E shtune, 27.04.2024, 10:26 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Intervistë me sociologen Entela Binjakun

E shtune, 02.08.2014, 04:58 PM


Intervistoi Sidorela Lepuri

Krimi në shoqërinë shqiptare është kthyer në  një dukuri shqetësuese, sidomos duke iu referuar ngjarjeve të fundit të ndodhura.Vecanërisht krimi në familje i cili zë përqindjen më të madhe në  totalin e krimeve te ndodhura në harkun kohor te pesë vjetëve.

- Si shpjegohet nga ana sociologjike kjo  dukuri?

E.B.:  Krimi në familjen shqiptare nuk është më dukuri e re. Për të flitet shpesh nga njerëz që vijnë nga fusha të ndryshme të aktivitetit profesional e që tregojnë ndjeshmëri ndaj kësaj dukurie: juristë, psikologë, sociologë, gazetarë etj.

Edhe vetë shoqëria shqiptare me atë formim dhe ngritje kulturore që ka më shumë me një nivel të zakonshëm perceptimi të kësaj dukurie,  sesa me njohjen shkencore të saj  është më e informuar për praninë e krimit falë edhe mjeteve të komunikimit masiv.

Krimi e ka goditur institucionin- bërthamë të shoqërisë sonë sepse ai stimulohet nga varfëria që ka mbërthyer familjen shqiptare, tolerohet falë braktisjes që vetë shoqëria i ka bërë familjes; Krimi nuk sfidohet sepse shteti është treguar i paaftë për t’i ardhur në ndihmë familjes shqiptare,  vetë indiferenca e shtetit tonë për të analizuar dhe parandaluar shkaqet që mund të çojnë në krimin brenda familjes e ka “thjeshtuar” praninë e tij  brenda vatrës më të sigurtë të individit.  Mungesa  e qëndrave të këshillimit në komunitet ka bërë që familja shqiptare të përpëlitet e dëshpëruar në gjendjen e saj.

- Cilat janë shkaqet më të shpeshta që degjenerojnë në konflikte të nxituara dhe pasohen me lendime e deri në vrasje?

E.B. Skamja, varfëria, papunësia, pamundësia e familjeve shqiptare për të përmbushur funksionet që lindin bashkë me ngritjen e këtij institucioni,  janë disa nga shkaqet prej të cilave burojnë shumë konflikte.  Këto konflikte  duke mos pasur mundësinë të zvogëlohen apo ndalen, marrin përmasa të atilla që finalizohen me ngjarjet e pakthyeshme dhe  fatale.

Çështjet e pazgjidhura të pronësisë, apo të “zgjidhura” padrejtësisht shpesh lëndojnë dhe tejkalojnë çdolloj ndjeshmërie njerëzore, edhe brenda pjestarëve të së njëjtës familje. Kur duhej të ishte e kundërta, prona për individin në vendin tonë ka shërbyer si burim konflikti në vend  që të ishte përmbushje e një të drejte të njeriut.

- Në strukturën e këtij kriminaliteti përfshihen një sërë veprash penale, si fyerje, dhunime verbale, fizike, psikologjike e seksuale, plagosje e lehtë apo e rëndë, vjedhje, grabitje, kanosje, marrëdhënie seksuale në gjini, braktisje të foshnjës e deri vrasje. Por mjaft e pranishme është shfaqur edhe fenomeni i vetëvrasjes.Mos është kjo një tregues i diversitetit të krimit në vendin tonë ?

E.B. Me diversifikim të  krimit nënkuptojmë që në mozaikun e krimeve që ndodhin brenda shoqërisë sonë të shfaqet një formë e re e panjohur e që plotëson këtë panoramë komplekse. Por vetëvrasja apo vetëflijimi nuk është një dukuri e re. Shkaqet për të janë të shumta dhe duhen analizuar rast pas rasti.  Kjo dukuri është e pranishme në qytet e në fshat, ndodh tek burra e tek  gratë,  tek të rinjtë  e të vjetrit, të martuarit apo të divorcuarit, për arsyet që  dalin prej analizës që  meriton çdo histori jete, por përmbledhtazi  kryesisht prej  depresionit që krijon humbja e shpresës dhe e perspektivës për të ardhmen, dhe mungesa e ndihmës së specializuar.

Shërbimi psiko-social në shoqërinë tonë është në embrion dhe nuk arrin të shkojë tek çdo jetë shqiptari që gjendet në vështirësi sepse nuk ka qëndra të tilla këshillimi në komunitet që  duke ndihmuar individin, të ndihmojnë familjen shqiptare. Qëndrat e këshillimit të martesave në krizë apo të këshillimit paramartesor thuajse mungojnë tërësisht. Kjo në qendrat e mëdha urbane, në ato më të vogla e rurale nuk  duken as si koncepte.

-Ne pjesën më të madhe të rasteve, viktimat kane qenë gratë, ndërsa burrat autorët. Jo rrallë herë, viktima janë bërë edhe fëmijët gjë e cila nuk përkon në fakt me traditën shqiptare.C'do të thotë për shoqërinë tonë dhe ekuilibrat e saj kjo dukuri?

E.B. Çdo herë që ndodh një krim viktimë nuk është vetëm ajo jetë që ndërpritet, por është e gjithë shoqëria, sepse një pjestar i saj largohet përfundimisht nga jeta dhe një institucion që ajo ka ndërtuar është tronditur thellë. Ndër rastet e denoncuara gratë përbëjnë numrin më të  lartë të  viktimave. Ato janë më të pambrojtura përballë dhunës sepse janë të varfëra,  janë fizikisht të brishta, të paragjykuara edhe nga mjedisi ku janë lindur e rritur, sepse pranojnë e durojnë dhunën  e ushtruar mbi to “për hir të fëmijëve”. Kur gratë nuk  kanë as ku të shkojnë të drejtohen për të kërkuar ndihmë e këshillim, ato detyrohen të bashkëjetojnë me dhunën pre e së cilës bëhen bashkë më nënën edhe fëmijët.

-Cila është gjeografikisht shpërndarja më e madhe e krimit në familje  dhe ku ndodh më shpesh në fshatra apo në qytetete

E.B. Krimi në familje ka njohur shtrirje kudo në vend, në zonat rurale e ato urbane, në jug e veri të vendit, në familjet e reja, në ato që kanë një kohë më të gjatë të themelimit të tyre.  Aty ku ka varfëri dhuna është e pranishme, vetë varfëria është dhunë. Dhe aty ku edhe  shërbimi i ndihmës psiko-sociale mungon dhuna dhe konflikti gjenerojnë me shpejt në krim.

Shoqëria mëson për praninë e saj atëherë  kur media përcjell ushtrimin ekstrem të saj që në shumicën e rasteve është fatal dhe atëherë kur cfarë ajo ka krijuar është e pakthyeshme.

- Mentaliteti patriarkal si një fenomen mbizotërues në zonat rurale në raport me zonat urbane ,sa ka ndikuar në përhapjen e krimit në familje në zonat në falje?

E.B. Mentaliteti patriarkal ka bërë të vetinn, sepse mendësia përcillet në breza. Qëndrimi ndaj babait  në familje është një model që përcillet  falë shoqërizimit të cilin ne e kryejmë kryesisht brenda familjes sonë të origjinës. Ky model përshtatet në familjen e re që krijohet dhe pasqyrohet në një model sjelljeje ndaj burrit. Më shumë se për mentalitetin patriarkal të trashëguar duhet të shqetësohemi për përballjen me këtë mentalitet të  mendësisë së re e të brishtë  të krijuar.  Shpesh këto përballje krijojnë konflikte të atilla që mund të degjenerojnë në krim.

Pamundësia ekonomike që një familje e re që krijohet të mëvetësohet e të ndërtojë profilin e saj të pavarur, mendësinë e trashëguar për të jetuar sipas modelit tradicional ku nën një strehë jetojnë disa breza, bën që premisat për konflikte të jenë më të larta. E aty ku konflikti ndodh, krimi nuk vonon.

- Janë zakonisht klasa e mesme dhe e pasur e shoqërisë apo ajo në kufirin e varfërisë që preken më shumë nga krimi në familje?

E.B. krimi mund të prekë cilëndo familje. Sepse vecantia e këtij institucioni qëndron në intensitetin e lartë emocional që përshkon anëtarët e saj ku zemërimi qëndron shumë pranë afeksionit. Si rezultat i kësaj kufiri shumë të hollë që i ndan këto dy ndjenja te fuqishme njerëzore,  çështjet brenda familjes mund të marrin ato përmasa që nuk do t’i merrnin nëse ndodhnin jashtë saj. Pra në këtë kuptim thuajse çdo institucion i familjes mund të përfshihet prej dhunës. Por ngritja kulturore e pjestarëve të saj bën që të menaxhohet më mirë burimi  i konfliktit. Shpesh familjet me një status të mirë ekonomik i drejtohen zgjidhjes së martesës pa degjeneruar në konflikt, ndërkohë që familjet e varfëra janë në shumicën e rasteve të destinuara të bashkëjetojnë me të  pa mundur t’i japin zgjidhje gjendjes së tyre të vështirë e cila mund të përparojë me shpejtësi e të përfundojë në krim.

-Duke iu referuar ngjarjeve të fundit të ndodhura ,si mendoni se do të  jetë ecuria e kësaj dukurie në kohët  në vazhdim?

E.B. Prognoza është trishtë nëse nuk shohim perspektiva për të luftuar varfërinë, hapësira afatgjata për mirëqënien ekonomike, nëse nuk shohim shtetin të krijojë mekanizma që i vijnë në ndihmë familjes, nëse nuk shohim shoqërinë tonë të reagojë ndaj nevojave që ajo ka, në do të mbetemi duke analizuar përherë dukurinë e krimit,  fatkeqësisht “post factum”.  Të mos harrojmë që edhe rastet për të cilat mësojmë janë ato për të cilat flet media apo që kanë mbërritur në institicionet e policisë së shtetit, por jo cdo raste dhune arrin deri aty.

- A mund të evitohet perhapja e këtij fenomeni?Nëse po, Si?

E.B. Beteja me krimin nuk është e lehtë as për shoqëri të përparuara. Por në dallim nga ato shoqëri e diskutojnë këtë dukuri gjerësisht, marrin masat për ta parandaluar atë, krijojnë institucione që studiojnë situatën e komunitetit, vendosin në eficiencë ata profesionistë në fushën e shërbimit psiko-social, punojnë shumë për ngritjen kulturore të tyre ku jeta e cdo indivdi është e shenjtë. Ndërkohë,  në shoqërinë tonë për dhunën flitet pasi shoqëria ka mësuar për një krim të kryer, për ta parandaluar nuk merren masa sepse mbi praninë e konfliktit dhe dhunës nuk dihet, institucione këshilluese në komunitet nuk ka, të diplomuarit në fushën e shërbimit psiko-social  mbeten të papunë e të paangazhuar ndërkohë që për ta ka shumë nevojë.  Varfëria e papunësia që ka kapluar shoqërinë  tonë është e atillë që e stërmundon individin deri në atë pikë sa ai duke u ndjerë  i lodhur dhe i  braktisur ka humbur edhe ndjeshmërinë për vlerën e jetës.

- A do të kete pasoja të mëvonshme kjo dukuri?

E.B. Pasojat janë të dukshme edhe sot. Si pasojë e krimit shumë jetë janë ndërprerë dhe shumë familje janë lënduar thellë. Shumë prej fëmijëve që kanë jetuar një ngjarje krimi brenda vatrës familjare janë traumatizuar dhe për ta nuk bëhet asgjë. E ardhmja e një shoqërie ku për pasojat e stresit post-traumatik nuk është kujdesur askush, do të jetë  e ardhmja e asaj  shoqërie të  qytetarëve të lënduar në psikën sociale e me raporte shoqërore e të besimit tek shoqëria,  të tronditura. Duhet të kuptojmë se individët e veçantë që janë celulat, njësitë elementare të shoqërisë.   Por kur individët formojnë institucionin e familjes është  vetë themelimi i saj që favorizon kohezionin mes pjestarëve sepse mobilizon energjitë e tyre  për realizimin e objektivave të përbashkët, ashtu si edhe acarimin e konflikteve mes tyre, që vihen re kur dukuri të reja ndodhin në shoqëri,  jashtë familjes por që  përcillen edhe brenda saj.

-Përvecse shtetit,legjislacionit dhe organizmave të tjerë rregulles, a mnendoni se edhe shoqeria në tëreësi duhet të japë kontributin e saj?

E.B. Qenia njerëzore është, për nga natyra e vet, një kafshë shoqërore; pa shoqëri ajo nuk mund të mbijetojë.  Individi nuk mund të mendohet pa shoqëri, por në të njëjtën kohë as shoqëria nuk është thjesht një grumbullim njerëzish. Shoqëria shqiptare është përfshirë nga një sërë dukurish për të cilat ajo ka nevojë të ndërtojë mekanizmat e përballimit dhe parandalimit të pasojave të tyre. Sot, pas dy dekadash themelimi të Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës, ku janë diplomuar me mijra sociologë, psikologë, punonjës socialë, filozofë pa përfshirë edhe mijra të tjerë të diplomuar në Universitetet publike rajonale e ato jopublike është e pakonceptueshme që këta të diplomuar të jenë të papunë kur nevoja për ta është  çdo ditë e më e madhe. Angazhimi i tyre në qëndra të këshillimit në komunitet do t’i vinte shumë në ndihmë shoqërisë.

- Cili është qëndrimi juaj jo si një sociologe por si një qytetare e këtij vendi?

E.B. Natyra e punës sonë të vendos  në vështirësi mes subjektivitetit emocional që e karakterizon qënien njerëzore dhe kërkesës së brendshme për t’i qëndruar parimeve që shkenca e sociologjisë t’i mëson që kur bën hapin e parë në terrenin e saj. Njdeshmëria qytetare është edhe më e lartë kur imagjinon se në çastin kur është krijuar,  një familje ka aspiruar lumturinë,  e kur sheh sesi ajo përballet e vetme në vështirësi të mëdha, kur sheh që kontributi yt ka munguar edhe atëherë kur mund të ishte i pranishëm, lëndohesh dhe pezmatohesh. Pyet dhe veten po pse e kam studiuar këtë fushë?

-  Dhe së fundmi,mesazhi juaj për shoqërinë dhe strukturat kompentente të cështjes në fjalë.

E.B. Shoqëria shqiptare po jeton kohë të vështira.  E  ardhmja nuk mund të jetë më e mirë nëse nuk nis të ndryshojë e tashmja. Ata që kanë marrë përsipër të drejtojnë institucioent e këtij shteti duhet të kuptojnë se varfëria nuk pyet dhe nuk prêt. Qytetari shqiptar ka të drejtën të jetojë denjësisht aspiratën e tij për të qenë i lumtur. Ku ka varfwri,  ka dhunë… e aty mund të ndodhë dhe një krim.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora