Editorial
Skënder Kapiti: Thank You, USA!
E merkure, 30.12.2015, 06:47 PM
THANK
YOU, USA!
Nga Skënder S. KAPITI
“Beteja” e zhvilluar mes SHBA me politikën e Tiranës për dekriminalizimin dhe për Reformën në Drejtësi të cilën ambasadori amerikan për nga rëndësia e vlerësoi si reformën e vetme më të rëndësishme që prej rënies së komunizmit në Shqipëri, vlerësim ky i bërë prej tij e që është më se real e i vërtetë në funksion dhe si domosdoshmëri për integrimin e Shqipërisë në BE, dhe për këtë SHBA bindi dhe Europën që ta përkrah e mbështesë SHBA-në për kryerjen e këtyre dy reformave jetike për Shqipërinë, në ndihmë të popullit dhe interesit kombëtar shqiptar. Po kështu , që prej vizitës së Sekretares së Shtetit, Zonjës H.Clinton, para 3 vitesh në Shqipëri dhe në vazhdimësi dhe sidomos gjatë këtij viti 2015 SHBA po bejnë një presion miqësor e demokratik mbi politikanët dhe mbi qeverisjen e Shqipërisë për dekriminalizimin e Politikës shqiptare, për reformën në drejtësi dhe për luftën kundër korrupsionit, që dhe në këtë përpjekje të tyre SHBA bindën dhe Brukselin që të marrë pjesë dhe pavarësisht se pak me vonesë edhe Brukseli ju bashkangjit SHBA-ve, dhe arritën më në fund vetëm falë presionit demokratik të tyre në favor të integrimit dhe të interesave jetike të shqiptarëve dhe të integrimit të Shqipërisë që të gjunjëzojnë politikën kokëfortë, penguese, të korruptuar, antiintegruese dhe të kriminalizuar shqiptare dhe e detyruan atë që të votojë ligjin e dekriminalizimit, ligj i cili do ta çlirojë shoqërinë shqiptare nga pengmarrja e krimit, korrupsionit, tradhëtisë dhe e padrejtësisë dhe që i hap rrugën lartësimit të dinjitetit të shqiptarëve, prestigjit dhe imazhit të tyre dhe të Shtetit Shqiptar.
Dhe prandaj them se : përsëri faleminderit USA, pasi Ju SHBA keni bërë dhe po bëni shumë më tepër për zhvillimin ekonomik , për demokracinë, për shtetin ligjor , për luftën kundër korrupsionit dhe për integrimin e Shqipërisë në BE, madje në një betejë këmbëngulëse nga ana e Juaj me një pjesë të konsiderueshme të politikës dhe të politikanëve shqiptarë që punojnë kundër interesave publike e kombëtare shqiptare , aq sa Ju kërkuat dhe rrjeshtuat përkrah jush edhe diplomacinë e Brukselit në këtë ndërmarrje tjetër ndihme historike Tuajën për Shqipërinë, për konsolidimin e Pavarësisë , për rritjen e imazhit ndërkombëtar të saj, për ndërtimin e një Shteti modern ligjor, për integrimin në BE të Shqipërisë. SHBA , me të vërtetë është ajo që ka deklaruar ish-Sekretarja e Shtetit Znj. Clinton në parlamentin shqiptar në prag të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë me 01 Nëntor 2012 se: “ SHBA qëndruan me ju për 100 vitet e para të Pavarësisë, do të qëndrojmë me ju edhe për 100 vitet e ardhshme, dhe për 100 të tjera pas tyre”. Porositë e saja për ta nxjerrë Shqipërinë nga ai udhëkryq kritik ku e kishte futur politika shqiptare dhe korrupsioni, politikanët shqiptarë nuk i dëgjuan por përkundrazi vetëm sa e përkeqësuan gjëndjen dhe më keq akoma , me rritjen korrupsionit të gjyqësorit, të kriminalizimit të politikës dhe të dëmit kombëtar të tyre, kundër vullnetit e aspiratave të popullit të vet , por edhe kundër dëshirës së SHBA-së së shprehur nga Zonja Clinton që: SHBA dëshiron një ekonomi dhe demokraci për shqiptarët që të shkaktojë zili tek të tjerët, si dhe deklarimi i saj i sinqertë , dashamirës dhe më shumë se miqësor para 3 vitesh në Tiranë që : Interesi i SHBA për Shqipërinë është vetëm suksesi i Shqipërisë.
Përballë kësaj politike të SHBA-së për suksesin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, ndryshe ka vepruar dhe sillet politika shqiptare që ka ndërtuar një shtet dhe një sistem politik e juridik kriminal dhe për pasojë edhe shoqëria është infektuar rëndë nga krimi dhe korrupsioni. Veçmas është ekspozuar e duket sheshit kriminalizimi i politikës dhe i drejtësisë, deklaruar publikisht dhe sidomos kohët e fundit ndërkombëtarisht sidomos nga miku jetik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, SHBA, që e përkrahën dhe shtetet më të fuqishme të BE, të cilët këmbëngulin rreptësisht për dekriminalizimin e politikës dhe të sistemit të drejtësisë. Në përputhje të plotë me këtë konstatim dhe impenjim të SHBA erdhi dhe Raporti real më i fundit i OSBE në Shtator 2015, që ishte një raport skandaloz me akuza të rënda, rrënqethëse e të pabesueshme kundër politikaneve , pushtetarëve dhe politikës më të lartë të pushtetit dhe të opozitës shqiptare dhe një vargu të gjatë të deputetëve të parlamentit shqiptar, aq sa të nesëmen pas botimit të këtij Raporti eurodeputeti Kukan u shpreh se: “Parlamenti shqiptar më kujton kohën e kaubojve të Perëndimit të Egër”.
Pasojat e kriminalizimit të politikës, korrupsioni i drejtësisë dhe ai gjithëinstitucional e kanë qorrollepsur dhe e kanë futur shoqërinë dhe shtetin shqiptar në një qorrsokak të madh sa që është gati si e pabesueshme që të dekriminalizohet politika, po dhe shteti e shoqëria, pasi : në këtë tranzicion pothuajse shumica e qytetarëve shqiptarë që ju ka dhënë mundësia e shansi për të pasur një detyrë , post e vulë publike, duke filluar që nga president qofte ai, deputet, kryeministër, ministër, drejtor drejtorie, gjyqtar, prokuror, kryebashkiak, rektor, profesor, kryetar partie e shoqate, tatimor, doganier, shef, polic, mjek , pedagog, administrator, kryeplak, avokat, komisioner testimi, tenderimi e privatizimi dhe ushtria e marifetxhinjve dhe sekserëve pranë tyre, ata, kanë spekulluar , janë dhe kanë korruptuar; janë kriminalizuar e pasuruar duke zhvatur edhe qytetarët, edhe shtetin.
Po, përsëri pyesim, se kush janë fajtorët më kryesorë pse jemi kështu, në këtë gjëndje vazhdimisht, në mënyrë të përsëritshme, të pariparueshme dhe të pakorigjueshme? Janë këta injorantë dhe hipokritë që flasin e filozofojnë shumë, besdisshëm dhe neveritshëm, e që veprojnë, akuzojnë, mashtrojë e gënjejnë për t’u justifikuar dhe për të fshehur poshtërsitë, mëkatet , tradhëtitë dhe korrupsionin e vet; janë ata që vështirësojnë , bllokojnë e pengojnë të mirën, progresin, prosperitetin dhe integrimin e Shqipërisë. Dhe ata janë: politika, politikanët dhe pushtetarët e këtillë që gjithnjë të këtillët nuk po na ndahen dhe i kemi pasur, po dhe i kemi në krye të punëve. Si ka mundësi që të gjitha partitë që kanë marrë pushtetin kanë ardhë në pushtet me premtimin e madh për ndëshkimin e korrupsionit dhe të krimeve të paraardhësve të tyre, për ndëshkimin e krimeve, të vjedhjeve të pushtetarëve që kanë qenë pengesë për integrimin po që asgjë nuk kanë bërë përvec asaj të alternimeve dhe të mbivendosjes së krimit e korrupsionit të tyre.
Dhe rrjedhojë tjetër që vjen prej kësi soji politike është ajo se individët e rrallë: realistë , të ndjeshëm , patriotë të vërtetë, të dhimbshëm e të shqetësuar shpirtërisht për gjëndjen e rëndë sociale, për interesin publik e kombëtar, këta edhe nëse guxojnë të shprehen e të marrin ndonjë nismë për të ndryshuar e përmirësuar, ata mbesin vetëm , të braktisur e të izoluar si nga politika, opinioni dhe shoqëria , ku të parët janë ,pra politikanët e kriminalizuar ,dhe të dytët opinioni dhe shoqëria që edhe ata janë të sunduar po edhe të manipuluar nga politika e kriminalizuar, por edhe është real edhe fakti se shoqëria dhe opinioni shqiptar manipulohen lehtësisht pasi dhe u pëlqejnë jo pak korrupsioni, gënjeshtrat fantastike të mashtruesve publik e politik të cilët sa herë e ftojnë popullin: populli i duartroket, i brohoret dhe ua mbush sallat dhe sheshet. Edhe ndërkombëtarët pothuajse dështuan për arësye të kësaj gjëndje mjerane ku ndodhet shoqëria shqiptare, gjëndje të cilën ja ka imponuar politika e keqe e politikanëve shqiptarë.
Por SHBA, miku dhe aleati jetik i shqiptarëve gjithnjë i ka qëndruar pranë popullit tonë duke na inkurajuar dhe ndihmuar për ndryshim dhe për përmirësimin tonë : të progresit, demokracisë dhe integrimit, me ndihmën e pandërprerë të dhënë prej tyre për ta civilizuar civilizisht e demokratikisht shoqërinë shqiptare duke i bërë thirrje shpesh shqiptarëve dhe shoqërisë që të luftojnë korrupsionin si p.sh .”ACT NOW” , “MOS I VOTONI KANDIDATËT ME REKORDE KRIMINALE”, etj.etj. Por, kur populli nuk kundërshton dhe nuk proteston p.sh. edhe kur atdheut të tij i hiqen territore dhe i “falen”ato Greqisë; kur i vidhen nga tatimorët dhe doganierët miliona e miliona euro, kur i rriten vazhdimisht cmimet e mallrave të konsumit , të karburanteve dhe i energjisë, kur i rriten taksat dhe kur rritet mjerimi e varfëria dhe numri i të papunëve, atëhere nuk është vetëm faji i atyre shkaktarëve që i citova më sipër, po dhe shoqëria e ndodhur dhe që pajtohet me këtë gjëndje është vetë bashkëfajtore për vuajtjet e veta, dhe i bie shkurt që për të shpëtuar prej këtij realiteti të pakëndshëm njerëzit zgjedhin rrugën e gabuar, atë të eksodit. Kjo i ndodh asaj shoqërie që është e papjekur moralisht e demokratikisht , e paedukuar mirë fetarisht dhe filozofikisht.
Dhe prandaj, faleminderit SHBA që me gjithë këtë realitet të rëndë tonin që vjen prej politikanëve tanë kryesisht , SHBA na përkrahin e na dëshirojnë të mirën, progresin dhe integrimin. Prandaj: “Përsëri, faleminderit SHBA ” për ndihmën e madhe që po i jep shoqërisë shqiptare për ta shpëtuar atë nga kthetrat e politikës dhe të drejtësisë shqiptare të kriminalizuar dhe të korruptuar; faleminderit që i detyruat politikanët e këtij farë parlamenti të aprovojnë ligjin për dekriminalizimin e politikës, pasi ata u trëmbën nga fakti i asaj se ambasadori amerikan në Tiranë një ditë para miratimit të ligjit të dekriminalizimit deklaroi se: Ministra dhe ish-ministra të përfshirë në krime, po listojmë politikanët dhe gjyqtarët e korruptuar që nuk do të shkelin më në SHBA. Kjo do të thotë, se ky listim dhe ky ndalim për të mos hyrë ata në SHBA i diskrediton ata përfundimisht publikisht , po ndoshta shprehem dhe gabimisht po thashë se i deskrediton ata edhe moralisht , pasi amoraliteti i tyre nuk përbën e nuk njeh as skrupullin më të vogël.
Por, pas dekriminalizimit të politikës urojmë që SHBA të na ndihmojnë Ne, shoqërinë shqiptare, që t’i shkohet deri në fund dhe Reformës në Drejtësi, pasi nuk do të kishte vlerën vetëm ligji i dekriminalizimit të politikës pa zbatimin e tij , dhe që këtë e bën vetëm një gjyqësor i paanshëm , i pakriminalizuar dhe i pakorruptuar , dhe jo ky gjyqësori i sotëm që është dhe i paaftë, dhe politik , dhe i korruptuar, dhe i kriminalizuar.
Ndihma e madhe që po na japin SHBA për dekriminalizimin e politikës shqiptare dhe për Reformën në Drejtësi i shërben integrimit të Shqipërisë në BE , ku BE këto na i ka vënë si kushte kryesore për antarësimin e plotë të Shqipërisë, por që këto politika shqiptare nuk i kryen si nga pamundësia e vetëdekriminalizimit dhe e dekorruptimit të saj, po më shumë nga mosdëshira dhe vetëpengesa që është po ajo, pasi si dekriminalizimi ashtu dhe Reforma në Drejtësi i rrezikon kësaj politikës sonë dhe këtij gjyqësori aktual karrierën, biznesin e pisët të tyre me pushtetin dhe me të drejtën, si dhe vjedhjen e grabitjn e pasurive të shqiptarëve; rrezikohet që kjo politikë, këta politikanë e gjyqtarë që edhe të ndëshkohet penalisht, pse jo, e jo më të bëhet fjalë se kësaj palo politike t’i interesojë integrimi i Shqipërisë pë në BE.
Prandaj, Ne shqiptarët si popull, duhet T’i jemi mirënjohës SHBA – së jo vetëm për këtë që po bën ajo tani për shqiptarët, po edhe për atë kontribut historikisht shumë të madh të saj për egzsistencën e kombit tonë sovran e të pavarur në dy shtetet tona. SHBA është aleati jetik për popullin shqiptar dhe për këtë minimalisht të paktën duhet T’i jemi mirënjohës asaj, dhe këtë mirënjohje duhet ta kemi të përhershme dhe të sinqertë e të pastër, dhe jo mirënjohje me fjalë hipokrizie, tinëzare e pabesie si e treguan dy vite më parë protesta e manipuluar civile, protesta në parlament e PD, dhe mosmiratimi nga qeveria e sotme e propozimit amerikan për demontimin e armëve kimike të Sirisë, si një mosmirënjohje e madhe kjo që u bë për të vetmin rast ku SHBA e kërkuan këtë si mbështetje nga Shqipëria, e që në të vërtetë përsa i përkiste përfitimeve kjo ndërmarrje me rëndësi ndërkombëtare e drejtuar nga SHBA ishte , por që mbeti si një shans i humbur për shqiptarët e që vjen tepër rrallë, po megjithatë pavarësisht kësaj SHBA është dhe do të jetë përsëri aleati dhe miku më i madh i shqiptarëve, ashtu si dhe ka thënë Znj. Clinton, edhe për 100 vite të tjera , por edhe për 100 vite të tjera pas tyre.