Mendime
Sinan Sadiku: Ngrejmë në qiell jovlerat
E diele, 05.06.2016, 02:53 PM
JEMI
POPULL I PRIRË TË VETMASHTROHEMI DHE T`I NGRITIM NË QIELL JOVLERAT
Nga Sinan SADIKU
Realiteti ynë në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni... pra në tërë hapësirën shqiptare po na e dëshmon se ne jemi popull i prirë të vetmashtrohemi. Mangësitë tona janë tepër të mëdha. Vrapi pas meritave të paqena, vrapi për t`u pasuruar, afirmuar në mënyrë të pandershme, duke kopjuar, duke vjedhur, duke mashtruar, duke tradhtuar, duke falsifikuar... po duket sa na janë bërë pjesë e identiteti tonë. Andaj prodhojmë rezultate të rrejshme në të gjitha fushat, sepse ne nuk përfillim fakte, argumente, rregulla, parime. Kështu na dalin 46280 veteranë luftëtarë, plus rreth 8000 invalid të luftës, na dalin disa mijëra persona me aftësi të kufizuara, prej të cilëve disa janë në gjendje të punojnë gjatë muajve të verës në ndërtimtari duke e përballuar edhe diellin dhe vapën e verës! Na dalin edhe njerëz që punojnë ose kanë punuar në polici dhe që e marrin pensionin si invalid i luftës. Në Testin e arritshmërisë edhe nxënësit që i kanë nga 7, 8, dhe 9 nota të dobëta në ditar, i arrijnë edhe 80 e më shumë poenë. Njësoj ngjan edhe në Testin e maturës. Pastaj kemi doktorë të shkencave që nuk e kanë lexuar as temën e vet të doktoratës. Kemi profesorë universitar që gjatë një viti akademik e mban vetëm një orë me studentë. Kemi me mijëra poetë, shkrimtarë, dhe kritikë letrarë që i ngritin në qiell veprat e dobëta. Pra edhe atëherë kur individët krijojnë vlera ne nuk i çmojmë ato. Më së shpeshti vlerat nuk i çmojmë, jo pse nuk i njohim, por sepse i nënshtrohemi ndonjë ndikimi siç janë një interes, shpesh minor, miqësitë, klientelizmi etj.
Pra jemi njësoj në të gjitha fushat dhe në të gjitha subjektet politike, në shoqata dhe organizata të tjera. Çdo kund jemi mashtrues, dallaveragjinj, gënjeshtarë dhe të gjitha këto i bëjmë për të zezën tonë, sepse kur vjen në pyetje mbrojtja e interesit kombëtar në raport me të tjerët, për mungesë të punës, të angazhimit, të profesionalizmit e mbi të gjitha për mungesë të atdhedashurisë mbetemi të mashtruar!
Me gjasë këto fenomene nuk janë të sotme. Ato e kanë një parahistori dhe një histori .
Unë i lexova dy poezi të miat njërën të shkruar më 28.05.1997, dhe tjetrën më 12.01.1998, të cilat poezi edhe pse të shkruara gati para dy dekadave, e pasqyrojnë këtë realitet të hidhur. Qysh atëherë shiheshin ambiciet tona reale edhe pse të mbështjella me një maske patriotizmi, humanizmi, morali...Pra ne i kemi edhe partitë politike, edhe OJQ-të, edhe shoqatat, edhe klubet, edhe institucionet ashtu siç jemi vet.
I bajshim me shnet!
TEPRICË DHE MUNGESË
Sa shumë tepricë
Sa shumë mungesë
Tepricë patriotësh
Tepricë heronjsh
Tepricë robërie
Mungesë lirie
Sa shumë tepricë
Sa shumë mungesë
Më 28.05.1997
LIRISHT
Kur të vijë liria
edhe hajni shpreson
se do t’i lejohet
të vjedhë lirisht
Më 12.01.1998