E shtune, 27.04.2024, 09:00 PM (GMT+1)

Mendime

Skënder Kapiti: A është apo nuk është kështu!?

E shtune, 26.03.2016, 07:43 PM


A është apo nuk është kështu!? (Anketë, pj.4-t)

Nga Skënder S. KAPITI

(Diskreditimi i Komunizmit dhe degjenerimi i Drejtësisë ligjëruan Antishtetin-Vazhdim, pjesa e katërt e shkrimit anketë “A është apo nuk është kështu”)   Rënia, falimentimi por më shumë diskreditimi publik dhe global i Komunizmit shtetëror sidomos i këtij komunizmit shqiptar “ligjëroi ” dhe “justifikoi” revanshin apo hakmarrjen “demokratike” e “kapitaliste” të pamëshirshme antishtet.

Grabitja, vjedhja, uzurpimi  dhe shpërndarja ligjore në mënyrë të korruptuar dhe abuzive e pasurive të ishpronarëve legjitim, të kooperativave bujqësore, të ndërmarrjeve shtetërore dhe të pasurive kombëtare i paraprinë instalimit të shtetit antishtet dhe antisocial në Shqipëri. Kapjen e shtetit dhe instalimin e sistemit antishtet e ndihmoi dhe e ligjëroi sistemi kriminal, i papërgjegjshëm dhe korruptiv i Drejtësisë, degradimi dhe degjenenerimi i saj në një sistem padrejtësie.

Shtet antishtet ka atëhere kur nuk funksionon drejtësia që ndodh atehere kur drejtësia funksionon së prapthi dhe që prej kësaj drejtësie triumfon padrejtësia në shtet dhe në shoqëri dhe ligjin në to e bën kështu vetëgjyqësia. Njerëzimi, komuniteti hyn në shtet, popujt sakrifikojnë për shtetin pasi ata kërkojnë plotësimin e nevojave jetike që nuk mund t’i sigurojnë individët dhe familjet vetë, njerëzit sakrifikojnë nga liria e tyre për të hyrë në shtet për t’u siguruar nga egoizmi dhe kërcënimi për njëri-tjetrin, njerëzit hyjnë në shtet për të siguruar jetën dhe lumturinë. E të gjitha këto i siguron një shtet i mirë, dhe shteti i mirë është ai që ka ligje të mira dhe aty ku sundojnë ato, që do të thotë si përfundim se shteti i mirë është shteti i së drejtës, pra aty ku zbatohet dhe sundon drejtësia.

Historia botërore na mëson se aty ku nuk ka drejtësi aty ka anarki, dhe kur ka humbur drejtësia dhe kur ajo degjeneron në padrejtësi kanë rënë dhe janë shëmbur perandoritë e mbretëritë e mëdha qindravjeçare, kane rënë dinasti e shtete të fuqishme.  Kështu ra dhe perandoria komuniste e Bashkimit Sovjetik, Jugosllavia dhe tërë regjimet diktatoriale komuniste ashtu dhe ato autoritariste të Lindjes së Mesme kohët e fundit.

Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, Sistemi i Drejtësisë nuk u reformua dhe nuk ju përshtat kohës dhe ndryshimeve që kërkonte ajo, por pëkundrazi ai i parapriu përkeqësimit, korrupsionit dhe degradimit të mëtutjeshëm të shtetit shqiptar. Degjenerimi i drejtësisë në Shqipëri rezultoi në faktin e një drejtësie të papërgjegjshme, kriminale dhe tejet të korruptuar që çoi në kapjen, mosfunksionimin dhe në falimentimin e shtetit aq sa dhe diplomacitë perendimore e quajnë dhe e njohin shtetin shqiptar si një shtet që akoma nuk ka ndërtuar shtetin ligjor, modern me standarte demokratike dhe se Reformën në Drejtësi e quajnë jetike për Shqipërinë, si më të rëndësishmen pas rënies së komunizmit dhe kusht vendimtar për integrimin e Sdhqipërisë në BE.

Pra, thjesht kjo do të thotë se politika e shtetit shqiptar ka dështuar deri më sot pasi nuk ka bërë atë që duhet, pra reformën e reformave, që është kjo e Drejtësisë, pra nuk ka ndërtuar shtetin e së drejtës, pra nuk kemi shtetin ligjor, dhe prandaj mirëfunksionon ky çorganizim i mirëorganizuar i antishtetit dhe i antiligjit. A mund të quhet një shtet funksional kur paraja e pisët dhe e krimit; kur të pasurit dhe kur korrupsioni e blejnë Drejtësinë; kur politika e urdhëron dhe i imponon vullnetin dhe dëshirimin e vet Drejtësisë; kur Drejtësia bën ankandin dhe shitjen e të drejtës, aktivitet ky që e ka bërë Drejtësinë në Shqipëri  biznesin dhe sipërmarrjen më të madhe ekonomike dhe financiare?

Ky antishtet është edhe johuman po edhe kundërintelektual dhe antipatriotik. A nuk janë nën presion, nën frikësim dhe të persekutuar: e mira, e drejta, talenti dhe patriotizmi të cilët nuk guxojnë të dalin e të ekspozohen lirisht, prej frikës ndaj guximit dhe terrorit të krimit, korrupsionit, të antivlerave; prej terrorit, kërcënimit dhe prej kushteve që u imponohen nga egoizmi, ligësia dhe nga injoranca e politikës dhe e pushtetit?

Shqiptarët përse largohen nga Shqipëria? Kësaj pyetje ndoshta për herë të parë po i përgjigjem ndryshe nga të tjerët.  Largohen për të fituar lirinë dhe pavarësinë prej antishtetit, antiligjit, korrupsionit; largohen për të fituar pavarësinë dhe sigurinë prej pasigurisë së jetës, varfërisë dhe papunësisë që kanë në shtetin e tyre; largohen për t’i shpëtuar pasigurisë ekonomike dhe  egoizmës politike e vetëgjyqësisë. Dhe po pyes edhe këtu përsëri se “a është apo nuk është kështu”?

Skënder S.KAPITI, Durrës

Kjo ishte letra e 4-t, Anketë  drejtuar publikut me anë të medias suaj, mbi problemin se si është aplikuar Demokracia në Shqipëri kryesisht, por edhe ne Kosovë krahasuar me ate se cfarë duhet të jenë demokracia, por edhe shteti, ligji, drejtësia  dhe vlerat e standartet  demokratike  sipas filozofisë politike dhe  demokracisë amerikane, pragmatizmit anglez, historicizmit heroik gjerman dhe të realizimeve dhe përvojës perëndimore.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora