E shtune, 27.04.2024, 08:51 PM (GMT+1)

Speciale

Faik Konica: Idealistër dhe pilafçinj!

E enjte, 30.04.2015, 08:25 PM


Rubrika Faik Konica – Histori dhe Aktualitet

Faik Konica, edukues i Kombit, për një Rilindje të vërtetë

Një nga veçoritë dalluese të gjenialitetit të Faik Konicës është angazhimi i tij patriotik për vite të tëra dhe si rrallë kush, në fushën shoqërore e psikologjike për "stërvitjen morale e sociale të popullit", siç e quante ai modernizimin e mendësisë shqiptare sipas modelit të përparuar e të qytetëruar perëndimor. Vazhdimisht ngulmoi të çeleshin sytë e mendjes të një kombi të tërë për të parë përtej fanatizmave, kufizimeve e zakoneve, me vështrimin drejt së ardhmes europiane. Dhe për këtë, kërkoi jo thjesht të lartësohej karakteri i njeriut shqiptar me spastrim shpirti nga veset e trashëguara anadollake, por para së gjithash e mbi të gjitha, ai aspiroi e punoi për të rrënjosur në zemrat e shqiptarëve ndjenjën kombëtare, për një Shqipëri të lirë e të pavarur, apo të "veturdhëruar", siç shprehet rilindasi i hershëm.

Tek merr shkas nga lëvizja xhonturke në Perandorinë osmane gjatë viteve 1907-1908, lëvizje që paralajmëronte shembjen e afërt të saj, Faik Konica parashtroi nevojën e domosdoshme të ripërtëritjes së përhershme të shpirtit kombëtar shqiptar. Më shumë se kushtetutat dhe ligjet e shkruara, ai e sheh këtë ripërtëritje, në çdo kohë e rrethanë, tek ideali kombëtar, ideal që ushqehet e vihet në lëvizje vetëm nga ata që ai i quan "idealistë", atdhetarë e kombëtarë të vërtetë, përkrahës të flaktë të kësaj çështjeje të shenjtë. "Çdo të thotë të jesh idealist?", pyet Konica. Dhe përgjigjet: 1) të të digjet zemra për Shqipëri e komb; 2) të ëndërrosh për ditë më të bukura; 3) të lartësosh mendjen drejt idealit kombëtar; 4) të themelosh një Anë (Strategji e Taktikë) Kombëtare të nxehtë dhe të fortë për përparim e lulëzim.

Po prapë, e tërë kjo nuk mjafton. Kapitenët e zotë të një anijeje përherë në furtuna të Historisë, drejtuesit e vërtetë të një kombi lypset të kenë tejpamje drejt horizontesh të reja, duke e hedhur vështrimin larg, tutje larg, dhe jo gjer te majë e hundës së tyre. Kështu, në antitezë të fuqishme, përballë idealistëve e atdhetarëve të vërtetë, Faik Konica vë të gjithë ata që ai i quan bukur: pilafçinj e zgjebo, njerëz aq të korruptuar, sa nuk e kanë për gjë të turren me lugë në brez se u bë deti kos dhe oburra t'i hyjnë kosit e pilafit bashkë! Si shkrimtar që e ka fjalën hanxhar, Konica këta njerëz i quan "zuzarë, kopukë, matrapazë, kriminelë". Për të, pilafçinjtë janë demagogët, sharlatanët, koniukturalët, pragmatistët e pështirë, që përbëjnë një klasë më vete, të kriminalizuar e korruptuar, klasën e pilafçinjëve! Ata të zhgërryejnë zorrët e barkut duke shpallur se janë atdhetarë, por i qepen aq fort kolltukut me vithe e thonj, sa nuk ka burrë t'i shkulë që andej, në mos sovrani popull me votën e  tij.

"Çfarë nënkupton idealizmi?" - pyet sërish Konica. Dhe përgjigjet: 1) kulturë të lartë; 2) përvojë në njohjen e vuajtjeve të kombit; 3) fisnikëri në gjak; 4) njohje të psikologjisë së kombit. "Po a mund të kthehet, vijon ai, në idealist një pilafçi e sharlatan?" Dhe prapë përgjigjet aq bukur, por këtë herë në formë pyetje dhe në mënyrë tepër figurative: "Po a mund t'i dalin pendët bretkosës e të fluturojë?"

Asnjëherë Konica nuk ka pasur frikë të qortojë, të godasë madje si di ai, me forcën e fjalës që zë vend e mbahet mend. Ai nuk di të dorlotojë apo të llastojë. Tek depërton nga të parët rilindas (në mos i pari) në psikologjinë e vërtetë shoqërore shqiptare për të zbuluar rrënjët e së keqes, ai e karakterizon tipin shqiptar "të ftohtë e praktik, gjithmonë në pritje", gjithmonë në përgjim ditësh të lakmuara, si të zbrisnin nga qielli. Dhe aherë flet troç e açik kur shprehet më se një herë: "Kombi shqiptar është një komb djemsh të rritur!" Gjë që thjesht do të thotë një komb djelmoshash të papjekur, me të sotme atentiste, me të ardhme pa vizion (imagjinatë) dhe me të djeshme të harruar (pa kujtesë të luftërave, mundeve, sakrificave të një populli të tërë).

Nisur nga mësimi i madh konician për nevojën e idealit dhe të idealistëve, gjë që në Rilindjen shqiptare u përkufizua me termin "Shqiptarizëm", shkrimi i mëposhtëm i Konicës merr vlerë të veçantë aktuale për të kuptuar në thelb se çdo të thotë Ripërtëritje e përherëshme e shpirit kombëtar shqiptar apo Rilindje e vërtetë. Dhe kjo nevojë bëhet domosdoshmëri sot kur edhe më i shurdhëti vazhdon e dëgjon korrupsionin të pëllasë majë çative a në shesh të mejdanit, t'ia bëjë "muuu!" mu brenda godinës parlamentare me spektakël të fëlliqtë, apo mu brenda godinës së drejtësisë të zhbërë, të zhgarravitur e të zhubravitur; sot kur edhe më qorri sheh tek s'fshihet dot pasurimi i pistë i çaushëve, kaushëve e bythlëpirësve; sot kur edhe më i pagoji orvatet të këlthasë e ulërasë atë që vazhdimisht ka kërkuar Konica: "Të thuhet e vërteta, gjithnjë e vërteta, për ta nxjerrë të ligën sheshit... dhe për ta qitur kombin tonë në dritë". Dhe këtë të vërtetë e thotë dhe di ta thotë vetëm një shtet i vërtetë ligjor, një shtet i së drejtës, në respekt të sovranit popull. Përndryshe, populli di të penalizojë dhe të të tregojë me gisht sot e mot, nëmos të të tregojë vendin: vafsh në të Tralos! / Monet Maneshi.

Faik Konica

Idealistër dhe pilafçinj -

Një lajmërim kombëtarëve

Solli në shqipen e sotme M. Maneshi.

Të ngjarat e Turqisë shfaqën një gjë për t'u vënë re: nëntëdhjetë e nëntë përqind nga ata që i thonin vetes anëtarë të veturdhërimit të Shqipërisë, nuk e kishin me gjithë zemër. Këtë të vërtetë ka më tepër se dhjetë vjet që po përpiqem t'ua këllas në kokë kombëtarëve të kulluar, të cilët [duke qenë] të drejtë vetë, i besojnë të drejtë edhe të tjerët dhe, duke mos patur kohë të mendojnë, nuk janë të zotët të zbulojnë sharlataninë që fshihet nën fjalë dinake. Sa e sa herë u kam thënë atyre burrave, jo vetëm këtu [te Albania], po edhe me gojë e me letra të veçanta, se është turp dhe marrëzi të rrejmë veten duke e besuar për tonin çdo zgjebo të cilin një shkak a një tjetër e shtyn të dalë papritur e të futet në mes tonë si atdhetar i nxehtë. Që puna i nxori fjalët e mia të vërteta dhe të shëndosha, besoj se s'ka njeri të guxojë t'i mohojë. Edhe më i pagdhenduri fshatarak do të kuptojë, kam shpresë, këtej e tutje, të thënën popullore se "çdo gjë që ndrit, nuk është flori". Për të njohur bakërin nga floria, duhet të hapë sytë mirë njeriu; dhe s'ka se si njeriu të mos e ndajë dot një sharlatan nga një atdhetar i kulluar po qe se përdor mendjen e vet për ta kuptuar si duhet.

Që t'i digjet zemra për Shqipërinë, që të vuaj duke parë ndodhjen e  sotme të kombit të tij dhe të ëndërrojë për të një ditë më të bukur, duhet njeriu të jetë idealist i vërtetë. Po si mund të mbijë një idealizëm i tillë te një komb si i shqiptarëve, i ftohtë, praktik, pa imagination, pa kujtim për të djeshmen dhe pa mendim për të nesërmen? Mos nënat e vendit tonë u dhanë foshnjave, bashkë me qumështin, dëshirën e vetëtherrjes [flijimit] për një qëllim të lartë? Mos i rritën, në djep e në pëqi, me këngë kalorësie e trimërie? Mos ua pushuan lotët me një të puthur dhe duke u rrëfyer ndonjë përrallë për një Shqipëri të shkuar e më të bukur? Mos kanë përpara syve të vogla, përpara syve të tepërhapura nga çudia, pa i harruar kurrë, pamjet e nisjes së jetës? Mos nënat kanë shtruar historinë tragjike të një kombi që u thye: ardhjen e të huajit, luftën e gjatë, mundjen, fushat e gjakësuara, vrasjet, ikjet e cave, robërinë e më të shumëve, lëngimet dhe varfërinë e të gjithëve?... Jo. Shqiptari është rritur me mendjen që punët e vendit të tij janë shumë të mira ashtu si i gjeti, që, në u bëftë nevoja për ndonjë përmirësim, zoti ynë anadollaku do të na e falë pa kërkuar, dhe që më i larti qëllim i njeriut në këtë dhé, është të bëhet kolldshi, zaptie a kasap.

Ç'nevojë e mendjes, ç'psherëtimë e zemrës do t'i kthejë të tillë njerëz nga shtazë në idealistër? Ku u dëgjua që një bretkose t'i dalin pendë dhe të nisë të fluturojë? Dhe pse e bëni veten tuaj për të qeshur duke besuar çdo çudi të pangjarë që ju kallzojnë?

Idealizmi, Zotërinj, mund të dalë vetëm nga dy burime: a nga një kulturë e lartë, a nga një vojtje e përbrezëshme. Dy kategori shqiptarësh mund të jenë idealistër: e para, shqiptarët që janë të zotërit të mendojnë, që shohin ç'është Shqipëria dhe kuptojnë ç'mund të ish, që vënë re me hidhërim padrejtësinë që i bëhet popullit tonë, dhe dinë edhe krojin e asaj padrejtësie, edhe të vetmen mënyrë për të tharë përgjithnjë atë krua. E dyta kategori janë shqiptarët e shtypur brez pas brezi, zemërat e të cilëve u çanë për ditë më të bukura, dhe që mund të lartësojnë mendjet gjer në kuptimin e një ideali kombëtar, i vetmi i zoti t'i japë çdo djali të kombit vendin e tij në diell. [...]

Ah, shqiptarë, shqiptarë! Nuk u lajthit ai që shkroi se jini një komb djemsh të mëdhenj...  Pira historiake [përvoja e hidhur historike] ka provuar nevojën e ca masave për vërtetimin e ca qëllimeve. Nuk mund të doni një gjë dhe të mohoni të vetmen udhë me të cilën ajo gjë mund të arrihet!

Ata të paktë kombëtarë që dolën të gjallë nga lundër-thyerja [mbytja] e shpresave tona, duhet të merren vesh dhe të mblidhen për të hedhur, brenda kufive të lirisë që na jep Kushtetucia dhe kanuni i Xhonturqve, themelet e një Ane Kombëtare të nxehtë dhe të fortë. Disa kombëtarë më shkruan për këtë punë. Do të pres me nder dhe do të këndoj me kujdes letrat e çdo kombëtari, të njohur a të panjohur, përmbi një subjekt ku të gjithë tanët duhet të na ndihin me mendjen dhe me këshillat e tyre.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora