E merkure, 11.12.2024, 10:42 AM (GMT)

Editorial

E. Buçpapaj: Njiheni Kosovën dhe pranoni Visar Zhitin

E hene, 09.02.2015, 08:47 PM


I DASHUR AT I SHENJTË, JU LUTEM NJIHENI PAVARËSINË E KOSOVËS DHE PRANONI VISAR ZHITIN AMBASADOR NË VATIKAN

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

I dashur Papa Françesk,

Po ju drejtohem me një lutje të dyfishtë sepse kam besim tek Ju Ati i Shenjtë. Besimin që na e ka shuar politika, na e keni ringjallur Ju. Ju keni sjellë në botë një erë të re shprese. Pavarësisht se cilit besim i përkisni, pavarësisht se cilit besim i përkasim, se cilës race i takojmë, të çfarëdo etnie apo religjioni qofshim, Ju na keni ringjallur shpresën për drejtësi, pasi njeriu dhe njerëzimi nuk mund të ekzistojnë pa të drejtat e tyre legjitime, ndërsa ne të gjithë jemi bijtë e Zotit.

1.

Për ne Shqiptarët Ju At i Shenjtë jeni vijues i rrugës së Paqes që hapi e përshkoi Papa Gjon Pali II, i cili mori pjesë aktive në ndryshimin e historisë në favor të lirisë e njeriut, siç ishte përmbysja e sistemit komunist që mbështetej në terrorin e diktaturës dhe shkeljen e të drejtave njerëzore, duke shkaktuar miliona e miliona viktima, njëjtaz si nazizmi. Papa Vojtila ishte shumë i afërt me Nënë Terezën, Nënën shqiptare të gjithë të përvuajturve të botës, e bekuar nga Kisha Katolike në pritje të Shejtërimit të saj.

Ju jeni vijues i Papa Vojtilës, i cili pavarësisht se shqiptarët e Kosovës ishin me shumicë myslimane, Papa Gjon Pali II u lut për shqiptarët dhe kërkoi ndaljen e kasaphanës së fundit të ish-Jugosllavisë.

Ju Ati i Shenjtë në qershor, ju qoftë udha e mbarë, do të vizitoni një tjetër vend mysliman, Bosnjen që ka përjetuar një tragjedi të paparë prej indiferencës njerëzore.

Shën Françesko i Assisit thotë: „Filloni dhe bëni çfarë është e nevojshme, pastaj çfarë është e mundshme dhe papritmas ju do të bëni të pamundurën." Pra Zoti i ka dhënë mundësi njeriut të bëjë të pamundurën për të ndalur vuajtjen dhe njeriu nuk po e bën këtë detyrë të vetën. E Ju Ati i Shenjtë po i tregoni rrugën njeriut, që e ka humbur, sepse synon të pasurohet, pa iu bërë vonë se në çdo sekondë një fëmijë vdes, ngaqë nëna që e sjell në jetë nuk ka me se ta ushqejë, ndërsa tonelata e tonelata me ushqime që mund të ngopnin me miliona e miliona barqe të uritur përfundojnë në plehra!

Në konfliktin e 1998-1999, Perëndimi arriti të ndalte spastrimin etnik dhe vrasjet masive e kështu banorët e Kosovës patën mundësi të rikthehen në vatrat e tyre, me shpresë për të mjekuar plagët e trupit e shpirtit dhe për të rifilluar jetën.

Megjithatë, pas çlirimit, Kosova e njohur nga 109 shtete të mbarë botës dhe nga pothuaj të gjitha anëtaret e BE, nuk është njohur ende si shtet i pavarur nga Vatikani. Kosova dëshiron të ketë marrëdhënie diplomatike me Vatikanin. Sepse shqiptarët kanë patur historikisht marrëdhënie të shkëlqyera me Vatikanin. Mjaftojmë të kujtojmë Skënderbeun, Atletin e Krishtit dhe mbrojtësin e Krishtërimit.

Një lidhje të pazgjidhëshme mes Vatikanit dhe Shqiptarëve ka krijuar - mjafton këtu të përmendim - Perandori Konstandini i Madh i njohur si Shën Konstandini (Flavius Valerius Aurelius Constantinus Augustus 272 AD – 22 May 337 AD), me origjinë ilire, i cili e ka njohur i pari krishtërimin si fe zyrtare të Perandorisë Romake.

Pastaj, Shqipëria e Kosova janë shtete europiane dhe me Vatikanin janë larg vetëm 1 orë me avion.

Mosnjohja e Kosovës po shkakton një dramë të re për këtë shtet të ri, që për nga mosha është më i riu në Europë, që do të thotë se ajo është e populluar më së shumti nga rinia, ky është bekim i Zotit, por që nuk ka me se t’i ushqejë ëndërrat dhe shpresat, sepse aty papunësia shkon në 70% e për rrjedhojë të kësaj gjendjeje dramatike, nga Kosova ka filluar një valë e re eksodi, kësaj here jo nga Milosheviçi, por nga diktatura e frikës prej varfërisë.

Sot Kosova është një Geto në zemër të Europës dhe njohja e pavarësisë nga Vatikani, do të ishte shumë e rëndësishme për fatin e popullit të Kosovës. Andaj Ju lutem At i Shejtë që ta kryeni këtë akt shtetëror, njerëzor e Hyjnor.

Po të ishte gjallë Papa Vojtila, ai do ta kishte njohur pavarësinë e shtetit të Kosovës. Dhe Ju jeni vijues i udhës së Tij të ndritur nga Zoti.

Kjo njohje do të ishte në të mirë të Paqes dhe të drejtave njerëzore.

2.

I dashur At i Shejtë,

Ashtu si Ju e dini, Shqipëria është vendi që gjatë Luftës të Ftohtë ka përjetuar një diktaturë mizore dhe shqiptarët janë martirë të persekutuar edhe për arsye të ideve të tyre, edhe për arsye të besimit të tyre.

Gati 22 vjet më parë, në homazh të vuajtjeve të shqiptarëve dhe tolerancës fetare, më 25 prill 1993 Shqipërinë e vizitoi Papa Gjon Pali II, ashtu si do ta na nderonit edhe Ju At i Shenjtë me vizitën Tuaj më 21 shtatorin e vitit 2014.

Të dyja vizitat janë historike, jo si një akt formal, por si një lidhje midis shtetit tuaj, Vatikanit dhe shtetit tonë, Shqipërisë.

Nga ana tjetër, midis Shqipërisë dhe Vatikanit po mbushen 25 vjet nga dita e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, ndërsa riorganizimi i Kishës Katolike në Shqipëri rifilloi më 25 prill 1993, kur Papa Gjon Pali II, gjatë vizitës së Tij në Shqipëri i dhuroi Kishës Katolike të martirizuar nga diktatura hierarkinë e re të pasdiktaturës që niste me katër ipeshkvij të rinj shqiptarë, ish-të burgosur në burgjet e diktaturës. Ata ishin Imzot Frano Illia, Imzot Robert Ashta, Imzot Zef Simoni që sot nuk jetojnë më, dhe Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkvi i Shqipërisë, ndërsa më 26 nëntor 1994 Shenjtëria e Tij Papa Gjon Pali II emëroi Kardinalin e parë shqiptar Mikel Koliqin, po ashtu i mbijetuar i burgjeve dhe torturave komuniste. Edhe Kardinal Koliqi ka kaluar në Amshim.

Më 2006 Papa Benedicti XVI, pas vdekjes të Ipeshkvijëve shqiptarë, duke vijuar me riorganizimin e hierarkisë të Kishës Katolike në Shqipëri emëroi katër ipeshkvij të rinj. Ata ishin: Imzot Dodë Gjergjin, Imzot Ottavio Vitale, Imzot Cristoforo Palmieri dhe Imzot George Anthony Frendo. Nga dhjetë Ipeshkvij që ka sot Shqipëria, vetëm katër janë shqiptarë, tre prej të cilëve janë emëruar nga Papa Vojtila. Emërimet e Ipeshkvijve shqiptarë nga Papa Vojtila, janë bërë në homazh dhe nderim të katolicizmit shqiptar. Por me ikjen në Amshim të tyre, ipeshkvijtë shqiptarë janë zëvendësuar me Ipeshkvij jo shqiptarë.

Unë mendoj se katolicizmi shqiptar gjithmonë është dalluar për nga vlerat dhe përkushtimi ndaj Zotit, Atit të Shenjtë dhe popullit, prandaj e meriton hierarkinë e lartë.

3.

I dashur Papa Françesk,

Nëse Imzot Frano Illia, Imzot Robert Ashta, Imzot Zef Simoni dhe Kardinal Mikel Koliqi sot do të ishin gjallë, ata njerëz të përndritur do t’i tregonin Shenjtërisë Tuaj se kishin qenë në burgjet e diktaturës bashkë me poetin, shkrimtarin dhe diplomatin Visar Zhiti, kandidatura e të cilit si Ambasador në Vatikan, sipas shtypit shqiptar, që citon Imzot George Frendon të ketë thënë se Vatikani „do një Ambasador katolik jo mysliman“, nuk ka qenë e mirëpritur.

Ky lajm ka shkaktuar trishtim në opinionin shqiptar, për faktin se marrëdhëniet mes dy shteteve tona nuk janë fetare, pasi, siç dihet, Shqipëria është një shtet laik, që respekton shtetin e Vatikanit, katolicizmin dhe çdo besim fetar prandaj Ju At i Shenjtë gjatë vizitë Tuaj në Shqipëri na thatë me të drejtë se “Populli fisnik shqiptar meriton respekt dhe admirimin sepse është shembull i tolerancës fetare”.

Dhe kjo është e vërteta si drita e diellit. Ne e kemi tolerancën në gjak, por shtetin e kemi sekular, pavarësisht se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është katolik dhe katolikët përbëjnë 10% të popullsisë. Katolikë i kemi patur dy Kryetarë të Kuvendit të Shqipërisë, njëri martir i lirisë dhe Mandela i Europës, z. Pjetër Arbnori dhe tjetra zonja Jozefina Topalli.

Prandaj, ju lutem i Përndrituri At i Shenjtë pranojeni Visar Zhitin, poetin e burgosur nga diktatura, i cili ka përkthyer aq mjeshtërisht poezitë e Papa Vojtilës, që të ketë nderin e të jetë Ambasadori i Shqipërisë në Vatikan, sepse e meriton këtë nder. Ju lutem gjithshtu që ta mbani gjithmonë derën e hapur për çdo shtetas shqiptar, i cilit do besim qoftë, pasi çdo qytetar shqiptar e vlerëson Vatikanin dhe rolin Tuaj.

Sepse përndryshe toleranca fetare si do të kuptohej.

4.

I dashur At i Shejtë,

Në marsin e vitit 1993, bashkë me bashkshortin tim dhe dy kolegë, të katër gazetarë myslimanë nga Shqipëria na priti në Vatikan në audiencë dhe na dha bekimin Papa Gjon Pali II. Ky bekim më shoqëron në jetën time si njeri dhe gazetare, më ndriçon rrugën dhe më kujton gjithmonë atë sentencën tjetër të Shën Françeskut që thotë se: „Nëse Zoti mund të veprojë përmes meje, Zoti mund të veprojë përmes çdokujt!“.

Me vete mbaj gjithmonë një Shën Mëri që ma ka dhuruar Nënë Tereza, edhe ajo më ka bekuar dhe më ka treguar rrugën për të shkuar tek e vërteta.

Të qënit myslimane, paçka se nuk jam praktikante, s’më pengon kurrë t’i lutem Zotit në Kishën Katolike që e kam pranë banesës time, s’më krijon asnjë pengesë që t’Ju besoj Ju me gjithë shpirt se do të vijoni rrugën e Papa Gjon Palit II, në të mirën e përbashkët të gjithë Njerëzimit, sepse ne na bashkon të gjithëve i njëjti Qiell dhe njëjti Zot.

Po kështu, të qënit myslimane ma forcon dëshirën që një ditë të bekuar t’Ju takoj i dashur Ati i Shejtë, si i dërguar i Zotit në kohën e duhur dhe në momentin e duhur, për të ndihmuar Njerëzimin që ndodhet në ditë të vështira.



(Vota: 5 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora