E premte, 25.07.2025, 11:54 PM (GMT+1)

Editorial

Marjan Sebaj-Sopi: Drita e Pashkëve!

E premte, 03.04.2015, 09:05 PM


DRITA E PASHKËVE!

“Unë jam drita e botës. Kush vjen pas meje, nuk do të ecë në errësirë, por do ta ketë dritën e jetës.” (Gjn 8, 12).

Nga Marjan Sebaj-Sopi

Të krishterët besimin, fenë e tyre e përjetojnë si Dritë. Ajo i’u flet atyre se kush janë, nga vijnë, përse jetojnë, kah shkojnë… Drita e fesë ndezët qysh në pagëzim dhe gjithësesi se këtë dritë duhet ruajtur përjetë që të mos shukët. Kuptohet se kjo Dritë më së miri ruhet përmes lutjes, duke dëgjuar dhe zbatuar fjalët e Hyjit.

E kemi cekur edhe më parë; nëse e hapim Biblën menjëherë qysh në kapitulin e parë, si fjalë të para të Hyjit, autori biblik cekë; Le të bëhet drita! Kështu pra, jemi të vetdijshëm se me dritë edhe filloi krijimi i gjithëçkaje. Drita jep gjallëri, jep jetën. Të gjithë e dimë se njeriu mundohet që gjatë kohës kur është dritë edhe të punoj dhe kryej punët e përditëshme. Mirëpo, mos të harrojmë se drita ka edhe kuptimin simbolik. Ajo lidhët edhe me fjalën drejtësi. Është i drejtë ai i cili qëndron në dritë, dhe askurrë i drejti nuk duhet të urrej, gjelozoj apo të zemërohet ndaj mosbesimtarin meqë ai që nuk beson nuk ka ardhmëri. (krhs. PS 37, 2 – 6).

Poashtu edhe njeriu i drejt, plaku me emërin Simun, i cili priste ngushllimin (shëlbimin) e Izraelit, shpresën e mbarë botës. Me gëzim të madh ai, në tempull, mori në krahëror Jezusin. Ai e quan dritë që shndëritë popujt (krhs. Lk 2, 32).

Jezusi ishte i vetdijshëm misionit të vet, e dinte se kush është. E dinte se çka i duhet të bëjë. Kështuqë me siguri të madhe Ai do të thot këto fjalë: “Unë jam drita e botës. Kush vjen pas meje, nuk do të ecë në errësirë, por do ta ketë dritën e jetës.” (Gjn 8, 12). Dhe gjatë historisë mbi dymijëvjeçare shumëkush i’u besoi këtyre fjalëve dhe shkuan pas Tij, e ndjekën atë. Por, Jezusi pret nga nxënësit e Tij që edhe ata të janë dritë, kështu na porositë shën Mateu i cili i shënoi fjalët e Jezusit në Ungjillin e tij, atëherë Jezusi, tha: „Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur në majë të malit. As nuk ndizet dritëza për ta vënë nën magje, por për ta vënë mbi pishtar për t’u bërë dritë të gjithëve në shtëpi. Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell.” (Mt 5, 14 – 16).

Të gjithë ne e dimë se e kundërta e dritës është nata, errësira. Janë të njohura fjalët biblike: nata ka fuqinë e saj. Nata duhej të ishte për të pushuar. Mirëpo, është e vërtetë se njerëzit këtë shpeshherë e shfrytëzojnë për mëkat, të bëjnë vepra të kqija.

Ungjilltarët na dëshmojnë se kur qe tradhtuar dhe zënë Jezusi ishte natë, mbrëmje. Qe qjykuar me procedurë të shpejtë. Gjatë kohës së agonisë së Tij, në malin Kalvar, ungjilltari shënoi: errësira e mbuloi mbarë tokën (Mt 27, 45). Ata që e urrenin Jezusin, përsekutorët e tij mendonin se me vdekjën e Tij gjithçka do të mbaroj. Që Nazarenasi do të pësoj dhe jetë humbës. Mirëpo, nuk ishte ashtu. Mëngjesi i ringjalljes e vërtetoi dhe dëshmoi se – jeta është më e forte se vdekja, drita më e forte se errësira, e vërteta më e forte se gënjeshtra, e mira më e fortë se e keqja.

Ringjallja e Jezusit është ajo drita e zjarrit të madh në ne. Ai shndritë gjatë gjithë historisë. Ngrohë të gjithë ne. Kremtojmë ringjalljen – duke u ringjallur edhe përsonalisht. Të ngritemi nga dobësitë tona, të luftojmë të keqën, mëkatin, të përhapim disponimin e ringjalljës përmes faljës dhe pajtimit, të përhapim atë disponim me mirësi dhe vepra dashurie.

Besimi në Ringjallje!

Besimi në faktin dhe fuqinë e Ringjalljës është përcaktimi ynë themelor. Pa besimin se Jezusi është ringjallur neve nuk mund të quhemi të Krishterë. Po edhe predikimi i parë apo shpallja e parë (e apostujve) është pikërisht lajmi mbi Ringjalljen. Mos të harrojmë se besimi në ringjallje është i nevojshëm si në mënyrën deklarative poashtu edhe në nivelin praktik. I krishteri publikisht pranon Jezusin e ringjallur. Pranimi praktik i Pashkëve (Ringjalljes) është vetdija se në çdo vepër të mirë, sakrificë me dashuri dhe nga dashuria, gjindët fara e fshehtësisë së Ringjalljes.

Çdo arritje dhe realizim i bashkimit, i bashkëjetesës, bëhet shpallje e atij bashkimi të amshuar e cila bëhet perspektivë e jona pikërisht pas Ringjalljes së Jezusit. Jezusin e Ringjallur e takojmë në bashkësinë e tij, kurse e njohim në çdo motër e vëlla tonë, në çdo njeri. Kuptohet se për të krishterin takimi i veçant me të Ringjallurin është në kungimin e shenjtë. Në të vërtetë themeli apo embrioni i jetës së amshuar, përmes së cilës jemi të shëlbuar dhe të bashkëringjallur me Krishtin është e mbjellur në zemra tona përmes sakramentit të Pagëzimit, dhe gjithmonë acarohet dhe ndezët saherë të marrim kungimin e shenjtë – Jezusin! Atëherë Jezusi vet është në mua, në ne, është pikërisht Ai që forcon zemrën tonë me shpirtin e dashurisë së tij. Euharistia (korpi – Trupi dhe Gjaku) përbëjnë fshehtësinë vepruese të ringjalljës në ne. Pa këtë ushqim (pa Jezusin) i krishteri nuk mund të jetoj, dhe gjithë ajo shprehje e pranimit të Jezusit në mënyrë vetëm deklarative është asgjë tjetër pos një fotografi e zbehur. Jezusi i ringjallur është Ai i cili vepron! Krijesë e re, siç e quanin të parët tanë Ringjalljen (Pashkët).

Shën Pali në letrën e tij drejtuar Romakëve shkruan; „Me anë të pagëzimit, pra, bashkë me Të jemi varrosur në vdekje që, sikurse Krishti u ngjall në lavdinë e Atit prej të vdekurve, po ashtu edhe ne të jetojmë në jetën e re“ (Rom 6, 4). Në këtë mënyrë pra edhe në nxënësit, besimtarët, e Jezusit shfaqët veprimi i lavdisë së Hyjit. Kjo risi ka edhe pasoja në përditëshmërinë tonë: „…njeriu ynë i vjetër është kryqëzuar bashkë me Të që të shkatërrohet ky trup i mëkatit, kështu që të mos i robërojmë më mëkatit..“ (Rom 6, 6). Me këtë i krishteri, besimtari (njeriu) është bërë njeri i lirë. Duke u bërë pikërisht sikur Jezusi i nënshtruar vullnetit dhe dëgjesës së Hyjit, u bë i lirë: i liruar nga mëkati dhe vdekja. Në këtë liri edhe duhet të jetojmë të gjithë ne. Të bashkuar me Jezusin në ringjallje, i krishteri ngadhënjen mbi vdekjen. Mbi vdekjen shën Pali thot: „Armiku i fundit që do të asgjësohet, do të jetë vdekja“ (1 Kor 15, 26). Kjo është fitorja përfundimtare e Jezusit në çdo njeri, kuptohet edhe fitorja (ngadhënjimi) ndaj mëkatit. „E në qoftë se vdiqëm bashkë me Krishtin, besojmë se edhe do të jetojmë bashkë me Të, pasi e dimë se Krishti i ngjallur nga të vdekurit, nuk vdes më: vdekja nuk ka më pushtet mbi Të. Vdekja e tij qe vdekje njëherë e përgjithmonë për mëkatin, kurse jeta e Tij është jetë për Hyjin. Po kështu edhe ju: mbajeni veten [se jeni] të vdekur për kah mëkati, e të gjallë për Hyjin në Jezu Krishtin! (Rom 6, 9 – 11).

Ringjallja e shpresës në popullin tonë!

Edhe populli Shqiptar, një ndër popujt më të lashtë në Europë, popull që Dritën e pranoi që nga koha e apostujve, nga vet nxënësit e Jezusit, gjatë gjithë historisë kremtoi Pashkët – Ringjalljen.

Shqiptarët si popull monoteist askurrë nuk u ndalën të shpresojnë e besojnë në Ringjallje, pranë të gjithë peripecive që na dha jeta neve, nuk lejuam të shukët në ne drita e shpresës, e të mirës, drita e besimit në jetë të amshuar. Kjo Dritë na tregoi rrugën, na orientoi, na ndihmoi, na përcolli dhe na përcjell gjatë tërë jetës. Kjo është ajo Dritë e cila largon (dëbon) errësirën dhe tregon se çka qëndron para nesh e rreth nesh, realitetin, e pa të cilën Dritë vështirë se do shihnim e vështirë do gjindeshim në këtë botë.

Kështu pra është edhe me besimin tonë, në dritën e saj bota në të cilën jetojmë nuk është vetëm e errët (siç mendojmë ndonjë herë), porse është vend në të cilën qëndron, banon e jeton me ne e në ne vet Zoti. Kjo dritë e fesë (besimit) na lejon që të zbuloj sa e sa ngjyrja të presences së Zotit në këtë botë, në të tjerët, në ngjarje… Kurse po mos të kishim këtë dritë, atëherë shumçka në ne do ishte e pakjartë e pashpjeguar dhe e pazbuluar. Pra, pa këtë dritë të fesë vështirë do e shihnim në vëllaun e motrën njeri Jezusin e vuajtjes por edhe të shpëtimit dhe shëlbimit i cili nga dashuria për njeriun mori kryqin, vuajti, pësoi për ne dhe mëkatet tona por u ringjall duke mos kërkuar të gjej fajtorin por duke i shfajësuar që të gjithë na tregoi rrugën e vërtetë kah amshimi. Na tregoi se pranë të gjithave ia vlenë të jetohet, na tregoi se jeta ka kuptim edhe kur vuajmë, edhe kur pësojmë, edhe kur na përqeshin të tjerët, edhe kur na shajnë, kur na bëjnë të padrejta, kur na përbuzin, kur na mundojnë padrejtësisht, kur na maltretojnë, përsekutojnë, rrahin e vrasin. Pikërisht, të gjitha këto i përjetoi populli Shqiptar me shekuj. Në kohërat më të hershme të pushtuar nga popuj sllav të cilët erdhën e u vendosën në trojet tona si pagan. Më pas shumë vuajtje na krijuan Perandoria Otomane me shekuj, më pas prapë sllavët me ideologjinë e tyre të pazot (komunizëm-ateizmin). Mirëpo, neve si popull asnjëherë nuk e humbëm besimin, shpresën, nuk e humbëm atë që pranuam nga të parët tanë, pra fenë, nuk lejuam akurrë të shukët ajo drita e shpresës në ne, besimi në dritën e përjatshme. Dhe pikërisht rruga e Jezusit (Rruga e Kalvarit), apo Golgota, na mësoi se si duhet bërë ballë vuajtjes, përsekutimit, vdekjës… Pikërisht, Pashkët ishin festa e jonë e përhershme, festë e cila na mundëson shpresën në ringjallje, në jetë të përjetshme.

Sot kur po kalojmë nëpër peripeci të ndryshme jetësore, kur shumë familje tona kanë me dhjetra të vrarë nga lufta e fundit çlirimtare e para 16 viteve, kur shumë familje ende nuk dijnë për më të dashurit e tyre (të pagjeturit), kur kemi shumë fëmijë bonjak, kur shumë të rinjë e të reja janë në kërkim të kushteve më të mira jetësore, neve asesi nuk guxojmë të lejojmë që të shukët në ne kjo dritë e shpresës, drita e ringjalljes dhe e besimit në të ardhme fatlume të popullit tonë. Nuk guxojmë të lejojmë që të na mbuloj errësira, dëshprimi, mosbesimi…

Martirët tanë gjatë shekujve, dëshmorët e fesë dhe kombit, gjaku i tyre i pafaj që lau trojet tona, për ne duhet të jetë dhe është ujë i bekuar i cili na freskon dhe jep forcë e fuqi për t’u mos u dorëzuar. Jeta e të parëve tanë, shembulli i tyre, jeta e tyre ishte e ngjajshme me të Jezusit të kryqëzuar, ishte dëshmi e gjallë e fesë dhe besimit e shpresës dhe dashurisë për një të ardhme të ndritëshme të popullit tonë – për ringjallje. Sakrifica e tyre është shembull se si mbrohet jeta dhe perspektiva, e ardhmja. Le të jetë motoja e tyre; jap jetën për të jetuar juve..,  mësim për ne, e jeta e tyre çka ishte pos falje sipas shembullit të mësuesit të tyre, ata çka thanë, veçse; “O Atë, fali se nuk dine çka bëjnë!”.

Pra, të shfrytëzojmë këto ditë kur (për gjashtë javë rresht) jemi përgaditur fizikisht e shpirtërisht të falim, të pajtohemi mes veti dhe me Hyjin. Të ndihmojmë gjithë ata që presin e kërkojnë ndihmë nga ne. Të jemi neve dëshmitarë të mirësisë dhe dashurisë, dëshmitar të lajmit të gëzueshëm, lajmëtar të ringjalljes.

Jeta  është më e fortë se vdekja, prandaj të vdesim për kah mëkati, të kqijat e të jetojmë me dashuri, për dashuri e në dashuri dhe harmoni me njëri – tjetrin, kështuqë një ditë edhe neve të mund të jetojmë në amshim.

Shfrytëzoi rastin dhe gjithëve: URIME PASHKËT – RINGJALLJA!



(Vota: 14 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx