E enjte, 10.10.2024, 05:50 PM (GMT+1)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Në grazhd të lopëve politike

E marte, 15.03.2016, 09:29 PM


VIÇAT E PALËPI NË GRAZHD

TË LOPËVE POLITIKE

NGA KALOSH ÇELIKU

Im Atë, gjatë gjithë jetës shpesh-herë ma përsëriste një thënie popullore të trashëguar brez pas brezi: Besë ki, por besë mos i zë as këmishës tënde të natës! Nuk dihet, nesër cilën këmishë e ke veshur pasmesnate.

Porosia e tij antologjike, ende mua më mban gjallë si shkrimtar. Nateditë më ndjek pas shpine. Ose, siç duket e kam Engjullin tim Mbrojtës Grua. Moti e kam thënë nëpër libra: Tri Engjuj Gra më prinë në jetë për në Baba Tomor. Njëra më pri para, e Dy të tjerat më mbajnë për krahu. Dhashtë Zoti, të më prinë para edhe në këtë kohë pjellore, kur Lopët tona politike për çdo vjet, pjellin nga dy viça të palëpi! Edhe, atë: Populli shqiptar kur është në rrezik! Shqiptarët, ende pas kaq viteve “demokracie”, nuk mund të vënë një rend, rregull në politikë, arsim dhe kulturë. Hijet e tyre lugetër me vite na ndjekin pas shpine dhiareve hap pas hapi: në rrugë, kafene, punë, jetë. Kutadi unë, ndoshta edhe në varr, rrëzë Çukës. Përçudi, edhe sot e kësaj dite, po të njëjtit partizanë i ngatërrohen me vite popullit shqiptar nëpër këmbë.

Duartrokitje! Sot, rastësisht i pash edhe personazhet e mi të librave publicistik kokë më kokë: Xhadisë, Rrufjanit dhe Lavdi “heronjëve” të Xhadisë. Erdhën sipas detyrës policore. Interesant, njëri më kërkoi edhe falje, që nuk mundet sot të ulet me mua në tavolinë. Arsye: e kishin lënë të takohen me dikend tjetër të punës “profesionale”.

Pavetëdije se, unë çdo gjë e kisha regjistruar më herët për këtë shkrim publicistik. Tashti, isha diku nga përfundimi i ngjarjes historike. Moti kohë i kam lexuar në sy dhe fytyrë këto kalorës të arratisur, faqe pas faqeje si një libër “besteller” kalorësiak. Papritmas, shoqëruesi i tij me celular në vesh kaloi aty pari dhe, kur më pa mua u përpoq t’i ikë disi këtij shkrimi publicistik. Rrugën mori me të katra para këmbëve të Kalit të Skënderbeut. Punë tjetër është ajo se ato, herë pas here uleshin rastësisht me mua në një tavolinë, jo për t’ua paguar një pije, ose për të blerë ndonjë “sekret” antishtetëror nga unë për punën e tyre “patriotike”,  por për t’i parë populli se rrinë me një shkrimtar të “rrezikshëm” për Shtetin e “përbashkët demokratik”. Indirekt, t’ua thonin atyre partizanëve të Nënës Parti: Punemadhe çka mendoni ju si politikanë, ne jemi patriotë me tapi në shërbim të popullit shqiptar dhe Atdheut.

Pas pak kohe u kthyen njëri pas tjetrit në lokal. Edhe, u ulën kokë më kokë në fund të sallës. Hallin e kishin tek zgjedhjet e jashtëzakonshme. Tavolinë më tavolinë shkonin duke marrë mendimin e popullit. Cila Parti politike do të fitojë në zgjedhjet e ardhshme të qershorit?! Ndryshimi i ditës sotshme, nuk u ulën në lokalin tjetër partiak, përkarshi që t’i shoh Nëna Parti. Edhe pse, ato deri më sot i kishin shëtitur të gjitha partitë politike shqiptare në pushtet. Nuk dolën në përurimin e Shqiponjës dykrenare në Çair, e as në protestat “paqësore” qytetare kundër vendosjes së kryqit në Butel. Kohën e fundit. kanë filluar t’u vardisen edhe partive “demokratike” politike maqedonase, si dhelpra kur i shkonte pas dashit, mos i bien ato të shkreta udhës.

Qesha, vetëmevete. Ende siç duket nuk e paskan kuptuar se cila parti do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare të pesë qershorit 2016 -të. E, “fakirët” symbyllazi turren pas torbës taxhisë në grazhd. E kanë shitur veten shumë lirë për një çorbë pule. Padashtas, edhe shpërthej si shkrimtar, po me këto dudumë, që të gjithë duan të bëhen kryetarë të partive politike, si do të bëjmë Shtet shqiptar, Shqipëri Etnike?! Secili, kur nuk ia arrin qëllimit politik, themelon edhe partinë e vet politike. Mendja ma thotë se, kështu siç e kanë nisur këto partizanë të arratisur partiak, shpejt do të vijë koha, kur një ditë do të kemi më shumë parti politike, sesa shqiptar. Fatmirësisht, mes këtij dëshprimi me partizanët e arratisur partiak, në ndërkohë, m’u paraqitë me telefon edhe një koleg imi për kafe. Iu përgjigja se, jam në kafene, vendin e punës. Hë pë hë, turrem pas një teme fenomen shqiptar, që pritet ta publikoj së shpejti në libër. Mund të kthejsh, nëse ke kohë për ta rrokullisur ndonjë ibrik me raki rrushi.

Papritmas, brenda pak kohe erdhi edhe Hoxha i Allahut, si partizan partiak i pulave qafërjepura, në rolin e bombahedhësit partizan, dëshmorit Boshko Buha të “bombave” politike në mesin e Partive Politike Shqiptare. E porositi një çorbë pule. Përkarshi meje, ai filloi të më provokojë me fjalë në politikë tavoline. Iu përgjigja: nuk ndërrojë fjalë nga tavolina, në tavolinën tjetër, pranë dritares. Heshti. Kamarieri e solli verën e kuqe “Aleksandria” dhe picën (specialitetin) e Shtëpisë. Matanë tavolinave, Hoxhës Allahut i shkrepi kurreshtja se, cili ma kishte paguar drekën festive: ndonjë politikan apo parti politike. Veprim rasti, që shpesh ndodhte me lexuesit e mi besnik: përmes kamarierit të më përcillnin pije, ose ndonjë drekë sipas dëshirës. E ngacmoi kamarierin me fjalë: E, për mua Hoxhën e Allahut, nuk ka drekë pa para, si ajo e shkrimtarit?! Jo, iu përgjigjë kamarieri, për ty është “haram”, duke vazhduar rrugën pas porosive të mysafirëve.

Dikur, pak pas kohe, miku im besnik më propozon që të shkojmë në një Manifestim Poetik Pranveror. I përgjigjem, nuk kam ftesë, shkaku një shkrimi kritik publicistik. Unë shkoj pa ftesë vetëm në rast vdekjeje, por jo edhe në dasëm të partive politike. Përmëtepër, në një manifestim kulturor tradicional poetik, që unë me mikun tim poet e kemi themeluar dikur edhe si Klub i Shkrimtarëve Shqiptar në kohë të vështira, para tytës së armëve. Vite me radhë e kemi mbajtur gjallë, e kemi çveshur nga politika ditore. Vit për vit e kemi veshur me gunën pranverore, që sot partizanët e partive politike t’i reklamojnë para kamerave televizive mallërat e tyre të koperativave bujqësore me afat të skaduar përdorimi ekonomik, në Bit - Pazar.

Ditën e nesërme, e takoj po në të njëjtën kafene edhe mikun tim të penës, që kishte marrë pjesë në atë Manifestim Kulturor Poetik. E porosoti për vete një çorbë viçi. Unë porosita një raki rrushi. Edhe, e pyes rreth përshtypjeve të organizimit dhe pjesmarrësve në atë Manifestim Poetik Pranveror. Miku poet pa sherr, më përgjigjet me emra e mbiemra. U kënaqëm duke lexuar poezi e shpërblyer me çmime letrare njëri - tjetrin për “vlera të arrira” artistike. U dehëm, u bëmë tapë me pije “hallall”: “fanta”, ujë gline e “kokakola”, shoqëruar me këmbë pule duke udhëtuar me muaj përmes ujërave të oqeaneve nga Amerika në Atdhe. Vërtetë vëllçko, më në fund u binda se, edhe ne poetët jemi bërë mu si hoxhallarët. Mezi presim organizimin e ndonjë manifestimi kulturor, të përkujtojmë ndonjë poet që ka ikur nga kjo jetë, ose bëjmë përurimin e librave të ”shekullit” me ftesë e pa ftesë të marrim pjesë nëpër këto takime kulturore.

Qesha se, m’u kujtua pjesmarrja ime e para disa viteve në këtë manifestim poetik kulturor “hallall” përplot “fanta”, ujë gline e “kokakola” pa asnjë gotë raki rrushi e vere, Manifestim poetik, ku ua përplasa në sy organizatorëve: mua më keni ftuar në “Mevlud”, apo në manifestim poetik?! E ulën kokën. Miku im poet u çua nga tavolina, edhe pas pak kohe u kthye me një shishe verë të kuqe. Thashë, me vete: Edhe kësaj radhe shpëtuam nga dudumët e Nënës Parti. E hapa çantën dhe e nxorra “kashikarën” time me raki rrushi: Eh, tashti mund t’i fotografojmë para kamerave televizive partizanët e partive politike, të lexojmë poezi gjithë natën, edhe ta lëvdojmë njëri-tjetrin, por jo me bark të zbrazët, “fanta, ujë gline e “kokakola” përpara mbi tavolinë.

Miku im në vazhdim të bisedës, në mesin e poetëve e përmend edhe një shkrimtar pjesmarrës të “përndjekur” politik nga sistemi komunist, të cilin unë rastësisht e përcolla në një emision kulturor letrar. I dënuar në atë kohë nga Partia Komuniste e Neokomuniste me vende pune: gazetar, reporter i lirë e redaktor në redaksi, banesë shoqërore, Çmime shtetërore të “vëllazërim-bashkimit”, ministër i informatave e zv/ drejtor i MTV -së.

Tashti, e kuptova edhe këmbëngulejn e mikut tim besnik, që me çdo kusht donte të më marrë me veti në atë Manifestim Kulturor Poetik Pranveror. Dasëm politike, të cilën unë para disa viteve e pata pagëzuar “Mevlud” hoxhallarësh. Krah për krahu donte të më shti në një thes me arna me Burrin e botës, që pa fije turpi  në një emision “letrar” në Radio Shkupi, shpalli edhe listën e shkrimtarëve shqiptar në IRJ të Maqedonisë, të cilët nuk i njeh jo vetëm nëna e tyre, por as Katundi i Madh, rrëzë Sharrit Plak…



(Vota: 32 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora