E premte, 25.07.2025, 10:08 PM (GMT+1)

Kerko: a

Mërgim Korça: Gjyqi kundra fashistëve e tradhëtarëve

E marte, 14.04.2015, 08:59 PM


Gjyqi special kundra fashistëve e tradhëtarëve të vëndit

(Prill i vitit 1945)

Kujtime si dhe konsiderata

Nga Mërgim Korça

Ftesa e mikut tim z. Simon Mirakaj të hidhja në letër kujtime si edhe mendime të mijtë rreth atij që u quajt e tashmë njihet si “Gjyqi Special kundra fashistëve si edhe tradhëtarëve të vëndit ” i zhvilluar nga muaji Mars dhe përfunduar më 15 Prill të vitit 1945, doemos nga njera anë më preku por ... edhe më tronditi. Cilësimi i parë kuptohet pa vështirësí. Kjo ësht’e qartë. Kurse pjes’e dytë ngjalli në trurin tim tamam si një ciklon të papritur në vorbullën e të cilit ndiqnin njeratjetrën ngjarje që nga Komuna e Parisit, Revolucioni i Tetorit 1917, pohime duke filluar që nga Marxi, Lenini, Stalini, Mao Tse Tungu dhe Enver Hoxha etj. që në vazhdim pastaj   përlesheshin njeri me tjetrin e né, spektatorë por të interesuar  t’ia shuanim vrullin asaj vorbulle e t’i trajtonim faktet qetësisht duke vënë në vënd thënjen madhore e cila thotë : Të mënçur janë ata që dijnë të përfitojnë nga përvoj’e kaluar !

Kësisoji ... kujtimet tona na kthyen në të largëtin vit 1944, e pikërisht natën e 17 Nëntorit kur një grup partizanësh trokitën në derën e apartamentit dhe kërkuan të takonin Xhevat Korçën si edhe Gencin, (të birin), dhe ne vumë ré se mes tyre kishin futur edhe Bahri Omarin i cili banonte një kat nënë né. Me ata ishte edhe teto Fahrieja, (e shoqja e Bahri Omarit). Sapo dolën im Atë me t’im vëlla, komandanti i tyre u tha se do t’i merrnin për nja dy pyetje në komandë.  N’atë ndërkohë ndërhyri teto Fahrieja, (e cila më pas na tha se edhe dhjetë minuta më parë tek e kishin marrë Bahri Omarin në katin e dytë), ajo u kishte thënë dhe e përsëriti së rishmi, se ishte e motra e Enver Hoxhës dhe se do të shkonte me ta në komandën e tyre e do të priste derisa të mbaronin pyetjet e tyre. Kështu i morën që të tre, por nga që me ta shkoi edhe e shoqja e Bahri Omarit, i çuan tek Pallatet e Moscat-it, (ashtu thirreshin asokohe), dhe u njoftuam si familje se ku mund t’i gjenim të nesërmen. Ditët në vazhdim, dora-dorës mësonim se si kishin përfunduar dhjetra të thirrurit për një pyetje në komandë ... e që kurrë nuk u kthyen më në shtëpit’e tyre, duke filluar nga publicisti e demokrati i madh Nebil Çika, vëllezërit Vesim e Mumtaz Kokalari, Lluka Xhumari, Anton Fekeçi, Nazmi Uruçi, Abdulla Saraçi, Muharrem Lleshi, tre Deliallisët Kapllan, Jakup edhe Shefqet, etj., etj. (për të cilët e kemi brengë në ndërgjegje që nuk i zemë dot në gojë të gjithë sepse lista e tyre është shum’e gjatë dhe del nga kufijt’e këtij shkrimi), por kuptohet sipas pohimit të Gogo Nushit bërë Enver Hoxhës, ku del në pah edhe pozicionimi i vetë sekretarit të qarkorit të P.K. për Tiranën:

“...Me hyrjen e forcave tona në Tiranë, janë vrarë 60 vetë. Listën e kemi. Unë mendoj që asnjë nga ata nuk e meritonte këtë dënim. Jemi të sigurtë se do të kemi edhe të tjerë. Numri do të ketë kaluar edhe të 100”.

Kurse Tuk Jakova, nga ana e tij deklaronte : “... Shum njerz janë vra pa gjygj e pa faj ... Kët  frymë e ka futë Dushan Mugosha. Kështu sot ushtrija duket sikur ka dalë t’a mysin popullin. Partizanët vrasin vetë pa i çue hiç njerzit përpara gjygjit ... “

Kjo ishte vija që mbështeste komandanti Enver Hoxha, intelektuali i dështuar, të cilit i vinte mbarë që urdhërat dhe direktivat që jepnin jugosllavët në Shqipëri lidhur me zhdukjen nga themelet të klasës intelektuale me pregatitje universitare perëndimore ... përputheshin me egoizmin si edhe cmirën e tij !

Doemos përgjatë kësaj brazde u zhvilluan edhe seancat e Gjyqit Special, aksjoni i parë me karakter juridik në Shqipërin’e mbas luftës II-të Botërore ku, kryesin’e trupit gjykues e drejtonte gjeneral majori Koçi Xoxi, (ish teneqexhi e me ngritje intelektuale të po atij liveli), e me prokuror i cili përfaqësonte akt akuzën, Bedri Spahiun,  pa asnjë njohuri juridike !  E kjo dyshe do të përballohej me ajkën intelektuale si edhe patriotët e mirëfilltë që përbënin 58 të pandehurit e Gjyqit Special !  Çfarë komedije apo më saktë, çfarë farse e montuar !   Nga 58 të pandehurit, 17 u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan, pra 29 % e tyre. Në vazhdim, 39 u dënuan me dënime të ndryshëme, pra 68 % e tyre u dënuan nga burgim për jetë e poshtë e së fundi 2 u liruan për mungesë provash, pra 3 % e të pandehurve.  Kjo ka ndodhur në Shqipëri. Sa për një krahasim e ftoj tashti lexuesin të nxjerrë përfundime të ndërsjella sa u takon pushkatimeve të kryera në Hollandë ndaj bashkëpunëtorëve të nazizmit.  Atje janë pushkatuar gjithsej  4 kolaboracionistë, (shtet me një popullatë të atëherëshme nëntë herë më të madhe se Shqipëria) !

Ditën e parë që filloi Gjyqi Special, prokurori Bedri Spahiu iu drejtua të pandehurve duke u thënë :

“ Të pandehur ! Veprimtaria e juaj e këtyre viteve ka përbërë tradhëtí ndaj fateve të popullit dhe Atdheut. Ju keni përdhosur cilësit’e larta patriotike të vëndit duke e njollosur emrin tuaj me atë të tradhëtarit ... ! “ Kësaj replike i u përgjigj në fjalën e tij Kolë Tromara, (njeri nga të 17 të pushkatuarit me vendimin e kësaj gjykate), i cili shprehimisht mes tjerash pati thënë : “ Se kush është tradhëtar, heret apo vonë do t’a mësojë populli “.

Ndërsa Xhevat Korça, (mbasi prokurori Bedri Spahiu kishte kërkuar për të dënimin kapital, me pushkatim,  (si fashist e tradhëtar), në fjalën e tij të fundit i u drejtua kryetarit të trupit gjykues Koçi Xoxit dhe i thá :  “ Mos ia vini ré se ç’thotë prokurori, por gjemëni një fjalë timen thënë publikisht pro fashizmit ose një fjalí gjithashtu në favorin e fashizmit dhe ... dënomëni me pushkatim ! ”

E ftojmë tashti lexuesin të na ndjekë tek e largojmë objektivin e aparatit tonë nga përqëndrimi ndaj Gjyqit Special dhe e zgjerojmë disi këndvështrimin tonë.  Pjesa m’ e madhe e intelektualëve, gjeneralëve si edhe oficerëve madhorë që u dënuan nga ai trup gjykues vetëm për faktin se u radhitën me anën e kundërshtarëve të Partisë Komuniste Shqiptare, i kishin pjesë përbërëse të kulturës së tyre pohime si edhe fakte historike ngjarjesh të kaluara, duke filluar p.sh. me faktin se si Karl Marxi i cili tek Manifesti i Partisë Komuniste, (i vitit 1848), pohon :

“ Ajo q’e shquan komunizmin nuk është  zhdukja e pronës në përgjithësí, porse zhdukja e pronës borgjeze. “

E doemos, nisur tashti nga ky pohim madhor i Karl Marxit mbi t’ardhmen e pronës me t’u vendosur sistemi komunist, nuk mund të heshtim e të  mos të vemë në dukje disa fakte të cilat, si gjurmët e furçes piktorit, e përvijojnë të plotë kuadrin e objektit rreth të cilit përqëndrohemi.  Karl Marxi kurrë nuk ka drejtuar një sipërmarrje.  Asnjë herë nuk ka patur post politik. Ai kurrë nuk ka mbikqyrur analiza financiare. Kurrë nuk ka qen'i punësuar, (asnjë lloj punësimi). Përgjatë gjithë jetës i mbështetur ekonomikisht nga shoku i tij Friedrich Engels, (bir i një fabrikanti të pasur). KarI Marxi i konsideruar nga shumë njerëz si filozofi m'i madh politik, ekonomik dhe shoqëror i të gjitha kohërave por, kudo q'u zbatuan teorit'e tija an’e kënd globit tokësor, përfunduan me dështim !

Përgjatë kësaj hullíje e ngushtojmë këndvështrimin tonë tek zbatuesi konkret i teorive të K.Marxit, Vladimir Iliç Lenini i cili ka pasë bërë shumë pohime, prej të cilëve po zemë në gojë vetëm ndonjë ... nga më thelbësorët. Ai ka pasë pohuar se

“ Me premtimin e lirisë do t’a tund botën !” (Nuk ka se si të mos nënvizohet fakti madhor i ndryshimit themelor ndërmjet premtimit si edhe garantimit të LIRISË !)

Duke e ndjekur tashti këtë brazdë zhvillimesh, mbasi Lenini e fitoi udhëheqjen e pakundërshtuar të lëvizjes revolucionare, kërkoi nga bashkësít’e marxistë-leninistëve të përjashtonin nga radhët e tyre grupimet reformiste, të ndërronin emrin e tyre në Parti Komuniste e të bashkoheshin në një Internacionale të Ré (e treta) e cila në vazhdim u quajt Internacionalja Komuniste (shkurtimisht KOMINTERN). Kjo internacionale e ré, e pranon pakundërshtim udhëheqjen e Partisë Komuniste (bolshevike) Sovjetike dhe zbaton versionin bolshevik të marxizmit. Secila parti e cila donte të bëhej pjes’e kësaj internacionaleje duhej të pranonte të “Njëzet’e një Konditat” e vendosura nga kongresi i dyt’i Internacionales ndër të cilat e dymbëdhjeta përcaktonte se  si partitë pjesëmarrëse duhej t’i nënështroheshin parimit të centralizmit demokratik  duke e pranuar debatin e brëndshëm por që ndalonte kategorikisht të shprehurit jashtë partisë mendimesh jo konform vijës zyrtare të saj !

E për t’a mbyllur fluturimthi edhe me Leninin, nuk e lemë dot pa përmëndur faktin se si ai i drejtoi një letër K.Q.P.K.(b) të B.S. të cilën e dorëzoi e shoqja e Leninit, Krupskaja, (sepse Lenini i pamundur mbas një hemorragjije cerebrale), ku Lenini me 4 Janar 1923 shprehej tekstualisht :

“ Stalini është jashtë mase arrogant dhe kjo mangësí nuk ësht’e tolerueshme për personin që mbulon një post Sekretari të Përgjithshëm . Prandaj u propozoj shokëve t’a shqyrtojnë mundësínë t’a largojnë Stalinin nga ky post duke e zëvëndësuar me tjetër person i cili kryesisht të jetë më tolerant dhe me një temperament më pak tekanjoz !

Vazhdojmë fluturimthi, (për sa na nevoiten konkretisht lidhur me temën që trajtojmë), me radhitje faktesh këtë herë sa i takon Stalinit. Letra e Leninit nuk i a arriti qëllimit dhe Stalini vazhdoi të qëndrojë sekretar i përgjithshëm i P.K.(b) të B.S. duke zbatuar një politikë të jashtme e cila përkrahte haptas lëvizjet kundra-fashiste sa kohë që pozicioni i vetë Stalinit vijonte të forcohej.  Por amá, kur Stalini nuhaste se interesat e tija e kërkonin një kthesë të fortë, as që stepej edhe lidhte marrëveshje si ajo me Gjermaninë naziste, (pakti Molotov – Ribentrop i 1939-ës), me pikësynim ndarjen e Polonisë mes dy shteteve njeri i qeverisur nga Partia Komuniste Bolshevike e tjetri nga Partia Naziste !  E nuk mund të lihet pa u theksuar fakti se Kominterni qé kthyer në një rrip transmisioni të aspiratave të drejtuesve sovietikë !  Cilido që mbështeste qoft’edhe një tezë kundërshtuese përndiqej, e dhuna e detyronte të heshtë sepse ... emërtohej tradhëtar ! Dhe shëmbullin e kemi konkret tek nobelisti André Gide, i cili me tendencat komuniste që kish, demaskoi shfrytëzimin kapitalist që ndërmarrjeve franceze u sillte fitime të mëdhá. Kësisoji humanisti dhe moralisti u ftua në vitin 1936 të vizitonte Bashkimin Sovjetik dhe kur u kthye që andej botoi librin me titull “ Kthim nga Bashkimi Sovjetik “ ku mes tjerave pohon :  “Unë mendoj që në asnjë vënd sot, qoft’edhe në Gjermanin’e Hitlerit, shpirti të jetë më pak i lirë, gjithashtu i terrorizuar dhe i skllavëruar se sa në B.S. ! Nga ana tjetër kemi librin e shkruar nga Arthur Koestler me titullin “ Errësirë në mesditë “ (1941), vepër e cila vé në dukje dhunën e skajëshme të ushtruar nga ana e Stalinit nëpërmjet kampeve të internimit !

Lidhur me gjykatat Stalini pati këmbëngulur prerazi se si ato duhej jo t’i vinin pritë terrorit por përkundrazi t’a sanksjononin atë, (terrorin – shënim i M.K.), si princip, qart’edhe shquar !  E sa për t’a shuar një kureshtje eventuale, do të rikujtojmë se si gjatë viteve 1936 – 38, (vitet e quajtura të spastrimeve të mëdha), gjatë vitit 1936 u pushkatuan 1118 udhëheqës partije. Gjatë vitit 1937 u pushkatuan 353074 kryesisht ushtarakë. Kurse gjatë vitit 1938 u pushkatuan 328618 persona që Ezhovi, (kryetari i NKVD-së i konsideronte armiq). Në vazhdim edhe Ezhovi, me urdhrin e Stalinit u pushkatua ! Të gjithë këta të dënuar për krime kundra partisë edhe popullit i përmblidhte kapitulli 58 i ndarë në 14 paragrafë që parashikonin dënimin me vdekje ku formulimi ishte shum’i përgjithshëm me qëllim që si e si të mbështetej akuza për dënim kapital !

E për t’a mbyllur edhe me Stalinin, për ata që nuk e dijnë saktë ose nuk e dijnë fare, e shoqja e tij Nadjezhda Allilueva u detyrua të vrasë veten mbas një sherri të madh me të shoqin, tek ajo mundohej t’i shpjegonte se dëshmitarë pamorë i kishin treguar se si në Ukrainë, nisur nga kondita të tmerrshme mangësíshë ushqimore, ishin vërtetuar edhe episode kanibalizmi !

Sa i takon Enver Hoxhës, ai i prirë nga egoizmi i tij vetqendërzues, jo vetëm që i zhduku të githë ata që futën ideologjinë komuniste në Shqipëri duke filluar nga Llazar Fundoja për të cilin dërgoi me shkrim urdhërin e torturimit deri në vdekje, e duke vazhduar me Sejfulla Malëshovën, Koço Tashkon e Zef Malën me shokë. (Krahasoni vrasjen e Kirovit në Leningrad ku Stalini akuzohet si nxitës i atij krimi), e për të cilin pastaj bëri krimet masive të viteve 1936-1938), vetëm si e si të përqëndronte pushtetin në duart e tija. Maníja e vetëqendërzimit të Enver Hoxhës u zhvillua edhe ajo hap pas hapi. Në fillim paranoja e tij e shtyri të bëhej “beniamini” i Titos e ksisoji t’a siguronte pushtetin e tij mbi Shqipëri. Historianët nuk e kanë thënë kurrë, po a nuk qe Enver Hoxha me fjalimin e tij të datës 15 Dhjetor 1947 në Byronë Politike ku tha shprehimisht : “... Duhet t’a fitojmë kohën e humbur e të bëjmë  sa më shpejtë bashkimin DE FACTO të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat, (parti, ekonomi, ushtri, etj.), se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë Socializmin, PA U BASHKUAR ME JUGOSLLAVINË ...”.  Mirëpo kur B.Sovietik i prishi marrëdhënjet me Jugosllavinë, Enver Hoxha pa asnjë mëdyshje i thirri mëndjes se duke e mbështetur B.S. ai vetë nuk kishte pse t’ishte drejtuesi i njerës nga republikat federative të Jugosllavisë, (por gjithmonë nën Titon), dhe ... e mbështeti qëndrimin e B.S. !  E për t’a fituar besimin e këtij të fundit nuk u step aspak dhe mbajti qëndrimin tejet kriminal lidhur me ngjarjen që njihet si “bomba në ambasadën Sovietike” e 19 Shkurtit 1951 për të cilën ngjarje u pushkatuan 22 intelektualë PA GJYQ !(?) E ky vendim u  muar asgjëkundi tjetër por në Byronë Politike !  Kësisoji vazhdoi konsolidimi i miqësisë shqiptaro-sovietike. Mirëpo kur Enver Hoxha krijoi bindjen se B.S. e kish të plotë besimin në besnikërin’e Shqipërisë, erdhi e papritura shum’e pakëndëshme për të : vdekja e Stalinit !  Në vijim, politika e Hrushovit drejtë riafrimit me Jugosllavinë e shto këtu pastaj insinuatat e tija për zëvëndësimin e udhëheqjes shqiptare me gjak të ri, ishin pika q’e mbushi kupën dhe Enver Hoxha, nisur nga egoizmi i tij i shfrenuar për pushtet, i prishi marrëdhënjet me B.S. (1968) dhe iu kthye miqësisë me Kinën !  E këtë në një kohë që prijësi m’i talentuar edhe zbatuesi më besnik i idealeve të Marxit, Mao Tse Tungu ishte shprehur se :

KOMUNIZMI NUK ËSHTË DASHURI POR NJË PRESË PËR TË SHTYPUR ARMIQTË !

Mirëpo në vitet 1977-1978, nga që Kina qé prirur të bëhej m’e hapur me perëndimin, (doemos për interesat e saja duke u bërë më pragmatiste), në një kohë që Shqipëria tashmë ishte izoluar krejtësisht nga Europa, vëndi ynë u distancua edhe nga Kina dhe, falë egoizmit të skajshëm të Enver Hoxhës për të qëndruar me çdo kusht në krye të udhëheqjes deri në fund, ekonomia e vëndit tonë u katandis në një autark   skajore ku sundonte parulla: Çdo gjë me forcat tona !

Mbasi i analizuam tashti, ndonëse shumë fluturimthi, zhvillimet si edhe ngjarjet që nga hedhja e idesë nga Karl Marxi se vendosja e komunizmit do të qé shpëtimi i njerëzimit, e deri në shkërmoqjen e atij sistemi thuajse gjysëm shekullor në vëndin tonë, e ngushtojmë së rishmi këndvështrimin tonë duke u munduar t’i lidhim zhvillimet me përvjetorin e 70-të të Gjyqit Special. Në parim del e qartë, shpresoj ideja, se pse ndër hapat e parë të ndërmarrë nga  qeveria e ashuquajtur demokratike, me t’a marrë pushtetin në dorë, nxorri para trupit gjykues 58 persona nga më intelektualët e vëndit si edhe nga drejtuesit ushtarakë më të shquar. E çvendosim tashti objektivin tonë dhe shikojmë se si diktatori i ardhshëm i vëndit, e filloi spastrimin e rrugës tij jo vetëm nga intelektualët dhe atdhetarët e mirëfilltë por, nisur nga paranoia e tij kë eliminoi mbas katër vitesh ? Më 11 Qershor të vitit 1949 u pushkatua njeri nga bashkëpunëtorët më të afërt të Enver Hoxhës, pikërisht ai Gjeneral Leitnant që i dënoi të pandehurit e Gjyqit Special duke e kryesuar trupin gjykues t’atij gjyqi, Koçi Xoxi !  Cili cilësor iu mvesh atij ?  Agjent i jugosllavëve si edhe tradhëtar i atdheut !  Dakord. Mirëpo historianët tanë të nderuar që i shërbyen diktatorit me një servilizëm dhe mungesë personaliteti të pashok, mirë para vitit 1991 po pas këtij viti si nuk u kujtuan t’a shkruajnë e zezë mbi të bardhë formulimin që bëri Enver Hoxha në mbledhjen e Byrosë Politike më 15 Dhjetor të vitit 1947 lidhur me aneksimin e Shqipërisë si republik’e 7-të e Federatës Jugosllave ?  Mirë Koçi Xoxi u pushkatua si agjent i jugosllavëve, po Enver Hoxha q’e dha direktivën e shkrirjes së Shqipërisë me Jugosllavinë, si duhet quajtur ?

Vazhdojmë përgjatë kësaj hullíje dhe sjellim në pah faktin se si prokuror në gjyqin e Koçi Xoxit kush ishte caktuar ?  Po ai Gjeneral Major, Bedri Spahiu, i cili bëri edhe pretencën për 58 të pandehurit e Gjyqit Special !  E pikërisht po ky prokuror më 17 Qershor të vitit 1955 arrestohet si armik i partisë dhe i popullit !  E mbasi Bedri Spahiu kaloi 36 vite në burgje e internime, në vitin 1991, duke i thirrur mëndjes e brejtjes së ndërgjegjes, shkruan në gazetën “Republika” të muajit Qershor 1991 sa më poshtë :

“... Duke u krijuar këto 46 vite terrori, (nga diktatura komuniste – shënim M.K.), mizoríe e mjerimi që ka kaluar populli im, mua më vjen turp që kam qenë prokuror i atij Gjyqi Special.  Nuk jam më ai prokuror që nxorri Lufta Nacional Çlirimtare, as përkrahës i utopísë komuniste më të lemeritëshme që nxorri gjenerata e jonë ... “

Nuk mundemi t’a kalojmë pa e vënë në dukje edhe faktin se si në trupin gjykues të Gjyqit Special bënte pjes’edhe Kolonel Beqir Balluku, ish komandant i Brigadës së II-të të formacioneve partizane, anëtar i Byrosë Politike, Zv/Kryeministër edhe Ministër i Mbrojtjes e më në fund ... i akuzuar si puçist që donte t’ përmbyste pushtetin popullor, pushkatohet më 5 Nëntor të vitit 1975.

Me këtë rast nuk ka se si mos t’a rikujtojmë se si u shpreh Z.Kolë Tromara ndaj akuzës së prokurorit Gjykatës Speciale, Bedri Spahiut ... për veprimtarí tradhëtare ndaj popullit dhe atdheut ...  :  Se kush është tradhëtar, heret apo vonë do t’a mësojë populli !  E ne sot nuk kemi se si mos t’a vlerësojmë këtë pohim të të pushkatuarit me grupin e 17 vetëve të Gjyqit Special ku tre nga anëtarët e trupit gjykues, (njeri Kryetar, tjetri prokuror dhe i treti anëtar i trupit gjykues), dy syresh u pushkatuan si tradhëtarë dhe armiq dhe i treti (ish prokurori) u kalb burgjeve dhe internimeve !  Por, nga ana tjetër, nuk ka se si të kalohet në heshtje edhe ç’i tha trupit gjykues të Gjyqit Special i pandehuri,  i akuzuat si fashist e tradhëtar Xhevat Korça, që u tha :  “ Mos ia vini ré se ç’thotë prokurori, por gjemëni një fjalë timen thënë publikisht pro fashizmit ose një fjalí gjithashtu në favorin e fashizmit dhe ... dënomëni me pushkatim ! ” Sa i takon këtij pohimi unë shtroj pyetjen :  A ka në mesin e shkrimtarëve të mëdhenj e të shquar të Realizmit Socialist e që sot pretendojnë t’u jepet flamuri si disidentë të flaktë përgjatë viteve të diktaturës komuniste, të cilët jo një fjalë të thënë botërisht ose vetëm një fjalí të shtypur, por kanë shkruar vargje mbas vargjesh si edhe poezí mbas poezíshë e gjithashtu faqe mbas faqesh romanesh kushtuar diktatorit, mëmës partí, diktaturës proletare tek né si edhe komunizmit në botë ?

Përgjatë kësaj brazde, sado të duam, nuk ka se si të mos na kujtohen pohimet e profesorit të nderuar Arben Puto i cili në intervistën e tij të fundit tek zë në gojë lëvizjen e studentëve kundra diktaturës komuniste është shprehur : “ ... E ndjeva se nuk mund të rrija indiferent ... kështu u shkëputa nga veprimtaria e ime shkencore dhe i u përkushtova të drejtave të njeriut ... Shqipëria më shumë se kushdo ka nevojë për guxim qytetar ... “ Dhe neve, krejtë natyrshëm na vjen në mëndje t’a pyesim profesor Puton, harroji të tjerat por thjeshtë pëqëndruar rreth kësaj teme :  Si e ndjente veten profesor Putua i nderuar kur në vitin 1959, Xhevat Korça në Burgun famëkeq të Burrelit, pikërisht se të burgosurve u merreshin nëpër këmbë të drejtat më elementare të njeriut, e filloi dhe e çoi deri në fund grevën e shpallur të urísë ? Mundësitë janë dy :

1-Ose profesor Putua në vitin 1959 ishte akoma nën ndikimin (siç e ka përshkruar vetë) e të qënit krenár se ishte anëtar i P.K.fillimisht e në vazhdim i P.P.Sh. dhe vdekjen në grevë urije të të burgosurit  Xhevat Korça as që e përfillte, përkundrazi e quante një reaksjonar më pak.

2-Ose i kishte ardhur keq për atë qëndrim si edhe veprim dhe mbas 32 vitesh, (e ç’është ky cak kohor për historinë),  guxonte të çfaqej si mbrojtës i flakt’i të drejtave të njeriut.

Kurse zonja Liri Belishova, në njerën nga intervistat e saja nga të fundit, qe shprehur se të dhënat që ata kishin, (ajo me shokë), ishin aq të pakta sa që ajo kategori nuk mund të fajësohej për faktin që komunizmin e kishin konsideruar SHPËTIMTARIN E SHOQËRISË NJERËZORE dhe kishin punuar aktivisht në drejtim të zhvillimit të tij duke theksuar : “Si mund të ngarkohemi me përgjegjësí për gjëra që nuk i dinim ?” Kurse ne shtojmë se naiviteti i skajshëm i zonjës Liri Belishova duke u munduar të justifikojë bëmat e tyre kriminale me mosdijen dhe zhvillimin e fakteve historike, na e bën tejet më të thjeshtë pohimin se nuk e dijmë a kishte ndonjë person nga 58 të pandehurit e Gjyqit Special i cili mos t’i njihte biografitë e Karl Marxit, Vladimir Leninit, Josif Stalinit, Mao Tse Tungut si edhe Enver Hoxhës si edhe pohimet e thëna në vazhdimin e veprimtarive të tyre ? Me pak fjalë Liri Belishova bashkëpunimin me mish e me shpirt me luftën e ashtuquajtur Nacional-Çlirimtare të transformuar në Luftë Civile si edhe me vënjen dora-dorës të çdo veprimtaríe në dorë të Partisë Komuniste i trajton n’atë mënyrë që ... vehten e nxjerr naive si edhe krejtë të pafajëshme !   Zoti e mëshiroftë !

Ja pra që i erdhi radha edhe mbylljes së këtij shkrimi përgjatë të cilit, me rastin e 70-vjetorit të zhvillimit të Gjyqit Special, u munduam të hedhim drit’edhe rreth disa prej problemeve nga më kardinalet që kishin lidhje me shtrirjen e komunizmit në Europ’e më gjerë e doemos që e përfshinë edhe vëndin tonë me mbarimin e Luftës së II-të botërore e prandaj nuk rrijmë dot pa e kujtuar aforizmën tashmë të famëshme të ish Presidentit të Çekosllovakisë Havelit që thotë se : “ Nuk ka kategori më të poshtër se sa ish komunistët e transformuar në demokratë !” Dhe me kaq mendova se i dhashë fund shkrimit !  Mirëpo, mbas një ore pushim, do ti e më hipi edhe një herë në kokë t’a rilexoja ç’ishte shkruar. Nga rileximi, (e posaçërisht nisur nga aforizma e Presidentit Havel), e kuptova se si kisha harruar pa i futur në kornizën e këtij shkrimi edhe dy fakte të fundit. Me 17 Prill të vitit 2014 Presidenti Nishani, ish oficer i periudhës diktatoriale, dekoroi me titullin Nderi i Kombit ish Gjeneral Leitnantin dhe për 30 vite radhazi edhe fillimisht anëtar i K.Q. të P.K.Sh. e në vazhdim i K.Q.P.P.Sh. si edhe Hero i Popullit, Rahman Parllakun. Ky i fundit së bashku me Ramiz Alinë ua kanë pasë dorëzuar jugosllavëve listat emërore te 3447 bijve vullnetarë kosovarë të cilët i pushkatoi Brigada e X-të malazeze në Tivar.  Por nga ana tjetër, po me këtë titull të lartë Presidenti Nishani dekoroi me datën 24 Nëntor të vitit 2014 edhe tre të pushkatuarit nga Gjyqi Special Bahri Omarin, Kolë Tromarën si edhe Gjeneralin Aqif Përmeti. Me pak fjalë u dekoruan me të njajtin titull nderi si gjakatari e gjithashtu edhe viktimat !



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx