Faleminderit
Bajram Çeliku: Trimi që nuk njhte dy flamuj kombëtar
E marte, 08.03.2016, 08:58 PM
NEFRUZ ÇELIKU - TRIMI QË NUK NJIHTE DY FLAMUJ KOMBËTAR
NGA BAJRAM ÇELIKU - BALI
Lexues i nderuar, sot vendosa të shkruaj një tekst historik, i cili i përkushtohet një trimi sypatrembur nga fshati Cërvicë i Kërçovës. Burrit të pushkës, që duke u dalë zot Trojeve Etnike Shqiptare, ra dëshmor në vjeshtën e vitit 1943, mbi fshatin Garanë të Kërçovës. Ishte ky Nefruz Isen Çeliku, i cili nuk njihte dy flamuj kombëtar, por vetëm një, edhe atë, Flamurin shqiptar me shqiponjën dykrenare në mes të pëlhurës së kuqe, që e qëndisi dikur Marigona, për nderë të shpalljes së pavarësisë në vitin 1912, në qytetin e Vlorës heroike.
Ky trim sypatrembur, dy herë me radhë, theu derën e Zyrës së Vendit, dhe nga kulmi i sajë, zbriti Flamurin Serb, duke ia dhënë zjarrin, e në vend të Flamurit Serb, përsëri vendosi Flamurin Shqiptar, me shqiponjën dykrenare në mes mbi çati. Trimi mbi trima nga Cërvica, me këtë veprim u jepte sinjal të qartë pushtuesve serb e bullgarë, se ky vend u takon vetëm shqiptarëve, dhe se për pushtuesit serb e bullgar nuk kishte vend këtu nën një çati.
Nefruz Çeliku lindi në vitin 1877, në fshatin Cërvicë të Kërçovës, si djali i vetëm i Isen Çelikut, dhe kishte vetëm një motër me emrin Fatime. Rritej me tipare të një burri që nuk i trembej syri kurrë. Gjyshi im Emin Çeliku dhe familjarët e tjerë, tregonin se kur hidhërohej ai dridhej toka, sa që kurrkush nuk ia bënte fjalën dy në konak. Se, ishte me të vërtetë trim mbi trima, rrëfente gjyshi im me nagantin në brez e bombat nëpër xhepat e strukes hedhur krahëve. Fakti dëshmon se, duke kaluar natën rrugën pas Kodrës e Çukë, e cila ndodhet në mes të fushës, dhe pranë fshatit, befas e paska sulmuar një ujk i uritur. Trimi sypatrembur, tregonte gjyshi e mbërthen ujkun për fyti dhe ia merr shpirtin aty për aty mes lisave, tek Kodra e Çukës e pyllëzuar me dru lisi. Pasi rritet dhe bëhet burrë, martohet dhe i lind një djalë me emrin Asan dhe një vajzë me emrin Hasime. Nga djali Asani, fiton nipërit Isenin të cilin e pagëzon me emrin e babait të tij, me qëllim që të përtërijë emrin e babait, dhe Osmanin e Imerin. Nga djali Asani i lind edhe mbesa Sulltana.
Mbi trojet Etnike Shqiptare, fryenin erëra të zeza, tregonte gjyshi im. Kërçova pasi shpëtoi nga kthetrat e Turqisë barbare, pa dashur ajo shpesh binte herë nën pushtimin e Serbisë e herë nën atë të Bullgarisë. Trimat shqiptarë të këtyre anëve me armë në dorë, mbronin Trojet Etnike, që i trashëguan nga të parët e vet. Një nga këto trima ishte edhe Nefruz Çeliku, i cili me pushkë në dorë sulmonte, armikun qoftë ai serb apo bullgar. Serbisë dy herë ia zbriti flamurin, nga Zyra e Vendit, që qe i vendosur në fshati fqinj në Osllome me banorë të konfeksionit ortodoks, dhe në vend të tij vendoste flamurin shqiptar. Shpesh-herë ia vente edhe zjarrin Zyrës së Vendit, e si pasojë, ditëve të sodit mungojnë shumë datëlindje të stërgjysheve tanë, jo vetëm nga Cërvica por edhe të fshatrave tjerë për rreth Kërçovës.
Fillimi i Luftës së Dytë Botërore, e hutoi edhe më shumë. Kërçova ishte e sulmuar nga forca të mëdha në përbërje të serbëve, malazezëve e krishterëve vendas, të pagëzuar si partizanë, dhe forcave pushtuese bullgare, që synonin Trojet Etnike Shqiptare. Si rast i parë, ku ai nuk mundi të durojë, ishte ai në fshatin Premkë, i cili asaj kohe qe nën sundimin italian, e mbrojtur me karabinierë, i njohur si Stacion Policor Italian. Ishte vjeshtë, më tregonte babai i im Ramë Çeliku, isha nxënës i klasës së dytë. Mësuesin e kishim nga Shqipëria, e quanin Lajq Preqi. Edhe fshatrat tjerë mësuesit i kishin nga Shqipëria, me përjashtime të vogla, ku mësuesë kishte edhe nga fshatra të Kërçovës, e qytete të Maqedonisë së sotme. Afrohej Dita e Flamurit, 28 Nëntori, ku të gjithë nxënësit nga Rrethi i Kërçovës, kishin vendosur që së bashku me prindërit e tyre ta festojnë përvjetorin, në fshatin Premkë. Një ditë më parë, mësuesi Lajq Preçi, u kishte thënë nxënësve që mësonin në Cërvicë, që ditën e nesërme nëpër strajcat e tyre prej pëlhure, të mos shtinin, as libra e as fletore. Në vend të librave dhe fletoreve, të shtinin ushqim dhe ujë për pije, sepse do të shkonin në Festën e Flamurit, në fshatin Premkë, krah për krahu me prindërit e tyre.
Ashtu edhe ndodhi ngjarja.Herët në mëngjes, mësuesi me nxënësit e tij dhe prindërit, të cilët me tupana dhe zurle, dhe duke hedhur valle dhe kënduar këngë, nisen në drejtim të fshatit Premkë, ku në afërsi të fshatit Garanë, grupit iu bashkangjit edhe mësuesi tjetër nga Shqipëria, e më vonë edhe mësuesi i fshatit Shutovë, dhe arrijnë te vendi i caktuar ku do të mbahej manifestimi madhështor. Cërvicasit, tregonte babai im Ramë Çeliku, gjatë rrugës nuk pushonin duke u rënë veglave muzikore, e duke kënduar këngë patriotike. Kjo i kishte nervozuar fshatarët me konfeksion ortodoks nga fshati Premkë, të cilit ishin ankuar tek Stacioni Policor, i vendosur në këtë fshat, që të ndalet vallja dhe kënga e përcjellur me vegla muzikore.
Karabinierët italianë kishin dalë përpara këtyre njerëzësh të disponuar për të festuar, por Cërvicasit, nuk e ndalnin as vallen e as këngën patriotike, për to kjo ditë kishte një domethënie të madhe. Dikur, delë kryeshefi i karabinierëve dhe jep urdhër që të mos dëgjohen zërat e zurleve dhe tupanëve, por mësuesit dhe fshatarët e disponuar nga Cërvica, nuk e kishin ndërmend që ta ndalin disponimin dhe gëzimin e tyre historik. Që të qetësohet situata e krijuar, mësuesi Lajç Preqi shkon në zyrën e kryeshefit të policisë, por ai i kërcënohet dhe kapet për revolveri të cilin e mbante në brez. Kjo e nervozon Lajç Preqin, i cili si rrufe kacafytet me të, duke u munduar që t’ia rrëmbejë armën e brezit. Në ndërkohë, mësuesit në ndihmë i vjen një fshatar nga fshati Shutovë, nga mëhalla Pashalije. Sipas rrëfimit të babait tim me emrin në përgëdhelje Hejmi. Ky fshatar trim, kur sheh se mësuesi nga Shqipëria është kapur fyt për fyt me kryeshefin e policisë së Premkës, nga brezi nxjerrë një hanxharë të mprehtë dhe me disa goditje ia merr jetën kryeshefit të policisë italiane. Mësuesi Lajç Preçi merr revolen nga brezi i kryeshefit të policisë italiane, dhe së bashku me fshatarin nga Shutova dalin jashtë, por atje hasin në të shtëna pushkësh që vinin nga karabinerët italianë. Mësuesi Lajç Preqi, strehohet në një përrua aty afër dhe me revolverin e rrëmbyer sa herë qet, nga një karabiner vret. Babai im, Ramë Çeliku rrëfente se ai vetë qe strehuar pranë mureve të një kasolle. Kur më pa mësuesi aty të strukur, më urdhëroi që t’u bashkangjitem shokëve tjerë të shkollës, por unë drejtova gishtin përpjetë mbi trerët e kasolles ku qëndronte një fshatar maqedonas, me një bombë në dorë, me qëllim që të vriste mësuesin tim të dashur. Mësuesi e pa fshatarin maqedonas me bombën në dorë, dhe me një shkrepje revolveri e goditi në lule të ballit, duke e lënë të vdekur në tokë. Dhe, doli nga përroi ku ishte strehuar, më ngriti deri në brez me një shpejtësi si rrëfeja më solli te shokët e shkollës, dhe morëm drejtimin për në Cërvicë. Rrugës duke kaluar nëpër fushë arritëm deri te lumi, i cili atë ditë vjeshte e kishte mbushur shtratin, dhe për ne fëmijtë ishte i vështirë për t’u kaluar. Vend kalimi ndodhej afër mullirit në pronësi të një fshatari nga Shutova, e mësuesi Lajç Preqi, na merrte nga dy nxënës nën sjetulla dhe na nxirrte matanë lumit.
Trimi sypatrembur Nefruz Çeliku, kur i dëgkon krismat e pushkëve në Premkë, rrëmben pushkën dhe del në oborr, e jep kushtrimin! Dilni bre burra se, na i vranë fëmijtë! Së bashku me disa trima tjerë nga fshati me pushkë në dorë nisen në drejtim të Premkës. Tek lumi, e takojnë mësuesin i cili dy nga dy i nxirrte në anën tjetër të lumit. Këto fshatarë trima nga Cërvica ndihmojnë mësuesin dhe i sjellin fëmijtë shëndoshë e mirë në fshat. Në mesin e këtyre fëmijëve ndodheshin edhe nipërit e Xha Nefruzit, Iseni dhe Osmani.
Pasi arrin në fshat me nxënësit e vet, Lajç Preqi, u thotë atyre dhe prindërve të pranishëm, se: nga dita e nesërme do t’i mësojë një mësues tjetër, sepse ai do të ndiqet nga karabinjerët italianë dhe se është i detyruar të kthehet në Shqipëri. E, kur do të piqen kushtet do të kthehet përsëri në Cërvicë që t’i vizitojë. Kështu edhe ndodhi, pas disa viteve ai me të vërtetë vjen në Cërvicë ku pritet me një mikëpritje të ëmbël nga burrat e këtij fshati.
Papritmas, vijnë pastaj edhe ditë të zeza për shqiptarët e Kërçovës, rrëfente babai im Ramë Çeliku. Forca të mëdha serbe, malazeze, maqedonase e bullgare, sulmonin fshatrat e banuara me shqiptarë, duke vrarë, djeg e masakruar fshatarë të pafajshëm shqiptarë. Tortura të egra përdoreshin nga këto barbarë gjaketur. U vranë shumë shqiptarë të pa fajshëm vetëm e vetëm se ishin shqiptarë. Zhvilloheshin luftëra të ashpëra në mes të Ballit Kombëtar dhe forcave pushtuese, por shqiptarët e Kërçovës, me dinjitet i mbronin trojet e tyre etnike, dhe gjithmonë me pushkë në dorë luftonin kundër pushtuesve, duke ua treguar rrugën nga kishin ardhur.
Një luftë e tillë u zhvillua edhe mbi fshatin Garanë, në mes të Ballit Kombëtar që mbronte Trojet e veta Etnike dhe ushtrisë okupatore bullgare që vinte nga lindja, me qëllim të pushtojë Trojet Shqiptare. Shqiptarët, tregonte gjyshi im, në vjeshtën e vitit 1943, ishin të përqendruar në maje të malit të fshatrave Shutovë dhe Garanë, ndërsa ushtria bullgare sulmonte nga fshatrat Krushicë dhe Orllancë. Pas një lufte të ashpër, shqiptarët zbrapsën ushtrinë bullgare, por më vonë ato sa që vinte shtonin numrin e ushtarëve dhe vinin me armatim të rëndë. Komandantët e Ballit Kombëtar, nga rrethi i Zajasit dhe Rretheve, si që emrohen edhe sot e kësaj dite fshatrat e komunës së Osllomes, duke pa se armiku përdorte armë artilerike, vendosin të tërhiqen pak më poshtë në Garanë, duke mashtruar forcat bullgare, kinëse shqiptarët tërhiqen para forcave bullgare, e pastaj në kundër ofensivë t’u shkaktojnë dëme në ushtarë. Të gjithë ushtarët mbrojtës shqiptarë filluan të tërhiqen pak më poshtë. Në maje të malit mbeti vetëm Nefruz Çeliku. Shokët e lutën që edhe ai të lëshojë pozitën e zënë, por ai nuk i dëgjoi shokët. Nuk i jap asnjë pëllëmbë toke bullgarit qe përgjigjur ai. Kjo tokë është shqiptare, e shqiptare do të mbesë për deri sa të jem unë gjallë. Nuk kemi tokë për të dhënë as për serbin e as për bullgarët. Këtu kemi lindur e këtu do të vdesim si burra. Kush e ndjen veten shqiptar e burrë, le të ndalet këtu me mua. Unë nuk e lëshoj këte vend pa e rrafshuar me plumba. E mbrojtën ata para meje, do ta mbroj edhe unë, deri sa të jem gjallë. Lufta vazhdonte e bullgarët ofroheshin pak nga pak tregonte gjyshi im, Emin Çeliku. Ne të tjerët zbritëm pak më poshtë sipas urdhërit të dhënë nga komandantët e Ballit Kombëtar. Në maje të kodrës mbeti vetëm Nefruz Çeliku. Bullgarët ofroheshin ngadalë e Xha Nefruzi luftonte si luan në maje të kodrës mbi Garanë. Kishte vra mbi 80 bullgarë, por trimit sypatrembur iu kishin mbaruar edhe fishekët dhe sasia e bombave të dorës, kishte lënë vetëm një bombë dore për të vra veten, me qëllim që mos biente i gjallë në duar të bullgarëve.
Bullgarët i ofrohen me pushkët me thika përpara me qëllim që ta copëtojnë me thika, por trimi sy pa trembur, kur bullgarët i ofrohen afër, shpërthen bombën e fundit që e mbante në dorë, duke plagosur veten për vdekje dhe duke vrarë një numër të madh bullgarësh. Kështu trimi sypatrembur nga Cërvica e Kërçovës bie si dëshmor i kombit, në mbrojtje të trojeve Etnike shqiptare me fjalët: - Kthehuni prapë o bullgar, këtij vendi i thonë Shqipëri ... Këtu nuk ka vend për bullgarë...
Paslufte, kur ofrohet komandanti i ushtrisë bullgare, dhe sheh këte trim të vetëm të përgjakur nga plagët që ia kishte shkaktuar bomba e dorës urdhëron ushtrinë bullgare që të kthehet prapë nga kishte ardhur, se trima të tjerë si ky na presin edhe më poshtë. Këtu nuk ka vend këtu për bullgarët kishte thënë ai
Pas tërheqjes së ushtrisë bullgare, një grup trimash nga Cërvica si Kamerr Ballazhi, Halil Dervishi (Begu), shkojnë në vendin e ngjarjes dhe e gjejnë ende gjallë Nefruz Çelikun. Fjalët e fundit nga Nefruz Çeliku kanë treguar ata, kanë qenë: Thoni djalit tim Asanit, që të kujdeset mirë për nipërit e mi: Isenin, Osmanin dhe Imerin. Le të m’i rrisi e ruaj si sytë e ballit. Le të mos lejojë të bijnë në dorë të shkaut... Pas kësaj ngjarje, tregonte gjyshi: trupin e pajetë të Nefruz Çelikut, shokët e luftës Alil Dervishi (Begu), Kamerr Ballazhi e fshatarë të tjerë nga Cërvica e sjellin deri te Jasakët e Spahie, në afërsi të restorantit të sotëm Gara, ku para u dalin familjarët e vet dhe trupin e pajetë e sjellin në shtëpi, e pastaj e varrosin me nderime luftarake, në varrezat e fshatit Cërvicë, rrëzë Çukës.
Pas Luftës Dytë Botërore, aty kah viti 1950, duke dëgjuar sesi ka dhënë jetë për të mbrojtur Trojet Etnike Shqiptare, Mareshali Josip Broz Tito, kryetar i RSFJ, jep urdhër që ky trim sypatrembur të shpallet hero i popullit, por klika serbe me në krye Rankoviqin, reagon ashpër duke thënë se Nefruz Çeliku, përveç që ka qenë kundër bullgarëve ka qenë edhe kundër Serbisë duke ia djegur dy herë flamurin serb. Kështu që asaj kohe, në vend që të shpallet hero i popullit i jepet vetëm një dekoratë, si shenjë nderimi për trimërinë e tij mes maleve të Garanës.
Jeta e këtij trimi sypatrembur mbaron në moshën 66 vjeçare, por vepra e tij nuk do të harrohet kurrë. Ai ishte burrë i cili në Trojet Etnike Shqiptare nuk njihte dy flamuj. Ai legjitim njihte vetëm flamurin Kuq e Zi, me shqiponjën me dy krerë. Tjetër flamur nuk pranonte të valvitet mbi Trojet Etnike Shqiptare. Emri i tij dhe vepra e tij nuk do të harrohet jo vetëm nga Cërvica, por edhe nga i gjithë rrethi i Kërçovës dhe mbarë populli shqiptar.