E marte, 30.04.2024, 01:34 AM (GMT+1)

Mendime

Besjan Pesha: Alo... Edi Rama???

E premte, 11.07.2008, 06:32 PM


Alo... Edi Rama???

Nga Besjan Pesha

Alo... Alo... Edi Rama??  Zoti Kryetar, jam një qytetar i Tiranës, një nga ata që të kanë dhënë votën në të gjitha llojet e zgjedhjeve që janë bërë e ku figuronte emri jot. Aloo.. po, po, të kam dhënë votën e kam folur për ty kudo që kam mundur. Edhe fis e farefisi im ty ta kanë dhënë votën, sepse kishim besim tek ty. Aloo... o Kryetar, po si i bëhet për një pikë ujë o burrë i dheut. Shtëpinë?? Unë e kam tek "Komuna e Parisit", prindërit e mi e kanë në Kombinat... Po ç'rëndësi ka o burrë, njësoj është gjithë Tirana, pa pikën e ujit. Si?? Po bën dialog në Fushë-Arrëz?? Po ç'më duhet mua mo zotëri dialogu jot me Fushë-Arrëzin, unë nuk kam ujë në shtëpi. Ti ndoshta nuk e ke provuar ndonjëherë se çfarë tmerri është kur punon gjithë ditën nën diellin përvëlues, kur të shkojnë djersët çurg dhe e vetmja gjë që dëshiron është një dush në shtëpinë tënde mbas pune. Ti ndoshta nuk ia ke idenë se çfarë mizorie është që mbas gjithë asaj lodhjeje e zhuritjeje të të duhet të shkosh nja 5 km më tej për të gjetur një tub të çarë a në ndonjë nga lavazhot e shumta mes lagjeve që të mbushësh pak ujë, pak ujë o Kryetar. E pastaj të lahesh me kanaçe si në kohën e qoftëlargut dhe të gatuash sa më pak gjellë me lëng për të kursyer ujin. Si?? Konsensus me PD?? Po ti e ke mirë me Berishën, o Kryetar. Unë e di këtë gjë, sepse e kam parë e dëgjuar me sytë e mi. Ti o Kryetar i fërkove shpatullat atij kur ndodhi Gërdeci dhe kur unë si gjithë qytetarët e tjerë me sens qytetarie menduam se ai do të jepte dorëheqjen, ti i dole në mbrojtje. Ti o Kryetar ua preve hovin atyre mijëra studentëve që dolën të inatosur e të vendosur për ta hedhur në shesh edhe këtë palo diktator të fundit që ka Evropa. Ishe ti o Kryetar që na i thave bërtitjet dhe mllefin në grykë, siç po na than sot gojën për ujë, kur dolëm në shesh që t'i kërkonim kafshës të zbythej. A nuk ishe ti o Kryetar që menjëherë mbas saj u ule në tavolinë dhe firmose brenda natës ndryshimet e famshme në Kushtetutë. Si?? Ku marr vesh unë nga Kushtetuta?? O kryetar, po unë e kam votuar atë Kushtetutën në vitin '98. E kam shfletuar, lexuar dhe mësuar disa nene që më janë dashur bile, sepse falë saj Berisha nuk u bë dot mbret e nuk e shkatërroi këtë vend përfundimisht. Falë asaj kushtetute o kryetar u bëre dhe zotërote kryetar bashkie, po falë saj arritëm nënshkruam MSA. E shikon, o Kryetar, që i di dhe unë ca gjëra, i ke bërë gabim hesapet kur ke menduar se jemi popull budalla. Jo o Kryetar jo, ne mbase nuk flasim shumë dhe kemi shumë halle, por për të menduar mendojmë e sidomos kur s'kemi pikë uji në shtëpi, o kryetar. Ti zotërote më thua tani që me Berishën nuk bie dot dakord për ujësjellësin, që nuk bën dot një marrëveshje që ne të na vijë uji në shtëpi. Nuk është normale fare o zoti Rama që ti bie dakord brenda natës të na ndryshosh Kushtetutën që e votuam ne (se zotërote ishte duke u rehabilituar në Francë) dhe nuk ulesh dot që të firmosësh marrëveshjen për ujin tonë. Po ti o kryetar e mbaj mend si të ishte sot, ulërije e bërtisje si i marrë nga podiumi i Bashkisë, sepse Berisha nuk ta jepte ujësjellësin. Ti na premtove të gjithëve se po ta menaxhonte bashkia atë ujësjellës, ne do të kishim brenda një viti 24 orë ujë në ditë. Unë e di se në të gjitha qytetet ujësjellësi ka kaluar në kompetencat e bashkive dhe janë ato që po e menaxhojnë, vetëm Tirana jote... më fal, Tirana ime, ka mbetur jetime. Aloo.. po Kryetar... ehe... si, si, kjo është politikë e vjetër?? Të mos flas si veteran i pjerdhur?? Të mos sillem si anëtar i Partisë së Punës?? Përtej të majtës dhe të djathtës?? Për të gjithë shqiptaret, ah dhe shqiptarët... po më fal o Kryetar po unë jam vetëm 27 vjeç. Babai im s'ka qenë anëtar i Partisë së Punës dhe as nëna ime. Të mitë nuk më kanë folur fare për komunizmin e as për heroizmin e PPSH. Jo, mo zotëri, unë gjyshin e kam patur veteran lufte, por ai nuk ishte aspak siç thua ti. Ishte babaxhan e i rrahur fort nga jeta. Po më fal o kryetar po ç'rëndësi kanë të gjitha këto, unë po të qaj hallin e ujit. Ujit që të pi, ujit që të lahem, ujit që të gatuaj, ujit që të laj rrobat, o zotëri. Po pse nëse unë shkoj e kaloj Ylberin përtej të majtës e tutje të djathtës a thua do më vijë ujë 24 orë, ose të paktën 10 orë, hajde dhe 2 orë o kryetar?? Të pashë rishtas dje në televizor, m'u duke përsëri i inatosur me Berishën. Seç po dërdëllisje zotërote mbi situatën e vështirë ekonomike dhe po përpiqeshe të na mbushje mendjen se politika jote e re do të bjerë parajsën mbi tokën tonë. Më fal që ta them, o kryetar, po të ka dalë boja tashmë, nuk të beson më njeri asnjë lloj fjale. Sepse këtu tek lagja ime o kryetar ke dështuar me elementin kryesor të jetës, me ujin. Kur ka shumë ujë ngaqë bie shi ne mbytemi e s'dalim dot nga shtëpia, sepse kanalizimet që ke bërë zotërote nuk mbajnë dot as dy pika shi. Tani që është vapë e madhe ne nuk kemi pikë uji e po shohim iluzione me oaze nga thatësira e madhe dhe etja e pashueshme. Nëse kjo është politika jote e re, o Kryetar, nuk e duam, mbaje për vete. Nëse kjo është pika mbasylberiste përtej të majtës dhe të djathtës, qëndro i vetëm aty se asnjë nga ne nuk do të të ndjekë. Nga sa di unë nga politika kryetaro, qoftë kjo e re apo e vjetër, është një vërë në ujë bile-bile një vërë në hava kur nuk ka ujë. Sepse pa ujë o kryetar nuk ka jetë. E kur nuk ka jetë s'ka as politikë të vjetër e as të re.
Si?? Jam një komunist i pandreqshëm?? Të shkoj në...?? Alooo, o Kryetar??? Kryetar???

PS: Disa nga fragmentet e këtij bashkëbisedimi janë pjellë e imagjinatës time.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora