E marte, 30.04.2024, 07:53 AM (GMT+1)

Mendime

Mehmet Elezi: Gjuha Shqipe përballë sfidave integruese

E premte, 11.07.2008, 08:23 PM


Mehmet Elezi
Gjuha shqipe duhet të marrë frymë me kapacitetin e plotë të dy mushkërive të saj e jo vetëm me kapacitetin e njërës mushkëri

Gjuha Shqipe përballë sfidave integruese

Nga Mehmet ELEZI

Sesioni shkencor "Gjuha Shqipe përballë sfidave integruese" që u mbajt para pak ditësh në Tiranë nga Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Instituti i Gjuhësisë dhe i letërsisë mund të vlerësohet si hap drejt një përkujdesjeje serioze për gjuhën shqipe, për vlerat e pazëvendësueshme të saj ; si shenjë se shoqëria shqiptare, pjesa e specializuar dhe e institucionalizuar e saj, po fillon me u marrë përnjëmend me gjuhën shqipe. Gjithkush ka një lloj tapie të qenies, të vetvetësisë ose identitetit të vet. Për kombin, ose le të përdorim një fjalë burimore shqipe, për lemin shqiptar, kjo tapi është gjuha që shkruajmë e që flasim.

Ky sesion mund të vlerësohet po ashtu si një mbështetje për veprimtarinë intelektuale, të shpërfillur jo pak nga politika në vitet më të vështira të kapërcyellit (tranzicionit). Ndoshta po shkurtohet koha kur qarqe me ndikim në politikë e në media mund të " emërojnë " shkrimtar, akademik, analist, artist a intelektual të madh cilindo që u duhet atyre për ndihmesa të tjera, jashtëprofesionale. Dita kur një shoqëri fillon me e respektue hierarkinë e vlerave mund të quhet ditë e daljes përfundimisht në dritë të kësaj shoqërie.

Thonë se njerëzit e letrave e të artit tërhiqen nga bukuria, se bukuria zgjon krijuesin tek ata. Mendoj se po aq shumë, në mos më tepër, këta njerëz i josh drama. Si njeri i letrave më ka zanuar në shpirt fati i gjuhës shqipe. Kush më shumë : bukuria apo përgjakja e saj ? Mendoj se të dyja këto kanë përbërë një martesë të dhimbshme, që e ka shoqëruar gjuhën shqipe në fatin historik. Gjuha nuk mund të kishte fat të ndryshëm nga bartësit e saj.

Siç nuk ndodh shpesh ndër popuj, për ne gjuha shqipe është baras me të qenit shqiptarë. Një numër kombesh kanë elementë të tjerë njëjtësimi : kanë shtet të përbashkët, identitet kulturor të konsoliduar, fe të njëjtë, disa prej këtyre ose të gjitha. Australianët, amerikanët a qytetarët e Zelandës së Re flasin anglisht, megjithatë askush nuk thotë se ata janë anglezë. E kundërta do të kish ndodhur me ne shqiptarët, nëse nuk do ta kishim ruajtur gjuhën. Bota do të na kishte quajtur turq, grekë apo sllavë, sipas gjuhës që do të kishim folur. Nuk do të bëhej analiza e ADN-së me dëshmue se kemi gjak shqiptar. Kush i njeh sot për shqiptarë banorët e do krahinave kufitare, që dikur kanë folur shqip, po në përdallgiet e historisë e kanë humbur gjuhën, anipse e ruajnë për shembull, në vaje e në gjamë ?

Gjykuar nga lartësia e kësaj përgjegjësie, mendoj se është koha për vëmendje krejt tjetër ndaj gjuhës shqipe. Kjo diktohet të paktën nga tri realitete të reja.

Një realitet thelbësisht tjetër është krijuar brenda Republikës së Shqipërisë. Shqipëria më në fund është një vend i lirë. Jeta politike, ekonomike, shoqërore e kulturore po u nënshtrohen reformave të thella demokratizuese. Atëherë pse t'ia mohojmë këtë të drejtë gjuhës shqipe, të vetmes pasuri që na njëjtëson si shqiptarë? Kongresi i Drejtshkrimit 1972 ka mbetur i ngrirë si në kohën që u mblodh. Për më tepër, ai vështirë se mund të quhet kuvend i mirëfilltë dijetarësh, sa kohë që pjesëmarrësit nuk mund t'i shprehnin mendimet lirshëm, si dijetarë. Ata që folën e votuan në kongres ishin aq të lirë sa edhe shqiptarët që duhej të votonin 99.99 për qind në të gjitha zgjedhjet pa opozitë. Në Kongres mungoi mendimi ndryshe. Fizikisht ose me pikëpamjet e tyre munguan Selman Riza, At Zef Valentini, Martin Camaj, Mustafa Kruja, Arshi Pipa, Namik Resuli e të tjerë. Mungoi edhe vetë Çabej i madh, i cili ishte në sallë, por kurrë nuk e mbështeti zgjidhjen që u bë. Edhe dijetarët nga hapësirat shqiptare të ish-Jugosllavisë u shprehën për projektin e 1972-shit më fort si atdhetarë se si shkencëtarë. Vepruan kështu për të frenuar strategjinë e ndarjes së shqiptarëve në dy "kombe". Prandaj dhe përgatitja e atij kongresi si dhe organizimi i tij kujt iu besua? Iu besua gjuhëtarëve pa vepra!

Një realitet thelbësisht tjetër është krijuar në krejt hapësirat shqiptare në rajon. Kosova u bë e pavarur. Shqiptarët në Maqedoni, në Mal të Zi e në Kosovën Lindore kanë më shumë të drejta e liri demokratike. Shqiptarët lëvizin lirshëm, shkojnë e vijnë te njëri-tjetri, shkëmbejnë mallra, kulturë, përvojë, dashuri, vlera. Në këto rrethana del nevoja që gjuha shqipe t'u afrohet më shumë të gjithë shqiptarëve, të mos jetë e afërt për disa e e huaj për disa të tjerë, të cilët, siç është provuar, vazhdojnë me u përballë me vështirësi në të shkruar e në të folur. "Një gjuhë e përbashkët, tej caqeve shtetërore, mbetet shprehja e një njësie nacionale dhe e një shkalle të caktuar të kulturës së bashkësisë që e flet", thoshte Çabej. E për drejtshkrimin paralajmëronte: "Në formulim të çdo rregulle do të jetë e pranishme vetëdija që është puna për një drejtshkrim të caktuar jo për disa mijë veta, po për katër milionë njerëz që e kanë shqipen gjuhë amtare" - aq shqiptarë ishim asokohe në rajon. Nëse atëherë ky zë i madh u shpërfill, tashti janë kushtet që të dëgjohet i plotë.

Së fundi është një realitet i ri europian e ndërkombëtar me dy prirje madhore: me integrimet evropiane, një strategji mbarëshqiptare, e me globalizmin. Nisur nga këto dy prirje ndokush është mëdyshur: a është koha me u shqetësue kaq shume për gjuhën e për kulturën e trashëguar kombëtare, në kohën e integrimeve e të globalizmit?

As ne shqiptarët, as cilindo popull, Brukseli nuk na do pa tipare e pa fytyrë vetjake, nuk na do si banorë të shkretëtirës krra-krra, po të përdor një metaforë të Kadaresë. Gjuhët e identitetet kombëtare Europa i sheh si pasuri. Ne marrim peshën e duhur në Europë vetëm duke hyrë si shqiptarë e duke mbetur shqiptarë, duke i dhënë diçka Europës nga vlerat tona e duke u pasuruar me vlerat e saj. BE nuk është një pllakë njëngjyrëshe. Eshtë një mozaik vezullues ngjyrash të gjalla, të bashkuara në liri.

Në këtë dukuri planetare që quhet globalizëm ka një bashkëveprim e ndërthurje ku të gjithë humbin diçka për të fituar diçka. Ndonëse askush nuk lyp që në themelet e globalizmit të flijohen gjuhët e kulturat e popujve, rreziqet, sidomos për të vegjlit e të pambrojturit, janë të ndjeshme. Shmangia e këtyre rreziqeve është përgjegjësi vetjake; gjithicili duhet të dijë me i dalë zot vetes. Vende të mëdha e me vetvetësi të qartë si Franca po jo vetëm ajo, vende që nuk i kërcënon kurrfarë asimilimi, kanë ndërmarrë reforma për t'iu përgjigjur sfidave integruese. Ky është një mësim sidomos për vende e shoqëri të vogla e të brishta. Pra është një mësim edhe për ne shqiptarët.

Në pastë fusha ku duhet të tregohemi përnjëmend "proteksionistë", këto janë fushat që lidhen me vlerat e veçanta kombëtare në përgjithësi e me gjuhën shqipe në veçanti. "Proteksionizmi" në këtë rast nënkupton (ri)planifikim gjuhësor, reformë serioze. Mund të pohohet me siguri: në mos u haptë rruga për reformë gjuhësore, mbetet hapur rruga për anarki gjuhësore.

Duan të thonë se plaka, pasi ia vodhën shtëpinë, ia rrasi llozin derës e tha: tashti ma vidhni edhe një herë, në qofshi të zotët! Ne nuk mund të rrimë duarkryq për të marrë masa pasi të jetë thyer a plasaritur keq shtëpia jonë e bukur që quhet gjuhë shqipe; nuk mund të presim me e marrë të ftohtën, që të kujtohemi me veshë triko e shall. Duhet ta përgatisim gjuhën shqipe, t'ia forcojmë imunitetin, që ajo vetë t'i përballojë sfidat e kohëve të reja.

Ky imunitet i gjuhës nuk forcohet me panegjirikë.

Ky imunitet i gjuhës aq më pak forcohet me konferenca e duartrokitje solidariteti në përvjetorët e kongresit të 1972-shit, ku shpenzohen mijëra dollarë, në vend se me i përdorë, për shembull, për botimin e veprave të plota të Çabejit; të atyre veprave që akademia e Kosovës i ka botuar dy herë në hundë të pushtuesit, ndërsa akademia e Shqipërisë, mjerisht, asnjëherë.

Niçja thotë diku se fanatizmi e pjell herezinë. Ka gjasa se ndër përgjegjësit kryesorë për shkapërderdhjen nëpër të cilën pështillet sot gjuha shqipe është fanatizmi orwellian ndaj një standardi të bunkerizuar.

Imuniteti e jetësia e gjuhës shqipe forcohen me një vështrim të ri që i përgjigjet kohës, me reforma serioze, të pjekura, profesionale. Mendoj se (ri)planifikimi ose reforma gjuhësore duhet të udhëhiqen të paktën nga tre parime bazë. Këto parime e plotësojnë njëri-tjetrin.

1. Parimi i "pragmatizmit gjuhësor"

Demokracia nuk është negativ i diktaturës, ajo ka dy shtylla: lirinë e ligjin. Duke qenë se jemi shoqëri e lirë, të bëjmë që këtë liri të disiplinuar me ligje (shkencore) ta gëzojë edhe gjuha shqipe; të përpunohen e të hartohen shkencërisht rregulla e masa që mbyllin disa dyer të shqyera e çelin disa dyer të mbyllura.

Ç'derë duhet mbyllur?

Duhen mshelë dyert për gjithfarë vërshimesh nga gjuhët e huaja, që po përmbytin median, politikën, botimet. Janë vërshime fjalësh, shprehjesh e strukturash krejt të panevojshme e shkatërruese, pasi gjuha shqipe i ka me plotni njësitë e veta të barazvlefshme. Se sa përnjëmend i marrin në botën demokratike dukuri të tilla, po përmend një të dhënë. Para do kohësh gazeta zvicerane Le Temps shkruante se në Kebek, pra në Kanadanë frengjishtfolëse, është një zyrë me ndonja " një mijë funksionarë " që krijon ose gjen fjalë " etimologjikisht të pastra ", për t'i qëndruar (rezistuar) trysnisë së anglicizmave. Kur kjo bëhet për një gjuhë tepër të konsoliduar si frengjishtja, merret me mend se ç'do të duhej të bënim ne.

Ç'derë duhet hapur?

Duhen hapur dyert që shqipja standard të përthithë në bazë rregullash shkencore të gjitha vlerat e saj qenësore e jo vetëm disa. Të jetë e mirëseardhur çdo fjalë, idiomë a dukuri gramatikore që i përket gjuhës shqipe e që është e mirë dhe e mundshme për t'u përdorur, duke e pasuruar gjuhën, duke ia rritur fuqinë shprehëse.

Përsëri një shembull nga bota. Shtypi francez ka shkruar rreth përgatitjes për botim të të ashtuquajturit Fjalor i Frankofonisë (Le Vocabulaire de la Francophonie) nga shtëpia botuese Garnier. Ky fjalor përfshin fjalë të gjuhës frenge që nuk i kanë fjalorët e akademisë franceze dhe madje që nuk përdoren fare në Francë, në Belgjikë, në Zvicër, në Kanada, ku frengjishtja është gjuhë nëne. Fjalët e këtij fjalori janë mbledhur në ish-kolonitë me ngjyrë të Francës: në Madagaskar, në Afrikën Qendrore, në Burkina Faso... Një vend me kulturë e me tradita si Franca, për ta pasuruar gjuhën e vet mbledh edhe fjalët e zezakëve të Afrikës, anipse këto fjalë nuk janë krijuar në Francë, nuk janë përdorur në Francë, nuk janë dëgjuar kurrë në Francë!

Ndërsa në fjalorët zyrtarë të botuar në Shqipëri është bërë plotësisht e kundërta: janë qitur në pluhur e janë shkelmitur fjalët e gjuhës shqipe që përdoren prej shqiptarëve në gjysën e deri tri të katërtat e hapësirave. Shumica me brumë të pastër shqip ose të burimit indoeuropian të shqipes, janë fjalë që gjallojnë prej qindra vjetësh në të folur e të shkruar, që gjinden në monumente të krijimtarisë popullore e të shkrimtarëve në zë, në emërvende të lashta e në emra njerëzish.

Siç është pohuar dhjetëra herë, standardizimi i gjuhës u bë sipas ideologjisë marksiste, me fjalë të tjera, me parime orwelliane. Eshtë koha me i hedhë ideologjitë zvetënuese të diktuara nga politikat e mbrapshta. Gjuha nuk është pronë e asnjë ideologjie, e asnjë qeverie a force politike, e asnjë sistemi politik, e asnjë brezi të veçantë; ajo është pronë e krejt shqiptarëve të të gjithë brezave. Në ditën e ceremonisë së çmimit Nobel (1987), Josif Brodskij thoshte: "Filozofia e shtetit, etika e tij..., janë përherë djehja (e djeshmja). Gjuha dhe letërsia janë gjithmonë sodja (e sotmja), dhe shpesh, sidomos aty ku sistemi politik është ortodoks, ato madje mund të përbëjnë edhe nesëren (të nesërmen)".

Nëse duhet të na prijë një "ideologji" në reformën gjuhësore, kjo duhet të jetë thjesht pragmatizmi. Do me thënë çka është e mirë për gjuhën shqipe.

Nëse duhet të na prijë një "ideologji" në reformën gjuhësore, kjo duhet të jetë thjesht një frymëzim në trajtën e nacionalizmit qytetar, i kuptuar ky si interes kombëtar, si ambicie për ta zhvilluar vendin e kombin në bashkësinë e vendeve demokratike, duke ia ruajtur fytyrën, vetvetësinë shqiptare europiane.

2. Parimi i ringritjes në vend të përmbysjes

Për pesëdhjetë vjet është pohuar se "për herë të parë" gjuha shqipe u bë me standard vetëm pas Luftës së Dytë Botërore; dhe për këtë standard u shpikën lloj-lloj emërtimesh të pavërteta si gjuhë letrare, gjuhë e njësuar, variant i njësuar, koine sui generis. Lihej me kuptue se më përpara gjuha shqipe kishte qenë thjesht xhungël dialektesh.

Eshtë fshehur fakti se shqipja ka pasur standardin e vet të përvijuar fill pas pavarësisë. Bazat e tij ishin hedhur nga Komisia Letrare e Shkodrës më 1916. Mund të thuhet se Komisia Letrare e Shkodrës është e para akademi shqiptare e shkencave dhe e artit, jo me emra të dekretuar nga pushteti, po me talente të spikatura të trurit e artit shqiptar. Standardi i Komisisë ishte shestuar nga dijetarë e të mëdhenj nga Veriu e Jugu i vendit, që nga Gjergj Fishta e Aleksandër Xhuvani e deri te Sali Nivica e Hafiz Ali Korça, në bashkëpunim me gjuhëtarë e albanologë europianë si Maximilian Lambertz (1882-1963) e Rajko Nachtigall (1877-1958), përkatësisht nga akademia e Vjenës dhe e Gracit.

Standardi i Komisisë, me të folurën e Elbasanit në themel, të përkapur jo si mur ndarës po si urë lidhëse për dy dialektet kryesore, hapi një hulli nëpër të cilën po ecej. Ky standard filloi me u përdorë gjerësisht në administratë, në shkolla e në shtyp. Ai u pat mbijetuar disa qeverive të majta e të djathta, disa pushtimeve e dy luftave botërore, derisa u shemb me urdhër politik për 24 orë.

Shoqëria e sotme shqiptare nuk duhet të përsërisë në kurrfarë trajte gabimet ose mëkatet e së kaluarës. Shkatërrimet dhe rifillimet si në legjendën e Rozafës, janë kohë, energji e vlera të humbura kot e të drejtuara mbrapsht.

Përfitoj nga rasti me u shprehë edhe një herë prerë se jam kundër çdo pikëpamjeje që kërkon shembjen e standardit që kemi në përdorim, jam kundër mendimeve që kërkojnë me e përmbysë bazën dialektore të tij, që është toskërishtja. Toskërishtja nuk është pasuri vetëm e shqiptarëve që flasin toskërisht, ajo është pasuri e gjuhës shqipe, pra e të gjithë shqiptarëve; gegërishtja nuk është pasuri vetëm e shqiptarëve që flasin gegërisht, ajo është pasuri e gjuhës shqipe, pra e të gjithë shqiptarëve. Nëse në bazë të standardit të sotëm është toskërishtja, kjo është një gjë shumë e mirë. Siç do të ishte një gjë shumë e mirë edhe po të kishte qenë gegërishtja.

E keqja nuk qëndron te baza dialektore që u zgjodh për standardin. E keqja qëndron: 1. te mohimi e shkatërrimi i të gjitha arritjeve të mëparshme; dhe 2: te ngrehina gjuhësore e betontë dhe e njëanshme, që u ngrit mbi këtë bazë dialektore.

Për këtë arsye, në qoftë se në vend të standardit që kemi sot në atë kohë do të ishte miratuar një tjetër standard, që do t'i shpallte të pavlefshme pasuritë e gjuhës shqipe në dialektin toskë të saj, duke i bërë thuajse të pakuptueshëm Naimin, Konicën e Kutelin, siç i ka bërë thuajse të pakuptueshëm Fishtën, Gjeçovin e Mjedën, unë përsëri do të isha këtu duke e ngritur zërin me të njëjtën frymë e me të njëjtat argumente si tashti.

Çështja shtrohet: si me e reformue ngrehinën që kemi, pa ia tronditur themelet? Dalim te parimi i tretë:

3. Filozofia e gjithëpërfshirjes në vend të përjashtimit

Me filozofinë përjashtuese politika gjuhësore gjatë pesëdhjetë vjetëve pas L2B e shtriu luftën e klasave edhe në gjuhë. Praktikisht ia kaloi edhe vetë Stalinit, i cili e pat kundërshtuar këtë tezë. Kriminelët e vrasësit politikë e në përgjithësi personazhet e zeza (negative) nëpër ekrane e skena njëjtësoheshin duke folur gegërisht.

Duke qenë se u përndoqën një pafundësi fjalësh, idiomash, fjalësh të urta, trajtash gramatikore të gjuhës shqipe në dialektin gegë të saj, brenda dy-tre dhjetëvjeçarësh vepra e Fishtës, e shijuar më përpara edhe në jug të vendit, e deri krijimtaria e stilistëve si Mjeda e Koliqi, u bënë thuajse të pakuptueshme për brezat e edukuar me standardin. Provo me e përkthye veprën e Fishtës në anglisht: Robert Elsie e përktheu. Provo me e kthye veprën e Fishtës në shqipen standard: e pamundur! Sepse pasuritë e gjuhës shqipe të Fishtës janë të përjashtuara nga standardi. Provo me i kthye në standard Ciklin e Kreshnikëve, Kanunin e mbledhur prej Gjeçovit, Prozën popullore nga Drenica të A. Çettës: e pamundur. Sepse mjetet gjuhësore të këtyre veprave s'i ka standardi, që është një shqipe e kufizuar, e varfëruar artificialisht.

Më ka bërë përshtypje një intervistë e mjeshtrit Gjon Shllaku dy muaj para se ai me ndërrue jetë. Ai kallëzonte se pas Kongresit të Drejtshkrimit u thirr për një detyrë shtesë. Iu kërkua që Iliadën e shqipëruar gegërisht prej tij prej greqishtes së vjetër, me e kthye në gjuhën standard për një botim të ri. Dhe cili qe fryti? Poema e Homerit doli dhjetëra faqe më e gjatë. Sepse nuk ishte puna vetëm me i zëvendësue grupet ue me ua, r-të me n, apo â-të (hundore) me ë. Atij i ishte dashur të dëbonte një numër fjalësh e shprehjesh frazeologjike të gegërishtes, shoqet e të cilave nuk mund të gjindeshin në shqipen standard. Për ta mbushur disi ikjen e tyre të trishtuar u thirrën parafrazimet. "Më kushtoi nëntë vite të tjera punë. Më habiti shumë kur dolën 327 vargje më tepër" pohonte Shllaku me habi e dhimbje.

Ndër viktimat e standardit ishte edhe mënyra paskajore. Dihet se paskajorja si kategori foljore përfaqëson kulmin e abstraksionit gramatikor në sistemon foljor të një gjuhe, ajo përbën formën më përfaqësuese të foljes përkatëse. Asgjësimi i saj do të thotë asgjësim i vetisë më të lartë abstraguese gramatikore të gjuhës. Pa u ndalur, se nuk është rasti, te aftësitë shprehëse të jashtëzakonshme e shumëpërdorimëshe të paskajores në gjuhën shqipe.

Atëherë ç'duhet bërë?

Thjesht duhet një rishikim i planifikimit gjuhësor, duhen hapur rregullat e 72-shit, me një filozofi të re, jo përjashtuese, orwelliane, po gjithëpërfshirëse. Synimi? Me e çlirue gjuhën shqipe nga pneumotoraksi i dhunshëm i një epoke të dhunshme; me marrë frymë gjuha shqipe me kapacitetin e plotë të dy mushkërive të saj e jo vetëm me kapacitetin e njërës mushkëri.

Kjo hapje duhet bërë jo vetëm për fjalorin, po edhe për sistemin gramatikor, sistemin fonetik, në çdo fushë ku i shërbehet pasurimit të gjuhës. Kjo hapje duhet bërë në mënyrë të studiuar, shkencore.

Ashtu siç duhet organizuar në mënyrë shkencore puna për t'i mbledhur e sistemuar pasuritë e shtresuara në gjendje kome, jashtë përdorimit. Kjo është detyrë e ngutshme. Fshati shqiptar, ku ruhen vlera të mirëfillta të gjuhës, po dêjet e po shterret për shkak të shpërnguljes nëpër qytete; pleqtë po shkojnë; industrializimi e teknologjitë e reja fshijnë nga përdorimi, pra edhe nga kujtesa, pasuri të pafundme gjuhësore, si dhe doke e tradita.

Dikush pohonte një ditë se është e pamundur me i përfshi në standard disa vlera të gjuhës shqipe në dialektin gegë të saj, pasi ato përfaqësokan një sistem tjetër. Të gjithë e dimë se në gjuhën shqipe kanë hyrë e janë në përdorim sot e gjithë ditën jo veç fjalë, por edhe pjesë e struktura nga gjuhë të huaja, edhe nga gjuhë joindoeuropiane, të Lindjes. Atëherë si nuk u pajtokan vlera të njërit dialekt të shqipes me dialektin tjetër të shqipes, kur ato janë pajtuar madje edhe me gjuhë joindoeuropiane? Mos ata duan të thonë se dialektet e shqipes janë dy gjuhë të ndryshme e jo dialekte të afërta të së njëjtës gjuhë? Në e paçin këtë mendim, është e drejta e tyre, por morali kërkon që në një debat shkencor me u shprehë hapur e qartë e jo me bizantinizma. Do të ishte e padëshirueshme që teori si i ashtuquajturi mospajtim i sistemeve të përdoren me mbrojtë politika të vjetra që s'u kanë shërbyer Shqipërisë as shqiptarëve.

Në mbyllje, dy djalë për Fjalorin.

Mund të them se një vepër të ngjashme mund ta kishte jetësuar cilido intelektual që plotëson dy kushte: që ka një formim të caktuar gjuhësor dhe që ka vullnetin me ia hy kësaj pune. Arsyeja është e thjeshtë. Vitin e kaluar gjatë një promovimi në Gjakovë u thashë intelektualëve të atij qyteti të bukur me histori se fjalët e idiomat e përjashtuara gjinden përtokë, si gështenjat në Malsi të Gjakovës: mjafton me u përkulë pak e mbushet "thesi". Këto "gështenja" nesër s'do të jenë më. Do t'i mbulojë dheu, do t'i kalbë bora. Do të humbin, siç janë bjerrë me shpejtësi pesëdhjetë vjetët e fundit.

Ky Fjalor, veç të tjerash, është edhe një klithmë e këtyre vlerave: SOS, ja ku jemi të ngulfatura në frymën e fundit, po mbytemi.

Gjatë tetë vjetëve të plota të punës me Fjalorin kam pasur vështirësi për gjetjen e fjalëve, për ilustrimin me fjali nga tekste të besueshme, për shtjellimet etimologjike. Këto janë të kuptueshme edhe sikur të kisha pasur mbështetjen e shtetit. Ndaj s'po ndalem te këto. Po përmend dy shqetësime të tjera, që kushedi sa herë ma kanë çuar moralin në fund të këmbëve.

E para: druhesha se ky Fjalor mund të kish fatin e Fjalorit të Kristoforidhit. Pasi ndërroi jetë dijetari (Kristoforidhi) dorëshkrimi i Fjalorit u shit me la borxhet e dikujt, kaloi nëpër duar bakallësh a tregtarësh derisa ra në dorë të konsullit grek, prej ku përfundoi në ministrinë e jashtme të Greqisë... U jam mirënjohës sponsorëve, dashamirës të kulturës e të gjuhës shqipe por edhe miq të mi, që besuan përnjëmend në përpjekjet e mia e ma financuan botimin. Përndryshe gjithçka mund të kish mbetur në shkrimoren time me një fat të paqartë, në një kohë kur nuk ka më as bakallë që interesohen për librat e fjalorët shqip.

E dyta është e njohur për të gjithë ne: më ka terrorizuar mungesa e sidomos ndërprerjet e befta të rrymës elektrike. I druhesha shkatërrimit të kompjuterit nga lëkundjet e frikshme, dhe javë për javë e hidhja gjithë lëndën në disketa e në disqe. Këto disqe jo gjithmonë hapeshin. Megjithatë jam i lumtur se nëpër këto telashe asnjëherë nuk ka ndodhur të më humbë më shumë se një javë punë.

Në qoftë se këto lloj problemesh më kanë lodhur së tepërmi, kam pasur një mbështetje e një çlodhje të cilën nuk mund ta zëvendësonte asgjë. Ka qenë përkrahja e time shoqeje, Dashës, e cila më vjen keq që nuk pati mundësi me ardhë sot; përkrahja e vajzave të mia, ndonëse ende të parritura, dhe e vëllezërve të mi, të cilëve u jam shumë mirënjohës edhe për këtë; dhe po ashtu një rreth i ngushtë shokësh e miqsh, me të cilët e pija kafen çdo mëngjes, të vetmit që e dinin me çka po merresha, më trimëronin e më jepnin zemër. Ndër ta edhe botuesi, miku im Frano Kulli, përkushtimi e serioziteti i të cilit flet vetë sapo ta shohësh Fjalorin. I falënderoj nga zemra.

Dihet, një Fjalor nuk mbaron kurrë (prandaj bota i riboton të plotësuar e të rishikuar vit për vit). Gjithsesi e dorëzova për botim me dy pengje në shpirt.

Më ka ardhur keq se s'pata mundësi me punue edhe dy-tre vjet, pasi në projektet e mia duhej të kishte 50-60 mijë fjalë. Po ashtu duhej t'i kisha përfshirë edhe disa qindra e mbase mijëra fjalë që i kam lënë me dashje, pasi nuk arrija me ua përkapë mirë kuptimin. Më vonë mësova për një këshillë të Çabejit, i cili paskej thënë se edhe kur s'është i qartë kuptimi, prapë fjala duhet regjistruar edhe pa e ftilluar ose shpjeguar, që të mos humbë, pasi me të do të punojnë të tjerët më vonë.

Më ka ardhur keq se para botimit nuk pata mundësi me i ba edhe një rishikim e redaktim të imët, disa lëmime e saktësime. Më shumë për merak e jo për ndonjë ndryshim thelbësor.

Megjithatë këto më ngushëllojnë: është më mirë kur largohesh prej një dashurie me mall, duke e kthyer kokën mbrapa, se sa me u largue i ngimë, anipse e di se ndoshta nuk do të kthehesh kurrë më tek ajo...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora