Mendime
Dibran Demaku: Limonët e shtrydhur
E marte, 20.05.2014, 07:55 PM
LIMONËT E SHTRYDHUR
Nga Dibran Demaku
Pema e limonit, për dallim nga të tjerat, është më e veçantë. Kjo pemë, më shumë se çdo tjetër, kur e ndrydhë lëshon lëngë. Është pemë që lëngu i pihet, ndërkaq mishi i hudhet. Shumë pije të ndryshme, kur përzihen me lëngun e limonit fitojnë një shije të këndshme, të jashtëzakonshme. Lëngu i limonit përdoret edhe si mëlmesë për shumë pije dhe gjella e gatesa të ndryshme. Me një fjalë lëngu i limonit çshtë shumë i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm.
Skena aktuale politike e partiake në Kosovë në këtë prag zgjedhjesh, mbase është nga më karakteristiket dhe si e tillë edhe e denjë për skenar të ndonjë filmi humoristiko-satirik. Limonët e ndrydhur e të shtrydhur nga partitë politike të mëparëshme tash lëvizin sa andej këtej. Lëvizin dhe kërkojnë të sigurojnë ndonjë vend „nën diell“. Kërkojnë strehim e shpëtim tek ato parti e liderë partiak që deri dje i fyenin e i shanin me fjalët më të ndyera, që u kanë hije vetm rrugaqëve, ndërkaq tash u buzëqeshin pikërisht atyre partive dhe atyre liderëve. U buzëqeshin e i përqafojnë dhe i lusin që t`i pranojnë në partritë e tyre. U buzëqeshin e i përqafojnë duke shpresuar se në partitë e reja do të renditen sa më lartë në listat zgjedhore. Renditja në një vend sa më të lartë në listat zgjedhore do të thotë fitimi i mandatit të deputetit. E ata limonët e ndrydhur e të shtrydhur, të mësuar të ulen në karriget e buta të pushtetit, ëndërrojnë e shpresojnë që ato karrike t`i fitojnë tash me partitë e reja, ku ata kanë zënë vend.
Kur dikush i pyet se si është e mundur që ata limonët e ndrydhur e të shtrydhur, të ndërrojnë parti e liderë dhe të shkojnë tek partitë dhe liderët e tjerë që deri dje i fyenin dhe i shanin me fjalët më të ndyera, ata, limonët e ndrydhur e të shtrydhur flasin e deklarojnë pa u skuqur fare, se sa ishin në partitë e mëparëshme, flisnin në emrin e partisë që i përkisnin e kurrësesi në emrin e tyre?!Dhe jo vetëm kaq. Ata, limonët e ndrydhur e të shtrydhur, tash të gëzuar e të ekzaltuar që e kanë siguruar një vend „nën diell“ flasin me miradije për partitë dhe liderët që i kanë pranuar në gjirin e tyre. Të gëzuar e të ekzaltuar flasin e premtojnë se në partitë dhe për partitë e tyre të reja do të jenë të vlefshëm dhe se do të japin gjithçka nga vetja e tyre që ato parti të fitojnë në zgjedhjet e pritshme nacionale në Kosovë?!
Në anën tjetër, partitë dhe liderët ku aderojnë limonët e ndrydhur e të shtrydhur, i pranojnë ata me të vetmin qëllim e që është fitimi i ndonjë vote më shumë për partinëdhe për veten e tyre. -Kështu limonëte ndrydhur e të shtrydhur bëhen mallë për tregun parazgjedhor në Kosovë.
Në popull thuhet:Një i mbytur në ujë kapet edhe për një kashtë të vetme duke shpresuar se do të shpëtojë. Edhe lomonëve partiakë në Kosovë të ndrydhur e të shtrydhur, nuk u ka mbetë gjë tjetër vetëm duke u kapur për ndonjë fije kashe të ndonjë partie politike të shpresojnë në të ardhmen e tyre.
Se sa do t`u plotësohen dëshirat e tyre, mbetet të shihet pas zgjedhjeve, por ata, limonët e ndrydhur e të shtrydhur duhet ta kuptojnë se partitë e mëparëshme ua kanë pirë lëngun dhe tash atyre u ka mbetur vetëm mishi, që siç e cekëm edhe në fillim të këtij shkrimi, ai, pra mishi i limonit nuk është i vlefshëm për asgjë. Por, në Kosovën e vogël, me paradokse të mëdha, mund të ndodhë gjithçka:Mund të ndodhë që limonët e ndrydhur e të shtrydhur nga partitë e mëparëshme politike, tash në partitë e reja të jenë të vlefshëm dhe të zënë ndonjë vend „nën diell". . .