Editorial
Ndue Dedaj: Hidrocentralizmi i Valbonës
E enjte, 21.04.2016, 09:05 PM
HIDROCENTRALIZMI
I VALBONËS
fundi i turizmit malor
NGA NDUE DEDAJ
1
Kur Valbona nuk ishte e vizitueshme, si zonë kufitare e mësheftë nga publiku, hiret e saj na vinin përmes lirikave diellore të Ndoc Paplekës, Hamit Aliajt e Skënder Buçpapës, këngëve të Fatime Sokolit e Kol Susajt, reportazheve të një vargu publicistësh të spikatur të Malësisë së Gjakovës. Kurse tani që lugina e famshme u bë pronë e të gjithëve, jo vetëm e sogjetarëve dhe e barinjve, rrezikon të mos jetë më e askujt. Herët, sipas mitologjisë, dilnin kulshedrat dhe i sherrnin krojet e gurrat, tash nuk dimë se ç’emër t’u vëmë qeverive, asaj të djeshme që miratoi hidrocentralizimin (betonizimin) e njërës prej perlave më të bukura të Europës dhe qeverisë së sotme që lidhur me këtë koncesion vazhdon në ujërat e turbullta të së parës. Si e kemi nisur, sot e ka radhën Valbona, nesër Lura, pasnesër Dardha! Kushedi ç’do të prodhojë mendja e mbrashtë “kapitaliste” kudo ku ka mbetur ende një copë Shqipëri e pazhbërë. Se ç’sjell ndërtimi pa kriter i HEC-eve, shihni Fanin e Madh dhe Fanin e Vogël në Mirditë, që u kanë dalë brinjët prej vargut të hidrocentraleve, aq sa uji i Fanit të Vogël kalon me tunel në Fanin e Madh, duke tjetërsuar mjedisin, ekologjinë dhe rrjetin ujor natyror. Në një anë ndërtohet një vepër madhore si Rruga e Kombit, për ta “ngjitur” qytetërimin në male, në anën tjetër, në emër të sipërmarrjes energjitike, shkatërrohen lumenjtë, ujëvarat, monumentet, tokat. Ndoshta e dëgjuat, mbyllja e portave të hidrocentralit të Banjës për të arritur kuotën 144.5 metra, shterri lumin e Devollit duke tharë arat e Cerrikut dhe ujëmbledhësit e kutivimit të peshkut. Teksa Skavica ka hyrë në një “rokadë” mes banorëve të zonës dhe qeverisë. Leje të palejueshme për HEC janë dhënë dhe në Dangëlli të Permetit, në një zonë të mbrojtur. E habitshme, të njëjtat qeveri miratojnë me ligj parqet kombëtare, dhe po ato e shkelin ligjin duke dhënë leje ndërtimore në to!? Ku po shkojmë kështu? Këtë s’ia shpjegojmë dot Europës.
2
Dikur duheshin gjashtë orë për të shkuar nga “Bajram Curri” në Dragobi e Nikaj-Mertur me këmbë ose me kalë, kurse në kushtet e sotme të infrastrukturës rrugore, Shqipëria është bërë një “pëllëmbë” dhe për dy - tri orë vete nga Tirana në Valbonë, në dash nga Hasi, në dash nga Gjakova, duke mos qenë këto të vetmet udhë për atje. Dhe pikërisht kur Valbona po bëhej pak nga pak një “Tokë e Premtuar”, ajo projektohet të betonizohet me 11 hidrocentrale në 25 km(!!!) Kjo e bën Valbonën nga e të gjithëve në e disave. Ndërkohë që ajo nuk është si çdo luginë tjetër shqiptare, që iu përket vetëm banorëvev të saj për të nxjerrë burimet e jetesës, ashtu si dhe Thethi, Komani, Qafë - Shtama, Dajti, Voskopoja, Sharri, Syri i Kaltër, Riviera, Divjaka, Rana e Hedhun që iu përkasin të gjithë shqiptareve. Nëse do të përpilohet një katalog i monumenteve të papërsëritshme të natyrës, Alpet tona me siguri që do të regjistroheshin në trashëgiminë botërore për t’u mbrojtur. Aq me tepër vihet dorë në to, kur kanë nisur të zhvillohen projekte shtegtimi nëpër majat e Ballkanit, pra dhe në këto bjeshkë të epërme tonat, që shtrihen në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi. A mund të përfytyrohet të ndodhë e njëjta gjë dhe me Grykën e Rugovës? Askush nuk do ta merrte më udhën për atje!
Por ne nuk e shohim, prekim dhe ndjejmë më Shqipërinë në të gjitha qoshet e saj. Ne jemi përqendruar në Tiranë dhe aty kemi mbetur të “ngujuar”, te Parku, me ditë, me javë e me muaj. Se bëhet masakër ekologjike dhe diku tjetër as që do t’ia dije ndokush! Se ndryshe do të ishim ngjitur deri në Valbonë për të protestuar, si shoqëri civile, e nuk do të kishte mbetur duke e ngritur zërin vetëm komuniteti i atjeshëm vital dhe një zonjë amerikane që është bërë prej vitesh zëdhënëse e bukurisë dhe e ekoturizmit të Valbonës. Fatmirësisht, për të mos qenë dhe ne si publik jashtë kësaj “historie”, para një jave pati një protestë të mirëkoordinuar mes Tropojës, Tiranës dhe Nju Jorkut, ku ato ditë gjendej për vizitë shtetërore Kryeministri ynë, protestë që shpresojmë të mos ndalet derisa problemi të marrë zgjidhje. Nëse lexuesi ende nuk e ka kuptuar se çfarë e pret Valbonën, ngulja në shtat e heshtave të burokracisë dhe e plintave të betonit, të lexojë artikujt kohëve të fundit të Mehmet Elezit “Duan ta vrasin Valbonën”, Besnik Mustafajt “Rënkimi i thellë i Valbonës”, Prof. Dr. Arqile Bërxholit “Ironia me hidrocentralet në Valbonë”, për ndalimin e hidrocentralizimit të saj. Një rezervat përrallor flore dhe faune, për çka në vitin 1989 u dërguan atje me autobusë nxënës nga e gjithë Shqipëria në një ekspeditë biologjie që zgjati dy javë.
Nëse projekti i atyre HEC-eve nuk do të ndalohet nga qeveria, atëherë Valbona do të humbasë identitetin historik, kuptimin si park kombëtar, mundësinë për të qenë një nga zonat më të zhvilluara të turizmit. Kur nuk mund të mbrojmë Valbonën, që është një harmoni e pasosur vlerash ekologjike e turistike, nuk mund të mbrojmë fshatra turistikë të veçuar andej - këndej republikës së drobitur. Por druajmë se ka një keqkuptim të pashpjegueshëm me malet, temë që do të përpiqemi ta trajtojmë në ndonjë shkrim tjetër. Ka gjasë që atje lart prej vitesh është “pjekur” se shqiptarët një dorë janë dhe ata të gjithë do të përqëndrohen rretheqark Tiranës e Durrësit, apo diçka më shumë, mes Lezhës e Vlorës. Nuk janë vetëm qeveritarët, ka dhe “teoricienë” të tjerë të kësaj ideje. Ndryshe nuk ka si shpjegohet gjithë ky sulm barbar për zhvatjen e pasurive të maleve me të gjitha mënyrat e mjetet: drurë, ujëra, minerale, gjer qoshet e kullave etj. Nuk jemi vetëm ne që i mëshojmë jetësimit të maleve, por dhe të huajt që përmes projektesh përpiqen të mos ndalet jeta atje, banorët që kanë qendruar me mundim këto vite e ata që kanë ikur. Këtë të fundit pasi kanë bërë një dorë parash në emigracion apo ultësirën urbane, kthehen për të investuar në turizëm në rajonet malore të origjinës, si Dukagjin, Pukë, Dibër, Tropojë, Mirditë, Mat etj. Është e habitshtme se kushdo që vete në Valbonë, i vendit apo i huaj, nuk gjen fjalë për ta shprehur mrekullinë e të parës “kështjellë” të turizmit malor në ndërtim. Të vetmit që mëvetësia e saj i le memecë janë njerëzit me pushtet, që sillen me pronën publike si pronarë, për të nxjerrë përfitime të paligjshme.
3
Ky vend ka nevojë t’i shtohen krojet, lulet dhe drurët dhe jo t’i rrënohen më shumë ato që mezi kanë shpëtuar deri më sot. “Unë e mbolla pemën time”, njoftonte modestisht miqtë e tij të Facebook-ut gazetari Sami Milloshi nga emigrimi në Amerikë. Kishte premtuar se do të mbillte një pemë në Lurë. Por si? Në pamundësi për të ardhur vetë i kishte postuar një të njohuri 20 dollarë për ta blerë filizin e pishës a ahut dhe shtegtuar atë drejt Lurës në emër të tij. “Miq, kudo që jeni, unë ju ftoj që ta mbjellim nga një pemë në Shqipëri. Nuk ka rëndësi se ku, në Lurë, apo në Ksamil...”, ishte mesazhi i tij. Vetëm me dashuri e bujari mund ta shpëtojmë atë që ka mbetur pa u shprishur. Valbonën, në radhë të parë, që është sot kauza e madhe! Kështu nuk do të jetë nevoja të mblidhemi prapë nesër, pasnesër, pas një viti... për të mbrojtur nga “vetvetja” lendinat, lumenjtë, shpellat, bimët endemike, kafshët e egra, natyrën tonë të trashëgueshme ndër shekuj.