E premte, 08.11.2024, 10:43 AM (GMT)

Mendime

Asllan Dibrani: Reagim kundër deklaratave të Vllasit

E enjte, 09.04.2015, 08:22 PM


ZËRI I PARË I RRËNIMIT TË KOMUNIZMIT NË EUROPË

(Reagim kundër deklaratave dhe tezave të pa qëndrueshme të Azem Vllasit.)

Si shpjegohen deklarat dhe tezat e Azem Vllasit për këto ngjarje revolucionare dhe kombëtare? Rrënimi i Jugosllavisë filloi me këto ngjarje e jo me ide të komunistëve shqiptarë e serbë që gjithmonë ishin në favor të interesave të Serbo-Sllavisë. Populli shqiptar e pagoi haraçin e kësaj ideologjie më shumë se çdo popull tjetër në botë.

Nga Asllan Dibrani

Këto ditë në vend që të bëhen unik të gjithë së bashku t'i përkujtojmë  vlerat e demonstratave të përgjakshme te vitit 1981, akoma dalin zëra komunistesh që t'i zbehin dhe t'i etiketojnë më epitete të ndryshme sipas kutit të shteti  gjakpirës të Serbo-Jugosllavisë artificiale. Në vend se të ndërgjegjësohen dhe t'i kërkojnë falje popullit për  kasaphanën që u zhvilluar kundër tyre, dalin akoma me deklarata të frymës ish komuniste jugosllave, që edhe vet sllavët e prishën duke synuar secili në shtëpinë e vet. Butakët tanë ende përpiqen ta ruajnë  ideologjinë komuniste, që për fat të keq nuk ka pak, por si shkas  i indinjatës s’ime, më të veçantë po e marr deklaratën e  Azem Vllasit gjatë një debati televiziv, kur thoshte se “organizatorët e demonstratave të vitit 1981 nuk kanë kërkuar përmirësimin e kushteve të shqiptarëve të Kosovës, por kanë synuar që komunizmin jugosllav ta zëvendësojnë më atë stalinist.”  Ai më tutje shton se në vitin 1981, shqiptarët kanë protestuar mbi baza ideologjike të sistemit të atëhershëm të Shqipërisë, në krye me diktatorin Enver Hoxha, si dhe atyre staliniste e marksiste.

Vllasi këmbëngul me paturpësi gjoja se demonstratat e vitit 1981 të shqiptarëve nuk ishin për "Kosovën Republikë", kur dihet se me mijëra studentë, intelektualë, profesorë dhe punëtorë, ishim protagonistë të atyre ngjarjeve, së bashku me ish të burgosurit si viktimë e  atij regjimi të egër kundër shqiptarëve të Kosovës, nga i cili edhe unë isha isha viktimë e atij regjimi, pjesë e së cilës ishe edhe ti zt. Azem Vllasi, prandaj reagoj  kundër deklaratave dhe qëndrimeve tua në emrin e ndërgjegjes sime, por edhe në emrin e shumë ish të burgosurve politik që dergjëm nëpër burgjet jugosllave për  Republikën e Kosovës, e jo për marksizëm-leninizmin, e as për komunizmin jugosllav të ardhur nga Beogradi apo atë stalinist të ardhur nga Tirana. I indinjuar, i shqetësuar, i revoltuar dhe i prirë nga ndjenja kombëtare dhe njerëzore, e ndjej nevojën që mos  t'i mbes borxh atdheut dhe popullit shqiptar, po qe se nuk reagoj si ma poshtë:

Demonstratat e 81-it paraqesin fillimin e fundit të Jugosllavisë dhe nga Shqipëria s'ka asgjë të keqe që përmes saj gjuha serbe në Kosovë  u zëvendësuar me atë shqipe!

Demonstratat e vitit 1981, parasëgjithash kanë qenë demonstrata kombëtare dhe paraqesin fillimin e fundit të Jugosllavisë artificiale dhe titiste. A kanë pas ngjyrë të kuqe, të zezë, blu apo të verdhë, shoku Azem, është fare pak e rëndësishme. Çfarë të keqe ka në këtë rast, rinia studentore, klasa punëtore dhe gjithë populli liridashës ka qenë i "indoktrinuar" nga shteti amë që edhe mësoj, shkrim e lexim, po edhe pati literaturë shkencore, historike dhe gjuhësore që zëvendësoi gjuhën serbe! Shoku Vllasi!” Edhe ti je protagonist i asaj periudhe, që vetëm serbisht keni mësuar në mungesën e shkollave shqipe! Pushteti e  ndalonte, apo jo? Në gjeneratën  tënde dhe para teje, pos mësimit në mejtepet në  gjuhen arabe që i hapte Serbia dhe  i financonte, mësimi u ndoq në gjuhen serbe. Shkollat shqipe nuk i ka lejuar deri në vitin 1968. Hapja e Universitetit  u përgjak me demonstrata, kur pati edhe të vrarë.

Ne nuk kishim atdhe tjetër, përveç Shqipërisë!

Ne nuk kishim atdhe tjetër, përveç Shqipërisë. E ti dhe ata si ti kishit edhe një atdhe rezervë, ish Jugosllavinë. Ende janë të freskëta gjurmët e të këqijave qe ke bërë nën indoktrinimin e marksizëm-leninizmin dhe komunizmit jugosllav. Aty e kemi pas një mbështetje në aspektin informativ dhe propagandistik nga Shqipëria, e mirë, e keqe, ajo që ia kemi bërë  shërbimin, ka qenë dhe është edhe sot. Nëse pyesim se sa dha Shqipëria për neve në atë kohë, rezultati është "Dha aq sa e fuqizuam, e ndërtuam dhe  e rritëm Shqipërinë." Zoti Vllasi, kur mbeti Shqipëria e  coptuar në 6 shtete ballkanike ti s'je fajtor, po ishin baballarët tanë, që edhe atëherë ishin të përçarë siç jemi ne sot! Andaj sikur të ishim të bashkuar, do të ishim më të vlefshëm dhe më të fuqishëm. Eja zoti Vllasi bashkoju popullit tënd, se ne që ishim si viktimë  e atij regjimi, dimë të falim njerëzit që i kthehen  dhe  i bashkohen popullit drejt realizmit të drejtave dhe aspiratave tona të bashkimit kombëtar. Zoti Vllasi! Unë personalisht, njerëzit që m’i keni lëshuar në shpinë në kohëzgjatjen e hetuesisë më se 8 muaj, më shumë kam hëngër kërbaç e tortura se sa bukë, nga inspektorët shqiptar që ishin në shërbim të ish-Jugosllavisë dhe në mbrojtjen  e saj nga ne, siç na quajshi “irredentistë, kundërrevolucionarë, seperatristë, armiq dhe antijugosllavë!” Unë edhe pse kam derdhur më shumë gjak se sa që kam pi ujë, prapë  kam qenë në gjendje  t'i falë gjatë kohës së çlirimit të Kosovës, dhe ashtu kam vepruar me disa që janë penduar dhe na u bashkuan në luftën kundër Serbisë.

Krenohem që kam qenë pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1981, krenohem që u burgosa për Republikën e Kosovës dhe krenohem që këtë luftë do ta vazhdoj deri në Bashkimin Kombëtar!

I mbyturi mundohet të të mbytë, andaj hiqeni këtë dogmë të komunizmit nga vetja juaj dhe çliroje shpirtin ndaj çështjes kombëtare! Unë krenohem që kam qenë pjesëmarrës i demonstratave të vitit 198. Krenohem që jam biri i familjes që dembabadem nuk e ndalem pushkën kundër Serbisë. Krenohem që  rrjedh nga fshati Dabishec që pushkën e parë në  luftën e dytë botërore në shtetet ballkanike, krisi në fshatin tim nga fshatarët tanë. Krenohem qe u burgosa për Republikën e Kosovës dhe krenohem që këtë  luftë do ta vazhdoj deri në bashkimin kombëtar. Jam shumë krenar qe skam të bëjë asgjë me ju dhe ata që mendojnë si ju zoti Vllasi! Jam krenar qe nuk kam të bëjë asgjë me komunistët e Titosas dhe as të Enverit. Jam shumë i lumtur që nuk iu ndava popullit dhe nuk isha kundër kërkesave që i kishte populli im në çdo kohë. E ndiej veten krenar për veten time dhe për ish të burgosurit politikë që nuk iu përulem  kërkesave të komunisteve shqiptaro- jugosllav që militonin për të na e mbyllur gojën për të drejtat tona në ish Jugosllavi. Përforcimin e ish Jugosllavisë  e ndihmuan komunistet  shqiptar nga ajo ditë kur u ndanë nga Shaban Polluzha dhe kur na u vranë mbi 5.000 luftëtarë më të mirë sipas dirigjimit të komunistëve shqiptarë në krye me Fadil Hoxhën, Ali Shukrija, Sinan Hasani etj.

Zoti Vllasi dhe ju tjerët mendimtarë si Ju! Me deklaratat e fundit po e dëshmon se ende ëndërroni  "vëllazërim-bashkimin" e Titos. Kur flitet për ato demonstrata, për rëndësinë dhe për vlerat e tyre, Azem Vllasi dhe Azemat tjerë më të paktën që mund ta bëni  duhet t'i kërkojnë falje publike popullit shqiptar për të gjitha të zezat që ia keni sjellë me politikën tuaj antikombëtare të asaj kohe, po edhe të tanishmen. Mosni, ju lutem, se çdo vlerësim i juaj i gabuar bëni mëkate dhe  i lëvizni eshtrat e djemve dhe vashave më të mira që  flijuan jetën për lirinë e kombit tonë dhe për Republikën e Kosovës!

Demonstrata  të vitit 1981 kanë qenë në vijimësinë e përpjekjeve të popullit tonë për krijimin e "Republikës së Kosovës", por  edhe "Bashkim Kombëtar"

Pra, kërkesat dhe Platforma e demonstratave te vitit 1981 edhe shkencërisht edhe historikisht ishin artikuluese të aspiratës në vijimësi të popullit shqiptar për një shtet kombëtar. Të gjitha teoritë tuja zt. Vllasi janë të pathemelta dhe antidemokratike. Thjesht bëni zhurmë sipas diktateve  komuniste në Beograd. Ju zoti Azem nuk jeni pajtuar kurrë edhe dje edhe sot që Tirana të jetë epiqendra e shqiptarëve.  Prandaj, tezat tuaja bien poshtë, ngase pikërisht këto demonstrata  të vitit 1981 kanë qenë në vijimësinë e përpjekjeve të popullit tonë për krijimin e Republikës së Kosovës, por edhe për bashkim kombëtar. Ishin tërësisht demonstrata me platformë dhe themel kombëtar. Kjo deklaratë e juaja dhe jo vetëm e juaja, është një e pavërtete e stilit propagandistik komunist "Hajt se mbas 34 vjetëve janë harruar gjërat" dhe i hamë karamelat .

Po të ishte i mirë, marksizmi dhe leninizmin e kishin ndalë për vete Rusia dhe Europa! Butakët e sotshëm politikë në pushtet, nga naiviteti dhe impotenc, do të të shpallin "Veteran” të UÇK-së!

Demonstruesit kanë kërkuar vetëvendosje dhe Republikë, ndërsa “marksizëm- leninizmin" si parullë e ka përmendur vetëm një grup i cili ka vepruar  ilegalisht në atë kohë, sikurse ne tjerët, nga i cili  grup prej 10 vetash nuk mund ta njollosni esencën dhe vleren e atyre demonstratave masive me taban kombëtar, dhe patriotik. Pse? Sepse ne po flasim për demonstratat me karakter politik për Republikën e Kosovës,  e jo për "marksizëm-leninizmin, që as një metelik vlerë nuk kanë pas kurrë për shqiptarët, as atëherë as sot, por nuk do të ketë as nesër. Po të ishte i mirë, e kishin ndalë për vete Rusia dhe Europa dhe s'ju kish rënë hise shqiptarëve të përçahen për ideale komuniste kur shqiptarët më së shumti ranë viktimë e asaj ideologjie. Ajo që përmendni ju, ka qenë një mbulesë meqë ishte populli i rrethuar me sistemin komunist. Fatkeqësisht edhe Shqipëria ishte si e tillë.

Ti, shoku Vllasi,  ke qene shqipfolësi më i tërbuar kundër neve - "irredentistëve dhe armiqve të Jugosllavisë"! Më kujtohet si sot kur thoshe: "Armikut duhet me ja ngushtu hapësirën e veprimit." Ju edhe në prag të shkatërrimit të Jugosllavisë u përpoqët të mbeteni  si "mizë në bythën e kalit"! Prandaj,  këta legenët e sotshëm të politikës në pushtet, nga naiviteti dhe  kaja do të shpallnin edhe "veteran” të UÇK-së, këshilltar, analist, avokat, dhe më në fund do të të rezervonin ndonjë  pozicion gjyqtari me shkop në dorë, si në ish-komunizëm, por edhe në Republikën  e Kosovës kundër së cilës nuk le gjë pa bërë!

Vetëm një qëllim ishte për "Kosovën-Republikë" që na ka takuar para sllovenëve, kroatëve, malazezëve, boshnjakëve dhe maqedonëve!

Zoti Vllasi! Demonstratat e Studentëve, Profesorëvedhe të gjithë shqiptarëve të Kosovës, kanë pasur vetëm një qëllim: "Kosova Republikë”, që na ka takuar para sllovenëve, kroatëve, malazezëve, boshnjakëve dhe maqedonëve. Jo që nuk ju takuan republikat para neve,  por ata  si ardhacakë okupuan tokat Etnike-Pellazgo-Ilire , dhe  neve si pasardhës të tyre. Për ne,  armiqtë e Jugosllavisë nxorët platforma anti-irredentiste kundër nacionalizimit shqiptar me diferencime  dhe ndëshkime të llojeve  të ndryshme ndaj njerëzve më të mirë të kombit, duke filluar nga akademikët, siç ishte rasti i Ali Hadrit të ndjerë.

Kosova nuk ka qenë e pavarur apo shtet në veti sipas kushtetutës së '74-it që theksoni ju! Ajo ka qenë martesë e dhunshme ndërmjet Serbisë, Kosovës dhe Vojvodinës!

Zoti Vllasi! Kosova nuk ka qenë e pavarur apo shtet në veti sipas Kushtetutës së '74-it që theksoni ju! Ajo ka qenë martesë me zorr ndërmjet Serbisë, Kosovës dhe Vojvodinës. As edhe një lugë më e vogël nuk ka mund të hyjë në Kosovë pa u pyetur Serbia! Ju  thatë  se në vitin 1981, shqiptarët kanë protestuar mbi baza ideologjike, të sistemit të atëhershëm të Shqipërisë, në krye me diktatorin Enver Hoxha, si dhe atyre stalinistë e marksistë dhe komunistë. Zoti Vllasi! Nëse paskemi luftuar shqiptarët apo separatistët e nacionalistët tanë në kohën e ngjarjeve të  vitit 1981, duke na e mveshur ideologjinë komuniste, atëherë pse ishe kundër tyre, kur ju ishit baba i komunizmit dhe përfaqësues i komunizmit për Kosovën, sipas platformës  marksiste-leniniste që si lëndë në Universitetin e Kosovës e keni futur ju, e jo Enver Hoxha, duke i detyruar profesorët të thyejnë edhe plan programet metodike, duke ndërhyrë  me tezat më të këqia, duke i gjykuar si  “demonstrata armiqësore kundër Jugosllavisë”.

Vllasi përmend se Kosova ka qenë  e zhvilluar me një ekonomi te ngjashme sikur republikat tjera, gjë që bien në lajthitje me atë që u ekzekutonte në praktikë. Zoti Vllasi krenohet që Trepça atëherë ka pasur afër 25.000 punëtorë. Është  e vërtet se ka punuar, por lind pyetja se për kenë ka punua, për  Kosovën apo për Beogradin. Faktet dhe dëshmitë janë dhe ekzistojnë se Kosova  e ka kryer punën fizike ,ndërsa ari , dhe xehet tjera  u përcollën përmes vagonëve në Beograd këtë e din më së miri Ali Shukria.

Zhvillimi i Kosovës ka qenë  i barabartë  sipas parullës "Trepça radi, Beograd se gradi!” (Trepça punon, Beogradi ndërtohet!). Në kohën  e Vllasit, Kosova ka qenë rajoni më i pazhvilluar në Europë. Asnjë  metër katror rruge të asfaltuar nuk ka pasur në  fshatrat tona... Asnjë metër gjatësi gyp të ujësjellësit po ashtu nuk ka pasur. Të punësuar ka pasur  çdo i 10-ti banor , andaj lind pyetja se nga e nxori Vllasi këtë rezultat se Kosova ka qene  e barabartë me republikat tjera në ish-Jugosllavi? Përfundimish, kërkoj nga  zoti Vllasi nëse ka diçka kundër, kur të dojë le të vijë të dalim në debat publik dhe t’i shoshisim publikisht këto teza të paqëndrueshme të tij! Koha është të punojmë për të tashmen dhe të ardhmen e atdheut. Ta lemë të kaluarën se ende në gjysmë të rrugës jemi!



(Vota: 17 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora