Mendime
Faton Abdullahu: Pulsime dhe balance fe e komb
E marte, 07.04.2015, 04:50 PM
Pulsime dhe balance të reja fe e komb
Nga Faton Abdullahu
1) Ndeshja e kombëtares ende nuk ka përfunduar - me fetare.
Mjafton
t’i lëshohet një sy facebook-ut këto ditë për t’i lexuar reagimet e ndryshme
rreth sexhdes së Mavrajt pas shënimit të golit dhe shkuarjes së disa lojtarëve
të kombëtares për tu falur në xhami, për të kuptuar se ndeshja apo thënë më
saktë rivendosja e balancave komb e fe ndër shqiptarët në Ballkan do të jetë
edhe për kohë të gjatë temë e nxehtë. Dhe le të jetë pse jo – duhet të jemi ne
ata që duhet të rivendosim këtë kufij për fat të keq lehtë të lëvizshëm tek ne,
por të shenjte dhe të palëvizshëm tek kombet e tjera. Jemi ne ata që duhet të
vendosim sa komb e sa fe, ku komb e ku fe, ku e kur bashkë e ku e kur ndaras
këto vlera.
2) Vijat e kuqe të BIK-ut
Me suspendimin e punëtorit fetar (e kam të vështirë t’i them hoxhë) Irfan Salihut Bashkësia Islame e Kosovës vendosi vija të kuqe të cilat askush nuk mund t’i tejkaloj nëse dëshiron që të mbetet i punësuar në këtë Bashkësi fetare. Por a është kjo vijë e kuqe e vendosur aty ku duhet dhe a është sa duhet e qartë dhe e fortë në kuptimin që ta ndal antishqiptarizmën në këtë institucion të rëndësishëm? Unë konsideroj se nuk ka qenë dhe as tash, me këtë suspendim, i cili gjithsesi është hap i mirë përpara, nuk u vendos aty ku duhet. A kam të drejtë të konstatoj kështu ? Vallë a duhet të pritet që dikush, në mes të Kosovës, nga yd bja e xhamisë, të thotë diçka aq antishqiptare sa që do ta lakmonte edhe Akademia e Shkencave Serbe për këshilltar, të suspendohet. A duhet që të pritet të përpunohet gjërë e gjatë një koncept i tillë e të na servohet nga xhamia apo duhet reaguar më heret dhe me shpejt ndaj tij dhe të tjerëve si ai. BIK-u me reagimet e saja është vonuar dhe për më keq nuk e ka vendosur vijën e kuqe aty ku duhet, që ta mbroj islamin tradicional, demokracinë, fjalën e lirë e gjithsesi edhe shqiptarizmën. Është koha e fundit që vija e kuqe e BIK-ut të shtyhet më prapa dhe të ndal më shumnë e më me efikasitet ekstremizmat në xhamitë tona.
3) Islamofobia
Ka reagime të ndryshme sidomos kohëve të fundit ndaj ndryshimeve që po ndodhin tek ne tash sa vite ndërmjet raportit fe dhe komb, konkretisht fe islame dhe komb shqiptar. Nga këto reagime, vlerësime dhe përfundime mund të kuptohen shumë gjëra. Disave që nuk ju pengojnë shumë trendet e reja në fenë islame, apo i përkrahin ato, hallin më të madh e kanë tek islamofobia të cilën gjithsesi mund ta gjesh në Kosovë. Por këtu jo rrallë ka një problem, në të vërtetë një ngatresë apo edhe huti se, çka është në të vërtetë islamofobi. Kur ka reagime kundër islamit ekstremist në Kosovë, kundër islamit antishqiptarë në disa xhami tona, kundër islamit terrorist që po e prodhojmë këtu e po e eksportojmë jo vetëm në Siri, kjo nuk mund të jetë islamofobi, kjo është shqiptarizëm, kjo është liberal-demokraci, shtetndërtim. Por ja që disa për fatin e keq të cilët nuk janë të paktë se arrijnë të gjejnë shpjegime nga më të ndryshme që kritikën e këtyre stërkeqjeve ta shohin si islamofobi.
Ekziston gjithsesi edhe ana tjetër në këtë raport kur disa duke u munduar ta hedhin ujin e ndotur, hedhin edhe fëmiun e shëndosh bashkë me te. Në këtë rast kemi të bëjmë me islamofobi në Kosovë. Dhe kjo ngatërresë do të vazhdoj edhe më tutje. Në variantin më të keq, kjo do të ndodhë kur ky ngatërrim bëhet qëllimshëm. Por sa më shumë që ne si shoqëri nuk do të jemi në gjendje ta luftojmë vetë stërkeqjen e tash sa kohshme në islamin tonë tradicional, aq më shumë do të rritet keqkuptimi dhe keqinterpretimi i fesë së shumicës së shqiptarëve. Dhe nga kjo më së shumti do të pësojmë vet ne dhe vetë feja islame.
4) Ekonomia dhe ekstremizmi fetar
Disa e
thonë e nuk janë të paktë ata që e mendojnë se, zhvillimi ekonomik është
premisa e vetme më e mirë dhe më efikase e luftimit të ekstremizmave fetar tek
ne. Në të parë kjo është shumë e saktë. Pak janë ato të këqija që nuk mund të
luftohen me zhvillim ekonomik. Por ka një problem këtu. Problemi është ‘çështja
kohë’. Sa kohë merr ky zhvillim ekonomik.