Editorial
Rigels Lenja: Burgu i Spaçit dhe roli i tij si përmendore e një paradigmeje terrori
E merkure, 24.02.2016, 10:21 PM
Burgu i Spaçit dhe roli i tij si përmendore e një paradigmeje terrori
Nga Rigels Lenja
Është bërë si traditë që sa herë e nis e flet për të shkuarën komuniste e nis me profetin e saj të rremë, Enver Hoxhën. Komunistët erdhën në pushtet me një paketë premtimesh, ku më kryesorja qe për t’i sjellë lumturinë popullit. Premtim dhe aspiratë e njejtë kjo, që u bë nga çdo lider dhe kaste komuniste kudo në botë, në atë kohë. Paradoksalja qe se, individi jo vetëm që nuk u lumturua, por u përdor për t’u manipuluar dhe për të garantuar vazhdimësinë në qeverisje të kastës sunduese në mënyrë të përhershme.
Regjimi Komunist sot në përfytyrimin e një individi do të stigmatizohet me terrorin. Po çfarë është Terrori? Si etimologji e fjalës vjen nga latinishtja nga fjala teror që do të thotë, një gjëndje frike ose paniku shoqëror si pasojë e një veprimi politikë. Gjëndje frike apo paniku, mund të shkaktojë edhe një krizë ekonomike apo një fatkeqësi natyrore. Në këto rrethana, me terror do të nënkuptojmë një aksion eruptiv njerzor i lokalizuar për të ngjallur frikë shoqërore.
Në 45 vite me rradhë, Shqipëria u kthye në një kostelacion, shteti burg ose më mirë në një shtëpi-burg të stalinizmit. Hoxha kopjoi në mënyrë të shkëlqyer një vrasës patologjik, konstant e masiv siç qe Stalini. Ky model shteti u ngrit nga një regjim terrori për t’i garantuar atij ekzistencën në pushtet. Terrori nuk shërbente më vetëm si një devizë për të eleminuar kundërshtarët, por i dhanë dhe vlera terapeutike, pra shëruese. Për ta vetëm me anë të terrorit, mund të ngrihej njeriu i ri i komunizmit. Kështu ai bëhet i përhershëm, ngadaltë, ftohtë dhe konstant. Regjimi komunist u përpoq për ta konfiskuar të vërtetën, për ta privatizuar më pas si të drejtë legjitime të Byrosë Poltike, Komitetit Qëndror apo Liderit të Pagabueshëm. Një ndër gabimet latente, që bëri regjimi komunist qe se e shikonte dhe mendonte, se shoqëria njerzore mund të çohej në unison mes tyre pa bërë dallime.
Për të kuptuar shkallën e demokratizimit të një vendi duhet të shikojmë sesa zbatim gjejnë të drejtat dhe liritë e individit. Këtë mund ta analizojmë më mirë duke parë se si një shtet e organizon drejtësinë dhe trajtimin, që u bënë personave të dënuar me heqe lirie. Po çfarë mund të analizosh kur shikon një objekt si “Burgu i Spaçit”?
Në të vërtet ky nuk është vetëm një burg; ai është një nga simbolet e kujtesës së të shkuarës komuniste. Ai është simboli më i gjallë i një të shkuare terrori. I një të shkuare, ku u kryen një mori krimesh për vite e vite me rradhë. Ndërtuar në vitin 1968, si një kamp-burg politik i sigurisë së lartë, për të goditur kundërshtarët politikë, shpesh herë të krijuar nga një imagjinatë absurde dhe skizofrene. Që në mënyrën sesi ishte ndërtuar ai burg, dukeshin qartë elementët sadistë.
Burgu qe ngritur në një terren të vështirë, në një peizazh të rrethuar me male, në të katër anët e tij dhe dukej se të merrte frymën. Megjithëse qëndrova pak orë, i shtyrë nga kurioziteti të dija se çfarë ndiente një i dënuar me vite pafund burgosjeje, kur qëndronte në këtë vend? E kuptova shpejt këtë! Për ta liria dhe ndjesia e të qenit të çliruar, ishte kur kuptonin se po u afrohej vdekja.
I kthyer sot në një gërmadhë, mund të përfytyrohet lehtë, se çfarë ferri ka qënë në të shkuarën. Në një rrugë të mbushur nga të dyja krahë me rrëpira dhe gremina, ndërtuar në mes të maleve, buzë një përroi. Përballë këtij burgu, e vetmja pamje është një faqe mali e zhveshur nga pyjet. Megjithëse sot nuk ka roje, policë, gardh me gjemba apo ushtarë, prapë se prapi ky mjedis dëshmon në mënyrë të saktë të shkuarën e tij të hidhur, të tmerrshme dhe të dhimbshme.
Në këtë burg do të gjenin vend shpesh herë edhe 1200 persona si të burgosur, duke i tejkaluar kapacitetet. Udhërrëfyesi jonë në këtë rrugëtim, një ish-dënuar në këtë burg, Agim Hakçami u shpreh se shpesh herë në një dhomë gjenin vend 36 persona dhe “na dukej vetja si në një kuti sardelesh”.
Një nga elementët që nuk do të më hiqet nga kujtesa qe kur dëgjova se me çfarë ushqeheshin të burgosurit në këtë burg. Do të kishte qënë ideale, ajo formë e ushqyerjes për dikë që është mbipeshë dhe që i duhet të mbajë dietë. Është e pamundur të konceptohet kjo për dikë që ishte i detyruar, të mbushte katër vagona, me katër tonë mineral kromi dhe këtë e bënte çdo ditë.
Dukej se udhëtimit tim në rrënojat e së shkuarës po i vinte fundi. Por jo, kjo deri sa mësova se çfarë ndodhte kur një i burgosur vdiste, pa e përfunduar dënimin e marrë. Për regjimin komunist dënimi vazhdonte dhe pas vdekjes. Viktima shpesh herë varrosej pranë brigjeve të përroit aty pranë që rrjedha e ujit, të merrte kockat e tij për t’i “depozituar” diku tjetër. Mesa duket regjimi komunist nuk mund të lejonte që një i dënuar për krime politkë t’i ndoste dhe tokën. Për tipologjinë e regjimit në fuqi, krimi politik kishte elementë të epidemisë, pra mund të ndoste të tjerët nëpërmjet tokës.
Ky simbol i torturës dhe tmerreve të së kaluarës, qëndron ende atje, ashtu, me qetësinë e tij, i pashqetësuar, i dalë nga “shekulli i ekstremeve”, por paksa i zhveshur nga shumë elementë të orgjinales së tij. Megjithatë ai e përfaqëson në mënyrën më të përshtatshme të shkuarën e hidhur. Shpesh herë për të përkufizuar historinë janë përdorur dy proverba, që për çdo historian janë të padëshirueshme: “Historia është shkenca e fatkeqësive të njerzimit” dhe “Historia ndonjëherë shërben si kazan plerash për gabimet e biologjisë”. Regjimet totalitare në përgjithësi dhe regjimi komunist i Tiranës në veçanti, duket se i plotësojnë më së miri të dy dyja këto përkufizime. Është e rëndësishme që ky objekt dhe të tjerë të ngjashëm, që dëshmojnë qartazi të shkuarën, të ruhen dhe të jenë të prekshëm për brezat e rinj, që gabimet e së shkuarës të mos përsëriten më!