fushë me rëndësi zhvillimi në këtë vend që të mos ketë shqiptaro-amerikanë të përfshirë në të.  Fusha ku ne mungojmë është pjesmarrja në arenën politike, në proceset zgjedhore, sidomos në nivel federal, por edhe shtetëror dhe vendor.  Brezi i ri që përfaqëson Suzanna Shkreli është gati për të marrë pjesë në këtë proces.  A është gati komuniteti që të angazhohet seriozisht për të marrë pjesë dhe për t’i mbështetur këta të rinjë e të reja në proceset zgjedhore, ashtu siç kanë bërë e bëjnë shumë grupe etnike në këtë vend?  Shpresojmë që edhe komuniteti ynë këtu në Shtetet e Bashkuara të inkurajojë dhe të mbështesë në mënyrë aktive pjesëtarët e komunitetit shqiptar në Amerikë, siç është kandidatura e Suzanna Shkrelit.  Megjithëse të suksesshëm në shumë fushë të veprimtarisë dhe të jetës amerikane, komuniteti shqiptar nuk do të arrijë kurrë nivelet e suksesit dhe të integrimit të plotë që meriton   në jetën politike të këtij vendi në veçanti dhe në jetën shoqërore të Amerikës në përgjithësi.

8 Nëntori pra paraqet rastin dhe mundësinë që komuniteti shqiptaro-amerikan, me mbështetjen e pa kursyer morale dhe financiare për kandidaten Suzanna Shkreli – të bëj histori duke treguar seriozitetin më të madh në angazhimin e tij për të mbështetur Suzana Shkrelin dhe kandidaturën e saj për në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.

Shpresojmë, lutemi dhe urojmë që Suzanna Shkreli, me ndihmën pa rezerva të komunitetit shqiptar në Amerikë dhe me fushatën e saj serioze për të bindur votuesit e zonës së saj elektorale se ajo është personi më i mirë për t’i përfaqësuar në Kongres – të dalë ftuese, duke shënuar kështu një moment historik e triumfues në jetën e komunitetit shqiptaro-amerikan, ndoshta të vogël në krahasim me grupet e tjera etnike – por gjithmonë krenar!


Duke bërë fushatë


Prokurorja shqiptaro-amerikane Suzanna Shkreli gjatë një takimi në Tiranë, më heret këtë vit.

http://www.suzannaforcongress.com/

http://www.suzannaforcongress.com/issues



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora