Kulturë
Poezi nga Hamit Taka
E enjte, 12.02.2015, 08:11 PM
Hamit Taka
MËNGJES
Në damarët e tu rrjedhin lumenj të virgjër,
Në degët e krevatit rri varur zogu i heshtjes.
Hëna pas dritares si një dashuri e vyshkur,
Kurmin t’eksploron-burimin tim të qeshjes;
Afërdita-kjo brengë e kaltër mëngjesore,
Refleks i shuar i flakëve të kuqërrremta,
Të bukurive dhe dashurive antike përrallore
Vështron e pikëlluar nga akullsia e planeteve;
Në kraharor troket gjaku i nxehtë i zemrës,
Mëngjesi hedh rrënjë në sytë e tu të hapur
Shëmbëllimin tonë gjej në të gjitha gjërat
Të bukur, të përsosur, si besimi yt i pastër.
Këmbanë e madhe paqeje hapet para qielli
Dhe ne e godasim fort me gaz e me shpirt;
Nëpër lëndinat e praruara nga vesa e dielli
Filizat tanë lundrojnë në ajër e në dritë;
Mëngjesi me rroba të bardha i veshur
U jep shkëlqim unazave, xhevairëve të çmuar
Dhe bukurisë tënde, syve tanë të qeshur
Dhe hapësirën e pamatë zogjve të hutuar;
Na i merr gjumi syhirtë me vete ledhatimet
Dhe të fshehtën e nxehtë të gjoksit tim,
Mëngjesi është rinia jote dhe ringjallja ime
Nata thjesht eklips, mbrëmja një vegim.
BISEDE ME VENDLINDJEN
Ju male të çveshur,
Shkëmbenj ku rrinë thëllëzat,
Dhe ju livadhe të qeshur
Ku kullosja dikur mëzat!
Ju monopate të zbeta
Mes arave palë-palë,
Dhe ju burime të fshehta
Që mërmërisni nën zallë!
Ju gorica aq të pakta
Që sfidoni thatësirën
Ku barinjtë varin trastat
Dhe lëkurën e shëllirës!
Ju avlli murenxirë
Të lodhura, raskapitur
Ku brezat lanë gjurmët
Qosheve duke ikur!
Ju oxhakë të skalitur
Për pak tym përmalluar
Dhe ju çati të vjetra
Me pullaze të rrënuar!
Ju rrugë të heshtura
Nga
Ju kalldrëme të etura
Për një hap të menduar!
Ju porta të hapura
Dhe oborre të pashkelur,
Ju hardhi të pa krasitura
Dhe ju ftonj të pavjelur!
Dhe ju gjurmë të arta
Të asaj vajzës pa emër
Që tej gardhit me shkarpa
Vështrime hidhte vjedhur;
Të lodhur, të gjymtuar
Ç’më hyni sot pa radhë
Në vargje të pa latuar,
Dhe strofave gërmadhë!
KENGA E MERGIMTARIT…
Prapa shpine lashë prindërit, nën ylberin e mallit.
Kokën var mbi supe për ta dhe vendlindjen.
Të bukur janë të dy si sytë e mi të ballit
Dhe lotët e rëndë të burrit s’duan më të binden;
Në këtë udhë shurdhe drejt mërgimit të largët
Mbart në shpinë gjithë qëniet që dua e s’i dua
Nën mantelin gri të trishtimit të përbashkët
Premtimet e shpresat ç'më rëndojnë sot mbi mua;
Nën këtë qiell iluzionesh që me sqep vetëtimash
Çan guackën e së panjohurës të shoh yllin e fatit
M’u bë gjoksi gjyryk erërash e psherëtimash
Duke ma përpirë e cfilitur krenarinë dhe inatin;
Për të vrarë frikën nga grackat e natës së errët
E mbjell atë me farërat e çveshura të ëndërrave-
Me farërat jetëgjata për vete dhe të tjerët
Gjoja nesër do të vjelim gjithë frutat e ëmbëla;
Gjatë ditës xjerr para duart e mia plot vlerë,
Duke m’u pleksur këmbët te mburrja dhe përulja…
Thonë se lumturia te vendi yt e ka një derë
AUTOPORTRET BARDHEZI
Për një vizë kalimi emrin s’e ndërrova
Kryeunjur posi qyqarët;
Në dhe të huaj strehë s’kërkova
As mëshirë nga pushtetarët;
As kryqin s’e ndërrova me hënën
Për t’u futur në vathën e Krishtit;
Zotit, Atdheut edhe Nënës
U falem në altarin e shpirtit;
As rri të qahem ditë e natë
Për fatin tim të dëshpëruar
Gjersa vendit tim i jap
Ç’kam më të mirë e më t’kulluar;
Nën qiell të hapur e kam unë strehën,
Nën flatër të shqipes e kam folenë,
Një varr nën barin e hareshëm
Në tokën time do ta kemë:
PER VETEN TIME
Një natë shkurti nëna më solli në botë,
Nuk më tha njeri se linda me këmishë;
Veç hëna thanë ishte e plotë
Si pika mbi “i” në majë të xhamisë;
Veç fatit të shkruar e kotë është çdo gjë.
Heshtje para lindjes, heshtje pas vdekjes…
Khajami e ka thënë herët këtë-
Nesër harrohem nën malet e heshtjes;
Si dërvish i çmendur dikur kam vallzuar,
Nën ritmet e daulles së arixhiut,
Ciganka e digjte shaminë nëpër duar
Ligësia, besoja, ishte lajthitje e natyrës,
Një gabim i zotave në Olimpin barbar…
Si ta dija se pas buzëqeshjes, fytyrës
Mund të ishte një xhelat, makut e kusar?…
Sot kam frikë, një ankth të tmerrshëm
Njësi matëse të përdor ndershmërinë,
Kam frikë nga njeriu i pushtetshëm
Se më merr gjithçka, gazin e lirinë;
* * * * *
Në ëndje librash e muzash pa jetë,
Mes njerzish të shplarë e pa shpirt
Fillova ta ndiej çka është e vërtetë
Se jeta s’ta jep më shansin e dytë…