Mendime
Kapiti: Ministri Manjani dhe Reforma në Drejtësi
E enjte, 17.03.2016, 09:13 PM
Ministri
Manjani dhe Reforma në Drejtësi
Nga Skënder S. KAPITI
Shkak i nxitjes për të shkruar këtë shkrimi është impenjimi dhe përkushtimi real, serioz dhe i përgjegjshëm i Ministrit të Drejtësisë z. Ylli Manjani për vënien në normalitet dhe në funksion të qytetarëvve dhe të Shtetit shqiptar të sistemit të Drejtësisë, gjë e cila është dhe përbën faktikisht Reformën e Drejtësisë. Ka rreth tre vite që kryetema dhe kryeproblemi i shqiptarëve, i shtetit shqiptar dhe i integrimit të Shqipërisë është reformimi i drejtësisë, i sistemit të kalbur të saj nga papërgjegjshmëria, keqfunksionimi dhe korrupsioni. Ka shumë kohë që dëgjohet e flitet e përflitet për korrupsionin në Drejtësi, për pabesueshmërinë të publikut dhe të qytetarëve të Drejtësia. Flasin për domosdoshmërinë e reformës në drejtësi politika, publiku, media po edhe vetë gjyqtarët e prokurorët aq sa është bërë deri diku retorikë e bajatshme. Duke parë dhe analizuar deklarimin e Ministrit Manjani dy ditë më parë me 15 Mars 2016 në një tryezë të organizuar nga OSBE ku Ministri u bën thirrje të gjithë gjyqtarëve të çdo niveli me fjalët “zbatoni ligjin, kthehuni në rrugë ligjore, kthehuni në rrugën normale”, dhe vazhdon se “asnjë tolerancë nga ana ime për cilindo gjykatës që del në drejtim të paditur. Do të bëj të pamundurën bashkë me KLD që të bëhet vlerësimi i juaj. Filloni të kuptoni se askush nuk ju merr në mbrojtje”, thirrje që i bën një Ministër Drejtesie, i cili ka një përkushtim serioz ndoshta për herë të parë që prej 25 vitesh të tranzicionit në Shqipëri për zbatimin i ligjit dhe për funksionimin e shtetit ligjor. E them këtë duke parë e konstatuar aktivitetin energjik të tij për një gjithpërfshirje institucionale për bërjen e Reformës në Drejtësi, të zbatimit të Ligjit dhe ndërtimit të Shtetit Ligjor, duke kërkuar bashkëpunimin me opinionin, mediat, me të gjitha institucionet shtetërore të Parlamentit, Drejtësisë, Prokurorisë, Presidentit dhe të atyre prestigjoze ndërkombëtare. Thirrjet e Ministrit të Drejtësisë te cituara më sipër janë vetë Reforma e Drejtësisë që argumentojne edhe filozofikisht po edhe praktikisht funksionimin e shtetit dhe të shoqërisë pasi: zbatimi i ligjit ndërton shtetin ligjor; zbatimi i ligjit siguron jetën, lirinë dhe pronën e qytarëve ; zbatimi i ligjit e ruan demokracinë dhe ndërton shtetin demokratik; zbatimi i ligjit mbron Kushtetutën dhe lufton korrupsionin, dhe zbatimi i ligjit është kusht kryesor për integrimin e Shqipëerisë në BE. Po kështu në atë takim z. Ministër citojmë të ketë thënë se “ ... çdo nëpunës shteti … që shkel ligjet e shtetit për shkak të detyrës... ta gjykoni dhe ta dënoni në rrethana rënduese. Sepse një nëpunës shteti ka për detyrë të zbatojë ligjin dhe kur e shkel ligjin është në rrethana rënduese automatikisht”. Këto thirrje deklarative të Ministrit Manjani janë vetë thelbi i kushtetutshmërisë së shtetit demokratik: që të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe çdokush përgjigjet para tij, pra, edhe ligjvënësit, ligjzbatuesit, drejtësidhënësit vendimmarrës etj. Dhe pikërisht janë moszbatimi i ligjit dhe zbatimi i korruptuar, kriminal dhe politik i tij, vetëgjyqësia e bërë nga politika, drejtësia, korrupsioni dhe paraja, ato të cilat e kanë degraduar shtetin dhe kanë bërë të mundur mosfunksionimin e tij, të shoqërisë dhe të drejtësisë në Shqipëri. Gjykoj se jemi, pra dakord me ato se çfarë kërkon dhe bën thirrje Ministri i Drejtësisë, pasi edhe poqese bëhet Reforma Institucionale në Drejtësi, në fund të fundit që drejtësia të bëjë rolin , efektin dhe detyrën e saj; drejtësia duhet të bëjë pikërisht atë se çfarë u bën thirrje Ministri aktual Manjani gjyqtarëve:”zbatoni ligjin”! që do të thotë thjesht, shumë thjesht: se Reforma në drejtësi para së gjithash është Zbatimi i Ligjit.